Bashkëpunëtorët e brezat e nxënësve, me prindërit e tyre në Kosovë, ruajtën kujtime të paharruara për një ndër mësuesit e parë të shkollës shqipe të Prizrenit, Lazër Lumezin. Po kështu, për atë është shkruar shpesh në shtyp ( në Shqipëri e në Kosovë) dhe dëshmojnë mjaft dokumente arkivore. Në to dëshmohet se ai lindi në qytetin e Prizrenit, më l5 shkurt l870, në një familje zejtarësh të varfër, por me tradita atdhetare. Në vendlindje kreu shkollën fillore 6-klasëshe dhe më pas i vijoi studimet si autodidakt dhe punoi me pasion për t’u bërë mësues i shkollës shqipe, edukator i brezit të ri.
Me kërkesat këmbëngulëse të popullit arsimdashës të qytetit të Prizrenit, u bë e mundur që, më 1 maj l889, të çelej edhe aty shkolla shqipe. Siç e përmendëm më lart, mësues i parë i saj u caktua Mati Logoreci. Djaloshi i zgjuar Lazër Lumezi i rrinte pranë atij e mësuesve të tjerë dhe dëshironte të përfitonte nga profesioni i tyre, mësuesia. Kështu,që në fillim u gjend përkrah Logorecit në shkollën shqipe, që u çel aty. Ai dinte turqisht, serbokroatisht dhe italisht, gjë që e lehtësoi për të shfletuar literaturëne nevojshme pedagogjike. Pas dy vitesh, Lumezi u bë mësues i klasës së parë e të dytë, ndërsa klasën e tretë e të katërt dhe drejtimin e shkollës i kishte M.Logoreci.
Në fillim, dy kolegët e patën të vështirë në shkollën e Prizrenit, sidomos për tekste. Por morën libra, që nga Shkodra dhe për klasën e parë shfrytëzuan abetaren e G.Venusit, e cila ishte botuar në Bukuresht, më l880. Lumezi mbajti lidhje të ngushta me prindërit, që të forconte dashurinë e nxënësve për librin e shkollën dhe që t’i brumoste ata me idetë atdhetare.
Punën e mësuesve nuk e shihnin me sy të mirë autoritetet osmane.Më l897,kur kishte shpërthyer një revoltë e atdhetarëve tanë në Prizren, Lazër Lumezi shpëtoi nga arrestimi dhe e kundërshtoi mësimin e turqishtes në shkollë. Po kështu, ishte kundër synimeve austro-hungareze, të cilët kërkonin ta kishin shkollën nën mbikqyrjen e tyre.
Në fillimin e shekullit të kaluar nisën të përmirësoheshin kushtet në shkollën e Prizrenit. U ndërtua një lokal i ri dhe u siguruan libra për nxënësit, me ndihmën e poetit patriot Ndre Mjeda. Po ndodhi ajo, që nuk dëshirohej. Nga kontradiktat, që kishte Mati Logoreci me konsullin austriak në Prizren, autoritetet zyrtare e detyruanatë të largohej nga shkolla. Kështu, drejtimi i shkollës së Prizrenit i mbeti Lazër Lumezit, që pati më pas edhe dy bashkëpunëtorë. Më vonë, ai çeli në atë qytet dhe një shkollë mbrëmjeje për të rriturit dhe u dallua në klubin atdhetar aty, sidomos për lidhjen me klubin “Bashkimi” të Manastirit.
Lazër Lumezi shërbeu në shkollën shqipe të Prizrenit, deri në vitin l93l, pra më shumë se 40 vjet. Synimi i tij kryesor ishte edukimi i brezit të ri me dashurinë për dije, për popullin e varfër e Atdheun dhe urrejtjen për çdo pushtues e armiqtë e tjerë.
Në një njoftim me titull “Letër nga Kosova” (gazeta “Bashkimi”, l3.3.l9l0), ndër të tjera, shkruhej për shkollën e Prizrenit, e cila drejtohej nga Mati Logoreci:
“Në vilajetin e Kosovës gjinden shkolla katolike,që tash sa vjet japin mësimet në gjuhën shqipe. Në Prizren është një shkollë, me tre mësues, e cila përparon bukur mirë. Ashtu Shkupi, Ferizaj ,Gjakova e Peja kanë mësojtoret e veta, ndër të cilat mësohet thjesht shqip”.
Mësuesi i shkollës shqipe të Kolesjanit, në rrethin e Kukësit, Riza Spahiu, e ka kujtuar me respekt mësuesin e tij të parë. “Në Prizren u njoha me mësuesin e shkollës shqipe të atjeshme, Lazër Lumezin,- ka shkruar ai, ndër të tjera,- i cili me shumë qejf ma mësoi alfabetin shqip, të Shoqërisë së Stambollit. Më jepte detyra të përditshmë, më kontrollonte dhe më pajisi me libra të ndryshme në gjuhën amtare. Kështu, kur mbarova shkollën e mesme, (më l9l0,-shënimi im,M.G.) mësova fare mirë edhe këndimin, shkrimin dhe aritmetikën, në gjuhën tonë amtare”.
Lazër Lumezi vdiq më 23 gusht të vitit 1941. Në shkrimin e botuar në gazetën “Kosova”(datë 23.l0.l941), me titull “Lazër Lumezi” dhe nënshkruar me pseudonimin “Jehu i Sharit”, bëhej një vlerësim i lartë për jetën dhe veprimtarinë e gjatë arsimore të këtij atdhetari. Autori, ish-nxënës i tij, jepte të dhëna për përkushtimin e Lazër Lumezit, mësues i shqipes në Prizren. Ja disa radhë: “Deka e këtij plaku shqiptar më ka prekë ç’mos kurrë. Kujtojsha se do ta shifsha prapë,se do t’flitsha me te shqip e për Shqypni…Po bahen mbi dhjetë vjet, që pata fatin me qenë në shkollën e tij në Prizren. Ishim nja 40 fëmijë, të tanë shqiptarë dhe shkolla ishte në nji shtëpi dykatesh, afër katedrales katolike”.
Pastaj autori tregonte se, në Prizren, u bënë përpjekje që në shkollë të mësohej vetëm në gjuhën serbe. Por mësuesi Lazër Lumezi u kujdes që mësimi të bëhej vetëm shqip:
“Po mjeshtër Lumezi ishte tepër burrë e atdhetar e s’ngrehej mbas rrymës shkombëtarizuese. Jo vetëm kaq, por pat guximin e jashtëzakonshëm me ba çka tjerët as me e mendue nuk ishin të zotët…Na mësonte si këndohej e shkruhej ajo gjuhë që, mbi të gjitha, na kishte hije kur flitshim…Atëherë, nuk më bante fort përshtypje kah m’u dukte gja jo ma e natyrshme, me këndue e me shkrue njeriu në gjuhë, që ia ka folë gjyshi e katragjyshi…”. Dhe e përfundonte kështu, këtë përkushtim për mësuesin e tij të paharruar:
“Por se s’mujta me e pasë mësues për ndoj’ kohë të gjatë. Mbas disa muejsh e pushuen nga puna e ne vend të tij na e prunë nji shkinë…E mjeshtrin shqiptar e qajshim me lotë…Tash përherë e ma fort e kuptoj madhështinë ideale të këtij Shqyptari Kosovar, që na mbet’ gjithnji mjeshtër i gjallë dhe shembull i rrallë për t’u ndjekë pa frigë”.
Mësuesi atdhetar Lazër Lumezi është i njohur edhe mbledhës folklori, etnograf, vjershëtor për fëmijë dhe autor pjesësh teatrore. Me vlerë të veçantë janë botimet e tij në ndihmë të shkollës shqipe, të periudhës kur jetoi e punoi, botime që kanë interes të veçantë, sidomos nga ana pedagogjike. Kuptohet, krijimtarinë për fëmijë ose atë teatrore i kishte, në radhë të parë, për nxënësit e mesuesit.
Librat pedagogjikë të Lumezit janë: “Abetare shqip”,”Për ata që duen të mësojnë gjuhën shqipe”,”Libri i punës” dhe “Mësime punëdore prej mësuesve nëpër shkolla fillore”. Punimi i tij i fundit, me l80 faqe, mbeti dorshkrim. Ai është një manual metodik dhe dëshmon për përvojën e gjatë, mbi 40-vjeçare, të këtij mësuesi dhe edukatori të pasionuar, e cila është e dobishme të njihet nga mësuesit e rinj.
Studiuesit dhe ata, që e kanë njohur nga afër, kanë theksuar se Lazër Lumezi ose Lazër Shkollari, siç e quanin me nderim e respect në gjallje të tij, ishte një edukator i rrallë dhe i talentuar, I cili dallohej për taktin e tij pedagogjik, në marrëdhëniet që kishte vendosur me nxënësit dhe prindërit e tyre. Veçanërisht, tregonte kujdes për mësimin e gjuhës amtare dhe të historisë së Kombit tonë, gjë për të cilën armiqtë na kanë penguar vazhdimisht. Si metodist i shkollës fillore, arriti të shquhej me punën praktike këmbëngulëse dhe studimet në gjuhët, që zotëronte.
Këto radhë për Lazër Lumezin po i mbyllim me diçka nga parathënja e tij, në librin origjinal: “Mësime të përditshme”. Aty pohonte, me domethënie:
“Për katërdhet’ vjet rresht kam punuem mësues në shkollë fillore të Prizrenit, në të cilën shkollë të tanë mësimet janë dhanë në gjuhë amtare…Gati krejt mësimet, që kam dhanun, në dy klasët e para, i kam pas ruejtun. E tash, që jam në pushim, po m’duket me arsye me i përmbledhun këto mësime me nji libër, e me ua falun, sidomos, miqve të rinj”.
Ai la një vepër e një kujtim, që nuk do të shlyhet asnjëherë, në historinë e shkollës shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar.
Tiranë, 1 maj 2012