Ministrja e Jashtme Donika Schwarz po e përgatit terrenin për sistemimin e njerëzve të vet në misione diplomatike dhe pozita të tjera në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Por, për ta bërë këtë, asaj po i duhet të eliminojë njerëz nga pozitat që i ushtrojnë me vite të tëra. Kështu, Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD, siç ka mësuar Demokracia.com, kanë transferuar zyrtaren Afërdita Krasniqi-Mustafa nga pozita zyrtare e lartë e personelit pranë Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në pozitën zyrtare e lartë për legalizim dhe certifikim.
Transferimi i saj është bërë në ditën që MPJD ka shpallur konkurs për 32 pozita në misionin diplomatik. Afërdita Krasniqi-Mustafa është transferuar nga pozita që e ka ushtruar për 14 vjet vetëm pak minuta pas shpalljes së këtij konkursi. Transferimi i saj po konsiderohet edhe si hakmarrje, meqë Krasniqi-Mustafa është edhe sekretare e Sindikatës të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, sindikatë kjo shumë e zëshme ndaj parregullsive në MPJD. Për transferimin e saj ka reaguar edhe Sindikata e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Sindikata vlerëson se transferimi i zyrtares Krasniqi-Mustafa është hakmarrjeje dhe e ka quajtur transfer tendencioz. (Demokracia.com)