Doli nga shtypi libri me poezi, “Lirikat e fjetura”, i autorit, Mehmet Bislimi

Dy dekadat e fundit letërsia shqiptare ka pasur prurje të pazakonshme në fushë të saj, si me numrin e autorëve ashtu edhe me numrin e veprave të shkruara dhe, madje edhe me numrin e veprave të përkthyera. Arsyet e këtyre prurje janë thënë jo njëherë dhe mund të tipologjizohen edhe më tej, si për modelin e ardhur nga radhët e shkrimtarëve ashtu edhe për prirjen semantike të veprave të shkruara a të përkthyera.

Shkrimtari Mehmet Bislimi është njëri prej krijuesve të dekadës së fundit, i cili shquhet për trashëgiminë jetësore të biografisë së tij, për modelin se si ka hyrë në letrat shqipe dhe për prurjet estetike të krijimtarisë së tij. Në letërsinë shqipe ai hyn me konceptet intelektuale të krijuesit, që në shoqërinë shqiptare ka sjellë më parë se sa mendimin kritik për letërsinë, mendimin kritik për lirinë e të qenit shqiptar. Duke i takuar radhës së atyre krijuesve që mendimin dhe angazhimin e tyre jetësor e konsideronin mision, ai la mënjanë për shumë vjet anën shpirtërore subjektive deri në fund të Luftës çlirimtare të Kosovës. Por, kur misionin e tij si shumë pjesëtarë të Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës e konsideroi të përmbyllur, së paku si një akt të dramës së madhe kombëtare, Mehmet Bislimi hapi portën e madhe shpirtërore dhe pse jo edhe mjeshtërinë e tij prej analisti, hulumtuesi, studiuesi, poeti dhe para se gjithash krijuesi letrar. Në këtë rrjedhë ai krahas poezisë botoi monografi për dëshmorët, vëllime me prozë të trashëgimisë popullore, vëllime me analiza politike të karakterit nacional etj. A mund të thuhet se kjo është arsyeja pse krijimtaria e tij letrare është pasuruar me veçori të letërsisë gojore dhe struktura të veçanta gjuhësore e semantike të lirikës së saj. Dhe pse të mos thuhet se kjo mund të jetë edhe premisa e një shtrese të përhershme etike me bazë në të menduarit tradicional, me të cilën shquhet gjithashtu një pjesë e poezisë së tij.

Vëllimit me poezi Lirika të fjetura, ju prinë një Hyrje jo shumë e zakonshme në fushë të letrave shqipe. I kujdesshëm që të mos trazojë zemrat e lexuesve të poezive të tij të fjetura ndër dorëshkrime zemre, ai bën një hyrje shpjeguese me të cilën dëshmon se këto poezi i janë kushtuar gjinisë tjetër, botës së urtë dhe të veçantë të saj, si dhe kujtesës që e përcjell respektin për të.

Vëllimi poetik me titull Lirikat e fjetura, është strukturuar nga një numër ciklesh dhe poezish, të cilat përveç me ndonjë esencë motivuese nuk shquhen për ndonjë nuancë tjetër stilistike, gjuhësore a metrike, prandaj ashtu sikur rrinë të ndara në cikle të shumta, ashtu edhe do të mundë të shquheshin si një tërësi tematike, stilistikore dhe perceptuese. Le të shohim në fillim vetëm strukturën motivore të fjalësit a togfjalëshit, me të cilët është bërë ndarja e cikleve poetike: Ndjenjë e vakët, Aromë ftoi, Thyerje në pasqyrë, Epikë e përflakur, Lirikë shpirtërore, Falni lirikat, Atje ku nuk bie borë, Autorë të sakrifikuar, Hijet e shpirtit, Zanoret e bardha, Lirikat e fjetura dhe Kumbim kambanash. Prej titujve të vënë nuk është vështirë të shihet jo vetëm mesazhi poetik por edhe simbolika e trashëguar e tabanit tradicional, qoftë e letërsisë popullore qoftë e letërsisë së shkruar, kryesisht rustikale, në njësitë leksikore: vakët, ftua, epikë, shpirt, përflakje, bardhë, fjetur, falje, kambanë;  po edhe largim nga ajo: pasqyrë, sakrificë, zanore, hije shpirti etj., të cilat mjeshtri ynë i ka strukturuar me kujdes dhe me përkushtim të rrallë, si pak krijues të brezit të tij.

Diskutimi i poezisë së tij qoftë brenda cikleve, qoftë më vete, do të mundë të sillte një ide më të plotë për tërësinë estetike e konceptuar jo vetëm për një poezi, po edhe për tërësinë e saj. Ato marrin nismë që nga kujtesa për sytë e një fëmije të mbushur dashuri, te rinia e mbarsur me ëndrra djaloshare e që fluturojnë mbi horizont dhe përmbyllen me ‘marrëzitë’ e moshës së bardhë. Poezitë e identifikuara kryesisht me përemra, ëndrra, përkushtime personale, ndjenja të përziera, moshë, plagë zemre të ringjallura thellë në ndjenjat e një moshe të shtyrë etj., janë ato që e përcaktojnë përbërësin e motiveve, temave, ideve dhe mesazheve të përcjella me një pasuri shenjash dhe etiketash etike të traditës sonë. Të kësaj natyre janë poezitë Asaj, Fotografia, Ka vite, Plagët, Brengë e vjetër, Kujtime, Moshë e vite, Pa dashje (një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi), Ëndërr e vjetër, Sorkadhes etj., si këto, me të cilat identifikohen jo vetëm motivet dhe ciklet e poezive, por edhe tërësia tematike dhe estetike e këtij vëllimi.  Janë vargje të mallit dhe të kujtesës me të, për të cilat autori ynë që në fillim kërkon ndjesë, sepse:

“nuk dua t’ia lëndoj

ëndrrat e saja të bardha

me ndjenjat e mia të mallit të parë”,

thekson në një nga poezitë e para, si për të plotësuar Parathënien e shkruar në hyrje të këtij vëllimi.

Krijues me dhunti të theksuar për përdorimin e humorit tradicional dhe sarkazmës letrare, Mehmet Bislimi është shquar në mënyrë të veçantë për përshtrirjen e saj edhe në letërsinë artistike, në të vërtetë edhe në poezitë e kësaj përmbledhjeje. Si në pak vëllime të poezisë sonë këta përbërës letrarë të veshur në të shumtën e rasteve me vlera etike, të dala kur nga formulimet popullore e kur nga gjedha e shkruar filozofike, zënë vend të rëndësishëm, për të mos thënë, bëhen simbolika e strukturës poetike në poezinë e tij. Pa satirën, me të cilën e ka veshur pothuajse gjithë sistemin poetik të tij, vështirë se do të mundë të shquhej në këto përmasa universi vetjak i poezisë së Mehmet Bislimit, përkundrazi. Janë pikërisht këto vlera, të cilat e cilësojnë edhe Lirikën e fjetur, poezinë e kujtesës së vonuar a të rishfaqur dhe lirikën besoj më sublime të poetit të zbardhur ndër vite:

“muzat e mesnatës me joshje

në befasi i zura

më lusnin që t’i falja

jo

nuk i fala

në poezi i vura”

Në të vërtetë, poezi të kësaj natyre a të këtyre motiveve, as nuk janë shkruar për herë të parë as nuk janë shkruar vetëm në gjuhën shqipe. Por poezitë e krijuesit tonë janë të veçanta, sepse ato zhvillohen paralelisht në dy rrafshe: rrafshi i parë përshkohet përgjithësisht nga marrëzia e të qenit njeri i dashuruar, me vitet dhe me aktin dashuror, si një dukuri e përjetshme dhe më në fund si një faktor fiziologjik, që e bënë të qenësishme edhe sarkazmin; ndërsa rrafshi i dytë që zhvillohet pothuajse paralel me të parin, është vetëdija për ‘bëmat’ e narratorit dhe ndërdijen për kodin etik të kësaj bëme. Janë dy përmasa e paralele të dala mrekullueshëm nga ky krijues, për të cilat shpresoj të shkruaj një herë tjetër më gjerësisht.

Le të jetë prandaj kjo edhe vetëm njëra prej arsyeve pse sot mund të thuhet se autori i këtij vëllimi bën një hap cilësor në poezinë shqipe, në të vërtetë në afrimin e parametrave të traditës së poezisë shqipe me vlerat estetike të poezisë moderne të saj.

Prishtinë, shkurt 2013

Prof. asoc. dr. Begzad BALIU

Dy poezi nga kjo përmbledhje

Pritje

me çiltërsinë e shpirtit

pritën ato

kthimin e burrave

nga syrgjyni

kurbeti

burgu e mali

me flokun mbi supe

si petkat e bardha larë

në lotin e kripur

kristal pritje ngrirë

në gjoksin e tyre pesha e pritjes

kallë

si prapa derës së hekurt

përnjëherësh

dashuri e vuajtje

ndryrë

nga malli i pritjes

kallë

Portret

në galerinë e qytetit tim

atë ditë

mungonte portreti yt

kryq e tërthorë i rashë gjithandej

askush s’të ngjante

as në portret

fytyrë zbehur ika nga aty

me frymën e këputur

në vesh

zanat butësisht më thanë

o njeri i mirë

portreti portretit

nuk i ngjan

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …