Arbër Shabanaj, u lind në mars të vitit 1970 në Gjakovë. Nga atdheu është dëbuar para 30 viteve me dhunë politike dhe fizike dhe është vendosur në Gjermani, ku edhe jeton e punon. Shkruan libra në gjuhën Shqipe, edhe në atë Gjermane. Libri më i ri titullohet “Lisi i gjakut” (Kur fjalët vrasin)
AUTORI I ROMANIT ‘LISI I GJAKUT’, ARBER SHABANAJ NE NJE RREFIM NDRYSHE
Një shkrimtar që ka zgjedhur të botojë në Shqipëri. I lidhur fort me këtë vend të dashur, ashtu si edhe me Kosovën ku lindi, Arbër Shabanaj na rrëfen historinë e tij gjatë luftës në Kosovë, në një libër. “Hija e lisit”, titullohet libri që vjen i botuar nga Shtëpia Botuese “Agora”. Por, cili është Arbri, cilat janë përjetimet, çfarë e bën të atë ndryshëm nga të tjerët, do ta zbulojmë më poshtë, në një intervistë që revista TIME i ka bërë.
Cili është Arbër Shabanaj për ata që nuk e njohin?
Unë Quhem Arber Shabanaj, i lindur më 08 mars, të vitit 1970, në Gjakovë. Këtu diplomova si laborant në fushën e biologjisë. Në vazhdim, për dy vite, studiova me sukses ne Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës. Punën dhe veprimtarinë time të palodhshme për të drejtat dhe lirinë e popullit tim, i trajtoja si diçka krejtësisht legjitime dhe që në kohën e regjimit të egër sllav kërkoja liri krijimi. Kuptohet se edhe për këtë organet e dhunëshme qeveritare dhe policore sllave, të cilat ishin të instaluara në Kosovë, më maltretuan sidomos në Verën e Vitit 1991 pa fije mëshire fizikisht dhe, për të kuruar plagët dhe shpëtuar jetën time, u përndjeka me dhunë nga Kosova dhe u detyrova të emigroi politikisht në Gjermani. Libra unë shkruaj sikurse në gjuhën shqipe, po ashtu, edhe në atë Gjermane: ”Das Gericht des gelobten Rechtsstaates“, ”PANTEON – So ungerecht geht es zu in Deutschland“, ”Der Befreiungskrieg, ëie ich ihn erleben musste“, “Die Glocken der Stille“ dhe vepra të tjera të mia pothuaj i begatojnë vitrinat e literaturës gjermane.
Si ka lindur te ju shkrimtari? Si edukim? Si vokacion? Po dashuria ndaj gjuhës?
Bukuria e botës zbulohet përmes shkrimit. Të shkruarit është produktiv, është një aftësi, që na është dhënë , për ta bërë ekzistencën të përballueshme. Njeriu është poet. Dhe nëse ai nuk është më poet, atëhere nuk është më njeri. Shkrimi është ajo që i jep jetës kuptimin e saj. Prandaj egziston letërsia. Rrugën time drejt letërsisë, unë e kam nisur që në gjimnaz. Më pas, përgjatë studimeve në universitet, letërsia m’u bë shoqëruese dhe kështu, duke ecur, ne nuk iu ndamë më njëri-tjetrit. Përmes gjuhës shkrimtari posedon një rrjedhshmëri, me të cilën ai është në gjendje të krijoi në mënyrë mbresalënëse atmosferë, ndjenja dhe/ose imazhe në poezitë dhe tregimet e tij. Gjuha shqipe është gjaku i shpirtit, në të cilin rrjedhin mendimet dhe nga i cili ato lindin.
Të shkruash për luftën, pasi ke qenë brenda saj, e quan si detyrim për t’i lënë dëshmi të jetuara shoqërisë, apo vetë lufta të bëri shkrimtar?
Shkrimtarët nuk munden të shkruajnë aq shpejt, sa qeveritë bëjnë luftëra; sepse shkrimi kërkon punë mendore. Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera. Të shkruarit është spontanitet i organizuar. Vetëm aftësia për ta bërë këtë është e lindur tek ne; ajo duhet mësuar dhe praktikuar me kujdes.
Në veprën time janë të interpretuara në formën më të drejtë të vërtetat e pathëna, të cilat kanë ngelur në pluhurin e harresës. Por jam i bindur, se ky kapitull historik, kaq kapital, i emërtuar si panteon i një kombi, nuk lejohet kurrë që të tretet në pluhurat e harresës. Sepse vetëm kështu mundemi njëhere dhe përgjithmonë të mësojmë nga gabimet. Libri përbën një kontribut jo të papërfillshëm për historikun e Luftës Çlirimtare të UÇK-së e të Kosovës martire dhe, si i tillë, ky do të çmohet nga lexuesit që do ta marrin në duar. Asgjë nuk është më e lehtë, se sa të shkruash, në atë mënyrë, që askush të mos e kuptojë; ashtu sikundër asgjë nuk është më e vështirë, sesa të shkruash ide të rëndësishme, në atë mënyrë, që të gjithë ato të munden ti kuptojnë.
Si ndihesh tani që i ke thënë në libër ato që i përjetove gjatë luftës?
Ai që thotë më shumë se sa bën, ai predikon. Kushdo që thotë më pak se sa bën, ai gënjen. Kushdo që thotë atë që bën, ai është i kotë. Ai që bën atë që thotë, ai është i mirë. E vërteta është bijë e pavdekshme e kohës. Kështu edhe unë, siç ju premtova ushtarëve të mi -, këtyre njerëzve të vuajtur, trima e besnikë të idealit të lirisë -, ashtu edhe po veproj: I hodha në letër të gjitha të vërtetat e asaj lufte dhe të atyre ditëve të përgjakshme. S’janë thjesht të miat! Është e vërteta që flet! Unë, si shkrimtar dhe luftëtar i lirisë, jam kronist, dëshmitar, jo misionar i një botëkuptimi të caktuar.
Sikurse e thamë, vepra juaj si thelb ka luftën dhe qëllimi juaj është që ky libër autobiografik të shërbejë edhe si kujtesë njerëzore. Ç’është kujtesa për ju?
Me çdo lexim, lexuesi i përgjigjet asaj që lexon me biografinë e tij të vetëdijshme ose të pavetëdijshme. Eprori i lig është në gjendje që të shkrijë një armatë të tërë, vetëm që nesër të marrë për vete medaljen e gjakosur me gjakun e dëshmorit …Ushtarët e UÇK-së -, të cilët u morën dhe u mobilizuan me nxitim dhe u dërguan në vijën e frontit, pa u stërvitur siç duhet -, e dhanë jetën më shumë nga papërgjegjshmëria e eprorëve tanë se sa nga zotësia e armikut e për këtë një ditë, siç edhe e kam thënë, ata duhet të japin llogari! Kujtesa është një prodhim, në të cilin e tashmja përfshihet po aq sa e kaluara. Njeriu jeton dy herë; herën e parë në realitet, herën e dytë në kujtesë. Ne nuk mundim ta ndalojmë vdekjen, por mundim t’i mbajmë të gjalla kujtimet e njerëzve. Një person është vërtet i vdekur, vetëm kur askush më për të nuk mendon.
Të është kujtuar Hemingueji gjatë luftës apo gjatë kohës që shkruajte librin?
Ernest Miller Hemingueji ishte një nga shkrimtarët më të suksesshëm dhe më të njohur amerikanë të shekullit të 20-të. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Hemingueji doli vullnetar në pranverën e vitit 1918 si shofer i Kryqit të Kuq dhe u dërgua në frontin italian. Që nga ‘D-Day’, E. Hemingueji kishte raportuar për fitoret e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore si reporter lufte për revistën investigative amerikane “Collier’s”. Këto aktivitete interne të shkrimtarit të sipërpërmendur ishin të hartuara dhe të koordinuara kontruktivisht nga komanda e ushtrisë superiore amerikane. Te këto kontradikta shquhet definimi se rruga drejt letërsisë te krijuesi nis si kapitull i pavarur dhe krejtësisht individual. Kështu, që t’i kthehem pyetjes suaj, unë isha epror ushtarak i një njësie ushtarake, e cila përbëhej prej ushtarëve shqiptarë, të cilët kanë qenë të sunduar nga i huaji; shumica prej tyre as nuk e kishin të kryer shërbimin ushtarak e as që kishin vënë ndonjëherë syrin në shenjestër e gishtin në këmbëz të pushkës. Por ja, kështu paska qenë fati i jetës, për ata dhe për mua! Disa prej tyre kishin lënë auditoret, një punë të cilen kushedi me sa sakrifica e kishin siguruar, kishin lënë familjet, të fejuarin a të fejuarën, të dashurin apo të dashurën, shoqërinë e një jetë disi më të mirë se në vendlindje. Ushtria jonë çlirimtare, si çdo ushtri, themelet duhej të i kishte tek disciplina e kjo e jona edhe tek patriotizmi. Se një dashuri më e madhe, ajo për lirinë e Kosovës, i kishte pushtuar në gjirin e saj.
Ndihesh më mirë si shkrimtar sot apo si luftëtar dje?
Shkrimtari i vërtetë është gjithnjë në konflikt me konvencionet e epokës së vet … Unë e shoh procesin e të shkruarit si një zbulim të së njëjtës kujtesë që tashmë është brenda nesh, por që e kemi harruar. Dhe lufta nuk do të përfundojë kurrë, derisa nga një plagë, të cilen ajo e shkaktoi, akoma gjak rrjedh.
Kur je në luftë synon fitoren, por kur e ke marrë fitoren, çfarë synon Arbri?
Nuk mjafton të fitosh një luftë; është më e rëndësishme të organizosh një shoqëri në paqe. Njeriu i shpëton viktimat e ardhshme gjithashtu, duke i bindur njerëzit, që të mos jenë autorë të krimeve në të ardhmen. Dhe do të ishte mirë, nëse njeriu, duke u nisur nga pohimi i asaj që po ndodh në botë, e ndryshon botën në mënyrë të favorshme, sesa ta kritikon atë.
Kush dëshiron të lexon në të ardhmen, ai duhet të kaloi nëpër të kaluarën. Mua më intereson më shumë e ardhmja, sesa e shkuara, sepse unë e kam ndërmend aty të jetoj.
Jeni ndjerë më i realizuar si shkrimtar apo si baba?
Shkrimtarët e vërtetë janë ndërgjegjja e njerëzimit. Nëse një autor pretendon se lexuesit e tij janë dyfishuar, atëhere është e arsyeshme të dyshohet se burri është martuar. Të shkruash do të thotë, të bësh diçka më të bukur se sa është. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua kur shkruaj. Të dëshprohem mundem edhe në heshtje. Fëmijët freskojnë jetën dhe e bëjnë zemrën të lumtur. Një fëmijë është një libër, nga i cili duhet të lexojmë dhe në të cilin ne duhet të shkruajmë. Çmimet nuk janë të rëndësishme për mua aq, sa kur fëmija im 12-vjeçar më hotë: “Unë e dua veprën tënde, babi”.