(Në shenjë kujtimi për Flakadanët e Janarit dhe të gjithë të rënëve të Pranverës Shqiptare)
34 vjet ë parë Kosova dhe viset tjera shqiptare e nisën epokën e re të historisë së këtyre trojeve. Qe 34 vjet Kosova dhe shqiptarët janë duke kërkuar identitetin e tyre shtetëror në Evropën Demokratike, për t’u bërë pjesë e saj politike, ashtu siç është pjesë e saj gjeografike. Ishte Lëvizja Studentore e Pranverës Shqiptare të ´81-tës, e cila së bashku me Lëvizjen Sindikale të Polonisë “Solidarnost“, të parët e patën filluar luftën e vendosur kundër sistemit totalitar, sistem që ishte bërë gogol për popujt e Evropës Lindore. Ndërsa populli shqiptar i trojeve etnike, të pushtuara nga Serbia e Jugosllavia ishte nën robërinë klasike, klasore dhe nacionale. Të gjithë popujt e kësaj bote (SOCIALISTE) u ngritën furishëm kundër këtij sistemi TOTALITAR dhe arritën që t´i këpusnin prangat e një robërie të egër njëqindvjeçare. Vetëm shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi, që i kishin prangat e robërisë klasike, përkundër gjithë pjesëve të tjera të Evropës, atyre do t’u vazhdohet robëria më gjatë se gjithë të tjerëve, madje ajo në disa pjesë të saj vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Pranvera Shqiptare e vitit 1981 në pamje të parë dukej se ishte spontane, në fakt ishte një shpërthim i akumuluar gjatë viteve të gjata të një robërie të egër, por ishte edhe rezultat i një pune të vazhdueshme të organizatave ilegale atdhetare. Kryengritja paqësore e shqiptarëve natyrshëm u nis nga studentët, por më vonë në vorbullën e saj u përfshi i gjithë populli liridashës si i qytetit ashtu edhe i fshatit, si të rinjtë ashtu edhe të moshuarit, si gratë edhe burrat. Me gjithë përpjekjet e armikut shekullor dhe të veglave të tij shqipfolëse, që i shërbyen verbërisht për të penguar e shuar kryengritjen paqësore, demonstratat arritën ta ruajnë vazhdimësinë derisa u shndërruan ne një Lëvizje të gjerë Popullore për liri, pavarësi dhe demokraci.
Një krah të fortë i Lëvizja e rezistencës kombëtare çlirimtare në Kosovë e kishte Lëvizjen e Punëtorëve të organizuar nga shqiptarët që jetonin e punonin përkohësisht në Botën Perëndimore. Barrën e organizimit në Gjermani dhe Zvicër e bartën me shumë përgjegjësi, kompetencë e vendosmëri Kadri Zeka dhe vëllazërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Kadriu dhe Jusufi ishin veprimtarë të Klandestines Atdhetare, të cilët për shkak të veprimtarisë politike ishin shtrënguar të largoheshin nga Atdheu. Kështu Bota e Perëndimit do të fillojë të njihet me të vërtetën e Çështjes se Kosovës. Ngjarjet e vitit 1981 qenë një paralajmërim serioz për Beogradin jugosllav që dominohej nga serbët, por, njëkohësisht edhe për udhëheqësit shqiptarë që ishin federalizuar së tepërmi, se shqiptarët e Kosovës, populli i tyre po i kërkonte të drejtat e mohuara e të ligjshme të tij. Armiku, duke e parë rritjen dhe ndikimin e kësaj Lëvizjeje në Botën Perëndimore, të udhëhequr nga Kadri Zeka e Jusuf Gërvalla, më 17 janar 1982 iu ngriti pusi në afërsi të Shtutgardit, i bindur se kështu do ta mbyste zërin e Lirisë së Shqiptarëve. Por, do të ndodhte e kundërta. Lufta për liri mori përmasa të reja, edhe pse as armiku nuk i ndali përpjekjet e tij për t’i burgosur, ndëshkuar, madje edhe vrarë të gjithë ata që guxonin të luftonin për liri. Kështu, më 11 janar 1984, në Prishtinë, pas një lufte krejt të pabarabartë, bien në altarin e lirisë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, dy veprimtarë të dalluar të Lëvizjes ilegale (klandestine). Rruga për liri është e tillë, kur bie një, ngriten një mijë! E tillë ishte e gjithë rruga jonë politike për liri e pavarësi!
Kryengritja e shqiptarëve të Kosovës dhe e trojeve të tjera shqiptare në Jugosllavi ishte paqësore. Kërkesa bosht e saj ishte për bërjen e Kosovës republikë e shtatë e Federatës Jugosllave. Vlerësimet që u dhanë nga udhëheqësit e shqiptarëve në Jugosllavi për demonstratat ishin tepër të gabuara dhe krejtësisht ideologjike. Këto vlerësime patën pasoja të mëdha për zhvillimet e mëmëvonshme, por jo vetëm për shqiptarët. Edhe përkundër dhunës së pandërprerë nga policia fashiste serbe, burgosjeve të vazhdueshme, dënimeve drakonike deri dhe zhdukjet fizike, armiku nuk arriti për asnjë çast ta nënshtronte popullin shqiptar në Jugosllavi. Shqiptarët nga viti në vit arritën jo vetëm ta vazhdojnë, por edhe ta thellojnë luftën për të drejta, për liri, dhe për Kosovën Republikë të Pavarur. Shqiptarët atëherë ua kishin bërë me dije sundimtarëve jugosllavë se Republika e Kosovës do të bëhej: “ja me hatër, ja me luftë”! Udhëheqësit e nomenklaturës së kohës u treguan të verbër, nuk e pranuan Republikën me hatër! Ndaj, jo larg, ajo do të realizohet pashmangshëm me luftë çlirimtare!