leoni

Dr Ilaz Hysaj: Barku, truri ynë i dytë I

Dr Ilaz Hysaj: Barku, truri ynë i dytë   I

100.000 miliard bakterie që popullojnë trupin tonë, kanë interesin e tyre  t’a ruajnë  të shëndetshëm nikoqirin e tyre : NJERIUN. 7miliard e 250 milionë njerëz  që e popullojnë planetin e tokës  me sjelljet e tyre çdo ditë e më shumë po e degradojnë atë duke  i rrezikuar pasardhësit e tyre.!

 

Shpesh kemi dëgjuar shprehje të ndryshme  nga gjuha e jonë që lidhen me barkun dhe  gjendjen tonë emocionale si  :«  frika në bark , « lepuri në bark », « i ka hy dreqi në bark », « dridhnet në bark », » ma plasi barkun »,  « më plasi mullani i barkut » «  nyje në bark » …  etj » dhe mund te  kujtohen  situata  përcjellur tek ju me një dridhje barku, dhimbje barku, shtrëngim, emocion që buron diku nga kërthiza dhe ngjitet lart nga zemra  deri te koka…ju bëjnë te djersiteni, te dridheni, të skuqeni, të zbeheni… (dita e parë e shkollës,  aktori para shfaqjes,  takimi i parë me të dashurën,  lajm tepër i gëzuar apo i trishtë…)

Zbulimet e viteve të fundit  nga domeni i neuroshkences, mikrobiologjisë, endokrinologjisë , imunologjisë etj, vetëm se kanë vërtetuar atë që e kanë ditur dhe praktikuar para shumë vitesh  mjekësia  tradiconale kineze,  induse,  japoneze   të cilat e konsideronin barkun si organ qendror  të perceptimit  emocional, organ që komunikon me trurin e kokës  dhe organet tjera, për të menaxhuar  jetën tonë afektive në raport me veten tonë dhe mjedisin që na rrethon.

Barku më nuk  konsiderohet një  «  sillos »  ku tranziton ushqimi për t’u tretur, absorbuar dhe më në fund  hedhur  ekskrementet  në rrjetin e kanalizimeve sepse në barkun tonë, jetojnë rreth  100.000 miliardë bakterje të cilat, në bazë te studimeve të fundit,   ushtrojnë  një influence të padiskutueshme në UNIN  tonë..

Barku sot  konsiderohet  ORGAN FISNIK, që  përveç  funksionit  të tretjes  ka  një rol të rëndësishëm në mbrojtjen imunologjike. Por mbi të gjitha, sepse  aty gjendet TRURI YNE I DYTE  apo Sistemi  Nervor Enterik (SNE)

Rezultatet e  hulumtimeve klinike të dhjetë viteve të fundit në Universitetin Columbia të New York-ut ,Universitetin   Mac Master Hamilton të Kanadasë, INSERM  Nante te Frances, CHRU Lille , Universiteti  Teknik i Munich-ut,  Qendrat hulumtuese në Gjenevë e shumë qendra tjera,   kanë mundësuar të kuptojmë më mirë  kompleksitetin e asaj që ndodhë në barkun tonë.

 Më në fund, po e dimë se ekziston  një   komunikim “sekret “ në mes trurit të barkut  dhe trurit të kokës.  Një shprese e re  për të kuptuar dhe shëruar shume sëmundje nervore neurodegjenerative, sëmundje metabolike, autoimune  si dhe sëmundje tjera psikike që mundësohet  pikërisht  nga njohja  e funksionimti  të  Sistemit Nervor Enterik  dhe asaj që popullzon këtë  trakt : MIKROBIOTI ,  nje « galaksi » e vërtetë prej 100.000 miliard bakteriesh që bashkëjetojnë me ne.

Por, me çfarë gjuhe flet barku me trurin?!

Çka i thotë barku trurit te kokës ? Sa e influencon  atë per të marrë vendime kundër dëshirës  së tij ?

A është  zot i  i plotfuqishëm i botës sonë afektive  truri  ynë i dytë që gjendet në bark ? Sa është i pavarur AI.

Për të kuptuar këto lojëra misterioze do të mundohem të ju paraqesë në mënyre të banalizuar disa të dhëna anatomike dhe fiziologjike në lidhje me sistemin nervor.

Sistemi  Nervor Qendror  ( truri i madh, truri i vogël, palca kurrizore)  analizon sinjalet senzitive  që merr nga periferia  dhe emiton influkse nervore  në formë “urdhri” për të kryer një aksion motor.

Truri ynë është qendër komplekse e aktiviteteve tona  intelektuale dhe kogniktive , mbi të gjitha.

Sistemi Nervor Periferik  (i përbërë nga shumë nerva që dalin nga kafka dhe palca kurrizore)  ka për detyrë që “urdhrat e trurit” që i merr në formë të influxit nervor t’i përcjellë deri te strukturat adekuate  të organizmit,  për shembull deri te qelizat muskulare nëse ai të urdheron  që të  ngritesh nga karriga dhe të shkosh në punë.

Sistemi Nervor Autonom  apo vegjetativ (simpatik dhe parasimpatik) rregullon  dhe koordinon funksionet  vitale të organizmit si psh. Ritmin kardiak, frymëmarrjen, perisaltikën e traktit digjestiv etj.

Ky sistem  është plotësisht i pavarur. Pra edhe nëse  duam të ndalim frymëmarrjen  këtë nuk mund t’a bëjmë  sepse është në domenin e sistemit autonom vegjetativ.  As  ritmin e zemrës  nuk  mund  t’a ndalim me urdhrin e trurit.

NEURONI  apo qeliza nervore, është njësia  themelore anatomike e sistemit tonë  nervor.

Neuronet janë të lidhura me njëra tjetrën me të ashtuquajturat SINAPSA.

Për t’a përcjellë sinjalin nervor, neuron pas neuroni , sinapsë pas sinapse, nga truri deri në periferi dhe anasjelltas, nevojiten disa substanca kimike që quhen NEUROTRANSMETORE apo messazherë kimik  që prodhohen në pjesë te ndryshme të organizmit,  e më së shumti në barkun tonë,  rreth 80 për qind.

Pikërisht këtu qëndron  rëndësia madhore e barkut dhe sistemit nervor enterik.

Për të kuptuar më mirë  rolin e madh të trurit të barkut në sferën afektive dhe  influencën e tij  në sjelljet tona do te njihemi shkurt me disa neuro-transmetues kryesorë :

 1.ADRENALINA  apo « stressori»  lirohet sidomos në situata të veçanta  stressi. Ky  përgatitë organizmin për t’u ballafaquar me situatën « luftë  apo ikje ».

2.NOR ADRENALINA  kontrollon lirimin e hormoneve përgjegjëse për fertilitet, libido ,oreks ,metabolizëm, modulon aftësinë për të mësuar dhe për t’u integruar në shoqëri. Ulja e Noradrenalinë shkakton  demotivim, ulje të libidos desocializim dhe  depresion.

3.DOPAMINA  modulon lëvizjet muskulare, sistemin imunitar, kurse në sferën komportementale, dopamina modulon vigjilencën dhe kënaqësinë seksuale. Çrregullimet në lidhje me dopaminën shoqërohen me rigjiditet muskular,  dridhje tek sëmundja e Parkinsonit, demotivim, depresion të tipit melankolik.

4.SEROTONINA modulon ritmin e gjumit, frenon dukshëm aktivitetin neuronal dhe frenon aksionin. Me një formë e futë trurin në refleksion para se të reagojë, pra,  reflekton  urtësi dhe qetësi.  Në të kundertën,  shkalla e ultë e serotoninës shoqërohet me gjendje impulsive, irritative, e në raste ekstreme edhe me tendenca për vetëvrasje.

5.GABA favorizon qetësinë dhe relaximin. Në të kundërtën shkalla e ultë e GABA  shkakton gjendje anksioze dhe vështirësi për të fjetur.

6.ACETYLCHOLINA , ndër neurotransmetorët kryesorë që modulon dhe kontrollon lëvizjet, merr pjesë në stokimin e informatave në zona të trurit si dhe në aksionin e gjetjes së këtyre informatave në momentet e duhura , pra është  mesazheri  kimik i memories.

Çrregullimet  në lidhje me acetilcholinën manifestohen me probleme të memories qoftë  ajo te sëmundja e Alzheimer apo tek demenca e rëndë senile.

Pasi u njoftuam  ne vija të trasha me sistemin nervor dhe neurotransmetorët  kryesorë  mund te kalojmë në përshkrimin e  Sistemit Nervore Enterik apo TRURIT TE DYTE.

TRURI YNE I DYTE (SNE)

Sipas disa shkencëtarëve truri ynë i dytë apo Sistemi Nervor Enterik, në fakt është i pari sepse gjatë zhvillimit embrional , tubi digjsetiv bashkë me neuronet e tija zhvillohen para sistemit  nervor qëndror në kafkën tonë.

Neuronet, apo qelizat nervore të SNE, janë plotësisht identike me ato të SNQ dhe përdorin të njejtët neurotransmetorë për të përcjellë mesazhet.  Është konstatuar gjithashtu se shumë dëmtime degjenerative që prekin qelizat nervore të trurit, prekin njëkohësisht apo edhe më herët, neuronet e sistemit tonë enterik, bile në rastin e sëmundje së Parkinsonit japin  shenja klinike shumë më të hershme, në formë të çrregullimit të odoratit dhe shenjave  tjera digjestive, shumë më herët se shenjat e para të çrregullimit motor. Dhe pikërisht këtu qëndron shpresa e diagnostikës së hershme të shumë sëmundjeve neuro-degjenerative përmes  një biopsie  të thjeshtë  të një cope zorre, që është fare pa rrezik në krahasim me biposinë e qelizave nervore të kokës.

Qelizat nervore të SNE veshin gjithë traktin tonë digjestiv duke filluar nga goja, ezofagu, lukthi, duodeni, zorrët e holla, zorrët e trasha  e deri te vrima anale.  Ato janë të organizuara në dy pleksuse ganglionare:

1.Pleksusi  submukoz  i  Meissner-it  i cili gjendet në mes të qelizave endoteliale që veshin nga brenda gjithë traktin digjestiv dhe shtresës muskulare.  Ky pleksus  kontrollon, mbi të gjitha, sekrecionet e domosdoshme për tretjen dhe mbrojtjen digjestive.

2.Pleksusi  myenterik i Auerbach-ut  i cili shtrihet në mes të muskujve gjatësore(longitudinal) dhe  muskujve rrethore ( circular). Ky pleksus kontrollon motricitetin, pra gjithë perisaltikën dhe lëvizjet e traktit digjestiv që lidhen me tretjen dhe mbrojtjen digjestive.

Kjo është ajo që dihej kaherë për SNE.

Por hulumtimet e reja na tregojnë se këtu prodhohet 95 për qind të serotoninës, neurotransmetorit kryesor që menagjon emocionet tona, si dhe një numër i madh i neurotransmetorëve që i përmendëm më lart.

“Derisa psikanaliza gastrike është në kërkim të fondatorit të saj, akupunktura  kineze abdominale ka mbi 40 vjet që përdoret në mjekimin e sëmundjes së Parkinsonit, Alzheimer-it dhe të depresionit.”

Megjithëse është në ineraksion me pjesët tjera të sistemin nervor autonom, SNE funksionon në mënyrë plotësisht të pavarur nga qendra. Të dy pleksuset që përmendëm janë të lidhura dendësisht  në mes vete në nje rrjet reticular interkonekcional, ngjashëm sikurse truri  ynë, prej nga edhe iu kanë atribuar emra të ndryhem si “gut’s brain”, “truri visceral”, “truri i dyte” sipas Taoistëve, apo qendra e Qi në kulturën sino-japoneze.

SNE  lidhet direkt me sistemin nervor qendror  (SNQ) përmes NERVIT VAGAL  apo pneumogastrik.

Përmbanë mbi  200 million neurone, aq sa ka ne trurin e qenit apo maces, një mije herë më pak se në trurin e njeriut.

Sipas neurogastroenterologut Jean Fioramonti zorrët tona kanë të njejtat neurone sikurse truri ynë. Duke marrë përsipër punën kaq të madhe në digjstion dhe në mbrojtje, truri ynë i dytë i ka mundësuar, gjatë evolucionit, trurit të kokës, që të merret dhe të zhvillojë kapacitete  tjera intelektuale.

I pasur shumë më termoreceptorë, mekanoreceptorë, kimioreceptorë, ky sistem ka një aftësi të veçantë te kapë të gjitha sinjalet e natyrës sensitive dhe t’i shnderroje ato ne levizje mekanike cirkulare apo longitudinale, me nje kadence ritmike qe ne mjekësi quhet perisaltikë, kurse neuronet glandulare kontrollojnë sekrecionin e substancave të domosdoshme për tretjen dhe eshalonin e mbrojtjes abdominale.

Kurse përmes neurotransmetorëve  që përmendëm  më lart,  ai merr pjesë , dhe  në një formë menagjon jetën tonë afektive. (vazhdon)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …