Përmeti i ka dhënë shumë figura të shquara luftës për liri, pavarësi dhe përparim ekonomik dhe shoqëror, një pjesë e të cilëve janë vlerësuar dhe një pjese jo. E shoh të nevojshme që me këtë rast të përmendim disa prej tyre. Dhe tani të ndalemi tek biografia dhe bëmat patriotike të kapedan At Stath Melanit… Atë Stath Melani lindi më 1858 në fshatin Melan të Shqerisë së Përmetit në një familje me tradita atdhetare.
Mësimet e para i mori në fshat në gjuhën greke. Kur arriti moshën 20 vjeçare i ati e mori në Stamboll. Këtu filloj edhe veprimtaria e tij patriotike, sidomos pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bashkë me Stefan Pellazgun, shqiptarin siç filluan ta thërrisnin, nga fshati Postenan i Leskovikut. Krahas punës u morën edhe me shpërndarjen e librave dhe gazetave shqipe.
Veprimtaria
Kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve vendase dhe kundër tyre filluan ndjekjet për arrestim. Stefani u arrestua, ndërsa Stathi mundi të arratisej dhe të shkojë në Amerikë. Këtu menjëherë e u njoh me rrethet patriotike dhe u vu në shërbim bim të çështjes kombëtare.
Në vitin 1888 u martua me Kostandin Logon me origjine nga fshati Izgar i Shqerisë, me të cilën lindën, rritën dhe edukuan me frymën patriotike 5 djem dhe 4 vajza dhe do ta shohim me vonë me çifte në krahë dhe kobure në brez, në mbështetje të bashkëshortit të vet.
Kthimi në Atdhe
Më 1899 Stathi u bë prift nga një klerik ortodoks sirian, për të mos rënë nën influencën greke, dhe veshi veladonin e priftit. Po këtë vit me porosi të patrioteve të Amerikës, u kthye në atdhe, për të punuar e luftuar për gjuhën, shkollën dhe kishën shqiptare, që kishin rënë në duart e shovinistëve grekë, pas fitores së revolucionit grek të 1820 me pëlqimin e pushtuesve turq.
Me të shkelur në Përmet zhvilloi një meshë në gjuhën shqipe, veprim ky pa precedent për kohën, që bëri bujë mes ortodoksve përmetarë. Por, ky veprim tërboi grekomanët dhe menjëherë u thirr nga zëvendës dhespoti, Spiridhoni, një filogrek i tërbuar, që e qortoi pse kishte lexuar ungjillin në gjuhën shqipe dhe e porositi në mënyrë urdhëruese, që herë tjetër ta kryente meshën në gjuhën greke, sepse sipas tij dhe ustallarëve të tij, ajo ishte gjuhë e Perëndisë, “gjuha shqipe ishte gjuhë e mallkuar”.
Por, Atë Stathi me një ironi therëse ja ktheu: “Hirësi, shqiptarët merren vesh me Zotin më mirë me shqipen se sa me greqishten! Pastaj Zoti i di të gjitha gjuhët pse të mos e dijë dhe shqipen!?”
Përplasja
Grekomani Spiridhon, i tërbuar nga kjo përgjigje e mallkoi duke i thënë: “Të vaftë shpirti në xhehenem pasi ti ke dale nga udha e perëndisë. At Stathi, hazër xhevap ja ktheu: “ Do të ta di për nder të më dërgosh në xhehenem, pasi zotrote do të vesh në parajsë, kështu që atje nuk do ta kem zotërinë tënde, dhe atje do të më lësh rehat”.
Ai u shpjegoj si fshatarëve ashtu edhe klerikëve të tjerë domosdoshmërinë e të meshuarit dhe të folurit shqip, si në jetë ashtu edhe në kishë. Ai u thoshte se “Nga a pangrëna mund të vdesin 20-30 shpirtra, ndërsa nga e padija vdes mëmëdheu me të gjitha.”
Autoritetet turke
Ai tërë jetën u ndoq si nga autoritetet turke ashtu edhe nga Fanari Grek dhe Patrikana e Stambollit. U arrestua dhe u burgos disa herë, në Përmet, Leskovik dhe dy herë ra në burgun e Janinës më 1910 dhe 1913. Por, At Stathi nuk u tut nga presionet dhe torturat dhe nuk hoqi dorë nga idealet dhe veprimtaria e tij atdhetare.
Ai dhe familja e tij në Melan, priti dhe përcolli, pa iu trembur syri, gjithë komitetet, që kishin dalë maleve për lirinë e Shqipërisë të kryesuar nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Riza Velçishti etj. Mihal Grameno, duke portretizuar figurën e tij shkruante: “Kur dridhej bota nga Sulltan Hamiti dhe nuk guxonin të shfaqnin as kombësinë, At Stath Melani ishte nga të paktët që luftonin për të drejtat kombëtare.”
Lidhja Ortodokse
Kur u krijua Lidhja Ortodokse në Korçë me 1908 nga Mihal Grameno, At Stathi menjëherë u regjistrua anëtar i saj. Në kohën e kryengritjeve të mëdha të viteve 1909-1912, At Stathi me të birin Manthon krijoi dhe u vu në krye të një çete patriotike që luftoi kundër pushtuesve turq për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe me pas, në vitet 1913-1914, kundër ushtrive pushtuese greke që shkelën trojet tona dhe synonin të realizonin ëndrrën e tyre të hershme për aneksimin e Shqipërisë Jugore.
Është tepër domethënës fakti që në çetën e komanduar nga një prift ortodoks, veç djalit të tij Manthos, shumica e pjesëtareve të saj ishin myslimane nga Përmeti, Leskoviku e Kolonja.
Kjo çetë zhvilloi në sërë betejash të përgjakshme kundër andarteve greke si në Melan, Delvinë, Postenan, Radimisht, Kokojkë të Frashërit deri edhe në Sinjë të Beratit, në gusht 1914 kundër forcave të Esat Pashë Toptanit që ishte drejtuar për të përmbysur Qeverinë e Vlorës. Në një lajm të shtypit të kohës “Përlindja e Shqypnisë” thuhet se Qeveria e Vlorës e kishte caktuar komandant ushtrie në Përmet.
Arrestimi
Me 1914 kur hynë forcat rebele në Vlorë u arrestuan një sërë figurash patriotike. Shtypi i kohës shkruante: “Forcat e Esat Pashë Toptanit dhe të Mustafa Ndroqit si hynë në Vlorë zunë nja dhjetë nga baballarët më të fuqishëm, si Marko Qypin me të vëllanë, At Stath Melanin me të birin, etj”. Me gjithë këtë ai prapë nuk hoqi dorë nga rruga e nisur.
Me t’u liruar u nis për në Amerikë. Por, së pari qëndroi në Bari pasi nuk kishte para për të udhëtuar më tej. Që andej u telegrafoi shokëve të Amerikës dhe kështu mbërriti në Amerikë për të ngritur opinionin e atjeshëm dhe patriotizmin e shqiptareve për të dhënë kontributin e tyre me të holla apo fizikisht për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i madh që i kanosej.
Terrori dhe masakrat në Shqipërinë e Jugut
Në këtë kohë krejt Shqipëria e Jugut ishte përshkruar nga terrori dhe masakrat me çnjerëzore, me djegie, fshatrash, masakrime klerikësh bektashiane, priftërinjsh dhe përdhunime grash e vajzash. Jo pak por dogjën 300 fshatra dhe masakruan mijëra vetë. Kjo gjendje u bë pa padurueshme për At Stathin, të cilën ua bëri prezent edhe shqiptarëve të Amerikës.
Ndonjë mërgimtari që e këshillonte të mos kthehej në atdhe me që gjendja ishte e keqe ai ju përgjigj: “Sot është koha për punë atje, sot duhet të luftojmë, sot duhet të vdesim për Shqipërinë, pa nesër kur të lirohet do të ketë shumë të tjerë”. Ndërsa atyre që e këshillonin të qëndronte në Amerikë dhe të fitonte para ju përgjigj: “Pasuri e gjithë botës nuk janë asgjë për mua, lumturinë e kësaj bota do t’a fitoj kur të kthehem në atdhe dhe të përmbush detyrën”.
Lufta kundër rebelëve të Esat Pashës
Patrioti dhe bashkëluftëtari tjetër i tij Kopi .V Tushemishi shkruante: “Në luftën e Sinjës me 6 gusht 1914 kundër rebeleve të Esat Pashës, guximi dhe trimëria e tij ishin të pakufishme, qëndronte si një kapiten në mes të ushtrisë dhe luftonte si një dragua”.
Shoqëria Kombëtare e Shqiptarëve Muhamedane të Amerikës, në shpalljen e fushatës së ndihmës për At Stathin, për t’u kthyer në Shqipëri shkruante: “Historia zbukurohet e pasurohet me fytyrën dhe veprat kombëtare të At Stath Melanit. Prej 10 vitesh që kur e njohim ka qenë një Apostull i Kombit, i Lëvizjes Kombëtare, duke mos u trembur as nga ndjekjet e qeverisë turke, as nga patrikana Greke”.
Ndërkaq, populli, veprimtarinë e tij patriotike e ka përjetësuar në këngë që këndohet në gjithë Shqipërinë e Jugut. Në kohën e Luftës Antifashiste NAÇL një nga çetat partizane të Konispolit, u emërtua “Çeta partizane At Stath Melani”.
Portreti i tij është ekspozuar edhe në Muzeun Kombëtar si një ndër figurat e shquara. Është dekoruar me Urdhrin për Veprimtari Patriotike si dhe me Medaljen e artë të Shqiponjës. Për të unë kam botuar edhe një monografi në gjuhën shqipe dhe atë anglisht me titull: “Kapedan At Stath Melani me shokë”. Kam botuar shkrime deri edhe në Revistën “BESA” në Suedi më 1996.
Konferenca e Londrës detyroi patriotët të rrinin larg Atdheut
Me të mbërritur në atdhe mësoi me hidhërim se vendin e pushtuesve grekë, të cilët me paralajmërimin e fuqive të mëdha ishin detyruar të largoheshin jashtë kufijve të shtetit shqiptar të caktuar nga Konferenca e Londrës, e kishte zënë një pushtues tjetër, italianët.
Por, nga këta ai nuk kishte ndonjë trajtim të keq. Fanari grek që e kishte shpallur armik të krishterimit dhe të planeve të tyre shoviniste, aneksoniste, e gjurmonte këmba këmbës për ta vrarë. Më 24 dhjetor të vitit 1917 u nis nga Përmeti për në Melan i shoqëruar nga dy fshatarë, njerëz të paguar nga Fanari Grek për kokën e tij. Me të mësuar këtë lëvizje, banditët me Josif Suropullin në krye, i ngritën tri pusi, njërën tek kthesa e rrugës për në Trebozisht, njëra në baltën e kuqe të Lipivanit dhe e treta në Varret e Melanit.
Tek e përpjeta e Lushnjes tek Balta e Kuqe e Lipivanit kish zënë pritë vetë Josif Suropulli, një krye hajdut dhe filogrek, i cili e qëlloj në befasi teksa ishte hipur në mushkë, e vrau. Largoi shoqëruesit nën kërcënimin e armëve, i preu edhe kokën dhe ja çoi në Greqi për të marrë shpërblimin e taksur nga Fanari grek. Kjo vrasje makabre helmoi gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Trupi i tij pa kokë u çua në Përmet, ku u varros me nderime të mëdha në kishën e Shën Kollit.
35 vjet veprimtari atdhetare
Veprimtaria patriotike, 35 vjeçare e At Stathit u vlerësua shume nga figurat e shquara të kohës. Kështu Fan. S Noli shkruante: “Nuk jam fort i zoti të përshkruaj shërbimet e mëdha dhe të rralla që i ka bërë atdheut. Por, historia pasurohet me shërbimet e tij të larta dhe të rralla. Para detyrës nuk iu tremb as zjarrit, as topit as plumbit. Vuan pasojat e gjithë pengimet që gjeti në udhë, të cilat nuk dukeshin gjë përpara detyrës së shenjtë që kishte për atdheun për të cilin u bë dëshmor.
Më poshtë vazhdon: “S’ka zemër shqiptari që të mos dëshpërohet, për të ndjerin por të pa vdekurin hero dhe dëshmor i madh i kombit. Ndërsa Mihal Grameno, sikurse u përmend me sipër, e cilësonte si nga të pakët atdhetarë, që përpiqeshin për të drejtat kombëtare në kohën e Sulltan Hamitit.
Pandeli Çeço, bashkëluftëtar dhe patriot ka shkruar; “U ndoq, u burgos e u arratis si zogu i shqiponjës, por gjene flaka e atdhetarisë forcoi zemrën e tij të fluturojë në mes të flakës për t’i shërbyer Atdheut. Me ungjill, me pushkë e penë, mal më mal e breg më breg, mbrojti shenjën e shenjtë (Flamurin), e cila përfaqësonte gjakun dhe nderin e vatrave tona. Ky hero, ky trim, ky Apostull i Kombit, u bë theror duke dhënë shpirtin e tij”.
Rrëfimi i Mihal Gramenos
Më 1917, pas një sërë aktivitetesh në Amerike mori rrugën e kthimit për në Atdhe. Udhëtimit të tij i ka bërë një përshkrim tepër të lartë Mihal Grameno. Pikërisht, gjendjes të gëzuar shpirtërore nga ky udhëtim me anije. Në librin e tij “Kryengritja Shqiptare”, Mihal Grameno ndër të tjera shkruan: “Një vapor i madh po përçan detet dhe oqeanet, pasagjerët ca nga frika e nëndetëseve gjermane dhe ca nga dallgët e detit janë strukur nëpër dhoma dhe hambarë.
Vetëm një plak flokë thinjur dhe mjekër të bardhë qëndron në kuvertë dhe shikon përpara dhe vetëm përpara, aty këtu në fytyrën e tij shihet një buzëqeshje, duket që është i kënaqur që po udhëton”. Më poshtë sqaron: “Ky është Stath Melani, i cili kur të tjerët luftonin me Sulltan Hamitin, ai ishte nga të paktët që luftonte për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë”.