Për popujt e Gadishullit Ballkanik ngjarja më tronditëse dhe më vendimtare e shekullit XIV, ishte Beteja e Kosovës.
Aty në Fushën e Mëllenjave pak kilometra në veri të Prishtinës më 28 qershor 1389 u ndeshën ballë për ballë dy palë ushtrish. Nga njëra anë armatat osmane të cilat së bashku me vasalët e tyre jo turq të udhëhequra nga sulltan Murati I, kërkonin të pastronin rrugën për pushtimin e plotë të Gadishullit Ballkanik në drejtim të Evropës Qendrore. Nga ana tjetër forcat e armatosura të koalicionit ballkanik dhe joballkanik me në krye princin serb Lazar, të cilat vrapuan për të ndaluar marshimin e armatave osmane. Ushtarakisht, forcat ballkanike e humbën luftën. Në fushën e betejës mbetën me mijra veta të vrarë. Princi serb, Lazari, udhëheqësi i koalicionit ballkanik, u zu rob dhe pastaj u vra. Armatat osmane gjithashtu e paguan shtrenjtë fitoren. Ata lanë në fushën e luftës me mijëra veta së bashku me kreun e tyre, sulltan Muratin, me gjithë të birin Jakupin. Por, me gjithë fitoren që korri sulltani i ri, Bajaziti, i e ndërpreu marshimin e mëtejshëm. Nga plagët e shumta që morën ushtritë osmane ai u detyrua të kthehej në kryeqytetin e vet, në Edrene. Për popujt e Evropës Juglindore, plagët e shumta që morën ushtrisë osmane në betejën e Kosovës qenë një fitore brenda disfatës.
Beteja e Kosovës nuk kishte karakterin e një kryqëzate fetare, as të një ballafaqimi etnik, siç pretendojnë disa historianë serbë
Beteja e Kosovës nuk kishte karakterin e një kryqëzate fetare as të një ballafaqimi etnik, siç pretendojnë disa historianë serb, të cilët, për më tepër, disfatën e kanë shndërruar në një mit sikur të ishte një fitore e tyre. Në fushën e Mëllenjave nuk u ballafaquan vetëm serbët e krishterë me turqit myslimanë por edhe kombësit e tjera. Kundër armatave osmane luftuan në radhë të parë serbët, shqiptarët, boshnjakët. Krahas tyre morën pjesë reparte vllehe hungareze, kroate, bullgare, çeke dhe polake. Disa qenë ortodoksë e disa katolikë. Po ashtu, nga pala osmane, krahas ushtrive myslimane, kishte edhe vasalë të krishterë. Ndër vasalët serbë të sulltanit ishin edhe princët serbë, Kraljeviç Marku dhe Konstantin Dojakoviçi.
Beteja e Kosovës ishte, ashtu si e kishte përcaktuar historiografia botërore, një përleshje ballkanike, një ballafaqim qytetërimesh dhe jo fesh, më saktë një ballafaqim midis qytetërimit evropian dhe aziatik.
Beteja e Fushë-Kosovës u zhvillua në një nga momentet kruciale të historisë ballkanike. Pas vdekjes së Stefan Dushanit (1355), popujt ballkanikë u liruan nga zgjedha serbe. Të gjithë ndodheshin në fazën e fundit të rendit feudal. Të gjithë ishin pushtuar nga procesi i formimit të shteteve nacionale. Shqiptarët nuk bënin përjashtim. Edhe në gjirin e shoqërisë së tyre po vepronte procesi i shkrirjes së principatave të copëtuara në një shtet të bashkuar shqiptar.
Turqit osmanë përkundrazi ndodheshin në fillimet e feudalizmit ushatarak, të cilën kombësitë ballkanike, përfshirë edhe shqiptarët, e kishin tejkaluar prej kohësh. Për këtë arsye, shqiptarët shkuan në Fushë-Kosovë ashtu siç dhe kombësitë e kjera të Evropës Juglindore, në kushtrimin e shekullit për të mbrojtur lirinë, pavarësinë, gjuhën dhe trojet e tyre, për të shpëtuar rezultatet ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore që kishin arritur me gjak e me djersë gjatë shekujve të rëndë mesjatarë.
Shqiptarët e vlerësuan që në fillim rrezikun e invazionit osman. Për këtë arsye ata morën pjesë që në përleshjet e para që u zhvilluan në Gadishullin Ballkanik kundër armatave të sulltanit. Më 1371 shqiptarët, me në krye despotin e Vlorës qenë të pranishëm në betejën fatkeqe që koalicioni i parë ballkanik zhvilloi kundër tyre në Çermen, buzë lumit të Maricës. Më 1385, forcat shqiptare u ndeshën në fushë të Savrës, në afërsi të Lushnjës, ku mbeti i vrarë edhe udhëheqësi i tyre Balsha II, Balsha i Shkodrës. Më 1387 shqiptarët, me në krye Gjergj II Balsha, dhanë një kontribut të madh në fitoren që korri koalicioni serbo-shqiptaro-bshnjak kundër armatave osmane në Ploshnik.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në betejën e vitit 1389, në Kosovë, nuk ishte pra, e pa pritur. Ajo ishte në logjikën e interesave shqiptare dhe të politikës shqiptare. Në fakt në historiografinë botërore pjesëmarrja e tyre nuk është vënë ndonjëherë në diskutim. Atë e kanë pranuar edhe historianët serbë të shekullit të kaluar. Por, pasi lindi shteti shqiptar më 1912 dhe pasi Kosova u aneksua nga Serbia më 1913 historianët serbë filluan të mohonin pjesmarrjen e shqiptarëve në betejën e Kosovës. Motivet janë nacionaliste. Duan të tregojnë se Kosova në mesjetë ka qenë e huaj për shqiptarët. Madje, dy nga flamurtarët më të flaktë të kësaj teze, V. Gjuriçi (1977) dhe D. Bogdanoviçi (1986) pohojnë pa asnjë argument se shqiptarët kanë qenë vasalë të sulltanit në betejën e vitit 1389.
Por, dëshmitë historike janë kokëforta. Burimet historike lindore e perëndimore, osmane e bizantine, shqiptare e serbe, flasin të kundërtën. Nga burimet historike, të cilat historianët serbë i lënë qëllimisht në harresë, një vend me rëndësi zënë kronikat e vjetra osmane. Kronisti i parë osman që përmend pjesmarrjen e shqiptarëve në betejën e Kosovës ëshë Shukrullahu (1386-1459). Ai shkruan se thirrjes që lëshoi princi serb Lazari për të luftuar kundër invazorëve osmanë iu përgjigjën shumë kombe, ndër të cilat përmend edhe shqiptarët. Pohimin e Shukrullahut e mbështet bashëkohësi i tij Enveriu. Oruç ben Adili, një tjetër bashkëkohës i tij nënvizon se shumë luftëtarë erdhën edhe nga “vendi i shqiptarëve” (Arnavud ilinden). Një tjetër kronist i shek. XV, Mehmet Neshriu, shkruan në veprën e tij “Cihan numa” (Treguesi i botës) se kur në shtabin e koalicionit knjaz Lazari pyeti krerët e luftëtarëve të kombeve që kishin ardhur në fushën e betejës, nese e shihni të arsyeshme që ushtrive osmane t’u bëhej natën një sulm i befasishëm, vetëm princi shqiptar Gjergj II Balsha kundërshtoi. Princi shqiptar, i cili kishte ardhur në front, sipas Neshriut me 90 mijë ushtarë kundërshtoi, mbasi natën, – theksioi ai-, turqit do të përfitonin nga errësira dhe do të arratiseshin. “Jo natën, – tha Gjergj II Balsha, – si një shqiptar i vërtetë, por ditën që t’i kapim të gjithë të gjallë”. Mehmet Neshriu na jep edhe emrin e një udhëheqësi tjetër shqiptar, të cilin e quan “Birin e Jundit” (Jund-ogllu). Ky është Dhimitër Jonima, zot i Pedhanës, i krahinës midis Lezhës e Milotit, të cilin princi Lazar e vendosi së bashku me mbretin e Bosnjës, në krahun e majtë të frontit. Nga njoftimet e Mehmet Neshriut del se në koalicionin ballkanik merrnin pjesë edhe luftëtarë të tjerë shqiptarë pa na dhënë emrat e krerëve të tyre. Por, emrat e tyre dalin nga burime të tjera mesjetare.
Heroi kryesor i betejës së Fushë-Kosovës Milosh Kopiliqi nga fshati Kopiliq i Drenicës, ishte ai që vrau Sulltan Muradin e Parë
Bashkëkohësi dhe bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka, shkruan në kronikën e vet monumentale se një ndër zotërit e Shqipërisë, që mori pjesë në betejën e vitit 1389, ishte edhe Todor Korona Muzaka, sundimtar i Beratit dhe Myzeqesë. “Teodor Muzaka- shkruan ai- i biri i dytë i shtëpisë sonë dhe zotërinj të tjerë të Arbërisë, të lidhur midis tyre, shkuan së bashku në betejë (në Fushë-Kosovë- KF), por aty u thyen të krishterët dhe mbeti vrarë i përmenduri Teodor, i cili kishte marrë me vete reparte të mëdha shqiptarësh”. Kronisti shqiptar nuk thotë se sa luftëtarë kishte marrë me vete gjyshi i tij Teodor Muzaka. Shënon vetëm se ai kishte marrë me vete “reparte të mëdha shqiptarësh” (portava seco gesso banda d’Albanesi). Por, pohimi i tij pajtohet me njoftimin që na jep epika popullore serbe, e cila Teodor Muzakën e quan Musa Arbanasi (Muzakë shqiptari). Në një nga këngët e saj knajz Lazari, duke treguar me gisht fituesin shqiptar i drejtohet njërit prej vojvodëve të vet: “Ja ku e ke ti Musa Arbanasin! Edhe ai udhëheq gjashtë mijë ushtarë të gjithë trima të shqiptarit të rrept!” (Dok eto ti Musa Arbanasa, i on vodi sest hilada vojsko, sve junaka ljuto Arnauta).
Njoftime mbi pjesmarrjen e shqiptarëve në betejën historike ndeshën edhe në burimet bizantine. Me rëndësi është njoftimi që na jep Jeraksi, logotheti i madh i Patrikanës ekumenike të Stambollit, i cili shkruan në kronikën e vet “Mbi Perandrinë Turke”, të hartuar në vargje, se në betejën e Fushë-Kosovës shkuan arkondë nga Arvanitia, domethënë nga Shqipëria nga viset që quhet Dardania, domethënë Kosova, Misia domethënë Pëdhana, nga Akrocerauni, domethënë Himara më tej nga Epiri domethënë Toskëria dhe më së fundi nga bregdeti i Adriatikut. Sikurse shihet sipas Jeraksit, në Fushë-Kosovë nuk shkuan vetëm sundimtarët shqiptar që u përmendën deri tani (Gjergj II Balsha nga Bregdeti i Adriatikut, Dhimitër Jonima nga Misia Teodor Muzaka nga Epiri, por edhe sundimtarë nga Kosova (Dardania) dhe nga Kisara (Akroceraunia).
Jeraksi nuk është i vetmi kronist mesjetar që e quan Dardaninë domethënë Kosovën pjesë të Shqipërisë. Tre muaj më vonë nga përleshja që ndodhi në Fushë-Kosovë në një letër të shkruar nga Philip Mesiere dhe të botuar nga S. Ljubiç autori njofton se beteja ku mbeti i vrarë sulltan Murati I me të birin u zhvillua në “viset e Shqipërisë” (es partice d’Albanie). Siç dihet në vitin 1389 krahina ku u zhvillua beteja historike nuk quhej Kosovë por Dardani. Emri Kosovë ku u zhvillua beteja e përgjakshme Fushë-Kosovë (Kosovopolje, Fusha e Mëllenjave). Historianët serbë e mohojnë praninë e shqiptarëve në Kosovë në kohën e betejës së vitit 1389. Ata mbështeten në faktin se sundimtar i saj ishte Vuk Brankoviçi një zot serb dhëndëri i knjaz Lazarit. Pavarësisht se Kosova kishte dyqind vjetë në ndodhej nën sundimin e feudalëve serbë, shqiptarët ishin gjithnjë të pranishëm në viset e saj. Por kronistët mesjetarë, qoftë lindorë, qoftë perëndimor e kishin zakon të shënonin vetëm emrat e mbretërve apo të princërve pa përmendur vartësinë e tyre. Megjithatë, emrat e disa kapedanëve apo luftëtarëve shqiptarë kanë arritur në ditët tona nëpërmjet epikës popullore shqiptare dhe serbe. Veçse në epikën popullore serbe emrat shqiptarë kanë shumë trajtë sllave. Të tillë janë për shembull, Ban Stahini nga Mitrovica (Banjska), Gjon Kosançi nga Podujeva dhe mbi të gjitha heroi kryesor i betejës së Fushë-Kosovës Milosh Kopiliqi nga fshati Kopiliq i Drenicës, i cili me aktin e tij heroik, vrasjen e sulltan Muratit, hyri në legjendat popullore.
Prania e shqiptarëve në Kosovën mesjetare dëshmohet edhe në një nga këngët e epikës popullore serbe
Prania e shqiptarëve në Kosovën mesjetare dëshmohet edhe në një nga këngët e epikës popullore serbe. Është kënga e vjetër kushtuar Ban Strahinjit (Banoviç Strahinji), të cilën e ka botuar Vuk Karaxhiqi. Ban Strahinji nga Mitrovica ndodhej tek i vjehrri, Jug Bogdani, në Krushevc kur i vjen lajmi se në Kosovë janë dyndur turqit se njëri prej tyre i ka djegur shtëpinë dhe i ka rrëmbyer gruan. Strahinji i lutet të vjehrrit t’i lejojë 9 djemtë e tij që të venë së bashu me të në Kosovë dhe të rregullojë punët me jaranin. I vjehrri nguron, sepse është i sigurt se ai sapo të vijë në Kosovë do të diktohet nga turqit. “M’i jep djemtë pa merak, – përgjigjet Strahinji, -se nuk do të pësojnë gjë. Në Kosovë unë do t’i veshë ata si turq dhe në ballë të tyre do të jemë vetë dhe do të përgjigjem ku të më pyesin se di shqip si turqisht dhe serbisht dhe nuk do të diktohem fare prej tyre”.
Sikurse shihet pjesëmarrja e shqiptarëve në betejën e Kosovës nuk qe simbolike, por reale. Ata nuk vajtën si aleatë, siç shkuan kombësitë e tjera ballkanike, por si të zotët e shtëpisë. Kosova ishte atdheu i tyre. Prandaj nuk shkuan reparte të izoluara por kontigjente të tëra nga të gjitha pjesët e Shqipërisë. Po të flasim me gjuhën e gjeografisë së vejtër, atje shkuan forca luftëtare shqiptare nga të trija provincat e mëdha të Shqipërisë, nga Kosova, Gegëria dhe Toskëria.
Peshën që patën këto forca në koalicionin ballkanik e pohojnë në mënyrë të veçantë kronistët osmanë. Sipas kronistit osman me origjinë persiane, Idris-i Bitlisi në krye të koalicionit ishin shtatë princa ballkanikë apo “shtatë djaj të skëterrës, siç i cilëson ai. Dy prej tyre qenë sipas Mehmet Neshriut shqiptarët, Gjergji II Balsha “Princi i Shkodrës shqiptare” dhe Dhimitër Jonima, “trim i mallkuar”, siç e quan kronisti turk.
Serbët u shpallën vasalë të Sulltanit pas humbjes në Betejën e Kosovës të vitit 1389
Edhe pse përleshjen e fituan armatat osmane beteja e Kosovës la pas një mesazh historik. Aty popujt e Evropës Juglindore lanë mënjanë (fatëkeqësisht jo të gjithë) divergjencat që kishin me njëri-tjetrin dhe luftuan në një llogore të vetme për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tyre. Në Fushën e Mëllenjave serbët, shqiptarët, boshnjakët, bullgarët, kroatët vaditën me gjakun e tyre themelet e bashkimit të popujve ballkanikë, në luftë për liri dhe pavarësi për të cilën patën nevojë brezat e ardhshëm. Megjithatë jo të gjithë nxorrën mësime. Për princët serbë beteja e Kosovës vulosi pathyeshmërinë e armatave osmane. Prandaj, fill pas saj ata u shpallën vasalë të sulltanit, ndoqën shembullin e Kraljeviç Markut, princit serb të Maqedonisë, i cili gjatë betejës së Kosovës u radhit me sulltanin kundër vëllezërve të vetë. Midis tyre është Vuk Brankoviqi madje edhe Stefan Lazareviqi, i biri i Lazarit, me nënën e vetë, Milicën, të cilët u shpallën vasalë të sulltanit turk. Për më tepër Kraljeviç Marku u bë xhandari i sulltan Bajazitit kundër shqiptarëve kurse Stefan Lazareviqi i çoi serbët të luftonin nën flamurin osman në betejën e Ankarasë, kështu vepronin edhe pasardhësit e tyre derisa më 1459 mori fund formacioni i fundit shtetëror serb. Përkundrazi, shqiptarët ndoqën një rrugë tjetër. Në qershor të vitit 1389 ata humbën një betejë por jo luftën. Prandaj në vitet 20-ta të shek. XV kur turqit osman rifilluan fushatat shqiptarët i mprehën përsëri shpatat.
Gjatë viteve 30 jehona e kryengritjeve shqiptare u përhapë në mbarë Evropën. Deri atëherë Ballkani ishte mësuar të dëgjonte vetëm disfata përballë turqve. Më në fund Evropës i vajtën nga Shqipëria lajmet e para të fitoreve mbi armatën osmane. Fitorja që korri Gjergj Arianiti më 1432 në Buzurshek në luginën e Shkumbinit e theu mendimin mbi pathyeshmërinë e armatave të sulltanit. Dhjetë vjetë më vonë filloi epopeja legjendare njëçerekshekullore e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me fitoret e saj të përvitshme.
Furia në të cilën turqit osman luftuan në Fushën e Mëllenjave më 1389 u përsërit në Shqipëri me dhjetëra herë. Përleshja e madhe shqiptaro-turke vazhdoi edhe gati 40- vjet të tjera pas vdekjes së Skënderbeut. Gjashtë herë erdhën vetë sulltanët me krejt armatat e Perandorisë kundër kështjellës shqiptare, derisa më në fund shterruan fuqitë e asaj dhe kështjella ra.
Çfarë bënë princat dhe peshkopët serbë gjatë kësaj kohe? Asnjë prej tyre nuk lëvizi për të luftuar kundër armikut të përbashkët. Kur kalaja e Krujës dhe e Sfetigradit, Fusha e Torviollit dhe e Albulenës ushtonin nga lufta epike e shqiptarëve asnjë çetnik serb nuk erdhi në Shqipëri ku luhej edhe fati i atdheut të tyre. Përkundrazi, Gjergj Brankoviçi, i biri i Vukut të betejës së Kosovës, tani vjehrri i sulltanit Fatihut, e pengoi Skënderbeun më 1448 që të bashkohej me Janosh Huniadin gjatë fushatës hungareze antiosmane. Nënshtrimi i tyre ndaj sulltanit tregoi se fryma e rezistencës së betejës së Kosovës tek ata ishte fashitur. Te shqiptarët përkundrazi ajo kishte mbetur gjallë. Asgjë për t’u çuditur, sepse për shqiptarët kjo betejë ishte luftë për tokën e tyre amtare për të mbrojtur lirinë e saj dhe jo për të mbajtur nën zgjedhë një tokë të pushtuar.