Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Shvarz, zëvendësja e parë e kryeministrit Kurti, vazhdon pa pengesa sulmet e saj kundër UÇK-së, në të njëjtat valë me Vuqiqin, Daçiqin e Sheshelin, në Serbi dhe kolaboracionistë e njohur shqipfolës në Kosovë, të cilët nuk janë të pakët në numër.
Qëndrimi antikombëtar i zonjës, Donika Shvarc nuk e zbehë kontributin që kanë dhënë, në të kaluarën, anëtarët e tjerë të kësaj familjeje, në shërbim të kombit e atdheut, sidomos babai i saj, Jusuf Gërvalla, emrin e të cilin e mbante një Brigadë e Zonës Operative e luftës së UÇK-së, në Dukagjin, në krye të së cilës ishte komandanti emblematik, Daut Haradinaj, i cili së bashku me heroin e Kosovës, Mujë Krasniqi dhe eprorin e lartë të UÇK-së tani në Hagë, Rexhep Selimi më 28 nëntor të vitit 1997 kishin bërë paraqitjen publike të UÇK-së, në Llaushë të Drenicës.
Ky qëndrim kokëfortë për etiketimin me çdo kusht të luftës së UÇK-së, pikërisht në kohën kur në Hagë ka filluar procesi gjyqësor kundër kreut të saj, në kohën kur Serbia ka kushtëzuar bisedimet me Kosovën, përmes një kompromisi tashmë të deklaruar dhe në këtë qëndrim dihet botërisht se ajo e ka mbështetjen e krerëve më të lartë të BE-së, më së shumti i shkon në favor Serbisë, sepse ia lehtëson pozitën negociuese.
Po kështu, kjo ministreshë, e cila është edhe zëvendësja e parë e Albin Kurtit, gjatë vizitës së diplomatëve Lajçak dhe Palmer, në zyrën e saj në Prishtinë, në tavolinën e pritjes kishte vendosur flamurin e BE-së dhe të Kosovës, por jo edhe flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke lënë të nënkuptohet roli primar i BE-së në bisedime dhe jo, “Amelika, Amelika”, sikur shprehej jo fort moti Albin Kurti.
Anashkalimi i flamurit amerikan në tavolinën e saj të pritjes, qoftë edhe i paqëllimshëm është një veprim i dënueshëm dhe tejet irritues, për shumë shqiptarë të Kosovës, të cilët respektojnë kontributin madhor që ka kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës. Nuk është kjo, “gafa” apo specialiteti i vetëm i zonjës Shvarc, e cila në selinë e OKB-së kishte paraqitur Serbinë si viktimë të Gjermanisë hitleriane, pa ditur as vetë se e kishte apo jo vendin një deklaratë e tillë në kohën dhe në momentin e caktuar.
Po kështu qëndrimi djallëzor kundër UÇK-së i zonjës kryetare, Vjosa Raif Osmani-Sadriu, e cila u ngrit në fushatën zgjedhore gjatë vitit të kaluar në Kosovës, pikërisht me sulme kundër UÇK-së, me mohimin e saj, me afishimin në Presidencë të portretit të Ibrahim Rugovës dhe flamurit të tij virtual, duke shkelur edhe rregulloren e Presidencës, është krejtësisht në akord me qëndrimet e zonjës Shvarc.
I treti në këtë luftë të pandershme, të rrezikshme dhe gjithsesi antikombëtare dhe me shumë pasoja të rënda për të ardhmen, është kreatori dhe strumbullari i krejt kësaj politike, Albin Kurti, me qëndrimin e tij eklektik, jo aq kundër luftës së UÇK-së, por kundër krerëve të saj, të cilët janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim, në burgun e Hagës. Për dallim nga zonjat, Shvarc dhe Sadriu, të cilat krejt hapur i deklamojnë qëndrimet e tyre, Kurti mbanë qëndrimin “ngreh e mos këput” sipas rastit e momentit, sepse është më largpamës dhe nga shembulli i vet e di fare mirë se zemërimi i grumbulluar i masave të injoruara, sidomos zemërimi i veteranëve të vërtetë të UÇK-së dhe qytetarëve liridashës, një ditë mund ta fundosë në ambisin jo vetëm politik të tij.
Ky segment i luftës kundër kreut të UÇK-së në kryeministri, Presidencë dhe në shumicën e përbërjes së Kuvendit, në momentet më kritike nëpër të cilën po kalon Kosova, ka një ngjashmëri të plotë me zhvillimet e pranverës së vitit 1998, kur në kohën e fillimit të luftës dhe rezistencës së UÇK-së në Drenicë e në Dukagjin në krye me Adem Jasharin, LDK-ja e Ibrahim Rugovës mbante “zgjedhje të lira dhe demokratike nën pushtimin ushtarak serb”, ndërsa kreu i kësaj partie kërkonte pacifikimin e Drenicës, në mënyrë që të mos lejuar të përsëritej kryengritja e Shaban Palluzhës e vitit 1945.
Është më se e vërtetë se krerët e BE-së dhe të shumë shteteve të Evropës e çmojnë qëndrimin e tillë të klasës së sotme politike në pushtet kundër luftës së UÇK-së duke e favorizuar në bisedime, por jo edhe duke bërë lëshime në kërkesat e Serbisë lidhur me administrimin e Veriut të Kosovës.
Paraqitjet publike të zonjës Shvarc, mund të bëhen edhe pa dijeninë e Albin Kurtit, ndoshta edhe me qëllime të caktuara, me një prapavijë të caktuar, meqë ishte pikërisht kjo Donika dhe ajo Vjosa, të cilat nuk kanë lënë fjalë të ligë pa përdorur kundër Albin Kurtit dhe kundër Vetëvendosjes, derisa nga armiq të përbetuar u bënë miq për zemër. Pajtimi është bërë për përfitimet politike të tyre dhe përfitimet e Albin Kurtit, por kurrsesi për ndonjë përfitim që do të ketë Kosova me këtë qeverisje mujshare e prepotente, hakmarrëse e delirante.
Ja disa pjesë nga deklarata e zonjës Shvarc dhënë mediumit zviceran, ‘NZZ’
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Shvarz, e ka vazhduar sulmet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se ishin anëtarët e kësaj force ushtarake që kryen vrasje përgjatë kohës së pasluftës. Sikurse në deklaratat e mëhershme, edhe kësaj here ajo për një mediumin zviceran, ka kërkuar “drejtësi për të gjithë”. “Schwarz kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend të zgjidhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Viktimat ishin serbë, romë dhe shqiptarë kundërshtarë të UÇK-së”, thuhet ndër të tjera në artikullin për mediumin zviceran. Zëvendëskryeministrja deklarata të ngjashme pati dhënë edhe vite më parë, duke i akuzuar ish-krerët e UÇK-së për, siç pretendon ajo, vrasje të kundërshtarëve politikë përgjatë periudhës së pasluftës. Ndërkaq, atëbotë premtonte se do të depononte dëshmi nëse do krijohej një gjykatë që i gjykon ata.
RKL
- 6. 2021