Doli nga shtypi libri, ‘Atletët e Lirisë’ i autorit, Gjergj Dedaj, politikan, diplomat dhe veprimtar i mirënjohur

Doli nga shtypi libri, ‘Atletët e Lirisë’ i autorit, Gjergj Dedaj, politikan, diplomat dhe veprimtar i mirënjohur

Gjergj Dedaj është  themelues i Liberal Demokracisë Liberale në vitin 1991, kryetar i saj deri në vitin 2016 dhe aktualisht President Nderi i PLK-së. Kjo parti ka qenë anëtare me të drejta të plota në Aleancën Liberale Demokratike të Europës (ALDE),  me seli në Bruksel dhe në Internacionalen Liberale me seli, në Londër, ku për një mandat ishte nënkryetar i kësaj familje politike botërore, me mbi 100 parti politike të profilit liberal demokrat.

Dedaj ishte edhe njëri ndër kandidatët të sajë për”Çmimin e Lirisë” por edhe finalist i Çmimit LIDER nga Komiteti i Regjioneve të Parlamentit Europian.

Nga viti 2013 është “Qytetar Nderi”i Lezhës, pastaj i dekoruar nga ish-kryetari i Kosovës  Hashim Thaçi me Medaljen e Pavarësisë, me rastin e 10-vjetorit te pavarësisë së Kosovës si dhe nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me Medaljen “Urdhri i Skënderbeut” etj.

Në vitin 1998, ka qenë kryetar i Këshillit Organizativ dhe prijës i 60 demonstratave gjithë-popullore në Prishtinë kundër terrorit të Serbisë në Kosovë, solidarizimit me UÇK[-në dhe thirrjes për ndërhyrjen e NATO-s.

Po në gusht dhe shtator të atij viti ishte kryetar i delegacionit të Kuvendit të Kosovës, për të vizituar zonat e luftës në disa rajone të vendit.

 Në vitin 1999, ka qenë pjesëmarrës në Paris, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë.

 Veç pozitave si  zëvendës-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i Kulturës Rinisë dhe Sportit ishte edhe  zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës. Nga viti 2019-2021 ishte ambasador i Kosovës në Shkup, kur është shkarkuar kundërligjshëm nga posti  në gjysmë  të mandatit, si hakmarrje politike nga pushteti aktual, i krijuar pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2021.

Përveç gjuhës amtare, shqipe. flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjermane. Jeton në Prishtinë bashkë me familjen e tij.

Ky është me pak fjalë dimensioni i angazhimeve të tij politike e diplomatike, por kjo nuk është e tëra, sepse Gjergj Dedaj ka zhvilluar dhe ende zhvillon një veprimtari të gjerë e të shumanshme, politike, shoqërore, por edhe publicistike e letrare,  të cilën tani së fundmi e ka përmbledhur dhe e ka botuar në librin e tij, ‘Atletët e Lirisë’. në 30-vjetorin e saj, jubilar. 

Duke qenë njohës  thellë i kushteve e rrethanave politike e shoqërore në vendin tonë e më gjerë, i vetëdijshëm se jeta ka të pritura e të pritura, i orientuar në rrugën paqësore të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare, Gjergj Dedaj, ka dhënë një kontribut të çmuar, në prezantimin e çështjes së Kosovës sidomos në qarqet politike evropiane, dhe, në këtë drejtim ka treguar sukses meritor.

Kohëve të fundit është ballafaquar edhe me Gjykatën  Speciale, në cilësi të dëshmitarit, në procesin gjyqësor  që po mbahet, në Hagë, kundër katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Përkundër dëshirës së tij, në nëntor të vitit 2023, ishte ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit ndaj katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniiqi dhe Rexhep Selimi.  Gjergj Dedaj ka  shprehur indinjatë dhe pakënaqësi ndaj kësaj gjykate politike dhe të padrejtë dhe ka kërkuar gjykim të kriminelëve dhe autorëve të gjenocidit dhe krimeve në Kosovë, të cilët ishin  forcat serbe të pushtetit diktatorial dhe fashist të Millosheviqit. Ai ka saktësuar se UÇK-ja si aleate e NATO-s ka bërë luftë të pastër, të drejtë, vetëmbrojtëse dhe çlirimtare në territorin e Kosovës!

Gjergj Dedaj ka  kërkuar dënimin e forcave serbe për 400 masakrat e ekzekutuara në Kosovë, për vrasjen e mijëra civilëve, grave, fëmijëve dhe të moshuarve, duke përfshirë edhe vrasjen e 12 anëtarëve të familjes Dedaj, me 27 prill  të vitit1999, në ditën e masakrës së afër 380 shqiptarëve civilë në Meje të Gjakovës, për këtë krim dhe mijëra krime tjera askush nuk është dënuar nga vrastarët serbë të këtyre krimeve kundër njerëzimit.

 Kronikë  dokumentare publicistike

Libri, ‘Atletët e Lirisë’, i autorit, Gjergj Dedaj, është një Kronikë  dokumentare, publicistike, e ngjarjeve dhe ndodhive kryesore, me të cilat është ballafaquar kryesisht Kosova,  por edhe shqiptarët në përgjithësi në rrugëtimin e tyre historik, shoqëror e politik, gjatë tridhjetë viteve të fundit.

Pikërisht brenda këtij mesi dhe kësaj periudhe kohore, është inkorporuar edhe tema lënda, përmbajtja kronologjike e ngjarjeve në Partinë Liberale të Kosovës, në krye të së cilës ka qenë dhe është, politikani e diplomati, Gjergj Dedaj.

Duke iu përmbajtur zhvillimeve shoqërore e politike të realitetit. i tillë çfarë ka mbretëruar në këto 30 vjet, autori i librit i ka sjellë lexuesit tërë një botë të angazhimeve të tij, jo vetëm personale, por në radhë të parë një bote të tërë kolektive, që shtrihet në kohë e hapësirë, në sinkroninë dhe diakroninë e saj  dhe që segmentohet dhe inkorporohet në tërësinë e zhvillimeve, kombëtare e ndërkombëtare.

Rrëfimet e ndodhitë prej atyre personale e familjare deri te ato kolektive dhe të përgjithshme, janë sistemuar kronol0gjikisht, në kohë dhe hapësirë, si zhvillime  shkak-pasojë të determinuara në rrjedhat e përgjithshme, duke pasqyruar besnikërisht realitetin e zhvillimeve në Kosovën  e para luftës,  gjatë dhe pas luftës, në tri periudhat më të rëndësishme të saj, pastaj trevave të shkapërderdhura shqiptare, rajonit në përgjithësi, por edhe më gjerë…

Faktet që ka sjellë autori i librit, Gjergj Dedaj, kanë të bëjnë me një periudhë kohore shumë të pasur me ngjarje, ndodhi, tubime, tryeza, akademi, simpoziume,  konferenca shtypi e të tjera, të cilat kanë pasur në vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, ndër shqiptarë veçanërisht, por edhe në rajon e më gjerë, nga tërë faktori ndërkombëtar e në veçanti na ai,  euro-amerikan.

Në këtë mes, Partia Liberale e Kosovës, kishte autoritet të veçantë nga partitë simotra në Evropë e më gjerë, kishte edhe një përkrahje të brendshme, si një parti e moderuar, jo militante por jo edhe krejtësisht pacifiste.

Aktiviteti që kishte zhvilluar kjo parti brenda dhe jashtë Kosovës  kishte një peshë të veçantë edhe me fatin se nuk kishte aplikuar  dallime, as përkufizime  fetare, pavarësish se në krye, por edhe te një pjesë e shprehur dominonte e  anëtarësisë ishte e besimit katolik, po nuk ishte qenësorja, pasi shqiptarët me kohë kanë pranuar mesazhin historik të Rilindjes Kombëtare, ‘një herë, atdheu e kombi, pastaj feja’.

Libri është i pasur me të gjitha anët e hartimit, përmbajtjes, shtjellimit, paraqitjes së fakteve e të dhënave të shumta të përbëra nga të gjitha segmentet e jetës kombëtare, politike e shoqërore të kohës. Segment i veçantë është edhe ilustrimi me foto të shumta që përmbushin faktografinë vizuale, duke stopuar kohën për një sekondë dhe duke mbetur në përjetësinë e ngurosur fizike, të momentit. Libri, ‘Atletët e Lirisë’, i autorit, Gjergj Dedaj ka 613 faqe shtypur në Vi-Print, qindra ilustrime, fakte, faksimile, dokumente, komente, analiza, vështrime lidhje speciale, që përmbushin të gjitha normat e botimeve  të avansuara bashkëkohore. Ky libër i ka munguar lexuesve në Kosovë e më gjerë, por mjafton që tani ka dalë në dritë shumë i kompletuar dhe në shumë segmente e ka pasuruar edhe letërsinë tonë të përgjithshme kombëtare.

Ahmet Qeriqi

30. 7. 2024

Prishtinë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj

Ramiz Tafilaj: Shtëpia botuese “JALIFAT PUBLISHING LLC”, prezanton librin e autorit, Adem Lushaj;  “MANASTIRI I DEÇANIT DHE PRONAT SHOQËRORE

Ramiz Tafilaj Shtëpia botuese “JALIFAT PUBLISHING LLC” nga Hjustoni prezanton librin e autorit Adem Lushaj …