Martin Çuni, përveç veprimtar, i burgosur politik, luftëtar i lirisë, gazetar e redaktor i Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës, ai është emër i njohur edhe i krijimtarisë artistike. Deri tani ka botuar përmbledhjet poetike: Jetë e furtunë, Ëndrra shëtit pa mua, si dhe veprat letrare e publicistike: Reportazhe lufte, Jetë për jetën, Themele jete dhe prozën dokumentare në dorëshkrim: Feniks në Kalvar. Përmbledhja “Universi i Jetës” ka 134 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.
Universi i krijimit poetik të Martin Çunit
Përmbledhja poetike e Martin Çunit, “Universi i Meditimit”, ashtu sikur tërë krijimtaria e tij e deritanishme e botuar, një pjesë e saj ende në dorëshkrim, ka jo vetëm specifika të veçanta krijuese, por përmban në vete edhe një botë të pasur, me mjaft përvojë të qasjes ndaj fenomeneve të jetës, qoftë fenomeneve tona specifike, kombëtare e shoqërore, apo edhe nga ato të përgjithshmet, universalet, qasje të cilat tani në krijimtarinë e poetit kanë arritur pjekurinë e meditimit dhe shprehjes letrare madje edhe filozofike e estetike. Tashmë atë e ka stër-kalitur jeta, duke e dredhur e përdredhur në tërë ingranazhet e saj të pamëshirshëm…gjurmëve të “Rrugës së Kryqes”, ku “lëkurës shtatë palë dredha ia kanë hequr”…, por besimin nuk e ka humbur kurrë, sepse ky popull në përpjekje për mbijetesë në periudha të caktuara ka lindur Gjergj e Adem, Naim e Nënë Terezë.
Martin Çuni është emër i njohur në krijimtarinë tonë qysh në vitet 70 e deri tani.
Ashtu sikur në jetë edhe në krijimtari, Martin Çuni ka ecur dhe ecën jo vetëm lirshëm por kurdoherë vertikalisht, me besim të fortë te njerëzorja, te idealja, aq shpesh e munguar ndër ne, por kurrë e vdjerrë, aq shpesh e goditur nga padituria e ligësia, por kurrë e dhënë, aq shpesh e luhatur, por kurrë e thyer…
Poeti i takon “botës idealiste”, asaj shtrese njerëzish e krijuesish të lindur për mirësi, sakrificë, njerëzi, gjithnjë të shërbim të së mirës, me qëllim për të hapur shtigje nëpër rrëmujë, duke ndërtuar ura besimi e mirëkuptimi, gjithnjë duke u ndeshur ashpër me të ligën, përgojimin, ndeshtrashën tonë jetike, por duke qëndruar prore i pathyeshëm, gjithnjë i vetëdijshëm se bota nuk mund të ndreqet tërësisht, qoftë me një apo me disa shembuj të mirë, ashtu sikur nuk mbushet hambari me një kokërr gruri, por po ashtu tejet i vetëdijshëm se kokrra sado vetme i ndihmon të tjerat, për ta mbushur hambarin e mirësisë e të begatisë.
I tillë është Martin Çuni në jetë dhe në krijimtari. Të tillë e njohim të gjithë, sepse ai është tejet i çiltër, i pa komplekse, pa paragjykime për njerëzit në pikëpamje race feje apo kombi, por prore gjurmues i së mirës, e së njerëzishmes i ndershmërisë, besës e tolerancës.
Martini në këtë segment më përngjanë sidomos me dy personalitete të njohura të kombit e të historisë, të bashkuar në të njëjtin segment idealist, Hysen Tërpezën dhe Mitrush Kutelin. ( Pavarësisht bindjeve të tij politike, antikomuniste, Hysen Tërpeza, kurrë nuk u bë vegël e veprimeve subversive të emigracionit kundër Shqipërisë. “Me mund e gjak, me shekuj përpjekje e kemi bërë një Shqipëri aq të vogël e të dobët, dhe ju kërkoni ta shkatërrojmë e ta degdisim”. Kurrë nuk bëhem bashkë në këtë udhë, kishte thënë një Konferencë të mërgatës në Shtetet e Bashkuara, dhe, prej asaj kohe ishte tërhequr nga aktivitetet e grupeve, por kurrë nga ideali i ruajtjes dhe bërjes edhe më të fortë të Shqipërisë. Në një letër që i kishte dërguar familjes nga burgu, ku mbahej padrejtësisht, Mitrush Kuteli, iu kishte thënë bijve e bijave, “Kurrë, dhe në asnjë rast nuk duhet të ngriheni kundër atdheut, edhe nëse ai u burgos e u katandis. Kurrë mos lejoni të bëheni vegla kundër kombit e Atdheut”.
Në përmbledhjen poetike, “Universi i Meditimit”, poeti për të satën herë në krijimtari iu ka kthyer mesazhit për ta bërë, e jo për ta prishur Shqipërinë e krijuar me aq mund, djersë e gjak të derdhur të të gjithë brezave, nëpër netët e zeza të historisë mijëravjeçare. Ai kërkon “të rrimë kujdestarë nëpër udhëkryqe”, sepse po nuk u bëmë kujdestarë besnikë, po nuk e ruajtëm digën prore të rrezikuar nga brenda e nga jashtë, ajo shpërthen, ashtu sikur ka shpërthyer sa e sa herë dhe na ka përmbytur sa e sa herë.
Dhe, për të mbajtur të fortë “digën” jo vetëm njëherë kanë sakrifikuar të parët. Ata, janë lajmëruar në kohët kritike dhe i kanë vendosur gjoksin Shqipërisë së gjymtuar nga kafshimet e egra të shekujve, ashtu si Shën Martini i Ilirisë dikur apo si Adem Jashari i Prekazit e i Shqipërisë, në kohën tonë.
Eshtrat seç u bënë kandila,
Në tërë Kosovën e në Prekaz,
Aty ku lindën gjysh pas gjyshi,
Dëshmojnë gurët e antikës së lashtë. (Si Shën Martini)
Historia “njerkë”, e kaluara e rëndë, mosmarrëveshjet, ndeshtrashat, ecejaket nëpër botë, shekujt që na katandisën na bënë rrugëtarë të botës, ecejakë të përjetshëm, gjithnjë herë duke ecur para e herë duke vendnumëruar, me të kaluarën ngarkuar mbi shpinë, të mallkuar e të vetë-mallkuar, të nëmur e të vetë- nëmur, ngarendin për ta bërë zap kohën, e cila iu rrëshqet nga duart dhe u përplaset këmbëve:
Ec e ec shqiptarët,
Këmbët u pikojnë gjak,
Ece e ec shqiptarët,
Vështirë të arrijnë në cak. ( Ec e ec shqiptarët)
Ky përshkrim realist i së kaluarës dhe i së tanishmes shqiptare, në poezinë e tij të titulluar: “Ec e ec shqiptarët” përthekon dimensionin historik të qenies sonë të katandisur nëpër shekuj, në përpjekje për ta gjetur rrugën, në përpjekje për ta mundur mallkimin e së djeshmes nën dhunën e përdhunës, nën Romë e Bizant nën Turqi e nën Serbi.
Nota të tilla të pesimizmit por edhe të fshikullimave janë kredo krijuese e Martin Çunit, i cili nuk i kursen të paudhët, shkapërdarët, dredharakët të cilët edhe gjumin nuk të lënë ta bësh rehat, sepse të kafshojnë edhe në ëndërr. (Ëndërr)
Një pjesë syresh bëjnë jetë qeni, dikush jetë mbreti, të tjetër bëjnë jetë ujqish gjithnjë të pangopshëm, dikush jetë me qejfe, dikush digjet në zjarr… ( Jetë mori jetë)
E kaluara e rëndë nga një robëri në tjetrën na ka bërë durimtarë, servilë, të dëgjueshëm e të frikshëm për ballë të huajve, por të kërleshur egërsisht kundër njëri tjetrit. Na ka bërë bij tipikë të thënies së egër e prapanike “Gjarpri që s’ helmon mua rroftë 100 vjet”.
Durojmë alla turka,
Përqafemi latinisht,
Sundohemi shkinisht
Nga koka në bisht. (Durojmë)
Por, jo të gjitha këto katrahura janë për shkakun e mosdijen tonë. Është edhe pjesa rreth nesh, fqinjët tanë dhe Evropa e cila na ka ndrydhur, na ka shtrydhur edhe pse dikur i kemi ruajtur, ua kemi dhënë gjokset furtunave aziatike për ta mbrojtur jo vetëm veten, por edhe Evropën dhe
Të gjitha ato vuajtje pa fund
Në mbrojtje të Atdheut e të nënës Evropë. (Biblike)
Brenga e poetit është reale, është ajo brenga e kamotshme, e cila na rri mbi kokë, sepse po nuk kujdesemi për veten në radhë të parë, fati ynë e gjëma tragjike nuk do të na ndahen kurrë.
Poeti nuk brengoset, as frikësohet edhe nëse treten një miliardë katolikë, myslimanë apo ortodoksë, por frikësohet
Për një grusht shqiptarë,
Mbetur në një skutë Evrope,
Në gjashtë shtete të ndarë
Dhe askush nuk i do në jetë
Nëse ata nuk e duan veten, vetë! (Frika)
I edukuar në frymë atdhetare, por edhe në frymën e pastër njerëzore, Martin Çuni nuk ka qëndruar indiferent kur kanë pësuar e pësojnë edhe popujt e tjerë, jo vetëm shqiptarët. Ai, dikur nga burgu i Prishtinës, në vitet 80 i burgosur për shkak se kërkonte liri, barazi e drejtësi, kishte ngritur zërin edhe kundër masakrave të Izrealit në kampin Al Shatila sionistët ku kishin vrarë e masakruar mijëra njerëz të pafajshëm, madje edhe gra e fëmijë. Edhe sot, shumë vjet më vonë ai ndien dhembje për Halepin e shkatërruar të Sirisë nga barbaria e tirania dhe ajo tragjedi njerëzore i përkujton Komaranin e Drenicës së vitit 1999:
Ende i shoh gjuhët e flakëve
“lojën” e fishekzjarrëve të vdekjes,
Vargun e njerëzve në Komaran,
Nëpër varg, tanke e ushtri tmerri
E bota këqyr seri! (Halep vëlla) ( të përmirësohet trajta Alepo, në Halep)
Në përmbledhjen poetike “Universi i meditimit” Martin Çuni ka skalitur poezi të fuqishme e të frymëzuara për Bacë Adem Demaçin, për Nënë Terezën, Adem Jasharin, për shokët e burgut, bashkëluftëtarët e UÇK-së, për Jusufin, Kadriun, Bardhoshin, për nënat e dëshmorëve, për poetin, Zejnullah Halili, poetin e Camajve e të tjerë. Ka në këtë mes edhe poezi me temë intime, familjare, në të cilat poeti ka shprehur botën e shqetësimeve për fatin individual, por me premisën e fatit fizik e kolektiv të shqiptarëve,
Në këtë përmbledhje poetike është prezantuar edhe poezia e gjatë, antologjike për nga përmbajtja e ndërtimi e titulluar, “Jetë larg gëzimit”, kushtuar pavarësisë së Kosovës, poezi kjo e shpërblyer në konkursin letrar të “Orës së madhe letrare”, kushtuar Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga LSHAKSH në Koblencë të Gjermanisë.
Duke qenë se poeti, shkrimtari, veprimtari politik, luftëtari i lirisë, atdhetari i dëshmuar, Martin Çuni ka qenë jo vetëm pjesë shpirtërore, por edhe pjesë fizike në të gjitha proceset kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar, para e sidomos prej vitit 1981, ai këtë poezi ia ka kushtuar Pavarësisë së Kosovës, kulmit të arritjeve tona gati një shekull pas pavarësisë së Shqipërisë.
Dhe, e do fati i degdisur i shqiptarit që në ditën e Shpalljes së Pavarësisë, fizikisht ndodhet “larg fishekzjarrëve të zemrës, larg lotëve të gëzimit të miqve në Atdhe, por afër dhembjeve, të cilat për jetë të jetëve nuk harrohen”.
Poeti kujton të kaluarën e Ilirisë e të Arbërisë, hidhërimet e shumta por edhe gëzimet e fitoret, gëzimin, hidhërimin dhe mallin e përflakur nëpër mote, për të arritur në natën e madhe të pavarësisë, ku valëvitën këmishët, shamitë e plisat dhe ku jehonte brohoritja, hareja, ngazëllimi dhe shpërthimi i dufit të lirisë nga zemrat e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovës por kudo në trojet e Shqipërisë.
Pastaj poeti sjellë të kujtesë të kaluarën kur pushtuesi shekullor serb shpifi dhe nuk la gjë pa thënë:
Dhe shpifën e çka nuk u thanë,
Ua shanë anë e mbanë Evropës,
Tokën e tyre të madhe e të bukur,
Kullat e tyre të vogla të mbushura me krenari,
Mirësinë e tyre të padjallëzuar,
Ua shanë bujarinë e mikpritjen,
Dhe ua për-natën jetën në pranga e leqe…
Ata kishin vënë në jetë të gjitha planet ogurzeza me qëllim që fara shqiptare të shuhej, të zhbëhej, sepse aq shumë u pengonte shpirtrave të tyre të lindur e të rritur në terr të zi, u pengonte jeta jonë e lirë, dielli, pjesa e nën-qiellit tonë, andaj:
Shqiptarët i kryqëzuan sikur edhe Profetin,
…
Që t u shuhej fryma,
Që t u humbej emri,
T’ ua humbnin farën.
Që as sot dhe as nesër
Të mos ishin shqiptarë…
Por ja që lirinë e kësaj pjese të Atdheut e solli gjaku i derdhur rrëke, përpjekjet shekullore, martirizimi e sakrifica e pandërprerë. Andaj për fund poetin i drejtohet Hyjit, me shpresë për të na ruajtur me lutje e shëlbim shqip:
O zot na mbush mend njëherë e mirë,
Sado që është vonë, ki prore mëshirë,
Mbaje zgjatur drejt nesh dorën tënde të jetës,
Të mbetemi ngaherë të besës, por jo kundër vetes!
Poezia e Martin Çunit është e çiltër, e kuptueshme për çdo moshë, është komunikuese me lexuesin, larg abstraksionit, meditimit e filozofimit të thatë e vanitoz. Është, thjesht poezi, me vlera ideore e tematike, e pasur me figura stilistike dhe përgjithësisht poezi e truallit shqiptar e mbëltuar në traditën e letërsisë shqipe, me brumin e saj, me brumin e farës së Shqipërisë.
Ahmet Qeriqi