Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në dukje një konglomerat  temash, shkrimesh, analizash, fjalimesh, kujtimesh, vështrimesh, studimesh, idesh,  kumtesash, por në esencë,  është  i mbushur me të gjitha, meqë është projektuar si lëndë e përmbledhur për të rrumbullakësuar tërë një veprimtari, krijimtari, rrëfimtari, kundruar në shumë segmente, të cilat e formësojnë këtë tërësi organike, shkrimore.

Të shkruash për jetën dhe veprimtarinë e begatë të Ismet Begollit, gazetarit, intelektualit, krijuesit, të burgosurit politik e mbi të gjitha qëndrestarit me gjene dhe ADN atdhetare, është punë e lehtë në dukje se pse ke për çfarë shkruan, por është edhe një shqetësim i llojit të vet,  pasi me një vështrim apo recension sikur ky,  nuk përmblidhen dot, jeta, vuajtjet, vështirësitë, persekutimi i tij dhe i familjes ndër breza, nga të gjithë pushtuesit. Ismeti me vëllezërit, familjen, të afërmit, veprimtarët, të burgosurit, kolegët, luftëtarët e lirisë i takojnë  brezit militant atdhetar, jo vetëm të Shalës së Bajgorës, ku është vendlindja e tij, por të Kosovës në veçanti e të kombit përgjithësisht…

Libri, “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i ofrohet lexuesit me qëllim për t’ u njohur me një personalitet të veçantë, sikur është Ismet Begolli, i cili tërë jetën, mbi të gjitha  ia ka kushtuar kombit e atdheut, natyrisht edhe familjes,  shoqërisë, shokëve e miqve të shumtë, të cilët e njohin, e duan, kanë respekt dhe e çmojnë, për punën, angazhimin, vuajtjet në jetë që ia ka shkaktuar regjimi okupator atij dhe familjes, pastaj koha e kaluar nëpër burgje gjatë regjimit titist, pasuar me regjime gjithnjë të egra e mizore kundër shqiptarëve në përgjithësi, në veçantë të atyre që nuk janë pajtuar kurrë me robërinë, por e kanë luftuar sa herë kanë mundur me forma e veprime ndër më të ndryshmet. Këtë e ka bërë edhe Ismeti, i edukuar që në fëmijëri me ide kombëtare e shoqërore.

Jeta dhe vepra e gjithanshme e Ismet Begollit, ka specifikat e veta, nga ato të përgjithshmet deri të veçantat, ashtu si jeta dhe vepra e qëndrestarëve, krijuesve, intelektualëve të njohur, të cilët kanë vepruar,  jo për të bërë emër e pastaj për ta përdorur si kapital për favore e përfitime, sikur kanë bërë dhe bëjnë jo pak njerëz, por në radhë të parë për të bërë punë të dobishme, për ta bërë të mirën, e për ta hedhur në detin e mirësive  pa rrahur gjoks pastaj, por për ta lënë trashëgim, me qëllim  që ajo të jetë në shërbim të atyre, që i vjelin frytet po edhe vetë mbjellin të mirën, të dobishmen, në varganin e pashkëputshëm të ligjeve të natyrës.

Libri hapet me një kronologji familjare, gjenealogjike prej të parëve, që dihen dhe  që janë evidentuar e deri në ditët tona. Është një pasqyrim  i mbushur me të dhëna që dëshmojnë vazhdimësinë qëndrestare, nga brezi në brez, duke mos  u dhënë, duke mos u dorëzuar, por duke rezistuar para çdo stuhie, para çdo fushate të egër, që kanë ndërmarrë regjimet antipopullore dhe antishqiptare në përgjithësi. Në këtë libër janë të pranishme edhe kujtimet familjare të autorit, shkollimi fillor dhe i mesëm, studimet, puna, pastaj burgu, i dënuar me 12 vjet në vitin 1984 me disa bashkëveprimtarë, po ashtu të njohur, po ashtu qëndrestarë të paepur…

 Një vend me rëndësi në këtë libër zënë edhe kumtesat, të cilat i ka lexuar nëpër tubime, akademi, tryeza, veçmas at0 për, profesorin, filozofin,  diplomatin, atdhetarin, Ukshin Hoti, fati të cilit ende ka mbetur i pandriçuar. Po kështu ka shkruar edhe për ngjarjet e përgjithshme në Kosovë, për familjen, vrasjen e babait dhe të afërmeve nga regjimi fashist i Millosheviqit, kujtime rrëfime e tregime nga jete nëpër burgje, për Lëvizjen atdhetare  kryengritëse të vitit 1981, për fatin dhe rezistencën e minatorëve e sa e sa tema të tjera të përditshmërisë.

Duke qenë nënkryetar i UNIKOMB-it në Prishtinë, ai është marrë edhe me shkrime e analiza politike, të cilat mbajnë vulën e kohës dhe të programit e aktivitetit  të kësaj lëvizjeje atdhetare, e cila për  një  kohë patin në krye edhe Ukshin Hotin.

Në libër janë prezantuar shumë shkrime, analiza, studime, të shkruara  në vitin 1997, kur kishte  filluar një klime e re e rezistencës. Ka shkruar edhe  për Adem Demaçin, Simbolin e Lëvizjes së Rezistencës, karakterin dhe qëndresën e tij të pathyeshme si dhe ndikimin që ka ushtruar te forcat liridashësve jo vetëm në Kosovë, po kudo në trojet shqiptare.

Një vend me rëndësi zënë edhe analizat për raportet historike shqiptare serbe, pastaj ato në fillimet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë e më gjerë. Ka  shkruar për masakrat  serbe në Likoshan e Qerez  dhe shkrime për dëshmorët e shumtë.

Në pjesën e fundit të librit: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, janë përzgjedhur disa poezi të cilat përgjithësisht janë përkushtuese për personalitete të  kombit si  Isa Boletini, Adem Demaçi, për dëshmorët si Hasan Ramadani, Ali Ajeti, Agron Rrahmani e të tjerë si dhe poezi me tema e motive të ndryshme qoftë  nga e kaluara apo aktualiteti.

Poezia e Ismet Begollit është plot frymëzim, e shkruar me përkushtim, e pasur me figura stilistike, e latuar mirë e motivuar si duhet, mbi të gjitha e shkruar me përkushtim, atdhedashuri e realizëm.

Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë” i  publicistit, poetit, shkrimtarit  të talentuar e të mirënjohur, Ismet Begolli, do të mbetet dëshmi dokumentare e kohës për brezat e ardhshëm, si një pasuri e veçantë e krijimtarisë së kohës, një pasqyrë besnike e shënimit dhe pasqyrimit të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë e më gjerë, para gjatë dhe pas luftës, libër i kohës së pasqyrimit të   kthesave më të  mëdha të historisë sonë më të re  kombëtare.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 1. 2024

Prishtinë 

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …