Berisha: Vota e lirë, kushti i të gjitha kushteve

Dosjet në duart e SPAK pritet të sjellin arrestimin e Berishës. PS nxjerr faktet dhe i kërkon prokurorisë të veprojë

Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe amerikanët janë në një linjë kur vjen puna tek përballja e ish-kryeministrit Sali Berisha me drejtësinë. Uashingtoni e ka bërë të qartë se emrat që janë “non grata” duhet që të hetohen, por edhe Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë në të njëjtën linjë. Dy ditë më parë, ishte anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Roland Bejko, ai i cili kërkoi hetime nga SPAK për Berishën, ndërsa dje një kërkesë e ngjashme ka ardhur edhe nga Partia Socialiste. Ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ai i cili u shpreh se ish-kryeministri Berisha duhet që të hetohet nga SPAK, pasi ka disa dosje kundër tij. Sipas Ballës, dy dosjet më sensitive janë ajo e privatizimit të Kompleksit Partizani dhe ajo e aferës së CEZ. Po ashtu ai përmendi dhe dosjen e “21 Janarit”, e cila nuk është zbardhur, ndërsa theksoi se nëse do drejtësia, mund të shkoje deri të ngjarjet e 1997. Sipas tij, do mjaftonin këto të dhëna që Berisha të arrestohet. “Mendoj që SPAK ka detyrimin që në kohë sa më të shkurtër të bëjë publike ecurinë e disa dosjeve korruptive. Unë jam personi që kam depozituar kallëzimin. Vitin e kaluar në shtator kam depozituar një kallëzim për privatizimin e klubit sportiv Partizani, ku person i kallëzuar është Sali Berisha dhe persona të tjerë të lidhur me të, familjarë dhe jo vetëm, ndërkohë që nuk kam asnjë përgjigje për statusin, asnjë informacion”, tha ai.

Dosjet kundër Berishës

Ndër të tjera, Balla u shpreh, se ndaj Berishës është depozituar edhe një kallëzim tjetër penal lidhur me privatizimin e OSSH. Ai theksoi, se lidhur me këtë kallëzim nuk ka ende një përgjigje zyrtare. “Kuvendi i Shqipërisë në mars 2017 ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Sali Berishës dhe persona të tjerë të lidhur me të për sa i përket raportit përfundimtar të komisionit hetimor për privatizimin e kompanisë OSSH. Në përfundim të së cilit komisioni hetimor ka konkluduar se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm prej 418 milionë eurosh dhe pas 4 vitesh Kuvendi nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga institucioni i Prokurorisë se çfarë bëhet me këtë kallëzim”, tha ai. Sakaq, kreu i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, foli edhe sa i përket 21 janarit. Ai theksoi, se Berisha duhet që të merret në pyetje edhe lidhur me ngjarjen e 21 janarit. “Bëhen 11 vite nga 21 janari. Ka pasur një reagim nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku ka qartësuar një përgjegjësi të Berishës kur tha se s’bëri atë që bëri Berisha më 21 janar. Çfarë bëri Berisha më 21 janar? Çështja është në Prokurorinë e Tiranës. Mendoj se ai ka prishur provat e 21 janarit. Drejtësia e re duhet të marrë në pyetje Bashën dhe Berishën se farë roli luajtën në 21 janar”, tha Balla. (SOT)

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …