Vetëm një ditë pasi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, dha dorëheqje prej pozitave drejtuese të partisë, postet udhëheqëse gjatë ditës së djeshme i lëshoi edhe deputetja tjetër e këtij subjekti, Shqipe Pantina. Dorëheqjet e njëpasnjëshme prej pozitave brenda partisë nisën të vijnë pas shpërfaqjes së problemeve të brendshme, pikënisjen e të cilave e shënoi publikimi i disa bisedave private mes deputetëve, ku deputetja Aida Dërguti shihej ta ketë ofenduar ish-liderin, Albin Kurti, shkruan sot Gazeta “Zëri”. Vetëm tri ditë pas publikimit të bisedës Dërguti ishte dorëhequr nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë. Ndërkohë, në shenjë mospajtimi me ndodhitë e fundit të njëjtin veprim në fillim të kësaj jave e bëri edhe Visar Ymeri, i cili deri atëherë ishte në pozitën e kryetarit të partisë. Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, pos Pantinës, dorëheqje dha edhe anëtari i Kryesisë së “Vetëvendosjes”, Zgjim Hyseni. Deputetja Pantina, ka konfirmuar dje për gazetën “Zëri” se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë.
Kontrolloni gjithashtu
Philip Reeker: Dialogu Beograd-Prishtinë nuk do të jetë prioritet për administratën e re të Trumpit
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, ka deklaruar se administrata e ardhshme …