Si ta quajmë rrëfimin kaherë të kërkuar që ta mësojmë, rrëfimin për një vajzë vuthjane. Ta quajmë libër autobiografik apo rrëfim në veten e parë, ta quajmë libër dokumentar mbi vuajtjen e popullit tonë apo rrëfim, apo dëshmi për qëndresën e pa thyeshme të personazhit të gjallë në këtë libër që e mbijetoi dhunën, Ajshe Gjonbalaj, një ndër femrat shqiptare më të persekutuara në regjimin e sistemit të kaluar në ish Jugosllavi. Edhe pa u shkruar kjo biografi e Ajshes, jetonte si rrëfim jo vetëm në Vuthaj, Plavë e Gusi, në Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës e tutje. Atë e rrëfimin bashkërendimit e sajë, bashkëveprimtaret, bashkëvuajtëset e sajë në kazamatet e Serbisë.
Në rrëfimet e popullit ai trup i malësores vuthjane të ngjante në Shkëmbin e malit, qëndrestare, kokëfortë në mos lëkundjen e idealit të qëndresës. Rrëfimi i sajë që rrjedh spontanisht, del nga kujtesa momentale, gati si bisedë e rastit, me një dilemë mos po e tepron së rrëfyeri, pa zbukurime dhe shtesa, sikur mendohet mos po e zgjat e po kalon në monotoni, e që nuk është kështu. Janë këto rrëfime spontane, që të rrëqethë trupin, rrëfime për egërsinë njerëzore ndaj njeriut, rrëfime për sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë të shtypur, në këtë rast veçmas të gruas shqiptare në ish Jugosllavi, ajo flet për qëndresën kolektive edhe kur flet në veten e parë, ajo tërë kohën në burg e kalon të thuash në izolim, e mbyllur në vetmi e lidhur me pranga, në errësirë, ku tërë kohen nuk dorëzohet as ligështohet, thërret në ndihmë këngën dhe durimin që të ia del mbanë nga kjo situatë. Ajo është e vetëdijshme se liria kërkon shumë sakrificë, ajo është psikikisht e përgatitur ti bëjë ballë çdo furtune .
Ajo krejt spontanisht gjatë rrëfimit do të vërë në qendër rolin e institucionit themelor që na mbajti gjallë nën robëri, na mbajti në kombësi dhe nuk lejoi zhdukjen, asimilimin tonë. Ky institucion është familja shqiptare- shtyllë e lartë e edukimit ndër breza, e mësimit të historisë e të traditës, të solidaritetit, të respektit njerëzor dhe të dashurisë. Familja si çerdhe e ngrohtësisë, e bashkëpunimit, këmbimit të përvojës, përkrahjes së shoqi shoqit. Ky institucion që historikisht u sulmua, por nuk u mposht.
Ajshja gjatë këtij rrëfimi spontan rrëfen dhe për mos barazinë e gjuhës, ndëshkimin kur u përdorë gjuha jonë, sepse gjuha mbetet shtylla e dytë bashkë me të parën të pa ndara, në ruajtjen e identitetit kombëtar, në mbrojtjen e një kombi nga asimilimi. Ajshja këtë e di ndaj i del zot gjuhës dhe simboleve kombëtare sepse ajo e di, kështu i mbron fëmijët, nxënësit e vetë nga asimilimi. Nuk ka torturë që mund të na bëjnë të heshtim të gjithë dhe të pranojmë poshtërimin nacional. Heshtja të ligështon të bën të pa shpresë. Ndaj ajo nuk fletë për dhimbjen, as për plagët e torturat e rënda ato nënkuptohen.
Ajo flet për luftën me veten si të qëndroj e pamposhtur, si ta bind torturën, urinë, përbuzjen me qëndresën duke e harruar vetën e vetë shndërrohet në simbol të rezistencës së kombit. Vetëm të mos ligështohem, të qëndroj vertikalisht, të mos rrëzohet moralisht, të mos e humbi kontrollin e mendjes, ta mbroj idealin. A nuk është ideali arma ma e fortë në çdo front, edhe në rrugën tonë ideali na prinë, mendonte Ideali i lirisë na priu edhe në luftën e lirisë në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Lirinë e duam më shumë se vetveten, paçka se nuk kishim mjaftë armë, ne kishim idealin e lirisë.
-Ajshe, mos u dorëzo- i pëshpëriste ajo vetvetes. Ideali e mbante vertikalisht, me këngën në buzë, siç bënin gjithë të burgosurit e shumë shqiptar në kazamatet serbe mesjetare. Në këto çaste nuk ndiente dhimbje, as të ftohtë as lagështinë, as e ndiente ditënetët në errësirë, as vetminë e gjatë.
Ky libër më kujton sa e rëndësishme është kujtesa, për të mos harruar, për të rrëfyer. Ai popull që nuk e di saktë historinë e vetë, vuajtjet e veta, tragjeditë e mbijetuara, ai popull nuk di as të fali, se nuk di çka ka ndodhur, duket si pa rrënjë, e ka mundur harresa. Ai popull nuk mund të ngritët në këmbët e veta. Gjeneratat e reja duhet të edukohen me respekt për të kaluarën, jo për ta ushqyer urrejtjen, por për të kuptuar me sa sakrifica të gjeneratave e gëzojmë, lirinë që kemi, dhe të ndjejnë mirënjohje e respekt për gjeneratat që sakrifikuan, të dinë ti ruajnë vlerat që i solli kjo sakrificë e burrave dhe grave, nënave e baballarëve, motrave e vëllezërve, bijve e bijave tona.
Sa mirë që Ajshe Gjonbalaj është këtu mesë nesh, mbijetoi për të na treguar si At Zef Pëllumbi, duke i kujtuar edhe shumë nga shoqet bashkëvuajtësve. Liria nuk falet as nuk dhurohet. Ajo fitohet çdo ditë. Ajo edhe mund të humbet çdo ditë, po nuk dite ta mbrosh- thoshin nënat tona që ta mësonim ne. Kështu thotë edhe trimëresha kreshnikja e maleve tona, vuthjanja Ajshe Gjonbalaj: -Mos u nënshtro! Asnjëherë mos u dorëzo!