Bëhen plot 17 vjet, kur në një ditë acari, më 11 janar të vitit 1999, në një atentat ende të pandriçuar, para dritareve të banesës së tij në Breg të Diellit, në Prishtinë, nga një dorë mizore, u shua jeta e Enver Malokut, në moshën më të mirë të pjekurisë jetësore dhe kreative, një figurë e jashtëzakonshme e gazetarisë sonë dhe atdhetar i vendosur dhe i patrembur.
Për nderë të këtij përvjetori, Dega e Tretë e LDK-së, “Dega e Presidentit Rugova”, Prishtinë, së bashku me familjen e të ndjerit kanë bërë homazhe dhe vënë buqetë me lule te vendi i vrasjen në Kodër të Diellit.
“Qendra për Informim e Kosovës që nga themelimi, ishte zëdhënësja më besnike e pavarësisë së Kosovës”, tha Kryetari i Degës, Hazir Borovci.
Ai tha se Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës. duhet të përkushtohen për zbardhjen e vrasjes së tij dhe të shumë veprimtarëve tjerë të LDK-së.
“Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të dëshmojë përkushtim për zbardhjen e vrasjes së Enver Malokut dhe veprimtarëve të tjerë. Duhet të reflektojë respekt dhe përkushtim për punonjësit e pakët të Qendrës për Informim të Kosovës, të cilët sakrifikuan një dekadë për lirinë e këtij vendi. Enver Maloku dhe kolegët e tij ishin zëdhënësit e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës që ne e gëzojmë sot”, tha Borovci.
Ndërkaq, Doruntinë Maloku, bija e Enver Malokut, duke përkujtuar humbjen e më të dashurit të saj, ka thënë se nuk do të dorëzohet për asnjë moment, deri sa do ta fitoj betejën për gjetjen e së vërtetës rreth vrasjes së babait të vet.
Ajo tha se sot u bënë 17 vjet që kur unë humba Babin dhe njëkohësisht fillova betejën për gjetjen e së vërtetës rreth atentatit, dhe sipas saj, këto 17 vjet ishin gjithçka, përveç se të lehta për familjen tone, dhe janë plot 17 vjet pritje, ankth e torture, padrejtësi dhe zhgënjim.
“Të gjitha këto e rëndojnë edhe më shumë gjendjen kur para vetes sheh një sistem të tërë të dështuar të drejtësisë, një neglizhencë të paparë të institucioneve karshi zbulimit të së vërtetës rreth vrasjeve politike dhe vijmë deri te domosdoshmëria që me këto raste të merret Gjykata Speciale”, është shprehur Doruntina.
Por, ajo beson shumë se kjo gjë do të ndodhë, jo vetëm për hir të viktimave e familjeve të tyre, por edhe
Ndryshe, më 23 dhjetor 2004, në cilësinë e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova i dekoroi me “Medaljen e Artë të Pavarësisë” njëmbëdhjetë veprimtarë të dalluar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ndër të cilët ishte edhe Enver Maloku
Kurse, ish- presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, kohë më parë i ka dorëzuar familjes Maloku “Medaljen e Artë të Pavarësisë”.
Për nder të veprimtarisë së Enver Malokut, një rrugë e kryeqytetit mban emrin e tij, kurse në vendin ku u shua jeta e Enver Malokut pushteti demokratik i Prishtinës, në vitin 2004, ia ngriti një monument, ndërsa në Podujevë një shkollë është emërtuar me emrin e tij.