Doli nga shtypi libri, Mulla Sherif i Kizharekës, i autorit, Ahmet Qeriqi

Doli nga shtypi libri, Mulla Sherifi i Kizharekës, i autorit, Ahmet Qeriqi

Ka dalë në  dritë  libri, Mulla Sherifi i Kizharekës,  i njohur edhe si “Nastradini i Drenicës”, vepër studiuese, dokumentare e  autorit, Ahmet Qeriqi. Lexuesi në Kosovë e më gjerë, tani  ka në dorë një libër krejtësisht të veçantë, si për nga përmbajtja ashtu edhe nga qasja realiste që i ka bërë kësaj teme, autori, njohës  edhe i traditës, fesë dhe kulturës islame në vendin tonë. Mulla Sherif Bajraktari (1881-1963) përveç hoxhë imam dhe burri i zakonit, ishte edhe një humorist e satirik, ndër më të njohurit në Kosovë. Anekdotat e tij, origjinale sjellin një pasqyrë tejet interesante për realitetin dhe kontradiktat shoqërore të kohës kur ka jetuar dhe ka vepruar mulla Sherifi.

Libri, Mulla Sherif i Kizharekës,  i autorit, Ahmet Qeriqi ka dy pjesë. Pjesa e parë për jetën dhe veprat e mulla Sherif Bajraktarit të Kizharekës, ku janë përzgjedhur më shumë se 24 anekdota dhe pjesa e dytë me biografi të katër hoxhallarëve të përndjekur e të persekutuar nga regjimi komunist jugosllav. Ata janë myderrizi i mirënjohur i Drenicës, mulla Azem Ramë Olluri (1925-1913), hoxha që kishte sjellë dhe kishte shpërndarë në Kosovë poemën e Vaso Pashë Shkodranit, “O moj Shqypni”  mulla Emin Miftari (1888-1980), mulla Hazir Meta ( 1912-1942) të tre nga Krojmiri dhe mulla Sinan Duga (1898-1984) nga fshati Dugë.

Libri ka 192 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, Shtypi Shkrola.

 

Parathënia e librit

Jeta nën robëri, skamje e varfëri, me mungesën e pothuajse të gjitha kushteve të një jete dosido normale të shqiptarëve në të kaluarën, është manifestuar me një gjendje të rëndë ekzistenciale, me refuzim të pushtimit dhe herë-herë me rezistencë të armatosur,  por edhe pajtim dhe bashkë-qeverisje me pushtuesin, sidomos në kohën e Perandorisë Osmane e më vonë në kohën e socializmit, që ka ndodhur në raste dhe kohë të caktuar historike, me ruajtjen e gjuhës, zakoneve, kanunit të Lekës, përcjelljes së traditës nga brezi në brez me rrëfime nga historia, me tregime popullore, me këngë të ndryshme historike, të trimërisë, të atdhedashurisë, punës, dashurisë, humorit, satirës, lojërave të ndryshme prej atyre të fëmijëve e deri te ato të pleqve, në oda, është ruajtur dhe restauruar ndër shekuj “bota shqiptare”, nga Iliria e dikurshme, Arbëria e më vonshme, te Shqipëria e Katër Vilajeteve, deri në vitin 1912, kur Shqipëria shpalli pavarësinë, por mbeten jashtë trungut kombëtare dy të tretat e trojeve që i pushtuan, serbët, malazezët, bullgarët e grekët.

Ishte koha e thyerjeve të mëdha, e ndeshjeve dhe përpjekjeve mbinjerëzore për ekzistencë, koha kur dielli i diturisë ishte larg shqiptarëve dhe nuk i ngrohte, por megjithatë kishte edhe momente shafitjeje, paqeje të imponuar, pajtim me gjendjen dhe status-quonë, pajtim me rezignatën tragjike e nganjëherë edhe komike, ndërrim identiteti të plotë apo të pjesshëm, por edhe ruajtje fanatike të nderit, besës, burrërisë, vetëpërmbajtjes, ndihmës vëllazërore reciproke, uniteti të pjesshëm e disa herë edhe të përgjithshëm.

Në atë kohë, kur duhej jetuar me nder, duke e mbrojtur madje edhe me çmimin e jetës, kur duhej vrarë për të mos lejuara të të vrasin, kur duhej jetuar me hir apo me pahir, kanë lindur edhe burra me ADN të mirësisë, edukatës, inteligjencës, tolerancës, njerëzisë, të cilët janë shfaqur në shumë mjedise  e vende, ku më shumë e ku më pak.

Ata ishin misionarë, vullnetarë të idealeve kombëtare, fetare e njerëzore, të vetëdijshëm se ishin si qiriri që ndriçon të tjerët por jo fundin e vet. Të tillë ishin mentarët e njohur, mësuesit dhe mjeshtërit  popullorë, hoxhallarët, pleqtë e fiseve e bajraqeve, këngëtarët popullorë, vajtojcat, madje edhe fallxheshat si përmbajtje degjenerimi e prapambeturie.

Në kohën e Perandorisë Osmane, hoxhallarët kanë pasur shumë misione, në radhë të parë përhapjen e fesë islame, por edhe të mësuesve dhe interpretuesve të së drejtës, qoftë të Sheriatit, apo edhe Kanunit të Maleve, Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili kurrë nuk kishte qenë i ndaluar, por nuk e kishte përkrahur regjimi Osman.

Në kapitullin e fundit të ekzistencës gati pesëshekullore të Perandorisë Osmane në trojet shqiptare, në një fshat në jug të Drenicës, pikërisht  në vitin e Rezistencës popullore në Mbrojtje të Programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin 1881, ka lindur Sherif Adem Bajraktari i fshatit Kizharekë, një burrë inteligjent mbi mesataren e rrethit  ku ka jetuar e vepruar, hoxhë, mësues popullor, mjeshtër, bujk, pleqnar, hokatar, idealist, misionar me vetëdije të  lartë, i cili në tërë jetën e tij ishte përmbajtur për mrekulli nga  të zezat  e ligësitë, meqë kishte rrezatuar dije, vetëpërmbajtje, solidarësi me njerëzit e gjuhës, të gjakut, të fesë dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë.

Ata që nuk e kanë njohur Mulla Sherif Bajraktarin, as dinë shumë për jetën e veprën e tij gjatë leximit të kësaj parathënie mund të mendojnë se  kam ekzagjeruar, por pasi ta lexojnë librin, pasi të njihen me urtinë, diturinë, humorin e satirën e tij, do ta zbulojnë një  Diogjen të kohës antike, një Nastradin tipik, por jo i orientit, por i Drenicës, ashtu sikur kishte qenë dhe Dervish Gogjulli i Mokëremalit, një mentar dhe myderris si Azem Ramë Efendiu i Krojmirit, një pleqnar si Tahir Berisha i fshatit Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, Murat Jashari i Parë i Prekazit, Xhemajl Abria, Ramadan Shabani e të tjerë.

Mulla Sherif Bajraktari, kishte diçka të veçantë që nuk e ka pasur si kuantum, asnjëri nga të përmendurit, kishte humorin autentik, origjinal, sui generis që e krijonte aty për aty, në çdo mes ku ndodhej, në odë, në arë duke prashitur, në livadh, duke kositur,  në mulli duke marrë miellin, në mal duke prerë dru, në dasma e ahengje, në Ramazan e në Bajram, në polici e UDB, gjithkund ku ndodhej dhe në çdo situatë.

Këtë përshtypje do ta krijoni pasi ta keni lexuar këtë libër shumë të vonuar,  por i cili po e zë vagonin e fundit të mbamendjes kolektive shqiptare,  e cila ka humbur sa e sa vagonë të tillë, gjatë historisë mijëravjeçare.

Ideja ime për ta shkruar një monografi për disa  hoxhallarë të Drenicës se Epërme, të persekutuar nga regjimi jugosllav i “Kralevinës” dhe i ai  Titos e Rankoviçit është   vonuar për shkaqe objektive e subjektive, por ja që më në fund, pas takimit të parë përnjëherë pas luftës, me arsimtarin, luftëtarin e lirisë  dhe eprorin e UÇK-së, Daut Bajraktari, nipi i Mulla Sherifit dhe mbështetjen e tij të pakursyer, ky libër  me anekdota e lëndë përcjellëse po del në dritë, po del  nga errësira,  ku ka qenë i ngujuar për më shumë se një gjysmë shekulli, edhe pse në faqen e Radios Kosova e Lirë janë botuar kohë pas kohe disa nga anekdotat e tij, qysh pas luftës fitimtare  të UÇK-së.

Libri  ka dy pjesë

Pjesa e parë i kushtohet arsimit dhe edukatës fetare në kohën e Perandorisë Osmane, një hyrje e gjatë, por shumë reprezentative, me të dhëna fakte e argumente, pasi pjesa dërrmuese e lexuesve tanë nuk dinë gjë për arsimin në gjuhën shqipe por me shkronja arabe, ose e mohojnë me ironi e naivitet, duke mos dashur të ndriçohet epoka, të cilën e mohojnë, dhe mundohen ta largojnë nga kujtesa, por ajo nuk mohohet dot sepse është një histori pesëqind-vjeçare e bashkekzistencës që shtrihet në kohë e hapësirë, në sinkroni e diakroni të jetës shqiptare ndër shekuj.

Në vazhdim janë prezantuar  të dhëna e dëshmi historike për fshatin Kizharekë nga viti 1455 e deri në luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fshat që është edhe vendlindja  e Komandantit  të SHP të UÇK-së, deri te Konferenca e Rambujesë, Azem Syla.

Pjesa qendrore  e libri i kushtohet krye personazhit, mulla Sherif Adem Bajraktari, prejardhja, jeta familja, shërbimi dhe anekdotat, vetëm disa nga ato që i kanë mbijetuar kohës, vetëm ato më autentiket, të rrëfyera nga familjarët miqtë, të njohurit dhe të transmetuara jo vetëm në Kizharekë e Drenicë por edhe me gjerë. Janë edhe disa anekdota, nga të cilat jam kursyer, për shkak se nuk i përkasin stilit të tij të rrëfimit, dhe janë nën nivelin e konceptimit të tij, andaj nuk i kam prezantuar në këtë libër, meqë qëllimi nuk ka qenë të prezantohen sa më shumë anekdota, rrëfime e fjalë të urta, por vetëm autentiket, të sigurtat, ato që i kanë mbijetuar kohës dhe dëgjohen në shumë mese gjatë komunikimit të njerëzve.

Koncepti i Mulla Sherifit për humorin është si një lloj valvule për shtendosjen e gjendjes traumatike, të stresit   dhe të sikletit të njerëzve  të ballafaquar me skamje dhe gjendje të rënduar psikike e fizike. Nuk besoj të kishte lexuar, aq shumë për humorin e Lindjes,  por pikërisht gjendja e rëndë sociale e shqiptarëve e kishte kthyer në një kritik të lindur, ashtu si Nasradinin e Lindjes, personazh ndër më të rëndësishmit të humorit që i njeh letërsia gojore dhe ajo e shkruar. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …