Në një bisedë në studion e TV-Diellit, profesor doktor, Feti Mehdiu, ka shpalosur aktivitetin e tij, hulumtues, studimor e shkencor, angazhimet e shumta sidomos në studimin e orientalistikës, pastaj shkollimin, punën në institucionet arsimore të Kosovës, përkthimet e shumta e veçmas përkthimin e parë të Kur’anit në gjuhën shqipe, aktivitetet atdhetare dhe një duzinë veprash origjinale dhe të përkthyera, që i ka nxjerrë në dritë për më shumë se 45 vjet të krijimtarisë së tij aktive.
Feti Mehdiu u lind në vitin 1944, në Zajaz të Kërçovës kur edhe mori mësimet e para, pastaj vazhdoi mësimet në Medresenë “Alaudin” të Prishtinës, ku krahas mësimeve fetare ishte e obligueshme të kryhej edhe shkolla tetëvjeçare. Studimet në orientalistikë i ka kryer në Beograd, ka magjistruar dhe ka doktoruar po në këtë lëmi duke i dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm studimeve shqiptare, sidomos atyre që kanë të bëjnë me lidhjet kulturore e fetare të shqiptarëve me Lindjen.
Përveç aktivitetit hulumtues shkencor, Feti Mehdiu ka qenë edhe anëtar i “Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve”, në krye me Adem Demaçin qysh në vitin 1963, përmes veprimtarit, Sabri Novosella. Ai pastaj kishte zgjeruar veprimtarinë në mesin e medresistëve ku edhe kishte vepruar një grup i të rinjve në platformë të kësaj organizate. Nga ai grup, pasi ishte dekonspiruar, ishin dënuar me burg katër medresistë, ndërsa ishin marrë në hetime dhe ishin maltretuar disa të tjerë.
Feti Mehdiut i përket merita e veçantë në përthimin e plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe, i cili ka dalë në dritë në vitin 1985 dhe është botuar në 1o.ooo ekzemplarë.
Duke folur lidhur me aktivitetin e tij studimor, në bisedën për TV-Diellin ka veçuar disa segmente të studimeve dhe angazhimeve të tij sidomos në lidhjet kulturore, fetare e historike të shqiptarëve me botën arabe përgjithësisht e veçmas me trashëgiminë e Perandorisë Osmane, e cila ka lënë gjurmë të shumta në shumë segmente të jetës së shqiptarëve.
Ai ka veçuar me këtë rast, një pjesë vitale të trashëgimisë kulturore e shkencore të dijetarëve, poetëve e filozofëve me origjinë shqiptare që kanë qenë pjesë e sistemit perandorak, të cilit edhe i kanë shërbyer, por nuk kanë hequr dorë nga origjina dhe përkatësia e tyre. Këtë veprimtari ata e kanë dëshmuar me vepra, pa qenë të diskriminuar, sikur është bërë zanon të flitet e të shkruhet ndër ne.
Ai ka spikatur sidomos letërsinë e trashëgiminë kulturore shqiptare të shkruar me alfabet turko-arab, duke u nisur nga Mesihi i Prishtinës, Jahja Bej Dukagjini që ishte poeti më i madh i shekullit 16-të në Lindje dhe për të vazhduar ndër shekuj me dijetarë e mendimtarë të shquar, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar për kulturën dhe letërsinë tonë sikur kanë qenë: Ibrahim Nezimi apo siç njihet ndryshe Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Çami e më pas një numër mjaft i madh i poetëve: Muçi Zade (Jug), Sylejman Naibi (Berat), Dervish Hasani (Krushë e vogël), Anonimi i Gjirokastrës, Mulla Hysejn Dobraci i Shkodrës, në dekadat e fundit të shekullit 18-të, Ismail pashë Velebishti, Hysen Efendi Shkodra, Mulla Sali Pata që ishte poet satirik i oborrit të Bushatllijve, Sylejman pashë Elbasani, Ibrahim Elbasani, Sylejman Temani nga Berati, Omer Sadedin Efendiu nga jugu i Shqipërisë, Haxhi Ymer Kashari nga Tirana, Zenel Bastari e shumë të tjerë.
Krejt kjo trashëgimi e pasur kulturore e artistike është trajtuar dhe trajtohet si “letërsi e bejtexhinjve”, mbase edhe me një përçmim, për faktin se ishte shkruar me alfabet turko arab dhe jo me alfabetin latin sikur ishte shkruar letërsia po ashtu fetare e priftërinjve shqiptarë që nga Barleti, Buzuku, Bardhi, Bogdani e të tjerë, bashkëkohës që kishin botuar veprat e tyre në Itali e gjetkë.
Profesor, Feti Mehdiu, ka veçuar faktin se në periodizimin e letërsie shqipe, kapitulli i trashëgimisë së bejtexhinjve është sistemuar si kapitull i veçantë, pa e vlerësuar në pikëpamje të përmbajtjes e tematikës dhe të kohës kur është shkruar. Në këtë vlerësim, për të mos thënë tendencioz, por mbase nga padituria e paragjykimi, është anashkaluar fakti se poezia sociale e Hasan Zyko Kamberit shënon fillimin e realizmit shqiptar në fund të shekullit 18-të, e jo në gjysmën e dytë të shekullit 19- e më pas sikur mësohet në tekstet e Historisë së letërsisë shqipe. Poezia e tij nuk ishte mistike, as romantike, por thjesht poezi realiste me elemente satire e sarkazmi.
Një pjesë të bisedës, në TV-Dielli, profesor Feti Mehdiu ia ka kushtuar problemeve të hulumtimeve e studimeve në kohën tonë, ndërsa ka kritikuar neglizhencën e institucioneve të cilat janë stërngarkuar me zyrtarë të profileve të ndryshme, por nuk shihet rezultati i punës së tyre. Ai ka kritikuar për mos punë edhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e cila është bërë partiake dhe nuk shihet ndonjë rezultat në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që ka si institucion që financohet nga buxheti i vendit.
( Bisedën në studion e TV-Diellit me Feti Mehdiun, e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)
Prishtinë
- 4. 2019