leoni

Dr. Hasan Luçi: Sulm i përsëritur kundër UÇK-së, strategji e vjetër serbomadhe

Ndërsa vazhdojnë bisedimet mes Kosovës e Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, (me ndërmjetësinë e BE), Beogradi përsërit pa fund slloganin e mosnjohjes kurrë të shtetit të Kosovës, ndërsa Prokuroria e komanduar nga EULEX-I kërkon shtyrjen e afatit të mbajtjes në arrest të disa nga ish drejtuesit kryesorë të UÇK-së gjatë luftës. Pra, po shihet shumë qartë se nga qarqe të caktuara shovene dhe serbomadhe vijon t’I fryhet në vijimësi zjarrit antishqiptar, duke e përqendruar sulmin sot kundër luftëtarëve të lirisë. Po shihet se hija tinzare e ndërprerë nga UNMIK-u, kundër UÇK-së, po vijohet aktualisht nga EULEX-i. Qëllimi është i vjetër me akuza të reja për të sabotuar forcimin e përparimin e shtetit të Kosovës. Edhe pse NATO mundësoi krahas UÇK çlirimin e Kosovës, dora e zezë serbe, përmes aleatëve tradicionalë, vepron kundër veteranëve të UÇK, dhe kjo duke u ndihmuar edhe nga të çara mes shqiptarëve.


EULEX-i ka një rol të përcaktuar qartë për të përçuar siguri e drejtësi në Kosovë, por fatkeqësisht, në praktikë nuk po ndodh kështu! Duke ndëshkuar forcat që çliruan Kosovën, ata automatikisht që duan të ndëshkohet edhe NATO, aleatja kryesore e UÇK-së dhe popullit shqiptar në luftën e përbashkët fitimtare. Nëse EULEX-i vazhdon arrestimet, dërgimin në gjyq e dënimin e luftëtarëve të UÇK, atëherëë EULEX-i merr përsipër turpin e zhbërjes së vlerave të luftës historike çlirimtare të Kosovës nga ShBA dhe NATO-ja. Dënimi i UÇK-së ka për qëllim që të përmbys historinë çlirimtare të saj, por edhe të NATO-s. Nëse EULEX-i është i vendosur të dënoi UÇK-në, natyrisht që gjithkujt, i cili mendon me kryet e veta, do t’i lindë pyetja: Pse nuk dënohet edhe NATO, e cila nuk mund ta kryente detyrën pa bashkëveprimin luftarak me UÇK-në? Madje, nëse do ta quajmë të drejtë këtë praktikë të EULEX-it, natyrshëm të shkon mëndja të dënosh edhe koalicionin antifashist botëror në Luftën e Dytë Botërore, pasi edhe ata bombarduan kudo, përfshi edhe goditjet me bomba atomike në Japoni, njëlloj sikundër NATO bombardoi Beogradin! Pra, EULEX-i duhet t’i sqarojë imtësisht veprimet dhe duhet të jetë më i sinqertë për të treguar se nga e merr lëndën e akuzave, që normalisht kushdo e di se cila kuzhinë e gatuan helmin kundër UÇK.


UÇK është shëmbëlltyrë çlirimtare e LANÇ-it në Shqipëri, (1939-1944), pasi pati po ata aleatë që pati edhe LANÇ-i ynë, (përjashtuar Rusinë). Por, çdo lojë e mashtrim për të mos e njohur UÇK-në, nuk do ta errësojë dot atë dhe as luftëtarët e saj.  Armiqtë e shqiptarëve dhe renegatët shqiptarë synojnë që me një gur të vrasin dy zogj: LANÇ-in dhe UÇK-në. Shkurt, akuzat kundër UÇK synojnë të kriminalizojnë tërë luftrat e drejta të popullit shqiptar kundër armiqve të tyre në Ballkan.


Me një fjalë, akuzat e vazhdueshme kundër UÇK synojnë të mbajnë gjallë refrenin shovenist serb se Serbia nuk do ta njoh kurrë shtetin e pavarur të Kosovës, e përsëritur këto ditë nga të gjithë personalitetet kryesore të Serbisë, i cili dihet së është thjesht sulm i mbështetur në plaftormën e vjetër të Naçertanies së Grashaninit qysh në 1844, platformë akademike simotër me idenë e “Megallaidesë” greke, të cilat veprojnë ende sot kundër kombit shqiptar, duke u maskuar nën kushtet integruese euroatllantike.  Jo vetëm kaq por akuzat e poshtra kundër UÇK synojnë të zhvlerësojnë çdo luftë nacionalçlirimtare , që realisht ka bërë luftë të drejtë. Pra, si është e mundur që, qoftë UNMIK-u, qoftë EULEX-i ranë në këtë provokim të hapur e të ndyrë dhe bëjnë këtë diversion politik e ushtarak kundër UÇK-së fitimtare?! Të mbrosh akuza të ashtuquajtura “terroriste” kundër UÇK do të thotë të bëhesh ortak me gjenocidin serb kundër shqiptarëve edhe në luftën për pavarësinë e Kosovës. Me këto akuza doemos nuk synohet paqe, pajtim e qëndrueshmëri në Ballkan, por as më gjerë, kur kriza e sotme kudo shtron pikëpyetje të mëdha për sfidat që paraqet para njerëzimit. 


Por akuzat kundër UÇK kanë edhe një lidhje armiqësore më direkte, ato lidhen pazgjidhshmërisht me trojet shqiptare në veri të lumit Ibër, që tashmë janë ende përkohësisht shtrat i Prokrustit serbomadh kundër Kosovës së pavarur. Po ashtu, akuzat lidhen edhe me gjendjen e territoreve shqiptare të mbetura  ende nën Serbi, ku për fat të keq qeveria aktuale e Kosovës nuk kërkon reciprocitet kushtet për shqiptarët e atjeshëm, sikundër Serbia kërkon për serbët në Veri të lumit Ibër! Këto akuza çojnë ujë edhe në mullirin shoven në Maqedoni e në Mal të Zi, për të goditur çdo kërkesë të të drejtave nga shqiptarët. Pra këto akuza janë zinxhir i luftës kundër të drejtave të shqiptarëve ende të pa çliruar. Këto akuza janë kundër synimit të bashkimit të shqiptarëve si komb, pasi politika e re e integrimit i kundërvihet vetëvendosjes dhe nxit asimilimin e të vegjëlve nga të mëdhenjtë. Këto akuza synojnë çarmatosjen shpirtërore të shqiptarëve ,duke mos përligjur të drejtat e kombit shqiptar, duke synuar ta mbajnë përjetësisht të copëtuar.  


Akuzat për “krimet” e UÇK kanë të bëjnë edhe me përçarjen e mundshme mes shqiptarëve: në shqiptarë “nacionalistë”, (me të cilën duan të thonë se ata janë terroristë e shovenë), dhe në shqiptarë të ndershëm, (ku nënkuptohen pacifistët besnikë e pro serbë). Dhe kjo ndodh që ne shqiptarët të mos kërkojmë të jemi atdhetarë, por qytetarë të botës, sikundër shprehen edhe shumë politikanë shqiptarë të të dy anëve.  Në këto kushte, inteligjencës shqiptare, kudo që ajo ndodhet e vepron, brenda e jashtë trojeve tona, duhet të bashkohemi si një zë i vetëm, për t’i demaskuar më fort e bindshëm armiqtë e shqiptarëve në çdo formë e ngjyrë mavi që ata shfaqen.  Sot, në rrjedhat euroatlantike, ne shqiptarët duhet të kuptojmë drejt hapat integruese sfiduese, jo si globalizim e asimilim, siç i kuptojnë e i mbrojnë ca mjeranë “filozofë” nga tanët, por si rrugëtim përparimi e zhvillimi të interesave jetike shpirtërore të kombit shqiptar,  krahas kombeve të tjera të qytetëruara, pa bërë lëshime përulëse.


Tiranë, 30.10.2013

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …