Dr Muhamet Shatri: Përpjekjet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave të shqiptarëve

Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte oganizata më e rëndësisahme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo u organizua sipas shembullit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët.

Kjo organizatë i vuri themelet e saj në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës.

Ajo u formua jo rastësisht në qytetin historik të Prizrenit për të jetësuar amanetin e drejtuesve të Lidhjes së Parë Shqiptare të Prizrenit. Ideatorë të kësaj organizate, në themel me aspiratë fisnike kombëtare, ishin Xhafer Deva dhe Asllan Boletini, biri i Isa Boletinit të madh etj.

Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të organizatës me 7 veta: kryetar Rexhep Mitrovicën; nënkryetar Musa Shehzade; Tahir Zajmi, Asllan Boletini, Kol Margjini, Sheh Hasani, Qazim Bllaca, anëtarë.. Ai miratoi edhe procedurën e zgjedhjes së delegatëve që do të përfaqësonin Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më 16 tetor 1943 dhe shtroi nevojën e hartimit të Statutit të organizatës. Kuvendi autorizoi Xafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punën e Lidhjes me atë të Qeverisë Shqiptare për çështjen e Kosovës.

Me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues proklamoi bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj dhe kërkoi bashkimin me të edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Me këtë rast, delegati i Gjilanit, av. Esat Berisha, kërkoi nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarinë, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Sali Rama, delegat i Rugovës, theksoi domosdonë e përfshirjes brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që i kishin mbetur Malit të Zi. Në Kuvend u trajtua edhe çështja e organizimit politik dhe ushtarak, marrja e masave mbrojtëse kundër depërtimit në këto treva, si të forcave çetnike edhe të atyre partizane nga Mali i Zi dhe Serbia.

Kuvendi i Dytë i Lidhjes që u mbajt në janar të vitit 1944 zgjeroi KQ të organizatës në 14 anëtarë, zgjodhi kryetar Bedri Pejanin, sepse R. Mitrovica u ngarkua me formimin e qeverisë në Tiranë. Ai miratoi Statutin e organizatës, i cili iu dërgua për dekretim Qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Në bazë të Statutit, organizata do të punonte për mbrojtjen e “tokave të çliruara”, formoi komitetet e nënprefekturave, të komunave dhe të fshatrave, ndërsa organin më të lartë të saj do ta përbënte kuvendi, ku do të bënte pjesë një përfaqësues nga secili rreth. Tubimi reprezentativ kërkoi nga Qeveria që të angazhohej rreth çështjes së Sanxhakut, të ndërmirrte hapa diplomatike për të siguruar largimin e trupave bullgare nga Prespa e Shën Naumi, të ndërhynte tek autoritetet gjermane për bashkimin e qarkut të Mitrovicës me Shqipërinë, të forconte administratën e saj në krahinën e Plavës dhe të Gucisë dhe përgjithësisht të merrte masa të ngutshme organizative dhe ushtarake në të gjitha trevat shqiptare që iu bashkuan Shqipërisë. Organizata kishte organin e saj “Lidhja e Prizrenit”, të cilin e botonte Komiteti i Intelektualëve Shqiptarë, i përbërë nga Kudret Kokoshi, Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Durmish Celina etj. Në faqet e gazetës u sulmuan: komunistët shqiptarë që u cilësuan si agjentë të Serbisë e të Rusisë; Lëvizja Nacionalçlirimtare në Jugosllavi, sepse luftonte për ruajtjen e kufijve të atij shteti, të caktuara me dhunë e pa marrë parasysh të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar; u propagandua Shqipëria etnike dhe domosdoshmëria e luftës për mbrojtjen e saj; u dënua dhuna sistematike e ushtruar në të kaluarën nga pushtuesit serbë e malazez. Lidhja e Dyte e Prizrenit në mënyrë të veçantë u angazhua për organizimin e forcës mbrojtëse-ushtrisë dhe formacioneve vullnetare të saj. Për këtë qëlllim Komiteti Qendror i Lidhjes, në bashkëpunin me komandën e Sektorit Kosova të Ushtrisë Shqiptare, organizoi konferencën në Rogovë të Hasit (15-17 mars 1944) në të cilën u mor vendimi për riorganizimin dhe forcimin e forcave mbrojtëse të Kosovës. Lidhja shpresonte që në formacionet e saj të përfshiheshin të gjithë mëshkujt shqiptarë, nga mosha 20-50 vjeç. Në këtë kuadër rezultoi kërkesa strategjike kryetarit të KQ të Lidhjes Dytë të Prizrenit, Bedri Pejanit, drejtuar Hitlerit për krijmin e një armate shqiptare prej 150 mijë burrash, e cila do të luftonte deri në fund kundër çetnikëve dhe partizanëve serbo-malazeze. Ai mendonte dhe shpresonte se kjo armatë do të ishte e aftë t’u dilte zot tokave etnike shqiptare dhe të mbronte bashkimin e tyre me Shqipërinë, me qëllim që Konferenca e Paqës që do të mblidhej pas mbarimit të luftës për të vendosur për kufijtë e shteteve të vihej përpara faktit të kryer. Komanda gjermane edhe pse nuk e miratoi këtë propozim, lejoi formimin e një divizioni me emrin “Skëndërbeg”, efektivi i të cilit, për shkak të mospranimit të të rinjve shqiptarë për t’u përfshirë në radhët e tij, nuk u plotësua as me rekrutë dhe as me kuadrin komandues. Për këtë arsye dhe të dezertimeve, në tetor 1944, divizioni u shndërrua në Grup luftarak. Komanda ushtarake gjermane kërkonte që këto forca t’i përdorte, ashtu si të gjitha forcat antikomuniste të kombeve të tjerë të Ballkanit, për të siguruar tërheqjen e trupave të saj nga gadishulli. Por këto synime të komandës gjermane binin ndesh me objektivin themelor të Lidhjes, që ishte bashkimi i trojeve etnike shqiptare dhe pavarësia e Shqipërisë.

Kuvendi III i Lidhjes së Dytë të Prizrenit që u mbajt në qershor të vitit 1944 shkarkoi Bedri Pejanin nga detyra e kryetarit të Komitetit Qendror të organizatës dhe në vend të tij zgjodhi Xhafer Devën. Ky i fundit njëherazi ishte edhe ministër i Brendshëm në Qeverinë e Tiranës.

Aty u analizua angazhimi i Lidhjes dhe i Komitetit Qendror të saj për mbrojtjen e Kolashinit dhe të sektorëve të tjerë që rrezikoheshin nga depertimi i forcave çetniko-partizane serbo-malazeze. Kuvendi konstatoi se Lidhja kishte ndërmarrë hapa konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe për koordinimin e përpjekjeve me krahinat e tjera të Shqipërisë dhe në mënyrë të veçante me Malësinë e Mbishkodrës, të Mirditës, të Dibrës dhe të Matit drejtuesit nacionalistë të të cilave luftonin për Shqipërinë etnike, me çka ishin vënë në shërbim të drejtpërdrejtë edhe të çështjes së Kosovës.

Kuvendi shtroi nevojën e armatimit të mëtejshëm të popullit të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare. Ai vuri si detyrë, që krahas regjimentit të Pejës dhe të Prishtinës, të formoheshin edhe regjimentet me qendër në Tetovë dhe në Dibër, si dhe të vazhdohej me krijimin e formacioneve “kreshnike” e vullnetare, që do të vepronin në rastet kur rrezikoheshin rajone të veçanta.

Me nismën e Lidhjes së Dytë të Prizrenit në shtator të vitit 1944 u themelua Komiteti i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar. Në krye të saj ishte atdhetari i devotshëm Adem Gllavica. Ajo i shtroi detyrë vetes mobilizimin e rinisë për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar dhe ishte forca goditëse në luftë kundër armiqve të atdheut. Adv. Idriz Shahmani paraqiti referatin mbi rrezikun që paraqiste komunizmi për Shqipërinë Etnike. Mbi këtë bazë u aprovua Programin politik-ushtarak, ”Disiplinari i Rinisë Nacionaliste Shqiptare për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar” dhe u zgjodh KQ i Rinisë Nacionaliste i përbërë prej 9 vetash. Në radhët e Komitetit bënin pjesë Adem (Selimi) Gllavica (kryetar), Sali Vala-Siçani, Luan Gashi, Avdyl Henci, Shahsivar Aliu, Fuat Muharremi, anëtarë.

Për drejtimin e formacioneve ushtarake të vullnetarëve të rinj shqiptarë u formua Komanda e përgjithshme e Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar, që kryesohej nga Shahsivar Aliu. Kjo komandë organizoi katër zona operative, e para në sektorin Ferizaj-Kaçanik-Gjilan, e dyta në atë Prishtinë-Lypjan-Podjevë, e treta në rajonin Mitrovicë Vushtrri-Skenderaj, kurse zona e katërt përfshinte Rrafshin e Dukagjinit.

Faza kulmore e veprimtarisë së Lidhjes së Dytë të Prizrenit arriti në vjeshtën e vitit 1944, kur ajo mobilizoi forcat adhetare për mbrojen e trojeve etnike shqiptare nga ushtritë e bashkuara komuniste bullgare, maqedone, serbe e malazeze, të cilave u shkuan në ndihmë edhe brigadat partizane të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këto përpjekje forcat e djalërisë shqiptare, të rreshtura në batalionet heroike “Hasan Prishtina”, “Nazim Gafurri”, “Zija Gashi”, të Drenicës, të Llapit dhe të Sanxhakut, zhvilluan luftime të përgjakshme, përgjatë vijës mbrojtëse të Kosovës, veçanërisht në sektorët: Ferizaj- Kaçanik- Gjilan; Prishtinë- Lypjan- Podujevë; Mitrovicë- Vushtri- Skënderaj.

Në këto rrethana mjaft dramatike KQ i Rinisë për Mbrojtjen e Atdheut dhe të Kombit Shqiptar nxori dy proklamata (më 18 dhe më 26 tetor 1944) të hartuara nga adv. Idriz Shahmani dhe që iu drejtuan popullit shqiptar e popujve të tjerë si dhe ushtrisë bullgare. Në këto proklamata, popullit shqiptar i bëhej thirrje për t’u bashkuar dhe për mobilizimin e përgjithshëm në luftë kundër ushtrive të fqinjëve grabitqarë. Ndërkaq ushtrisë bullgare i tërhiqej vërejtja për të mos ndihmuar ushtrinë serbe në përpjekjet për ripushtimin e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, për faktin se këto vise ishin shqiptare. Në njërën prej proklamatave, drejtuar shqiptarëve dhe tërë botës së qytetëruar, theksohej se shqiptarët po luftonin kundër reparteve jo të rregullta të fqinjëve të tyre për të ruajtur e për të shpëtuar Shqipërinë Etnike. Shqiptarëve në këto treva dhe sidomos atyre që ishin mobilizuar në njësitë e ushtrisë partizane jugosllave, iu kërkohej që të largoheshin nga rruga e gabuar dhe të bashkoheshin me batalionet e vullnetarëve shqiptarë që po luftonin me guxim të pashoq kundër njësive të Divizionit të 22-të, të 24-të dhe të 46-të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) dhe kundër Brigadës IV dhe V kosovare dhe trupave të Armatës II Bullgare.

Luftime të ashpra ndërmjet tyre dhe forcave serbe, malazeze e maqedonase e bullgare u zhvilluan gjatë gjithë vijës se frontit lindor shqiptar që nga Prespa, Pollogu, Shkupi e deri në Preshevë e Bujanoc. Mirëpo, raporti i forcave, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, ishte i disfavorshem për forcat atdhetare shqiptare. Kjo pati si rrjedhojë që në fund të nëntorit 1944 këto forca të thyheshin nga ushtritë e përmendura, pakrahasueshëm me epërsi në numër e teknikë të luftës. Kështu Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare ranë edhe një herë padrejtësisht nën sundimin jugosllav. Me këtë mori fund edhe veprimtaria e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Veprimtarë të organizatës që mbetën në Kosovë ose që kaluan në Shqipëri, e ndërmjet tyre, Bedri Pejani, Kolë Margjini, Musa Shehzade, kolonel Qazim Komoni, kolonel Fuat Dibra, Bedri Gjinaj, Aqif Blyta, vëllezërit Begolli, Asllan Boletini, Shaqir Curri, mulla Nuredin Haliti, av.Esat Berisha, Faik Okllapi, Shemsi Ferri, Jahja Fusha, Sali Rama, Halim Spahija, Is’han Taniku e shumë të tjerë, patën një fund tragjik si rrjedhojë e terrorit gjakatar të pushtetit okupues serbo-komunist në bashkëveprim të ngushtë me vazalët e tyre shqiptarë.

Mund të përfundohet se aspiratat e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, përkundër masave të egra që ushtroi pushteti okupues komunist jugosllav nuk u shuan kurrë. Përkundrazi, atdhetarët shqiptarë gjetën forca të vazhdonin luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar prej ripushtimit të Kosovës më 1944 e deri në organizimin e Luftës çlirimtare të viteve 1998-2001 në Kosovë, në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …