Dorëshkrimet e Rifat Kryeziut,-ish drejtor i Drejtorisë Teknike në RTSH në vitet 1973-1998.-Urdhëri Mehmet Shehut: TVSH të shihet  deri në Prishtinë

Dorëshkrimet e Rifat Kryeziut,-ish drejtor i Drejtorisë Teknike në RTSH në vitet 1973-1998.-Urdhëri Mehmet Shehut: TVSH të shihet  deri në Prishtinë

Pandeli Papalilo, mjeshtri, që shpërndau sinjalin e TVSH-së në gjithë Shqipërinë.

– Si sinjali televiziv nga Studio e Televizionit në Tiranë do të dërgohej në stacionin kryesor që do të ngrihej në malin e Midës, ( nga ky stacion do mbulohej edhe Kosova)

Urdhëri Mehmet Shehut: TV Shqiptar të shihet  deri në Prishtinë

Dorëshkrimet e Rifat Kryeziu,-ish drejtor i Drejtorisë Teknike në RTV në vitet 1973-1998.

Inxhinier Pandeli Papalilo. Pandi, siç e thërrisnim ne shokët e tij, punoi gjatë gjithë jetës së tij si specialist në Drejtorinë Teknike e Radio -Televizionit shqiptar. Ishte i  dashur dhe i sjellshëm me të gjithë, modest, i rregullt në punë dhe mbi të gjitha ai ishte një inxhinier i talentuar, që dha një kontribut të madh në mbulimin e vendit tonë me sinjal televiziv. Pandi ishte shumë i saktë dhe i përgjegjshëm në llogaritjet që kryente. Ai nuk e lëshonte fjalën kot. Më kujtohet një rast: Udhëheqja e asaj kohe ishte shumë e interesuar për shikimin e programeve tona në Kosovë, gjë që kërkohej edhe nga vetë kosovarët. Para se të miratohej studimi në Këshillin e Ministrave na thërret një nga udhëheqësit e asaj kohe. Ai kishte vënë mbi tavolinë hartën, ku ishin vendosur stacionet Tv dhe menjëherë pyeti”:-Do të shihet Televizioni ynë në Prishtinë? Ishte një përgjigje me shumë përgjegjësi, mbasi po të mos arrinte sinjali në Prishtinë, kush do të përgjigjej për gjithë ato shpenzime? Pandi filloi t’i shpjegojë me gjuhën e specialistit, se nga llogaritjet e kryera, fortësia e sinjalit që do të arrijë në Prishtinë, parashikohet të jetë kaq mikrovolt(njësi matëse e fortësisë së sinjalit).

“Unë nuk marr vesh nga mikrovolt,- m’u drejtua ai mua.-Unë duhet të jem i sigurt që Prishtina do ta shohë TV Shqiptar! Në moment, i zënë në befasi, i them- Po, do shihet në Prishtinë.-Kaq desha,- tha ai.

Kur dolëm jashtë, Pandi më tha: -Si i the ashtu?

Unë ju përgjigja:”I thashë ashtu, mbasi unë të njoh mirë. Ti kërkon të jesh shumë i saktë dhe gjithmonë mban rezerva në llogaritjet që bën.

“Ashtu është, më tha, por unë desha ta sqaroja se sa i fortë do jetë ky sinjal.

Megjithatë, të jesh i sigurt se Televizioni ynë do shihet në Prishtinë.”

Dhe ashtu ndodhi!

Një moment tjeteër i vështirë. Në studim ishte parashikuar, që sinjali televiziv nga Studio e Televizionit në Tiranë do të dërgohej në stacionin kryesor që do të ngrihej në malin e Midës, ( nga ky stacion do mbulohej edhe Kosova), nëpërmjet një radio- releje, që do të vendosej në malin e Dajtit dhe asaj që do të vendosej pranë këtij stacioni. Që të realizohej kjo, duhej që Mali i Dajtit të kishte pamje direkte me malin e Midës. Në një moment Pandi konstaton se nuk kishte pamje direkte. Ne nuk e kishim studjuar këtë rast, mbasi e kishim marrë të mirëqenë nga një studim që kishin kryer kinezët më përpara. Ishte një problem tepër serioz dhe me shumë përgjegjësi, mbasi ky stacion, që ishte më kryesori, nuk mund të punonte. Të gjithë ishim të shqetësuar se si do të zgjidhej ky problem.

Nga ana tjetër kishte dalë vendimi i Qeverisë, ku ishin përcaktuar fondet në lekë dhe në dollarë dhe kush do guxonte të kërkonte fonde shtesë në atë kohë?

Kërkohej një zgjidhje e shpejtë, sepse ishim në prag të kontraktimit të aparaturave. Ishin gjakftohtësia dhe aftësitë profesionale të inxhinier Pandit, që i dha një zgjidhje teknike këtij problemi, pa qënë nevoja të kërkoheshin në Qeveri fonde shtesë.

Në kohën kur programet tona po shiheshin në Kosovë, jugosllavët morën masa për gjurmimin e tyre. Para nesh shtrohej detyra, që ky problem të zgjidhej me çdo kusht. Në atë kohë ne kishim informacion, se kjo detyrë i ishte ngarkuar ushtrisë jugosllave dhe se personeli, që merrej me këta zhurmues ishin nga Beogradi dhe se kur kishte difekt, ndonjë zhurmues, ardhja e tij nga Beogradi, vonohej me ditë.

Mbasi e studjoi me vemendje këtë problem, inxhinier Pandi organizoi të ashtuquajturën “ lojën e kanaleve”, duke përdorur përsëritëse, të cilëve ju ndrohej kanali i transmetimit dhe ku gjakovarët nxirrnin në një vend të dukshëm një çarçaf të bardhë (që tregonte se po zhurmohej  kanali ynë)! Personeli ynë që shërbente në pikën ku ishte vendosur përsëritesi, kalonte menjëherë në një kanal tjetër. Kjo “loja e kanaleve” u hapi aq shumë punë jugosllavëve, saqë më në fund hoqën dorë nga zhurmimi.

Kohë më vonë, më ra rasti të lexoj një artikull të shkruar nga inxhinieri jugosllav, i cili qe ngarkuar në atë kohë me zhurmimin e programeve tona në Kosovë. Mbasi tregon historinë e ngritjes së zhurmuesave, problemet që ju hapte” loja e kanaleve” e organizuar nga ana jonë, e përfundon artikullin kështu, “….u zhvillua një luftë e ashpër televizive shqiptaro – jugosllave dhe më në fund fitimtarë dolën shqiptarët”.

Kishim problem shkarkimet atmosferike në stacionin TV në malin e Dajtit, deri në atë masë sa një herë u rrezikua dhe jeta e një inxhinieri nga këto shkarkime (rrufetë). Me këtë rast me urdhër të Qeverisë, organizuam një numër konsultash me specialistët më të mirë të vendit tonë. Kishte propozime nga më të ndryshmet, bile u arrit deri aty sa të thuhej se duhet vendosur një shkarkues automatik në malin e Dajtit.

Ishte inxhinier Pandi ai, që e studioi dhe e zgjidhi këtë problem në një mënyrë të shkëlqyer dhe qysh nga ajo kohë nuk patëm më probleme me shkarkimet atmosferike. Kjo zgjidhje u zbatua pastaj në të gjitha stacionet’ TV’ që u ngritën më vonë.

Një punë e vështirë ka qënë dhe koordinimi i kanaleve televizive me vendet e tjera. Edhe këtu kontributi i inxhinier Pandit është i padiskutueshëm.

Kudo në takimet me specialistët e vendeve fqinjë, në Tiranë, në Athinë, në Beograd apo në konferencat ndërkombëtare të Gjenevës, Pandi me aftësitë e tij profesionale mbrojti interesat e vendit tonë në këtë fushë, duke fituar dhe respektin e specialistëve të huaj.

Gjatë gjithë jetës së tij, inxhinier Pandi u muar me stacionet TV. Ai e filloi punën kur kishim në Fushë Dajt, vetëm një stacion me fuqi 300 wat dhe në dhjetor të vitit 1987 ishte ngritur një rrjet i tërë me stacione televizive, që përfshinte 4 stacione me fuqi nga 2000 wat deri 20.000 wat dhe221 përsërita me fuqi 0.5 deri në 5 wat.

Nëpërmjet këtij rrjeti u arrit të mbulohej me sinjal televiziv 98,3% e popullsisë së vendit tonë, shifër kjo e krahasueshme edhe me vendet më të zhvilluara dhe me një terren shumë më të përshtatshëm se i yni nga pikpamja e përhapjes së sinjalit televiziv (Gjermania, p.sh. në atë kohë mbulonte 98.7% të popullsisë).

Ndërkohë programet tona televizive shiheshin në Kosovë dhe zonat e banuara me shqiptarë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi.

Së fundmi, dua të them se në ngritjen, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e këtij rrjeti kontributi i inxhinier Pandit është i padiskutueshëm dhe me plot të drejtë ai do të mbahet mend si një nga arkitektët kryesorë të ngritjes të këtij rrjeti, që në kushte shumë të vështira, kur bota i zgjidhte këto probleme me kompjutera, ai i kreu të gjitha llogaritjet e nevojshme me dorë dhe me me një përpikmëri të admirueshme. Me këtë rast mendoj se Radiotelevizioni Publik Shqiptar ia kishte borxh inxhinierit të talentuar, PandeliPapalilo, që në momentin e varrimit, t’i vinte të paktën një kurorë në varrin e tij, në shënjë mirënjohje për atë kontribut aq të madh që ai ka dhënë në këtë institucion.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …