Fondit të librave për luftën heroike dhe fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu shtua edhe një monografi e re, e cila zbulon edhe një faqe më shumë të luftës dhe përpjekjeve shekullore të shqiptarëve liridashës e liri-bërës, për t’i dalë zot kombit e Atdheut, ende të ndarë në disa pjesë, por në rrugë historike, të pandalshme, për ta bërë një e të bashkuar.
Libri i autorit, “Samadraxha djep i lirisë”, Rexhep F. Morina, hedh dritë mbi zhvillimet, para dhe gjatë luftës së UÇK-së në këtë lokalitet e më gjerë të rrethit të Therandës, konkretisht në fushë-veprimtarinë e Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë, të Brigadës 123, të Zonës Operative të Pashtrikut, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë shtjellimit të lëndës, autori ka arritur të përshkruajë e të sistemojë ngjarjet më me rëndësi, tashmë historike të Kësaj Kompanie dhe ndërlidhjet e saj me kompani e togje të tjera, duke zgjeruar gamën e veprimtarëve të tërë një mase të madhe luftëtarësh të përkushtuar të lirisë, të cilët në momentin vendimtar, rrokën armët dhe të bashkuar, iu kundërvunë armikut serb, edhe pse të vetëdijshëm në epërsinë e tij ushtarake, por të fortë e të paepur në moralin dhe shpirtin e sakrificës së luftëtarëve të lirisë edhe në këtë zonë, sikur gjithandej në Kosovë ku vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e frymëzuar nga shembulli unikat në historinë tonë më të re të Legjendarit, Adem Shaban Jashari, familjes së tij e më gjerë…
Libri sjellë informacione të shumta, të të gjitha segmenteve, të dhëna e dëshmi të caktuara të së kaluarës së banorëve të fshatit, të dhëna e fakte nga jeta individuale e veprimtarëve të caktuar, të cilët jo rastësisht ishin inkuadruar në luftë, madje disa syresh ishin edhe protagonistë të zellshëm e të njohur të veprimtarisë së pashkëputur atdhetare, në të gjitha periudhat e vlimeve kryengritëse, revolucionare, sikur ishte edhe vetë autori i librit, me disa nga bashkëveprimtarët e tij, të cilët me kohë kishin trasuar rrugët që shpinin drejt lirisë, përmes lidhjeve e aktiviteteve të pandërprera në shërbim të kombit e atdheut.
Lënda e librit është sistemuar organikisht, me një rrjedhë të përparuar metodologjike, të mbarë-shtrimit të pjesëve në tërësinë e saj, duke e pasuruar me dëshmi faktike, dokumentare, me foto të shumta, me biografi të shkurta për 15 dëshmorët e Samadraxhës, me biografitë e veteranëve, që ndërkohë kanë ndërruar jetë, me të dhëna të tjera për 25 martirët, emrat dhe fotot e të gjithë pjesëtarëve të Kompanisë së Dytë të Batalionit të Parë, të Brigadës 123, dhe Arkivin shumë të pasur dokumentar të kësaj kompanie.
Ku libër është model i mirë për të nxitur e frymëzuar edhe autorë të tjerë, të shkruajnë, të botojnë libra me përmbajtje të tillë dhe të lënë sa më shumë dëshmi me shkrim për luftën e pastër dhe heroike të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të cilën forcat e njohura antishqiptare dhe shqipfolës të caktuar nga mbetjet e ish regjimeve okupatore, po bëjnë përpjekje ta zhvlerësojnë, ta minimizojnë ta ndëshkojnë, madje duke e trajtuar si, ”Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, sikur aktualisht e trajton Gjykata Speciale kundër UÇK-së. (A.Q.)
Libri ka 326 faqe, shtypi, “Fidani”, Prizren 2022.