Terri dhe Triumfi: Një Ditë në Repartin e Imazherisë
Ora shënonte 16:15. Në repartin e imazherisë, gjithçka po shkonte sipas planit. Në dhomën e SPECT/CT, një pacient po skanohej për shkak të një strume( gushe) të madhe retrosternale, e cila ishte duke i shtypur organet e kraharorit. Në korridor, pacientët e tjerë prisnin për të marrë dozat e tyre të radiogjurmuesit për skanim. Atëherë ndodhi e papritura.
Ndalesa e rrymës elektrike përfshiu repartin në errësirë totale. Ndërprerja e papritur e rrymës elektrike paralizoi çdo proces dhe la në errësirë aparaturat e ndjeshme, përfshirë SPECT/CT dhe SPECT/ PET/CT, u ndalën papritur, heshtën në mënyrë të dhunshme për një moment pastaj duke lëshuar alarme të ngarkuara me shqetësim. Pacienti në aparatin SPECT/CT mbeti i bllokuar midis tre detektorëve, në një pozitë të vështirë dhe në errësirë të plotë.
Zemra ime sigurisht rrihte fort, meqenëse nuk e ndjeja, por instinkti profesional më shtyu të veproj shpejt. Si fillim, iu afrova pacientit dhe me qetësi i shpjegova situatën, duke u siguruar që të ruaja gjakftohtësinë. Me shumë kujdes, e nxora nga aparati, e ula në një karrige dhe e sigurova që gjithçka do të ishte nën kontroll.
Më pas kontrollova siguresat, secila ishte e kthyer në pozicionin e duhur.
Thirra ekipin teknik të elektricistëve, por përgjigjja e tyre ishte dëshpëruese: “Vetëm pajisjet e lidhura me gjenerator po funksionojnë. Nuk kemi ide kur do të kthehet rryma.” E vetme, duhej të përballesha me sfidën.
Pas rreth 30 minutash, rryma elektrike u rikthye. Megjithatë, aparaturat nuk ishin aq “të lumtura” sa unë. SPECT/CT dhe SPECT/PET/CT nisën të lëshonin alarme, dhe të gjitha koordinatat në ekran u bënë të kuqe – një shenjë e qartë që sistemet ishin jashtë funksionit. Pacienti që kishte marrë dozën e radiogjurmuesit ishte duke humbur kohën optimale për skanim.
Telefonova inxhinierin tonë, Fisnik Lulaj , trurin e aparaturave tona i cili ndodhej jashtë qytetit për instalimin e një aparature tjetër.
Me zërin e tij udhëzues në telefon, fillova të veproj: largova konturat-paletat nga detektorët dhe fillova procesin e rikthimit në pozicionin “shtëpiak” përmes opsionit “home reconstruction, reconfigurimin.” Ishte një proces i ngadalshëm dhe kërkonte saktësi maksimale.
Gjatë kësaj kohe, më duhej të fluturoja nga një dhomë në tjetrën – nga dhoma e aparaturave dhe te sistemi elektrik, dhe më pas te dhoma e kontrollit, ku tetë kompjuterë prisnin për t’u ristartuar. Secili kërkonte konfigurime të veçanta për t’u rikthyer në funksion.
Më pas, fillova ristartimin e kompjuterëve – gjithsej tetë të tillë – secili me funksionet e tij të ndërlikuara. Çdo hap kërkonte durim, përqendrim dhe shumë energji. Në mendjen time kumbonte një ajet nga Kur’ani Fisnik që më ka ngushëlluar gjithmonë: “Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.”
Pasi çdo sistem u rikthye në funksion, edhe pse koha optimale për skanimin e pacientit kishte kaluar, vendosa të bëj maksimumin. Me ndihmën e programeve të avancuara të procesimit të të dhënave, arrita të realizoj imazhe 3-dimensionale të strumes multinodulare, një studim për herë të parë të cilin e bëra te ky organ, edhe pse tani gjëndrat e pshtymës e kishin fiksuar- lidhur intensivisht radiogjurmuesi. Ketë studim përndryshe e kemi bërë rutinë për organet tjera të cilët punohen sipas këtij protokoli. Në pamjet që nxora, kufijtë e strumes ishin të qartë, dhe shihej qartë mënyra se si ajo shtypte organet përreth, përfshirë traken dhe strukturat e tjera vitale, dhe njëkohësisht fitova funksionin dhe strukturën anatomike.
Më pas, filmimet i transferova në një CD, së bashku me imazhet në tre rrafshe dhe projeksionet, duke krijuar një dosje të plotë diagnostike për kirurgun. Këto të dhëna do t’i jepnin kirurgut një pamje të qartë të situatës përpara se të ndërhynte me trajtimin definitiv.
Në fund të asaj dite të gjatë dhe të vështirë, ndjeva një valë lehtësimi. Kishte qenë një sfidë e madhe, por ia dola mbanë me ndihmën e Fisit të “Medikas”, që e përgëzoj që sheh edhe kur sytë tij ndodhen me kilometra largë – jo vetëm për të rikthyer aparaturat, por edhe për të ofruar kujdesin e nevojshëm për pacientin tim.
Investimi në këto masa është thelbësor për të mbrojtur pacientët dhe për të ruajtur funksionimin e aparaturave që kushtojnë miliona euro. Edhe pse kushtet dukshëm i kemi të përmirësuara, lutem që të merrni në konsideratë këto sugjerime për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme.
Investimi në këto masa nuk është vetëm një nevojë për të ruajtur aparaturat e shtrenjta, por edhe për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e pacientëve tanë.
Me respekt, për të gjithë ata që do ta lexojnë.
Lulja
Të gjitha reagimet:
171