Dr. Milazim Krasniqi: Kafshimi i Veton Surroit

Botimi i pamfletit “Këmbët e gjarprit”, i autorit, Veton Surroi, në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 dhe afrimi i tij  me lëvizjen “Vetëvendosje” është i lidhur me ambicien për t’iu hakmarrë disi Hashim Thaçit dhe në të njëjtën kohë për të gjetur një vrimë, për t’u rikthyer në politikë. Ish-miku i tij, tash protagonisti më negativ i pamfletit, Hashim Thaçi, portretizohet si dikush që ia ka luajtur lojën, prandaj Surroi ia ka drejtuar atij armën e kafshimit hakmarrës, kësaj here në formë fejtoni. Natyrisht, me synim që të ketë ndikim edhe në vendimmarrjen politike antithaçiste. Por, kafshimi i fejtonit të tij (në krahasim me kafshimin e Suarezit) është më helmues.

 

Pamfleti “Këmbët e gjarprit” i Veton Surroit është bukur argëtues, edhe pse intenca e autorit do të ketë qenë e kundërta e të qenit një pamflet argëtues. Intenca e autorit sigurisht ka qenë që këtë pamflet ta shfrytëzojë si një armë të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve të tij politikë, me Hashim Thaçin në krye të tyre, të cilin e shënjestron si një uzurpator të fronit. Ideja që pamfleti të jetë një armë që godet kundërshtarin, i vërtitet autorit në kokë tërë kohën, siç di të vërtitet bezdisshëm një xekërr rreth bishtit të një demi. Ky pamflet vërtet është një përpjekje inatçore e autorit të tij për një hakmarrje sa më spektakolare. Prandaj, në këtë vështrim të shkurtër, do të trajtohen vetëm disa prej këtyre hakërrimeve të autorit, të stisura në formë konceptesh, idesh e komentesh, që i zbulojnë motivet e autorit për të përdorur këtë stil bizar të shkrimit. (Më protagonistin dhe me personazhet e pamfletit nuk do të merrem për asnjë çast, meqë objekt i shkrimit është autori dhe pamfleti i tij.)

 

Për shkak të mungesës së formimit akademik adekuat me punën që ka marrë përsipër, (ndriçimin e disa të vërtetave politike e historike), Veton Surroi e nis pamfletin me një përfytyrim halucinant, se çfarë do të ndodhte po të mos ndodhte ajo që ka ndodhur! Kjo tingëllon disi ngjashëm më një varg poetik alogjik të Njegoshit: “Le të bëhet ajo që nuk mund të bëhet!” Përderisa në poezi edhe mund të përdoret figura e oksimoronit, në shkrimin publicistik kjo nuk ka kuptim. Nëse do të përdorej kjo pikënisje jologjike në historiografi, asnjë ngjarje historike nuk do të mund të kuptohej. Si do të mund të kuptoheshin ngjarjet e ndodhura në historinë e Romës, nëse do të fillohej me mendimin se çka do të ndodhte sikur të mos ishin ata që ishin në histori Augusti, Paul Emili e Tibëri, përkatësisht sikur ata të bëheshin çobanë në provinca të humbura? Dhe, pastaj e gjithë historia e sajuar të ishte produkt i një përvoje të sjellë vetëm nga një dëshmitar, edhe ai i fiksuar pas batutave të tij, të seleksionuara me keqdashje ekstreme. Asgjë nuk do të kuptohej, përveç spekulimit ordiner.

 

Një pamflet spekulativ

 

Teksti i pamfletit “Këmbët e gjarprit” i V. Surroit e ka këtë fat të keq, është spekulativ dhe i mbështetur në disa batuta keqdashëse e banale, të nxjerra si me pincetë nga moria e ngjarjeve. Surroi e fillon kështu pamfletin e vet: “Kjo histori, historia e Kosovës, ka mundur të dukej ndryshe po të kishte vendosur ashtu si nuk deshi, në pranverë të vitit 1999, Hashim Thaçi të bëhej arsimtar i saj, i historisë, në Malishevë”. E para, ky vlerësim fillestar për rolin e individit në histori, është tendencioz e bizar, sepse historia e asnjë vendi, e aq më pak një vendi si Kosova, që u çlirua nga NATO-ja dhe u pavarësua nën një mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare, nuk varet vetëm nga një individ, cilido qoftë ai. As nga katër individë nuk varet, qofshin ata historianë a çkado tjetër. Janë jo vetëm shumë individë, po edhe shumë faktorë politikë, ideologjikë ekonomikë, ushtarakë, kulturorë, fetarë, teknologjikë, etj., që ndikojnë në fatet e një vendi. Roli i individit në këtë kontekst është i limituar. Por, në mendjen e autorit të pamfletit “Këmbët e gjarprit” shihet se ka mbetur i gjallë interpretimi stalinist i historisë, sipas të cilit fati i një vendi është përcaktuar nga roli që ka pasur lideri revolucionar. Qoftë Lenini, qoftë Stalini, qoftë Titoja, ose Enver Hoxha a cilido tjetër i sërës së tyre. Bile, për Enver Hoxhën ka pasur pikërisht këso interpretimesh naive: çka do të ndodhte më historinë ë Shqipërisë, po të mos shkonte Enver Hoxha atë ditë në mbledhjen themeluese të PKSH-së? Këtë shemë të të menduarit naiv e ka përvetësuar Surroi, për të na e shpjeguar historinë e re të Kosovës. Ndërsa, gjithkush e di që gjërat që kanë ndodhur, në një proces të njohjes logjike, nuk mund të revokohen dhe as të interpretohen ndryshe nga rendi që kanë krijuar. Aristoteli para më shumë se dy mijë vjetësh e ka zbuluar dallimin ndërmjet historisë dhe poezisë, kur pati thënë së historia është ajo që tregon çka ka ndodhur, ndërsa poezia paraqet atë që ka mundur të ndodhte. E çuditshme më duket që as kaq gjë nuk paskësh mësuar pamfletisti ynë nga gjithë urtësia e Aristotelit! Po ta kishte mësuar vetëm kaq gjë, nuk do të lamentonte pse nuk ka mbetur në gjimnazin e Malishevës Hashim Thaçi, në të Drenasit Jakup Krasniqi e Ibrahim Gashi, ndërsa në atë të Suharekës, Enver Hoxhaj! Kjo punë në një konceptim poetik edhe mund të shtrohej kështu, por jo në një ligjërim publicistik, që synon të shpalosë fakte jetësore dhe historike njëherësh. Pra, nga kjo anë ky pamflet është një huqje e madhe, por një huqje vetëm e radhës, kur është fjala për Veton Surroin. Ai në përgjithësi është një huqës i madh. Por, edhe në këtë pamflet ai përpiqet me këmbëngulje që të fshehë huqjet e veta dhe të nxjerrë në spikamë vetëm bëmat e veta, gjithqysh më peshë historikë, sipas tij.

 

Huqjet e autorit

 

Surroi e shëtit lexuesin e këtij pamfleti nëpër episode ngjarjesh, që nga themelimi i qeverisë Bukoshi në një shtëpi private e deri të parafimi prej tij i Marrëveshjes së Rambujesë. Por, Surroi i fsheh bash siç i fsheh gjarpri i vërtetë këmbët, disa angazhime të tij problematike, që po të kishin pasur sukses, Kosova kurrë nuk do të kishte një qeveri të veten, nuk do të shkonte në Rambuje, nuk do të çlirohej nga Serbia e aq më pak të bëhej shtet i pavarur. Fjala vjen, po të fitonte koncepti i UJDI-it në ish-Jugosllavi e Kosovë (ku Vetoni ishte kryetar i filialit të UJDI-it) mbetja e Kosovës nën Jugosllavi, do të ishte e paevitueshme. (Këtë gjë e lamenton autori: në rast të fitores së konceptit të UJDI-it, katër historianët- personazhe të fejtonit të tij, bashkë me të tjerët që janë aty) vërtet nuk do të kishin kurrfarë gjasash për karriera politike e akademike.) E dyta, po të dilnin shqiptarët në zgjedhjet lokale të Serbisë ne mesin e viteve nëntëdhjetë, ngjarjet do të merrnin drejtimin e integrimit në Serbi e jo të luftës për pavarësi. Edhe po të triumfonte koncepti i dialogut pa ndërmjetës me Milosheviqin ( 1998), ku Surroi ishte pjesë e grupit, ai koncept do të hapte procesin e riintegruimit të Kosovës në Jugosllavinë e Zhablakut. Ka edhe shumë huqje të tjera Surroi, por që i fsheh fort edhe në këtë fejton dhe gjithkund, sikundër që acarohet shumë me ata që ia kujtojnë ndonjëherë. Bile ai di të organizojë me kompaninë e vet mediale edhe fushata të egra hakmarrëse e shantazhuese, siç ka organizuar disa herë edhe ndaj meje. (Libri im “Horrat në krye të detyrës”, 1998, ka qenë një përpjekje vetmitare, për të frenuar njërën nga fushatat e hidhura të tij.) Më këto mënyra të presionit e shantazhit, Surroi ka arritur të frikësojë jo pak njerëz dhe tash të rishfaqte në edicion të ri si “veprimtar i madh i kauzës kombëtarë”. Ndërsa, ditën për diell dihet se në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë Surroi ka qenë një integrist jugosllav me damkë. E vërteta është se në vitet 1998/1999 filloi të përkrahte me gazetën e vet edhe luftën çlirimtare, për çka i ka pasur dy objektiva, e para dobësimin dhe mundësisht rrëzimin e autoritetit të Rugovës, gjë që e ka bërë më njëfarë suksesi dhe e dyta, shndërrimin e grupimit të tij në një krah politik të UÇK-së. (Një libër mund të shkruhet për fizkulturat e tij në këtë periudhë.)

E drejta, efektet e frikësimit të politikanëve, biznesmenëve intelektualëve nga grupi mediatik i Surroit, në këto vitet e pavarësisë kanë filluar të japin duken. Shumë njerëz nuk duan të hyjnë në sherr me Surroin, sepse ua ndërsen mediet e veta dhe një spektër çakejsh nga disa OJQ, ashtu që e bën njeriun për kurkrundi, si thonë tetovarët.

 

Zhvlerësimi i vlerave kombëtare

 

Mua më duket se edhe personazhet e fejtonit të tij ia kanë lëshuar rrugën këto vite, nga bezdia që u shkaktojnë mediet dhe OJQ-të surroiste.

Nga ana tjetër, gjeneratat e reja, më nuk e dinë kush çfarë ka bërë në vitet tetëdhjetë ë nëntëdhjetë, veçse i marrin si të mirëqena manipulimet e tashme të tij, si puna e këtij fejtoni, që nën ritmet e reklamës në mediet e veta, është shndërruar në tam-tame të një propaganda shurdhuese.

Në këtë kontekst, Surroi i ka ngarkuar vetes dhe medies së vet edhe një detyrë të madhe: krahas zhvlerësimit të vlerave mirëfilli kombëtare, krahas amnezionit për bëmat e tij e të sishokëve të tij filojugosllavë, të realizojë edhe rehabilitimin e vlerave të jugosllavizmit dhe të komunizmit. Në këtë rast qasja e tij është mjaft racionale: ai e di se pa e kompromentuar luftën çlirimtare, UÇK-në, shtetin e ri të Kosovës, figurat kryesore të luftës çlirimtare dhe vlerat që lidhen me shtetin tonë të ri (flamuri, himni, etj) nuk mund të bëhet rehabilitimi i të kaluarës me parashenjë jugosllave e titiste. Ndërsa, mediet e Surroit këtë gjë po e bëjnë më ngulm tash sa vite, pra, prezentimin e shtetit dhe të shoqërisë së tashme si të dështuar, për ta hapur kapitullin e riinterpretimit të së kaluarës nën Jugosllavi, ku familja e tyre e gjerë do të rimerrte epoletat e ndukura. Prandaj edhe në pamflet ndihet urrejtja ndaj familjeve fshatare, që nxorën rebelë e revolucionarë enveristë, që e prishën idilin e jetës urbane e në mirëqenie të madhe të një shtrese të integruar në shtetin jugosllav. Në pamflet Surroi nuk jep përgjigje se pse nuk kishte as shkollë fillore në Drenicë (konkretisht në vendlindjen e protagonistit të pamfletit të tij, Hashim Thaçit, veçse pyet pse kishte fare shkolla në Drenicë, që dosido mundësuan shkollimin e “uzurpatorit të fronit”, që bëri ç’bëri, erdhi në Prishtinën (e Surroit?) dhe ia uzurpoi edhe fronin që me Kosovën brenda shtetit jugosllav, do të ishte i rezervuar, o për Vetonin o për ndonjërin nga sivetonët filojugosllavë. Nga fryma e pamfletit rezulton se po të mos kishte fshatarë, po të mos kishte Drenicë, po të mos kishte shkolla shqipe, po të mos kishte luftë antiserbe, pushteti do të mbetej në duart e Surroit përkatësisht të sishokëve të tij. Edhe pse “shpërblimin revolucionar” Veton Surroi dhe familja e tij e kanë shfrytëzuar për një gjysmë shekulli, kjo nuk u ka mjaftuar dhe nuk u mjafton. Ata duan që sërish ta rikthejnë kohën e artë të baballarëve dhe nënave të tyre revolucionare dhe privilegjet që shkojnë me revolucionin. Kurrkush më mirë se klani i Surrojve nuk e di lezetin e “shpërblimit revolucionar.” Për këtë arsye edhe organizojnë herë pas herësh trazira të dhunshme, ku marrin pjesë aktivisht, ose para KEK-ut, ose në oborrin ë universitetit publik, (madje edhe në sallë, ku studentët mbajnë provime), për të rrëzuar kundërshtarët ideologjikë, që ua paskëshin uzurpuar privilegjet, pra për ta rikthyer “shpërblimin revolucionar”.

 

Mësymje hakmarrëse

 

Kësisoj, pamfleti i Veton Surroit ka objektiva ambicioze: të hakmerret ndaj kundërshtarëve, uzurpatorëve, veçmas Hashim Thaçit, uzurpatorit të karriges së rezervuar, ose mbase të premtuar për Vetonin, nga baca Fadil. Por, kaq e shfrenuar është kjo mësymje hakmarrëse, sa që është e shndërruar në karikaturë, njësoj siç mund të shndërrohet një buzëqeshje e shtirur në një grimasë të neveritshme.

Pamfleti zbulon saktësisht se si Surroi e shikon veten në pasqyrën e thyer të batutave të veta pa kripë, nga të cilat synon të bëjë një histori të bujshme dhe mbi shkumën e asaj buje të notojë derisa të rikthehet disi në pushtet, tek “shpërblimi revolucionar”.

Botimi i këtij pamfleti në prag të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 dhe afrimi i Surroit me lëvizjen ‘Vetëvendosje’ është i lidhur me ambicien për t’iu hakmarrë disi Hashim Thaçit dhe në të njëjtën kohë për të gjetur një vrimë, për t’u rikthyer në politikë. Ish-miku i tij, tash protagonisti më negativ i pamfletit, Hashim Thaçi, portretohet si dikush që ia ka luajtur lojën, prandaj Surroi ia ka drejtuar atij armën e kafshimit hakmarrës, kësaj here në formë fejtoni. Natyrisht, me synim që të ketë ndikim edhe në vendimmarrjen politike antithaçiste. Por, kafshimi i fejtonit të tij (në krahasim me kafshimin e Suarezit) është më helmues. Në fakt, Surroi me këtë fejton po edhe me grupin e vet mediatik, kaherë është shndërruar në një lider si kontaminues i komunikimit publik.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …