leoni

Ahmet Haxhiu

Dr.Jakup Krasniqi: Kontributi i Ahmet Haxhiut në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim

Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, fillin e saj e ka te Komiteti: “ Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i formuar në Shkodër, pas Luftës së Parë Botërore, më 7 nëntor 1918 1) nga: Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Sali Nivica, Bajram Curri, Avni Rrustemi, Bedri Pejani etj. Ndonëse lufta e popullit shqiptar të Kosovës fillon pas copëtimit të Shqipërisë më 1912/1913. I përmenda këto personalitete për të parë sesa të thella qenë hullitë që ata i hapen për brezat e pastajmë atdhetarësh, krejt deri të Lufta Çlirimtare e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Luftëtarët Kombëtarë që i përmenda edhe pse nuk arritën ta çlirojnë Kosovën nga hordhitë armike, ata e kanë meritën se brezave të më vonshëm ua lan të gatshme kornizat se nga duhet e si duhet të ecin deri te çlirimi e bashkimi  kombëtar, të cilit i ishin vendosur kufijtë mes për mes trojeve shqiptare, duke lënë jashtë kufijve më shumë se gjysmën e kombit e të tokave shqiptare. 2). Ajo ishte një rrugë që jo vetëm ia vlente të ecej e të trasohej por ishte e domosdoshme të realizohej.

Shqiptarët në ketë gjendje, në gjendjen e pushtimit e të robërisë i kapërcyen dy luftëra botërore dhe pa drejtësia historike nuk u përmirësua edhe pse në ndonjë rast u ishte premtuar, bashkimi me Shqipërinë. 3) ai bashkim nuk u korrigjua as njëherë deri tani, ndonëse pati përpjekje e njëra nga to ishte Konferenca e Bujanit, 4), krejt deri te lufta e fundit, e cila realizoj shumë por nuk e arriti bashkimin kombëtar që e aspironte Lëvizja Kombëtare për Çlirim. Kjo bëri që pas Luftës së Dytë Botërore, Lëvizja Kombëtare për Çlirim të marrë dimensione të reja, por jo pa hasanprishtinët, bajramcurrët e avnirrustemët e ringjallur te brezi i Adem Demaçit, Fazli Greiçevcit, Ahmet Haxhiut, Metush Krasniqit, Ramadan Shalës, Kadri Zekën, Jusuf Gërvalles, Rexhep Males e deri të brezi i Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Fara e organizimit që u hedhë në Shkodër nga Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, pas Luftës së Parë Botërore, do të vazhdoj para dhe pas viteve 1960 dhe nuk do të ndalet deri në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Ideve të mëdha jo pak herë u është dashtë kohë deri në realizim të plotë apo të pjesshëm të tyre. Për realizimin e ideve të mëdha, zakonisht kërkohen bashkime të mëdha, bash ashtu siç thoshte Samiu ynë “ të bashkuar edhe të pa mundshmen e bëjmë të mundshme”.

Një nga personalitetet që me kontributin e tij, me shembullin e tij, i ka dhënë  jetë Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, pa dyshim që është Ahmet Haxhiu, i cili një jetë të tërën e përdori në shërbim të kombit e të Atdheut, duke qenë i ndërgjegjshëm për çdo veprim që beri për çlirim e bashkim. Për të pasur një jetë e një vdekje të dinjitetshme, ketë pa dyshim që ia mundësoi pjesëmarrja dhe kontributi i tij në organizimin e fshehtë atdhetar për Çlirimin e Kosovës te organizuar nga simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi në vitet 1960 e deri në përfundim të saj, në korrikun e vitit 1994.

Ahmet Haxhiu u lind në Prishtinë më 6 maj 1932. 5) , jetoi deri më 6 korrik 1994 6), kur tani më ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të cilën kontribuoj shumë.  Bacë Ahmeti edhe pse u burgos pesë herë, në vitet kur nuk ishte lehtë të burgosej qoftë edhe vetëm një herë në jetën e tij, se njeriu një jetë ka. Ai u brumos me urtinë e filozofinë e rilindësve, të cilët jo pak herë kishin deklaruar dhe theksuar se: “Edhe po të rrezoheshim 100 herë, përsëri do të ngriheshin për të luftuar për lirinë e Shqipërinë”. Kjo urti, Ahmet Haxhiut i ishte moto e jetës, ishte jehonë që e përcolli gjatë gjithë jetës, deri më 6 korrik të vitit 1994.

Kontributi i Ahmet Haxhiut në organizatën e fshehtë të quajtur Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, shkurt- LRBSH (1958 – 1981), ishte dhe është i pa kontestueshëm. Ishte e pa kontestueshme ngase Ahmet Haxhiu i qëndroi besnik deri në fund idealit të tij çlirimtar. Kjo Lëvizje Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, që në hapat e saj të parë edhe pse në rrethana tejet të vështira, ia kishte vënë vetës detyrën “për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve të pushtuar nga Jugosllavia-Serbia, pra për ta bashkuar Kosovën me nënën Shqipëri” nga e cila padrejtësisht e kishte ndarë Konferenca e Ambasadorëve në Londër në korrik të vitit 1913. 7).  Kjo në fakt ishte një aspiratë që kishte rrënjë të thella nder shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Në Statutin e LRBSH-së, që ne nenin e parë të tij shkruan: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarësh që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë,, domethanë qëllimi i parë dhe i fundit  i Lëvizjes sonë asht çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet – Shqipninë. 8)”. Është e qartë, kjo po thuhej në vitet e 60-ta, kur regjimi i Beogradit në krye me Titon e Rankoviqin, kishin organizuar aparatin e dhunshëm shtetëror i cili përpiqej që me çdo formë e më çdo mjet të dhunas, ndër shqiptarët te mbillnin farën e frikës e të përçarjes, për t’i detyruar shqiptarët që të shpërnguleshin, që të iknin ata nga trojet e veta stërgjyshore e në fund të dëboheshin e të zhdukeshin në forma të ndryshme. Ata e dinin se dhuna shkakton frikën e frika nënshtrimin. Ky ishte synim i pa fjetur i politikave serbe që nga “Nacertanja” e Garashaninit e deri te Elaboratet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve te Çubrilloviqit, Qosiqit dhe të ai i ASSHA-ja e Millosheviqit.9). Mbase, ky qëllim vazhdon të jetë i fuqishëm edhe nga qeveritarët e rinj serbë të ditëve tona.

Në ato rrethana politike në Jugosllavisë Socialiste, nuk ishte lehtë, madje ishte tepër vështirë, ta marrësh vendimin për tu bërë pjesë ballore e atij organizimi çlirimtar i cili vazhdonte të ishte nën vëzhgimin e qindra spiunëve të UDB-ës. Po, ketë guxim e patën: Adem Demaçi, Fazli Greiçevci, Ahmet Haxhiu, Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e dhjetëra intelektual të rinj shqiptarë të kohës. Njerëzit e organizatave të fshehta çlirimtare e dinin mirë shkallën e rrezikshmërisë që po e merrnin mbi veti, po ata donin që të ishin aty ku ishte rreziku, se aty ishte nderi, aty ishte dinjiteti dhe integriteti i tyre dhe i kombit të tyre. Këta njerëz që në ato kohë të vështira morën mbi veti aspiratën e çlirimit të kombit, meritojnë respekt deri në përulje. Pasi edhe nëse shumë nga ata nuk arritën ta çlirojnë atdheun apo ta shohin të lirë, meritat e tyre janë të mëdha sepse arritën ta vazhdojnë kultivimin e pemës së Lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Në saje të atyre flijimeve të disa gjeneratave, sot e kemi të pavarur Republikën e Kosovës të njohur edhe ndërkombëtarisht, nga më shumë se 100 shtete në Botë dhe anëtare në shumë organizate monetare.

Ahmet Haxhiu, po me atë guxim e vendosmëri që e filloj veprimtarinë atdhetare në një moshë të re në LRBSH, do ta vazhdoi aktivitetin e tij në LPRK. 10), në LPK dhe deri në organizimin dhe armatosjet e para te UÇK-se. Nga dora e tij ishin edhe një pjesë e armeve, me të cilat u mbrojt e luftoj, Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Legjendari 11). Ky rrugëtim, me dinjitet e integritet i Ahmet Haxhiut në shekullin XX, është dëshmia më e mirë për personalitetit e pa kontestueshëm të këtij atdhetari të pa ndalshem e të pa nënshtrueshëm. Pa kontributin e këtij atdhetari revolucionar dhe të brezit të tij, Lëvizja jonë Çlirimtare do të ishte e mangët dhe e pa plotë në lidhjen mes brezave çlirimtarë. Kur e shikon rrugëtimin e vështirë e të guximshëm të këtyre atdhetarëve idealistë e vizionarë siç ishte Ahmet Haxhiu, nuk ke si mos të ndjesh neveri, për cilido egoist që guxon e që përpiqet ta përvetësojë e ta personalizojë kontributin e brezave të tërë atdhetarësh. Si kudo në Botë edhe tek ne, ishin idealistet ata që na mësuan rrugën e çlirimit dhe të shtet ndërtimit.

Po e mbylli ketë fjalë për atdhetarin e bashkëluftëtarin sy pa trembur, me fjalën e simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, që e tha për bashkëveprimtarin e tij të orëve të para, për Ahmet Haxhiun e urtë. Baca Adem thotë: “ Aty ku merrte pjesë (Ahmet Haxhiu – nënvizimi im), bënte fjalë më së paku, po bënte punë më se shumti, ishte zemra e të gjitha celulave e të gjitha organizatave në të cilat ai ishte i lidhur dhe i bënte punët më të rrezikshme e më të vështira. 12)”. Për këto veti të rralla njerëzore, Ahmet Haxhiu nuk rrahu gjoks kurrë e as deshi të përvetësoi e personalizoj gjë, siç bënë shumë kush sot. Prandaj, Lavdia shkon tek ai që e meriton e jo të ai që me çdo kusht e kërkon. Kjo që e thotë Baca Adem, më së miri tregon, integritetin e atdhetarit, Ahmet Haxhiu. Këto virtyte shumë njerëzore që i thotë Adem Demaçi për Ahmet Haxhiun, e sidomos për angazhimin dhe kontributin e tij, thuhet edhe në Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë. Në atë aktakuzë për Ahmet Haxhiun thuhet: “… është bërë anëtar i udhëheqjes së grupit ilegal në Prishtinë; ka lënë në dispozicion shtëpinë e vet për mbajtjen e mbledhjeve të udhëheqjes dhe të pjesëtarëve të tjerë të organizatës ilegale, ka blerë me parat e veta pëlhurë dhe materiale të tjera për 90 flamuj shqiptarë të cilët ia ka dhënë të akuzuarit Selatin Novosella që t’i qepte, e pastaj ua ka shpërndarë anëtarëve të tjerë të organizatës ilegale, të cilët janë dërguar neper vende të caktuara dhe janë shpërndarë në natën e 12 e 13 prillit 1964…13)”. Nga ajo që thotë Adem Demaçi dhe nga kjo që thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Qarkut në Prishtinës, del si në dritën e diellit, se Ahmet Haxhiu, në  Lëvizjen Kombëtare për Çlirim nuk ishte rreshtuar me dy mendje, por me një mendje, se ia vlente çdo sakrificë për çlirim e bashkim kombëtar.

Referencat:

1 . Akademia e Shkencave të RPSSH & Instituti i Historisë: Historia e Shqipërisë, Tiranë 1984, faqe  187.

2 . Po aty, faqe 45.

3 . Jakup Krasniqi: Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991 – sipas shtypit shqiptar, Buzuku, Prishtinë 2011, f. 32.

4 ., Po aty, faqe faqe 28 -29.

5 . Ibish Neziri: Ahmet Haxhiu – një jetë e tërë në Lëvizjen Ilegale, SHBP, Prishtinë 2001, faqe 14.

6 . Po aty, faqe 208.

7 Mehmet Hajrizi: Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë 2008, faqe 20.

8 . Po aty, faqe 30 – 31.

9 . Po aty, faqe 26 – 27.

10 . Ibish Neziri: Ahmet Haxhiu – një jetë e tërë në Lëvizjen Ilegale, SHBP, Prishtinë 2001, faqe  101.

11 .  Po aty, faqe 160.

12 . Adem Demaçi: Për shokun dhe bashkëveprimtarin.

13 . Prokuroria Publike e Qarkut, Kto-Nr. 223/64, Prishtinë. Shih edhe Ethem Çeku: Shekulli I ilegales – Procese gjyqësore kundër Ilegales në Kosovë, Brezi ’81, Prishtinë 2004, faqe 435.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …