Në pjesën e dytë të librit publicistik, “Luftëtarë të NDSH-së, 1945-1950, autori, Ahmet Qeriqi ka trajtuar biografitë modeste të 20 luftëtarëve nga radhët e kësaj lëvizjeje kombëtare, nga treva të ndryshme të vendit, të cilët kanë vuajtur mbi kurriz barrën e rëndë shtypëse të regjimit titist rankoviçist, me pasoja që kanë mbizotëruar për një kohë të gjatë edhe kundër familjeve, të afërmve dhe miqve të tyre.
Autori konsideron se jeta dhe veprat e luftëtarëve të NDSH-së ende nuk janë studiuar meritorisht nga institucionet shtetërore, mbase edhe për faktin se pjesa dërrmuese e historianëve, që kanë shkruar e kanë doktoruar në tema për Luftën e Dytë Botërore, për Revolucionin Jugosllav, Partinë Komuniste të Jugosllavisë, Rininë Komuniste, gruan komuniste dhe heronjtë e revolucionit, NDSH-në e kanë pasur në shënjestër dhe e kanë sulmuar si Organizatë antijugosllave, antikomuniste, madje edhe si organizatë fashiste e nacionaliste. Kjo është arsyeja pse klasa tashmë e moshuar e historianëve të ideologjizuar të bashkim vëllazërimit, nuk e ka rivlerësuar NDSH-në, në pikëpamje shkencore, duke i hequr vellon ideologjike metodologjisë së tyre të bazuar në patriotizmin jugosllav, me qëllim për ta trajtuar këtë organizatën me një qasje realiste, në bazë të dokumenteve dhe rrethanave kur Kosova është çliruar me luftë të armatosur nga Serbia e Jugosllavia e dikurshme, qysh në vitin 1999. Në mungesë të një aktiviteti të organizuar shkencor, institucional, me qëllim për ta zbardhur historinë e pastër dhe kombëtare të NDSH-së, pa anime partiake e ideologjike, sidomos pas çlirimit të Kosovës, autorë të ndryshëm kanë trajtuar në shkrimet e tyre edhe tema nga NDSH-ja.
Pa pretendime për ta shkruar historinë shkencore të NDSH-së, autori ka bërë përpjekje ta ndriçojë jetën dhe veprën e disa luftëtarëve të asaj organizate, duke i hartuar biografitë e tyre, në mbështetje të literaturës së botuar, në procesverbalet e hetimeve, të prokurorive e gjykatave, pastaj jam mbështetur në të dhëna e dëshmitë nga familjarët, të afërmit, miqtë e bashkëpunëtorët e tyre.
Libri, “Luftëtarë të NDSH-së, 1945-1915 II”, ka 176 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.