Në librin, Opinione dhe Analiza, autori, Nezir Myrtaj ka radhitur disa nga shkrimet e vështrimet që kanë botuar analistët, studiuesit, lexuesit dhe njohësit veprave të tij, të botuara qysh prej mbarimit të luftës së UÇK-së e deri tani. Në libër janë prezantuar kryesisht shkrimet me rastin e përurimit të librave, por edhe analiza, vështrime e vlerësime të veprave të tij nga autorët të ndryshëm, që merren edhe me kritikën letrare, po ashtu edhe disa “parathënie” që ka shkruar vetë autori për disa nga librat e tij.
Duke qenë njohës mjaft i thellë i një game të gjerë të problemeve dhe rrjedhave politike shoqërore në vend e më gjerë, studiues i vëmendshëm dhe kundrues realist i rrethanave, problemeve të caktuara dhe temave të ndryshme, qoftë nga e kaluara apo aktualiteti, Nezir Myrtaj, në veprat e tij të botuara deri tani ka bërë emër të krijuesit me qasje origjinale, në trajtimin dhe interpretimin e temave të caktuara kryesisht nga realiteti faktik që ka mbretëruar dhe që po mbretëron në Kosovë, por edhe nga jeta e vepra e dëshmorëve, pastaj vepra me vlera dokumentare, ndriçime e refleksione, analiza e komente, vështrime e studime, në të cilat ka treguar një shkallë të lartë perceptimi në pasqyrimin me objektivitet të problemeve të ndryshme, që ka marrë në trajtim.
Autori në këtë libër ka prezantuar vështrimet e analizat që kanë shkruar për disa nga librat e tij: Simboli i Rezistencës Kombëtare, Adem Demaçi tani i ndjerë, pastaj prof. dr. Hakif Bajrami, kolonel, Dilaver Goxhai, dr. Sadri Fetiu, Mr. Sheremet Krasniqi, Mr. Hamdi Thaçi, Ahmet Qeriqi e Fatmir Brajshori.
Libri, Opinione dhe Analiza i autorit, Nezir Myrtaj ka 135 faqe, shtypi Lena Graphic Design, në Prishtinë. (RKL)