Republikë është pak, kështu tha profesor Gjyltekin Shehu, atë ditë të fillim prillit historik për të ardhmen e Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës.
Ishte ditë e enjte, 2 prill i vitit 1981, pas dreke.
Nga data 11 marsi i vitit 1981 në Prishtinë vlonte diçka e madhe, por pak kush e dinte se çka po ndodh, a edhe më pak se çka do të ndodhte.
Ama pra, dikush e dinte.
E dinin ata që ua ndiente zemra. E dinin, se ia kishin bërë hyzmetin që të ndodhë ajo që ndodhi. Të ndodhë prilli i vitit 81, Pranvera shqiptare! Pastaj të ndodhë edhe tetori e nëntori i vitit 1997 dhe marsi i vitit 1998 dhe ai i vitit 1999. Më në fund të ndodh viti 2008, kur Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Dikush e dinte se këto ngjarje nuk ishin veprim spontan por ishin veprim me plan.
Kjo do të harrohet shumë shpejt, është vetëm fillimi ! Më tha Ahmet Qeriqi, pas drekën e ditës së shtunë të 28 marsit 1981, përpara Gjimnazit Sami Frashëri.
Dhe ashtu u bë.
Pas datës 26 mars arsimtarët e Universitetit ishin bërë sy e veshë dhe gati u shndërruan në shërbim zjarrfikësish për ta mbajtur nën kontroll zjarrin, që vlonte në mesin e rinisë studentore. Në Fakultetin Filozofik ( tash Filologjik) kishim filluar të qëndronim tërë kohën, me ndërrime, me orar kujdestarie. Kur
dilnim nga Fakulteti dilnim me një far rendi, dikush kthehej dikush dilte, në mënyrë që në Fakultet vazhdimisht të jenë dikush nga arsimtarët. Një prilli kaloi si kaloi, në Prishtinë.
Gdhiu 2 prilli, me një velo të zezë mbi Prishtinë.
Kah ora 10 erdhi profesor Latif Berisha, i cili udhëtonte nga Mitrovica, dhe tregoi se te ura në Lakërishte ishin përqëndruar forca të mëdha policore, ku kishin arritur edhe një numër i madh të rinj e të vjetër nga anë të ndryshme të Kosovës, që ia kishin mësyrë të hyjnë në Prishtinë. Atë ditë afër Fakultetit Filozofik nuk pamë të afrohet ndonjë masë e madhe e popullit, por dëgjohej dhe dihej se në Prishtinë acarimi i situatës kishte arritur kulmin.
Në Kosovë kishte hyrë ushtria me tanke. Avionët “Mig” në Prishtinë fluturonin mbi pullaze të shtëpive, sa nuk ia morën kulmin Institutit Albanologjik. Por në Prishtinë, atë ditë ishte e tërë Kosova. Situatë e tendosur sa s` bën ndryshe. Kjo ishte para tridhjetë vjetësh. Nuk kishte telefona celularë! Ne nuk kishim
informata se çka po bëhet në kryeqytetin e Kosovës. Edhe parandjenjat që i kishim nuk ia shfaqnim njëri tjetrit për shumë arsye. Çdo gjë vlonte në vete dhe këtë vetëm ata që e kanë përjetuar mund ta besojnë plotësisht. Të tjerët…?
Kishte kaluar më shumë se gjysma e ditës. Ndoshta tri të katërtat e asaj dite, të enjteje me pak re mbi qiellin e Prishtinë, të përziera me tymin e lotësjellësit dhe erën e barotit që ishte zbrazur atë ditë të 2 prillit.
Kolegëve u thash se do të dal për disa nevoja personale dhe do të kthehem. Kur dola, nëpër qytet nuk kishte turma populli. Aty këtu ndonjë lëvizje e rrallë, jo në grupe, sepse ishte dhënë lajmi se nuk lejohet të lëvizet në grupe. Këtë kusht e plotësoja shkëlqyeshëm! Isha fillkat vetëm! Kalova para Radio Prishtinës dhe kur dola te Hotel Grandi hyra rrugës majtas, që të kaloja kah Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës, se andej e kisha rrugën. Kur arrita te Banka e Lublanës hyra një rruge të ngushtë ( tash rruga Fazli Grajçevci) që shpie drejt te Shtëpia e mallrave “Gërmia”, aty ku hyhet në vetëshërbim. Askush nuk lëvizte në atë drejtim.
Nja 10-15 metra përballë hyrjes te vetëshërbimi, ca njolla gjaku, bukur të mëdha, ma vranë syrin dhe ndërrova qehren, ngadalësova hapin, por ecjen nuk e ndala. Nuk e dija se mu aty pak më parë, kishin vënë themelet e shtetit të Kosovës me gjakun e tyre: Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Nga ai moment
fillova të mendoja ndryshe. Kjo nuk është më demonstratë, thash vet me vete dhe vazhdova rrugën. Dola në rrugën kryesore, prapë kalova kah Grandi dhe u ktheva në Fakultet.
Në hyrje të Fakultetit me kurreshtjen më të madhe prisnin disa nga profesorët e këtij fakulteti. Të gjithë më të moshuar se unë. Ndër ata edhe profesori i gjuhës frëngeGjyltekin Shehu. E vërejtën, sigurisht shqetësimin tim, prandaj nuk më pyetën menjëherë se çka ka në qytet. I përshëndeta si e do rendi, por shumë rëndë. Isha nën trysninë e atyre njollave të gjakut që kisha parë në rrugë, përpara “Gërmisë”, krahas rrokaqiellit të Bankës Ekonomike, tash Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në Prishtinë, u thash me gjysmë zëri shumë i prekur, sot është derdhur gjaku i studentëve. Për një moment të gjithë u shtangën. Pas pak mblodha veten, sa të them edhe këtë: përpara Gërmisë dikush ishte vrarë, dhe heshta.
Askush nuk foli.
Republikë është pak – tha profesor, Gyltekin Shehu. Gjaku derdhet vetëm për shtet-shtoi ai dhe përsëri ra një heshtje e rëndë. Nuk folëm më për një kohë bukur të gjatë.
Atë ditë, ditën e enjte, më 2 prill 1981, Kosova kishte nisur të eci rrugës për t` u bërë shtet. Rinia jonë e kishte ditur se shteti fitohet me gjak. Kurse strukturat udhëheqëse të Kosovës të ushqyer me iluzione edhe më tej përpiqeshin të mbajnë gjallë “vëllazërimin e popujve të Jugosllavisë”. Dikush këtë e kuptoi në vitin 1989 e dikush në vitin 1999. Mos e bë Zot, që dikush akoma të jetojë me iluzione të ngjashme.
Pranoje o Zot!