Dr. Feti Mehdiu: Kryengritësi, Halil Patrona është unikat në historinë e revolucioneve ( Patrona Halil isyanin tarihte eshi benzeri yoktur)

(Fjala e dr Feti Mehdiut mbajtur në Akademinë përkujtimore kushtuar kryengritësit shqiptar, Halil Patrona, organizuar nga Radio-Kosova e lirë, mbajtur më 28 shtator 2010, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë.)

Kush është ky Halil i cili dridhi alamet sulltanët me protestën 49 ditëshe,  pikërisht 50 vjet para revolucionit francez? ( Fransız ihtilalinden sadece 50 yıl önce çıkardıgı isyanla 49 gün boyunca koskoca imperatorluğu korkudan titreten bu Halil kimdir?)*

Madhështia   e njerëzve të vegjël që nuk kanë pushtet buron nga zemra e tyre e pastër, e kulluar, kurse vogëlsia e njerëzve të mëdhenj me pushtet buron nga  mendja e tyre e turbulluar.

Me rastin e prezantimit të personaliteteve të rralla shqiptare që janë arkitektë dhe aktorë të ngjarjeve të mëdha  historike për historinë  Botërore, ku e kanë vendin e vet edhe shqiptarët, fjalën time e përkufizova me shprehjen “ në disa burime turke”.

Arsyeja është se për figurën e Halil Patronës, personazhit, të cilit i kushtohet kjo akademi, në gjuhën turke ka një mori  studimesh, për të cilat unë nuk kam  mundësi të thellohem ashtu si e meriton kjo figurë historike dhe ky moment përkujtimor.

Gjatë studimeve, sa isha në universitet, më ka rastis ta shoh, në leksikone të shkrimtarëve turq se një shkrimtar turk me emrin Reshad Ekrem Koçu kishte botuar dy romane, personazhi kryesor i të cilëve është Halil Patrona. Po shprehem me rezervë, këtu, ngase njërin nga romanet, atë që titullohet: Forsa Halil nuk  e kam pas në dorë, kurse në romanin tjetër: Patrona Halil, shtjellohet në hollësi e tërë ngjarja dhe  bëmat e Halil Patronës dhe roli i tij në rrëzimin e sulltan Ahmetit të tretë nga posti i sulltanit, rasti i vetëm me sulltanët Osmanë.*

Mirëpo nuk dija asgjë më tepër se kaq, deri në vitin 2005, kur Ahmet Qeriqi botoi librin  FENOMENE SHQIPTARE.

Falë këtij botimi  dhe angazhimit të pakursyer të shokut tim të klasës dhe të idealit  hapërova pak më tutje në këto hulumtime, por jo në atë shkallë sa të them se  i kam shterë burimet turke. Prandaj po them disa burime turke.

Në vazhdim mund të përmendi, vetëm tërthorazi,  ndonjë të dhënë që është në ndonjë gjuhë tjetër por që ka lidhje të drejtpërdrejtë  me rastin konkret.

Kryesisht do të përqendrohem në disa nga ata burime turke, të cilat kam pas mundësi t i kem në dorë për këtë rast.

Autori i enciklopedisë, Kamusu-l-a alam, Sami Frashëri, në vitin 1889, në vëllimin e dytë*  Halil Patronën e prezenton vetëm me dy tre rrjeshta:

“ Është një shqiptar dhe epror i jeniçerëve në kohën e sulltan Ahmetit të tretë.  Pasi që ishte organizator i një kryengritje, bashkë me disa bashkëmendimtarë të tij, u vra nga agai i jeniçerëve Halil Pehlivani dhe grupi i tij.”*

Kurse në vëllimin e tretë* flet gjerësisht për vendlindjen e  Halil Patronës – Hurpishtin,*  një kasaba e vogël në Vilajetin e Manastirit, 7 km në jug të Kesrijes dhe gjendet afër lumit Belica dhe i takon sanxhakut të Korçës; por këtu nuk e përmend Halilin. Në Hurpisht flitej gjuha turke, shqipe, greke dhe vllahishtja. Hurpishti ishte qendër nahije, në kazanë e Kesrijes, dhe përfshinte 36 fshatra me 10.000 banorë.*

(Halil Patrona në Enciklopedinë Islame: vëllimi, 1, 7, 9.)

Islam Ansiklopedisi, v.1.(1950)* autori i tekstit për s. Ahmetin e tretë, Enver Ziya Karal, e përmend Halil Patronën si  punëtor i një Hamami në Bejazit, i cili doli në krye të kryengritësve më 28 shtator 1730 dhe si rezultat i kësaj kryengritje, sulltan Ahmeti i tretë, më 1 tetor 1730, pasi mori garancë për jetën e vet dhe familjen e tij, likuidoi disa funksionar të lartë sipas kërkesës së kryengritësve dhe u  tërhoq nga posti i sulltanit – dha dorëheqje.*

Në Islam Ansiklopedisi, 7, (1957), në artikullin për Sullatan Mahmudin e parë kur flitet gjërësisht për ardhjen e tij në pushtet, pas dorëheqjes së sulltan Ahmetiti të tretë, autori  Munir Aktepe, në dy faqet e para* Halil Patronën e përmend më shumë se dhjet herë.

“Mahmudi erdhi në pushtet më 1 tetor 1730 si rezultat i kryengritjes së Halil Patronës, e cila kryengritje e hoqi nga froni sulltan Ahmetin e tretë,”    konstaton autori i këtij artikulli dhe në vazhdim edhe disa herë i referohet këtij kryengritsi duke përmend edhe disa nga bashkëpuntorët e tij si Musliu, Janaqi, Zulali Hasan Efendi, Ibrahim Efendi, Mehmet Murteza, etj.  Këtu flitet edhe për pabesinë që i bëri sulltan Mahmudi i parë dhe përfundimin tragjik të Patronës, pikërisht nga bashkemnaku i tij: Halil Pehlivan, të cilin sulltani e thirri të vijë nga Bursa.*

Në Islam Ansiklopedisi, 9, (1964), Halil Patrona prezantohet fare shkurtimisht. Vetëm në katër rreshta, pasi që jepet një spiegim etimologjik i fjalës patrona, thuhet: “Jeniçeri Halil Patrona, i cili kishte fituar famë gjatë udhëtimit me anije në Lindje,   në vitin 1730 ishte në ballë të kryengritjes kundër sulltan Ahmetit të tretë”. *

Në vijim, në kllapa jep burimin ( Relationes des 2 rebellions, s.8; ingl.tre. Charles Perry, A view of the Levent, London, 1743, s. 64).  Ky është burimi më i drejtpërdrejt që përshkruan kryengritjen e Halil Patronës vetëm 13 vjet pas zhvillimit të ngjarjes.

Në vitin 1970,  në veprën e autorit turk,  Behxhet Nexhatigil:  Edebiyatımızda isimler sözlüğü, * aty ku flitet për shkrimtarin Reshad Ekrem Koçu, mësojmë se  në vitin 1962 ështe botuar romani Forsa Halil, me një nëntitull: tarihi uzun hikaye – rrëfim i gjatë historik (roman historik), kurse në vitin 1968, nga i njëjti autor ishte botuar vepra: Patrona Halil(roman).*

Edhe në vitin 1973, në veprën: Şairler ve yazarlar sözlüğü* të autorit Shukran Kurdakul,* i gjejmë të njejtat informata. Mirëpo këtu, të dyja këto vepra të Reshad E. Koçut janë cilësuar vetëm si romane. Nuk i kemi epitetet si në veprën e Behxhet Nexhatigilit.

Në burimet që i zumë në gojë deri këtu, përveçse te Sami Frashëri, nuk përmendet përkatësia shqiptare e Halil Patronës.

Këtu e lamë anash veprën letrare-romanin Patrona Halil të shkrimtarit turk Reshad Ekrem Koçu, të botuar, për herë të parë në vitin 1968 në Stamboll.

Do të përmendim historianin-austriak, Josef von Hammer, autor i veprës kapitale: Buyuk Osmanli tarihi, në 10 vëllime, botimi në gjuhën turke,* si edhe veprën Osmanli devleti tarihi,*  që janë botuar ndërmjet viteve 1995-2005.*

Në veprën e Hammerit e gjejmë në  vëllimin e 7 dhe vëllimin e 10.

Në vëllimin e shtatë, kryengritjes së Halil Patronës me jeniçerët e tij i kushton rreth 20 faqe.*  Përshkruan në hollësi veprimet e Halil Patronës në ballë të kryengritjes së 28 shtatorit të vitit 1730,  si rezultat i së cilës ishte  heqja e sulltan Ahmetit të tretë nga froni dhe sjellja në fron e sulltan  Mahmudi i parë.*  Trajtimin e fillon  me nëntitullin SULTAN AHMEDIN TAHTTAN INDIRLILMESI.*. (rrëzimi i sulltan Ahmedit nga froni)

Menjëherë në fillim Hammeri konstaton se në krye të kësaj proteste ishte shqiptari Halil Patrona, i cili udhëhiqte një grup jeniqerësh prej 17 vetash.

Ditën e enjte, më 28 shtator, duke lind dielli, përpara xhamis Sulltan Bajazit u dëgjua thirrja e Halil Patronës, drejtuar popullit: “ Kërkesat tona janë në përputhje me sheriatin! Kush është pjesëtarë i ymmetit Muhammed mbyllni shitoret dhe bashkohuni me ne”!

Kërkesat e kryengritësve ishin: heqja e taksës së përjetshme “malikane”, pëlqimi i  Sulltani për djegien e shtëpive publike që ishin ndërtuar në gjasht0shtat  vitet e fundit në të dy anët urës Gallatës dhe e treta ishte shmangia e disa funksionarëve të lartë nga pozitat e tyre, nga të cilët ishte edhe kryeministri Damad Ibrahim pasha me disa ministra tjerë. Sulltani nuk dha pëlqim për djegien e shtëpive publike me motivacionin se “popujt e krishterë do ta tallnin  Sulltanatin për një akt të tillë” por preferoi vetëm rrënimin e atyre shtëpive ashtu që kryengritësit e Patronës rrafshuan me tokë 120 shtëpi publike në Stamboll të ndërtuara sipas modelit francez.*

Kërkesa për heqjen e taksës malikane u pranua menjëherë. Disa funksionar u ekzekutuan (fq. 373) dhe pasi që i dhanë besën kryengritësit se sulltanin dhe familjen e tij nuk do ta gjente asgjë e keqe, Sulltan Ahmeti i tretë u largua nga froni dhe në fron të Sulltanit erdhi  Mahmuti i  parë.*

Hammeri  sjell dialogun e Halil Patronës këmbëzbathur me sulltan Mahmutin. Sulltan Mahmudi iu drejtua:*( fq. 378)

-Çka mund të bëj për ty?

-Dëshira ime më e madhe është arritur me faktin se të solla  në fron, tash e di se Halil Patronën e pret vdekje e turpshme! – u përgjigj Halili.

-Të betohem në shpirt të të parëve të mi se nuk do të gjejë asgjë e keqe, kërko shpërblimin dhe ajo çka të kërkosh është e kryer- i tha sulltan Mahmudi i parë.

Halil Patrona e përsëriti edhe njëherë, të hiqet taksa e përjetshme malikane dhe këtë sulltani ia konfirmoi si punë të kryer menjëherë (fq.378)

Hammeri përshkruan edhe aktin e fundit kur likuidohet udhëheqësi i kryengritjes Halil Patrona.*( f.384) Ekzekutimin e Halilit me shokë e realizoi me pabesi, Halil Pehlivani.

“…Halil Pehlivani me tridhjetë  jeniçerët e vet u hodh në sulm, nga vendi ku ishte fshehur sipas marrëveshjes paraprake me sulltan Mahmudin, dhe i doli përpara Halil Patronës me pyetjen: A ti je ai trim që dëshiron të bëhet aga i jeniçerëve, a? Patrona nzorri shpatën të mbrohet, mirëpo Patrona dhe Musli Beshe u prenë menjëherë… bashkë me këta dy u likuiduan edhe 26 kryengritës, duke i thirrur një nga një, kinse për t i veshur me uniformat e premtuara…”Muhsinzade Abdullahu u bë aga i jeniçerëve kurse Halil Pehlivani u bë Pasha(* 384)

Ndërkaq, në vëllimin e 10. Hammeri në indeksin e nocioneve historike të Historisë së Sulltanatit Osman, te Patrona Halil, jep sinjalin: për rolin e jeniçerit shqiptar, i cili rrëzoi nga froni s. Ahmetin e tretë, shih  kapitullin (xhild) XIV.

Në veprën Osmanli Devleti Tarihi,*(1999), Halil Patrona përmendet vetëm dy  herë, në vëllimin e dytë, fq.628, dhe 658. Në kontekstin e parë thuhet se si pasojë e kryengritjes së Patronës u ndërpre aktiviteti lidhur me endjen e një lloj pëlhure në Selanik dhe në Edrene. Në rastin e dytë paralajmëron  një kapitull: Kryengritja e Patronës, shfronësimi i s.Ahmetit tretë dhe vendosja në fron të  Mahmuditi të parë. Mirëpo në faqen  60 të vëllimit të parë, aty ku trajtohet rasti i s. Ahmetit të tretë, nuk përmendet Halil Patrona, por thuhet se “… në vitin 1730 kryengritjet rezultuan me përmbysjen e të gjitha reformave të zbatuara në Stamboll dhe me rrëzimin e s. Ahmetit të tretë. Me të ardhur në pushtet Mahmudi i parë (1730-1754) punën e parë që bëri ishte likuidimi i prijësëve të kryengritjes.

Halil Patrona në faqet   e l e k t r o n i k e

Do të përmendi disa nga punimet që japin përshkrime më të hollësishme se këta që u përmendën më parë.

Shkrimit me titullin:  Kush është ky Halil i cili dridhi alamet sulltanat me protestën 49 ditshe pikërisht 50 vjet para revolucionit francez?

( Fransız ihtilalinden sadece 50 yıl önce çıkardıgı isyanla 49 gün boyunca koskoca imperatorluğu korkudan titreten bu Halil kimdir?)

i përgjigjet teksti vijuese :

Halil Patrona është shqiptarë nga Hurpishti i Manastirit,  i cili me kryengritjen  49 ditëshe që organizoi në Stamboll rrëzoi nga froni sulltan Ahmetin e tretë.  Ky është ai i cili kur ngriti flamurin e kryengritjes e thirri të gjithë popullatën të bashkohen nën këtë flamur për të realizuar tri kërkesa:

Shembjen e shtëpive publike

Dorëheqjen e disa ministrave

Heqjen e tatimit të përjetshëm – malikane.

Halil Patrona është kryengritësi i shekullit 18, i cili nuk i pranoi nga qeveria e s. Ahmetit 100.000 lira ari, e as pozitat e larta që iu afruan. Halil Patrona është unikat në historinë e revolucioneve. ( Patrona Halil isyanin tarihte eshi benzeri yoktur).

Teksti tjetër… Kryengritja e Halil Patronës, vazhdon:

Është një kryengritje që ka filluar me 28 shtator 1730 në Stamboll. Kjo kryengritje e udhëhequr nga Halil Patrona kishte me vete tërë jeniçerët shqiptarë të divizionit të 7.  Fakti se sulltan Ahmeti  i tretë bënte përgatitje për ekspeditën që do të ndërmerrte për në Iran ishte në favor të kryengritësve. Këta me 30 shtator paraqitën listën, me të cilën kërkonin dorëzimin e 4 funksionarëve shtetëror, duke filluar nga  kryeministri Damad Ibrahim Pasha, kajmekami i Stambollit Mustafa Pasha,  shejhu-l-islami Abdullah efendi dhe  të tjerë.

Kjo kryengritje hoqi nga froni sulltan Ahmetin e tretë dhe solli në fron Mahmutin e parë.

Teksti i titulluar:  Si rrodhi kryengritja?  Afron informcionin vijues:

Më 15 të muajit rebiu-l-evvel të vitit 1143, e enjte, ditë pushimi për Portën e Lartë, në Oxhakun e Jeniçerëve ku merrnin pjesë 17 jeniçer, u arrit marrëveshja dhe te xhamia  Sulltan Bejazit,  te hyrja Kashëkçëllar, nja tre a katër grupe ngritën bajrakun, ngjeshën shpatat dhe duke thirrur: “ sheriati na thërret, o Ymmeti Muhammed mbyllni dyqanet dhe ejani nën këtë bajrak” u nisën drejt pazarit mishit (Et mejdani). Në krye të kësaj qëndronte Halil Patrona me jeniçerët tjerë të oxhakut të 17.

Në një tekst tjetër … lexojmë:

Sulltan Ahmeti i tretë, në kohën kur nisi kryengritja ishte në Uskudar dhe mblodhi bashkëpunëtorët për të analizuar kërkesat e kryengritësve.  Ata që udhëheqin kryengritjen, Halil Patrona, Musli Beshe, Kuçuk Musli, Kutuxhi haxhi Hysejn, Çinar Ahmed, Ali Usta, Emir Ali, Karayilan, Turshuxhi Ismail, i kanë shqetsuar udhëheqësit e shtetit sidomos kanë vënë në pozitë të shumë të keqe  kryeministrin.

Në vazhdim flitet për kërkesat e kryengritsave, gjendjen më të re në Saraj,  dënimin e dhëndurëve: Ibrahim Pasha, Mustafa Pasha dhe Mehmet Pasha.

Në tekstin me titull: Zemërimi i ashpër  i kryengritësve, lexojmë:

Kërkesa e sulltanit që të mos digjen por vetëm të rrëzohen e të shkatërrohen shtëpitë publike në Bosfor, me motivacionin se do të na përqeshin e do të tallen me ne armiqtë tonë dhe bota e krishterë, nxiti nervozë të madhe te kryengritësit. Kjo kushtëzoi ultimatumin që i dhanë sulltanit kryengritësit e Halil Patronës. Me tellall u dhanë lajmin se brenda tri ditëve të gjithë ata që janë përgjegjës për villat luksoze, t i rrëzojnë vetë, në të kundërtën do ta pësojnë edhe më keq.

Teksti i titulluar: Pësimet  e Halil Patronës dhe bashkëpunëtorëve të tij,  sjellë informacionet vijuese:

Organizatorët dhe pjesëmarrësit në këto veprime dhe këtë kryengritje shumica ishin shqiptarë. Halil Patrona i realizoi të trija  kërkesat e paraqitura dhe i besoi premtimeve të sulltanit se nuk do ta gjente gjë e keqe*,  por e pësoi keq. Sulltani organizoi një solemnitet, kinse për të promovuar përfundimin e këtyre trazirave dhe për të shpërblyer Halil Patronën me gradën e Agait të jeniçerëve, por kjo ishte e kobshme sepse e paguan me kokë Halil Patrona me gjithë shokë. Sipas skenarit të përgatitur ata i merrnin  një nga një dhe i futnin në një hapësirë të Divanit të sulltanit dheu hiqej koka. Për këtë likuidim të simpatizuesve të Halil Patronës me gjithë Halil Patronën, Muhsinzade Abdullah Pasha dhe Ibrahim Aga morën grada të larta.

P ë r f u n d i m i

Me sa u përmend  më lartë, edhe në burimet turke*, del  se Halil Patrona është një figurë shumë e rëndësishme historike botërore, që ka zënë vend jo vetëm në literaturën historike por edhe në vepra artistike, këtu përmendëm vetëm veprat letrare.*  Është një personazh, i cili që nga viti 1730 e deri në ditët tona më thellësisht e gjerësisht është studiuar dhe trajtuar nga studiuesit e huaj se sa historianët turq.*

Halil Patrona është ai i cili në kërkesat e tij u angazhua për dy komponente bazë për mbarëvajtje të punëve të një shteti normal: komponenta morale dhe ajo sociale. Është kryengritësi unikat në historinë botërore që filloi një kryengritje me 17 bashkëveprimtar – jeniçerë, të ushtrisë turke, dhe arriti të ndërrojë nga posti një sulltan jo edhe pak të suksesshëm. Ishte një kryengritës, i cili nuk ua vari veshin fare premtimeve për 100,000 dukatë dhe pozita të larta në hierarkinë  sulltanore, por vazhdoi dhe ia doli që të shkatërrojë bërthamën e amoralitetit që kishte zënë fill në qendër të sulltanatit Osman dhe të lirojë popullin e këtij sulltanati nga një tatim që ndrydhte popullin dhe nuk i sillte asnjë dobi shtetit – por vetëm klaneve të multezimëve të imët.*

Është  figura historike që zë vendin qendror në dy romanet e një shkrimtari turk, dhe në një roman të një shkrimtari hungarez, i cili është përkthyer në 25 gjuhë të botës, qysh në gjysmën e shekullit  XIX, e më në fund e kemi të përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe pret botues të denjë për vepër të letërsisë historike.*

Më në fund mund të thuhet edhe kjo:

Halil Patrona – një shqiptarë nga rrethina e Manastirit – është një personazh historik, i cili me shpirtbardhësinë e tij i tregoi botës,  plot gjysëm shekulli para revolucionit francez, se masat popullore në qendër të  sulltanatit osman e përkrahën pikërisht për faktin se ky artikuloi si askush tjetër më parë kërkesat për të përmisuar gjendjen morale dhe sociale të shoqërisë, qoftë edhe nëse ato kërkesa paguhen me jetë.

Historisë shqiptare i mbetet që Halil Patronës – projektues dhe realizues i një projekti moral dhe social në gjysmën e parë të shekullit 18, t i gjejë vendin e merituar në gjirin e vet.

Prishtinë, 28 shtatorë, 2010

Feti Mehdiu: Disa fragmente të përkthyera nga gjuha turke ne gjuhën shqipe të romanit “Patrona Halil” të shkrimtarit turk, Reshad Ekrem Koçu

( Reshad Ekrem Koçu:  “Patrona Halil, tarihi roman”, Istanbul, 2003, 3. baski, 315 sayfa.

Dita e parë e kryengritjes  më 28 shtator 1730

Zëri i parë i trazirave të 28 shtatorit 1730, ditën e enjte që u dëgjua nga Hamami Bejazit i Halil Patronës këmbëzbathurit me shpatën ngjeshur që ishte hedhur në rrugë ishte një fjalim shumë i shkurtër.  Ky ishte një moment i pritur dhe i përgatitur  gjatë tërë një viti, me punë natë e ditë dhe këtë ditë Halili ( ja shkrepi):

O Zot! O Zot!… O ymmeti i Muhammedit! Mos thuhet se nuk e kemi dëgjuar,  sheriati Muhammedit na thërret..!  Mbyllni  shitoret dhe ejani  se këtu nën bajrakun tonë e keni vendin!…. lëshoi  kushtrimin.

Kalimtarët që  gjendeshin përpara hamamit dhe në bulevardin që shtrihet ndërmjet  Aksarajit dhe Bejazitit menjëherë humbën diku, bulevardi u zbraz tërësisht. Përballë këtij kalldërmi, vetëm pak më tej, përpara Simkeshhanes rrinin  disa djelmosha rruge, të moshës 15 deri njëzetvjeçarë.  Një ekip i tyre ishte nga ata që ndezin zjarrin në Hamamin në Bajezit, simpatizues të Halil Patronës, këmbëzbathur, që rrinin nën komandën e kryeshefit të këtij ekipi,  Kalem Beut. Rreth 150 djelmosha, sikur këta në Bajezit, kishin zënë pozita në një vend të përshtatshëm gjatë rrugës kryesore dhe të gjithë kishin marrë  komandën: “ Sapo të shihni ndonjë njeri me grada, domethënë njeri të pushtetit, ose ndonjë nga paria e jeniçerëve Bektashi, dilni përpara, lidhuni njëri me tjetrin sikur zingjir dhe  mbylljani rrugën, rrethojeni dhe mos e lini të dalë në  Bajezit dhe me një piskamë e akrobacione  mos i jepni rastin të thotë e as të kuptoj gjë prej gjëje!”

Fillimisht Bajraktari Mustafa Alaxhali, Halil Patrona dhe Musli Beshe  vrapuan kah xhamia e sulltan  Pajazitit. Një vrap i heshtur, vetëm sa dëgjoheshin fërkimet e lehta të këmbëve nëpër gurët e kalldërmit. Këtë  veprim, një pjesë e masës së popullit,  sigurisht se e përcillnin dhe shikonin me një shqetësim e frikë.

Halil Patrona  e përsëriti fjalimin kushtrimdhënës te vendi i quajtur Kashikçilar  në Bajezit. Këtë fjalim e kishte përgatit Ispirizade dhe Halili e kishte mësuar përmendësh, të cilin këtë herë e dëgjoi një pjesë e madhe e masës. Mirëpo ata që e dëgjuan këtë, nën një peshetmall që e kishin ngritur si flamur, këmbëzbathur, qëndronin në këmbë,  kureshtar dhe të brengosur se ku do të përfundonte, ku e kishte fundin kjo tollovi. ” Krisi belaja!…”, tha njëri, dhe në heshtje u tërhoqën, ikën prej aty, shkuan  drejt në shtëpi dhe u mbyllën.

Rreth tridhjetë kryengritës, në Kashikçillar u ndanë në tre grupe dhe u futën, hynë,  në Kapalliçarshinë e madhe. Patrona dhe Mustafa Bajraktari së bashku u vunë në krye të grupit të parë,  shkuan në Iç Bedestan dhe Xhevahir bedestan ku për së treti herë mbajti fjalimin kushtrimdhënës. Ata që ishin në depot e Bedestanit e mbyllën qarshinë, askush nuk e kundërshtoi.

Në krye të grupit dytë u vu Musliu, në krye të ekipit të tretë Usta Aliu dhe u shpërndanë, zunë pozitat në Çadërxhilar dhe Yaglikçilar. Musliu nga çadraxhinjtë bëri një bajrak si kur të ishte tamam bajrak, Usta Aliu,  po ashtu mori një  shkop, një copë pëlhure e ngjiti në të dhe e bëri flamur.  Mbase rreth nëntëdhjetë për qind e masës që qarkullonte nëpër këtë çarshi nuk i kishin parë fytyrat e kryengritësve  por megjithatë, për nja dy orë qarshija u zbraz, shitoret u mbyllën, i lëshuan kapakët dhe secili filloi t’ i komentonte në mënyrën e vet: “ Rrafsh tre mijë  këmbë-zbathur janë”, “ Pas tyre janë edhe jeniçerët!”, “ Në krye të këtyre është Patrona çorbaxhiu, i cili ka ardhur nga  Tebrizi, as ka duar, as sy, as vesh, as këmbë nuk ka “!

” Ka dal dexhali vetë…!”

Në tërë çarshinë u përhap lajmi “Nisi  belaja”! Deri kah iqindija popullata e Stambollit me familjarët e vet u mbyllë nëpër shtëpi. Edhe ashtu ishte ditë pushimi, tërë qytetin e kaploi një tmerr i heshtur e i ftoftë.

O ymmeti Muhammed! Hajdeni kthehuni, hapni shitoret se nuk ka asgjë!

Janë arratisur, kanë marrë botën në sy nja gjashtë ushtar, derbedënë hesapi, katër prej tyre janë zënë, edhe ata dy tjerët tash do të kapen!”…

Këtij zëri  nuk ia vari veshin kush, përveç njërit:

Zotëri i nderuar, çka po thua ti gjashtë ushtarë … Janë ngritur rrafsh treqind bajrakë ngjeshur me shpata që të bëjnë rrafsh me tokë, tri herë nga  tre mijë burra… të gjithë si të kenë këputur zingjirin, sikur azhderhatë janë!… tha.

Megjithatë ta shohim çfarë soji është! tha.

Bashkë me Ali Beun i mori nja njëqind veta nga  ata të Kapikules dhe ia mësyni drejt Bajezitit. Mirëpo akoma pa arrit në Çemberli tash,  nja dy grupe, prej nga njëzet vetash, u dolën përpara, dikush me një tojagë, tjetri me një thanore, të gjithë këmbëzbathur, askush nuk  kishte armë dhe vetëm mbështilleshin e zvarriteshin, krijonin një farë tollovie që nuk merrej vesh asgjë.

Atë mëngjes,  familja e ministrit kishte mbjellë  një lule të re. Dhëndri i ministrit Mustafa Pasha, nuk arriti ta përmbante veten nga ky mjerim, ia plasi gazit dhe iu drejtua  Misirli Ali Beut, me të cilin ishin duke ecur njëri pas tjetrit:

Po të kishte qenë në Egjipt a do t i kishte prerë këta? E pyeti.

Ali Beu u përgjigj me seriozitet të plotë:

Ngatërrestarët, kudo që i gjejmë i presim, pasha i nderuar!… edhe këta ngatërrestar janë, i shkurtojmë menjëherë!… iu përgjigj.

Pashai, si ishte duke ecur, iu kthye:

– “këta nuk janë ngatërrestarë zotëri… e dinë këta sa vlejnë, këta flenë mbi hi, thjeshtë janë asketë pa fije të teshës!… “ ia ktheu. Atëherë me një shenj të vogël Patrona ia bëri të qartë se ku ishte halli.

* Reshad Ekrem Koçu u lind në Stamboll në vitin 1905. Ka kryer studimet në fushë të historisë dhe një kohë të gjatë punoi në shkollat e Stambollit profesor i historisë dhe gjeografisë. Ka botuar shumë studime nga lëmi i historisë dhe dy romane për heroin Halil Patrona: Forsa Halil, Istanbull, 1962,  dhe Patrona Halil, Istanbull, 1967. Ndërroi jetë në vitin 1975 në Stamboll. Para lexuesit shqiptarë paraqitet për herë të parë, me rastin e 280 vjetorit të kryengritjes së Halil Patronës.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …