Doli në dritë libri mbi “Kthesën e Madhe” të UÇK-së, nga autori, Jakup Krasniqi

Është rast i rrallë në histori, kur bërësi i lirisë njëherësh është edhe shkruesi i saj, pjesëmarrësi dhe dëshmitari, luftëtari i devotshëm dhe fitimtari. Jakup Krasniqi, është ndër të rrallët, që ka pasur fat të jetë edhe protoganist i bërjes së historisë së luftës çlirimtare edhe studiues realist i kësaj lufte, duke i mbetur besnik idealeve të lirisë dhe duke vepruar me qëllim të jetësimit përfundimtar të këtyre idealeve.

Libri më i ri i mr. Jakup Krasniqit, “Kthesa e Madhe…” i jepet në dorë lexuesve shtatë vjet e gjysmë pas mbarimit të luftës së UÇK-së. Në dukje të parë është kjo një periudhë e gjatë kohore, sepse opinioni ynë ka pritur një libër të tillë nga pena e Jakup Krasniqit, i cili ishte njëri ndër emrat më të njohur në mesin e kreatorëve të UÇK-së dhe autoritet me shumë ndikim, sidomos gjatë kohës së luftës, duke qenë ende shumë aktiv në angazhimet e tij politike, studimore e publicistike.

Ky libër publicistik, historik, paraqet një kontribut i jashtëzakonshëm për historiografinë tonë më të re, është një pasqyrë realiste e zhvillimit dialektik të ngjarjeve më madhore të historisë sonë më të re. Së bashku me edicionin e vëllimeve të monografisë “Feniksët e lirisë, I-VIII”, pastaj me një mori publikimesh me këtë temë, si: “Jehonë lufte” e analistit, Nezir Myrtaj, “Reportazhe lufte” nga publicisti, Martin Çuni, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dokumente dhe artikuj” nga Gafurr Elshani, “Tri dimensionet e UÇK-së” të Halil Katanës, “Rruga që më çoi në UÇK” dhe UÇK-ja e Kadareja” të Shpëtim Golemit, “Divizioni i Kukësit” i gjeneral Kudusi Lamës, Për kauzën e UÇK-së” e dr, Muhamet Pirrakut, “Kosova 1999” e Nikë Gjeloshit, “Lufta e Kosharës” nga Muhamet Çettaj, “Të pavdekshmit e Dukagjinit nga Hasan Hasani etj, libri i fundit i Jakup Krasniqit begaton literaturën e deritanishme shkencore studimore, ende jo sa duhet të plotësuar me temë mbi Kthesën e Madhe historike të popullit shqiptar në këto troje.

Libri “Kthesa e Madhe- Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, është shkruar nga ish- zëdhënësi i SHP të UÇK-së, luftëtar i hershëm i lëvizjes atdhetare dhe aktualisht sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, z. Jakup Krasniqi, tashmë emër shumë i njohur jo vetëm për opinionin vendor shqiptar, por edhe për atë ndërkombëtar. Duke qenë njohës i thellë i historisë së popullit tonë, i orientuar qysh herët në lëvizjen shqiptare, antipushtuese, Jakup Krasniqi, me kohë ka krijuar një pozicion të qartë kombëtar, pozicionin e luftëtarit të lirisë, me penë e pushkë.
Kjo vepër historiografike, e shtjelluar me kujdes dhe qartësi shkencore, e sistemuar kronologjikisht, e brumosur me të dhëna relevante të dorës së parë, e begatuar me fakte e argumente të shumta, e lehtë dhe e kuptueshme për të gjitha moshat e lexuesve dhe të studiuesve, është një kontribut madhor për kauzën e UÇK-së, forcë kjo ushtarake e politike, e cila e udhëhoqi me sukses luftën tonë çlirimtare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.
Autori ka arritur që në veprën e tij “Kthesa e Madhe…” të sintetizojë të gjitha të dhënat, të cilat përbëjnë një tërësi gjithëpërfshirëse shkrimore, të kundruar jo vetëm si pasqyrim subjektiv i realitetit objektiv, por, në angazhimin e tij në këtë segment ai ka arritur të materializojë lëndën, duke i inkorporuar në libër edhe dimensionet më të rëndësishme të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi. Është rast i rrallë në histori, kur bërësi i lirisë njëherësh është edhe shkruesi i saj, pjesëmarrësi dhe dëshmitari, luftëtari i devotshëm dhe fitimtari. Jakup Krasniqi është ndër të rrallët që ka pasur fat të jetë edhe protoganist i bërjes së historisë çlirimtare edhe studiues realist dhe i paanshëm i kësaj lufte, duke i mbetur gjithnjë besnik idealeve të lirisë dhe duke vepruar me qëllim të jetësimit përfundimtar të këtyre idealeve.

Libri “Kthesa e Madhe…” paraqet edhe një kthesë të re në demaskimin e qarqeve anti UÇK, qarqe këto, të cilat ende nuk kanë pushuar të derdhin helm e vrer kundër vlerave të luftës dhe kundër gjakut të derdhur për liri. Me gjuhën e fakteve dhe argumenteve historike, Jakup Krasniqi, duke qenë protoganist ndër më kryesorët të luftës së UÇK-së, në këtë libër ka sjellë një mori faktesh që tregojnë se kush ishte luftëtari i lirisë dhe cili ishte qyqari i mjerë i robërisë, kush dhe ku ndodhej gjatë luftës, cili ndihmonte me zemër mendje e shpirt luftën për liri dhe cilët ishin ata që kujdeseshin dhe vilnin favore mbi kurriz të gjakut që po derdhej rrëke në trojet e shenjta të atdheut të robëruar.

Gjithnjë me gjuhën e fakteve dhe argumenteve, Jakup Krasniqi, ka arritur të bind opinionin lexues lidhur me disa zhvillime, në të cilat ka marrë pjesë qysh prej vitit 1981. Përmes një mori faktesh relevante, dokumente e shkresa autentike, ka identifikuar alfën dhe omegën e kësaj lufte, legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari, Anteun e paepur të Shqipërisë, i cili me vendosmërinë prometejane, qëndresën titanike përballë makinerisë së tmerrshme të krimit, arriti të bëjë kthesën më të madhe në historinë tonë më të re, kthesë e cila u mbështet fuqimisht nga bashkëluftëtarët e tij dhe nga të gjitha forcat liridashëse të të gjitha viseve të Shqipërisë.

Natyrisht se një libër, cilido qoftë autori, nuk arrin të trajtojë tërësinë e një periudhe kohore me tërë kompleksitetin e zhvillimeve në kohë dhe hapësirë. Kornizat, të cilat autori ia ka parashtruar vetvetes, e kanë kufizuar pak si tepër në pasqyrimin e ngjarjeve, pjesë e të cilave ishte sidomos ai vet. Në këtë mënyrë, duket se autori ka lënë vend që në të ardhmen ta pasqyrojë e ta thellojë edhe rolin e angazhimin e eprorëve dhe luftëtarëve të tjerë nga Shqipëria, rolin e gruas dhe luftëtareve të lirisë gjatë luftës, rolin e logjistikës së luftës brenda Kosovës, e sidomos ndikimin shumë të thellë mobilizues që ka ushtruar Radio-“Kosova e lirë” në mobilizimin luftarak dhe në fuqizimin e moralit te ushtarët dhe te mbarë popullata liridashëse e Kosovës. Janë më shumë se 3000 informacione të transmetuara gjatë luftës nga frontet e ndryshme në Kosovë, më shumë se 200 komente, qindra biseda në frontet e luftës me ushtarë e eprorë, komunikata të SHP të UÇK-së, reportazhe, emisione për dëshmorët, të gjitha të emetuara në valët e kësaj radioje, e cila veç tjerash ka transmetuar edhe informacionet e Kosovapressit, që kishte lidhje përmes rrjetit në internet, por nuk kishte shtrirje brenda Kosovës, ku zhvillohej lufta dhe ku serbët kryenin krime e mizori ndër më çnjerëzoret.

Vlerësoj se Jakup Krasniqi me këtë libër ka kryer me sukses një pjesë tjetër të misionit të tij kombëtar, një obligim tjetër, një punë më shumë, një kontribut më tepër në dobi të kombit e atdheut. Do të ishte mirë që të botoheshin vepra të tilla të arrira shkencore dhe do të ishte edhe më mirë që ky dhe libra të tilla të përktheheshin në gjuhën angleze dhe të afishohen në Internet, sidomos tani, kur mjerisht, jo ne, por të tjerët po vendosin për fatin e Kosovës, ndoshta edhe duke nëpërkëmbur “Kthesën e Madhe- Ushtri Çlirimtare të Kosovës”.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …