Doli nga shtypi përmbledhja poetike: “Renesans”, e poetit, Kadri Ferati

Doli nga shtypi përmbledhja poetike: “Renesans”, e poetit, Kadri Ferati

Poezi lirike e dashurisë dhe meditimit

Doli nga shtypi përmbledhja poetike: “Renesans”, e poetit, Kadri Ferati. Për dallim nga përmbledhja e parë poetike, “Vergje në heshtje”, e botuar në vitin 2013, ku autori kishte radhitur poezi malli për vendlindjen, për Tupallën e Siarinën, për Medvegjën, Kapitin, Ramabajën, Svircën…, për trojet e lashta shqiptare, poezitë e kësaj përmbledhjeje i përshkon kryesisht motivi i dashurisë dhe motivi meditativ.
Kadri Ferati i takon plejadës së poetëve që kanë shkruar, qysh në rininë e hershme, por kanë botuar vetëm pas luftës, meqë regjimet e së kaluarës, në të shumtën e rasteve, kishin censuruar dhe ndaluar fjalën e mendimin e lirë. Pasi e kishte kryer shkollën fillore në vendlindjen e tij, në Tupallë, të komunës së Medvegjës, mësimet e shkollës së mesme i vazhdoi në Akademinë Pedagogjike, në Prishtinë, ku kishte edhe shumë bashkëvendës, të cilët sidomos në vitet e ’70-ta filluan në mënyrë masive të shkollohen, në Kosovë. Pasi kishte kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike-Drejtimin për Matematikë, u kthye në vendlindje dhe gjatë viteve 1987-1999 punoi mësimdhënës i kësaj lënde, në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Banjë të Siarinës. Gjatë kësaj periudhe, ai ishte bartës i shumë aktiviteteve në shërbim të çështjes kombëtare, ndër të cilat edhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik për Medvegjë. Duke qenë i rrezikuar nga regjimi antishqiptar i Serbisë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në prill të vitit 1999, pas shumë e shumë peripecive të vështira e tronditëse migroi në Zvicër, ku tani jeton bashkë me familjen e tij”.
Poezia e kësaj përmbledhjeje poetike shquhet për vargun e latuar, diskursin modern në qasjen e projektit poetik dhe motivin e dashurisë që i përshkon po thuajse të gjitha poezitë. Duke qenë i çiltër nga natyra, humanist dhe i afërt me njerëzit, i rrëmbyer nga dallgët e jetës, të cilat nuk e kanë kursyer asnjëherë, duket se poeti të vetmin ngushëllim dhe të vetmin shpëtim e ka gjetur në dashurinë, atë dashuri të pastër, që buron nga thellësitë e shpirtit.
Në botën e tij të pasur të vrojtimit, të meditimit dhe gjurmimit të shprehjeve për ta materializuar sa më qartë mendimin, Kadri Ferati ka arritur një nivel të lartë të deklamimit poetik, por gjithnjë duke ruajtur qartësinë e të shprehurit, duke konkretizuar vizionin dhe duke i latuar me kujdes fjalët në radhitjen e tyre nëpër poezi. Kujdesi për vargun, për secilën fjalë, përpjekja për të krijuar metafora e simbole poetike, përpjekja për të thënë sa më shumë me pak fjalë, janë elemente që përshkojnë poezitë e këtij poeti, i cili tashmë ligjëron lirshëm, i liruar nga ato “belbëzimet e para”, me të cilat ballafaqohet çdo krijues në fillet e krijimtarisë.
Kadri Ferati tashmë ecë lirshëm, madje krejt i pa penguar në rrugën e vrojtimit dhe deklamimit poetik. ( A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …