Libri me novela dhe rrëfime i Ismet Begollit, i titulluar, “Alo-Billi”, është një prozë moderne, e veçantë për nga përmbajtja, pasi ngjarjet e vendosura në novelë dhe në tregime të gjata e të shkurta, janë shumëdimensionale dhe shtrihen në kohë e hapësira të ndryshme. Novela, trajton një temë delikate, ndoshta të vetmen deri tani nga ndonjë prozator shqiptar i Kosovës. Ngjarja vendoset diku në Serbi, në ish-RSFJ, edhe pse nuk specifikohet vendi, me qëllim të vepra të anashkalojë sipërfaqësisht, anën dokumentare dhe të brumoset me të përgjithshmen, e cila i shkon përshtati romanit, novelës, rrëfimeve artistike e kështu me radhë.
Në kohën e luftërave të Armatës Jugosllave për ta ruajtur Jugosllavinë, në vitet 90-të të shekulli XX, në të cilën, dominonin serbët, sidomos në Ushtri, Polici dhe ne kreun e Federatës, në përpjekje për t ia zgjatur jetën të “Sëmurës së Ballkanit”, sikur e kishte diagnostifikuar me realizëm politik, Enver Hoxha, kishte ndodhur dhe shpërbërja e saj shumë e përgjakshme, ashtu sikur edhe bërja e saj, fort e përgjakshme, me ndihmën e Rusisë dhe shteteve më të mëdha të Evropës, në vitet 1912-1918, e cila dëmin më të madh ia kishte shkaktuar shqiptarëve dhe Shqipërisë përgjithësisht.
Në qendër të novelës është fati i gjeneralit, Simiq dhe bashkëshortes së tij, Dara, i cili edhe pse oficer i lartë nuk kishte pranuar të zbatonte urdhrin për që ta bombardonte një Radiotelevizion të një qyteti të madh. Nga një gjeneral i njohur, dhe tejet i përkushtuar për ta mbrojtur vendin, degradohet dhe sillet në gjykatë, si dezertor.
Ai ndodhej para dilemë së tij jetësore, të ruante kufijtë, vendin, tërësinë gjeografike, apo kombet, njerëzit që donin të jetonin të lirë dhe të pavarur. Pas lëkundje dhe dilemave ai përcaktohet për njerëzit, jo për kufijtë e tokave.
Duke qenë se kishte bënë kontakt me magnatin amerikan, Billi, atij i kishte bërë të ditur edhe dilemën e tij, i bindur se lufta kundër të gjithëve nuk do të fitohej…
Autori me librin e tij dëshmon se e njeh deri në detale mentalitetin e serbëve, sidomos të ushtarakëve dhe edhe të shtresave të tjera shoqërore. I njeh në radhë të parë kontradiktat shoqërore e politikë të një federate shumëkombëshe, e cila kishte filluar të shembej dhe ishte shembur nga brenda, për shkak të problemeve të pazgjidhura kombëtare të p0pujve, që kishin jetuar në të.
Novela, Alo-Billi, na paraqet ambiente të një shteti fqinj, që ishte në rrugë të shpërbërjes, por që me qëllim për të ekzistuar nuk i kursente popujt që nuk donin të jetonin në diktat të një diktatori, andaj edhe kishte plasur lufta e përgjakshme, që u kishte marrë jetën qindra e mijëra njerëzve të pafajshëm.
Novela është e mbushur me personazhe nga më të ndryshmet, prej ushtarëve e deri te gjeneralët prej nëpunësve të administratës e deri te Sigurimi sekret i Shtetit, prej njerëzve halleshumë, që mezi ia dalin të jetojnë e deri te bandat e kriminelët, që ua nxijnë jetën njerëzve të pafajshëm.
Autori novelën e përfundon me fatin e Darës, gruas së gjeneralit Simiq e cila kishte shkuar ta kontaktonte Billin, për të marrë mbase edhe ndihmën e tij, por sapo arrin në Gjenevë pak para orës nëntë, aeroplani i kompanisë XY, që fluturonte në relacionin Gjenevë – qyteti N…, kishte humbi kontrollin dhe ishte përmbys në kodrat afër qytetit. Sipas lajmeve të para, të gjithë udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën. Spikerja filloi të lexonte emrat e udhëtarëve dhe të anëtarëve të ekuipazhit që në orën tetë ishin nisur me atë aeroplan nga aeroporti. Në mesin e atyre që iu lexua emri Dara njohu Bill Mortonin. Paska vdekur Billi, tha Dara duke shikuar Ritën që po bënte punët nëpër kuzhinë.
Në fund të novelës autori, si zgjidhje të veprimit ka zgjedhur gjykimin e gjeneral Simit, dezertor i Armatës së Jugosllavisë.
Në vazhdim të rrëfimeve të këtij libri autori, Ismet Begolli, ka radhitur rrëfimin e dytë, të titulluar Zhgënjimi, të pasuar me disa tregime të tjera temash e përmbajtjes të ndryshme si: Kufiri, në Ministri, Rrëfimi, një tregim i gjatë dhe i sistemuar me një të veçantë, pastaj disa satira, dhe në fund rrëfimet Fitorja e Humbur, Ushtria botërore dhe Ndalesa.
Të gjitha këto tregime janë të motivuara dhe të hartuara me mjeshtëri artistike, me përshkrime dhe dialogë e monologë ekspresivë, me gjuhë të pasur komunikimi dhe me një stil të kuptueshëm për çdo lexues.
Ahmet Qeriqi
- 1. 2024
Prishtinë