Doli në dritë vepra e autorit, Dilaver Goxhai, “Komandanti i Pararojës”

E vërteta, realiteti  dhe qëndrueshmëria historike e luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në veprën e Dilaver Goxhait, “Komandanti i Pararojës”,  përbëjnë bazamentin  mbi të cilin  autori e ka mbarështuar materialin në një tërësi dokumentare, letrare e artistike.  Autori i kësaj vepre është emër i njohur për ushtrinë, letërsinë dhe literaturën ushtarake në Shqipëri, ndërsa për ne në Kosovë është i njohur veçanërisht për kontributin profesional e atdhetar, që i ka dhënë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dilaver Goxhai, përveç studimeve të shumta të karakterit profesional ushtarak, që i ka botuar në shtypin periodik të kohës, prej vitit 2000 e  deri tani ka botuar edhe disa vepra publicistike e letrare. Në vitin 2000 ka botuar librin, “Rruga që më çoi në UÇK”, në vitin 2004 librin  UÇK-ja dhe Kadareja, në vitin … Fusha e Flamurit” grup autorësh, librin publicistik, “Romantika e luftës së UÇK-së, 2012 dhe së fundi veprën, “Komandanti i pararojës”, e cila sapo ka dalë nga shtypi.

Kjo vepër edhe pse është e veçantë nga pikëpamja e ndërtimit, autori  i saj ka arritur  që projektin e tij ideor ta mbarështojë duke kombinuar me sukses elemente dokumentare historike me elemente të romanit modern, i cili tashmë kudo në botë ka  thyer skemat tradicionale të teorive të ndryshme. Kjo vepër i korrespondon përkufizimit  të romanit dokumentar biografik, ashtu sikur qëndron edhe në përkufizimin e monografisë letrare, që në esencë është e njëjta.

Autori, në këtë vepër  mban gjallë vëmendjen e lexuesit duke ia zgjuar kureshtjen dhe duke mos e lënë për asnjë çast ta humb fillin e leximit, edhe pse vepra është voluminoze dhe mjaft heterogjene nga pikëpamja e mbarështimit të materialit, por autori me mjeshtërinë e  krijuesit, që e zotëron mjaft mirë lëndën, ka arritur që krejt pjesët, dokumentare, dialoguese e imagjinare t’ i lidh dhe t’ i sintetizojë në një tërësi, duke risjellë në kujtesë kohën e luftës përmes  liribërësve dhe duke e freskuar atë me dromca, dialogje, kujtime, me qëllim për ta paraqitur sa më besnikërisht realitetin, të cilin e ka trajtuar me realizëm e vërtetësi të faktuar e të dëshmuat

Romani “Komandanti i Pararojës” mbi të gjitha është kontribut për zbardhjen e biografisë së një heroi jo edhe aq të harruar, por të rikthyer me shkas në kujtesë, në kohën kur kishin filluar përpjekjet për demonizimin e Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare  dhe përpjekjet edhe më ogurzeza që kjo luftë,  (edhe pse ishte pjesë integrale  e Koalicionit Antifashist të tërë botës), në rastin e Shqipërisë,  të paraqitej si një luftë civile, vëllavrasëse. Dhe jo rastësisht, pikërisht elementë të tillë atdhe e luftë mohues kanë pretenduar e mjerisht edhe po pretendojnë që t’i përdhosin vlerat e LANÇ-së si vlera unike historike që i njeh dhe i ka pranuar e tërë bota përparimtare, sidomos ajo bota demokratike që kishte krijuar Koalicionin e forcave Antifashiste në nivel botëror.

Autori, përmes fakteve të shumta që i ka gjurmuar me këmbëngulje, shfletimit dhe leximit të një literature mjaft të pasur, kontaktit me bashkëluftëtarët e partizanit,  Kamber Sadik Dinaj, ka arritur që tërë lëndën e grumbulluar ta sintetizojë si një tërësi të lidhur mirë, e cila është stisur edhe më mirë me një gjuhë të pasur, me dialogje shpeshherë edhe ekspresive, tipizimin e  një galerie të tërë personazheve, të cilëve u ka dhënë edhe tipare, që  akordojnë në raport me kohën e hapësirën e zhvillimit retrospektiv të ngjarjeve.

Mendoj se kjo vepër do të jetë  një kontribut jo vetëm  modest për Luftën Nacionalçlirimtare  por  edhe një kontribut shtesë për Brigadën e Parë Sulmuese, të cilës i kishte dhënë shpirt, përkushtim, dije, aftësi, zotësi e zhdërvjelltësi, komandanti i saj, Mehmet Shehu, që njëherësh  kishte qenë edhe strumbullari kryesor i LNÇ-së, i ruajtjes së SHP të UNÇ-së kohën më kritike dhe i Çlirimit të Tiranës, brenda afatit që iu kishte premtuar forcave aleate antifashiste.

Figura, luftarake e strategjike e Mehmet Shehut, me fundin e vet tragjik, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk e zbeh rolin që ai i ka dhënë LNÇ-së, pa e harruar edhe kontributin në luftë kundër fashizmit të Frankos në Spanjën e legjendave të internacionalistëve të mbarë botës përparimtare, si  dhe përkushtimin që i ka dhënë ndërtimit të atdheut. Segmentet me të cilat autori ka shfrytëzuar kujtimet e bashkëluftëtarit,  Kamber Dinaj,  respekti që ai shpreh për të vërtetën e luftës partizane, larg skemave me të cilat janë thurur shumë  vepra të kësaj përmbajtjeje, këtë vepër e bëjnë të qëndrueshme, të fortë dhe mbi të gjitha të besueshme.

Dilaver Goxhai është mjeshtër i rrëfimit, ashtu sikur është në komunikimin e përditshëm, i tillë është treguar edhe në këtë vepër. Me një stil tashmë origjinal, me disa vepra të botuara zhanresh të ndryshme, me një gjuhë të pasur komunikuese, autori ka arritur të radhitet në mesin e krijuesve të arrirë të kohës sonë. Vepra, për nga përmbajtja, narracioni, është sugjestionuese befasuese, elemente që i përgjigjen edhe vetë diskursit të autorit gjatë komunikimit letrar. Vepra, “Komandanti i Pararojës ka 404 faqe, botoi EDLORA,shtypi Art Grafik, Tiranë.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …