Me guxim dhe vendosmëri një brez historik i studentëve të Pranverës Shqiptare, sikundër edhe të gjithë të rinjtë dhe intelektualët shqiptarë me shpirt e bindje të palëkundura atdhedashurie, kishin arritur ta shtrijnë ndërgjegjen kombëtare në çdo segment të shoqërisë sonë. Ata që patën “tagrin” të burgoseshin, treguan një vendosmëri e pjekuri të lartë politike si në hetuesi, ne gjykatoret armike apo burgje. Me qëndrimin e tyre paralajmëronin lindjen e një klase të re politike e atdhetare, e cila për komb e atdhe ishte e përgatitur për çdo flijim. Në fakt, ata u bënë edhe flamurtarët e shkatërrimit te Federatës Jugosllave. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është dëshmia më e mirë për këtë. Ky guxim e kjo gatishmëri e gjeneratave të reja të shqiptarëve, natyrshëm i shqetësonte krerët e politikës së Beogradit. Nga mënyra sesi reaguan shovinistët e Beogradit, e veçanërisht ata serbë, të cilët pas vdekjes së Titos po përgatiteshin për një sulm frontal ndaj të gjithëve në Jugosllavi, veçmas fashizmin e tyre po e tregonin fillimisht me shqiptarët, por as të tjerët nuk shpëtuan nga ajo ngrehinë shoviniste.
Rezistenca e shqiptarëve të pushtuar nga Serbia dhe më vonë nga Federata Jugosllave, që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila i kishte lënë jashtë shtetit amë – Shqipërisë, e ka historinë dhe vazhdimësinë e saj të pandërprerë, herë të hapur e herë të fshehur. Rol të pakontestueshëm në mbajtjen gjallë të flakadanit të lirisë, pa dyshim që e ka Lëvizja Ilegale (Klandestine) për Çlirim, e pas Luftës se Dytë Botërore. Ndërgjegjësimi i shqiptarëve nisi me demonstratat e vitit 1968, epiqendra e të cilave ishin Prishtina dhe Tetova. Kthesa e një rëndësie të veçantë filloi me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Pastaj veprimtaria e fshehtë atdhetare, shtypi ilegal, manifestimet kulturore, historike e gjuhësore, e sidomos shënimi i 100-vjetorit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të njohur si Lidhja e Prizrenit, ndezën zemrat e çdo shqiptari për çlirim e bashkim kombëtar. Edhe pse këto ngjarje gjatë viteve do të kenë ngritjet dhe rëniet e tyre, populli ynë do t’i qëndrojë me besnikëri deri ne fund rrugës se nisur nga rilindësit e mëdhenj, me moton “për një gjuhë, për një komb e një shtet”. Historia ka dëshmuar dhe ka konfirmuar sa e sa herë deri më tani se asnjë popull s´ka mundur ta ndërtojë rendin demokratik pa qenë i lirë dhe i pavarur. Ndryshe nuk mund të ndodhte as me shqiptarët. Të gjitha faktet na dëshmojnë se nuk mund të mendohet ndërtimi i demokracisë pa qenë i lirë e i pavarur. Edhe rasti ynë konfirmon se pa largimin e forcave armike, Kosova as nuk do të ishte e lirë, e pavarur e sovrane. Kjo u arrit, natyrisht, edhe falë Aleancës Veri-Atlantike – NATO-s, për ç’gjë populli shqiptar është dhe do të jetë mirënjohës për jetë të jetëve.
Viti 1981 dhe vitet në vazhdim ishin vite që e ndryshuan të menduarit politik te shqiptarëve, ndonëse janë vite të dhimbshme për shumë të rinj, për shumë intelektualë, për shumë punëtorë e familje shqiptare, për të cilat filloi një periudhë ndjekjesh e përndjekjesh, persekutimesh e burgosjesh, dënimesh drakonike, si dhe ikja e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore. Dhe sot, 34 vjet më pas, duhet t’i kujtojmë me pietet të gjithë ata të rinj e të reja, burra e gra atdhetarësh që mbajtën gjallë frymën e lirisë e të çlirimit. Pa atë dashuri e zjarr të ndezur në zemrat e shqiptarëve të rinj, pa atë Pranverë Shqiptare s´do të ndodhte Kthesa e Madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përkundër “holokaustit” të madh të shqiptarëve, Kosova dhe shqiptarët duhej domosdoshmërisht ta bënin këtë hap cilësor e të guximshëm në historinë e tyre më te re.