(Sa herë shkoj në vendlindje dëgjoj se ky projekt a ai investim komunal në Deçan nuk është bërë, nuk ka filluar apo nuk është kryer për shkak se s’ka lejuar Manastiri i Deçanit duke vënë pengesa të çfarëdollojshme duke shfrytëzuar statusin e zonës së mbrojtur dhe me qëllim të pengimit të gjithanshëm të zhvillimit të komunës. Kjo është arsyeja e këtij shkrimi të cilin e shkrova jo me ndonjë kënaqësi të madhe por e ndjeva si detyrim për t’i qartësuar, sidomos për gjeneratat e reja, disa aspekte të jetës sonë të përbashkët me dhe karshi manastirit. Në këtë shkrim do t’i paraqes disa arsye pse kleri i këtij manastiri duhet të kërkojë falje për të bërat e të pabërat kundër shqiptarëve gjatë njëqindvjetëshit të okupimit serb të Kosovës për faktin se, në një mënyrë a tjetrën, kleri i këtij tempulli fetar ishte instrument i të gjitha pushteteve serbe. Në këtë shkrim unë shpreh mendimin se të parët e këtij manastiri duhet të kërkojnë falje për vrasjet, dhunimet, masakrat dhe dëbimet që shteti serb, që nga viti 1912, i ka bërë kundër shqiptarëve. Duhet të distancohet kleri i kësaj kishe nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që shteti serb i ka ushtruar ndaj nesh. Duhet t’i lejojnë shkencëtarët dhe hulumtuesit shqiptarë dhe botërorë të kenë qasje në arkivat e saj. Duhet t’ua kthejnë shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës të gjitha eksponatet arkeologjike, dorëshkrimet dhe artefaktet tjera që i ka përvetësuar e vjedhur me forcë apo me mashtrim për gati njëqind vjet dhe të cilat janë me vlerë të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e Kosovës.)
Jam rritur me legjendat për Manastirin e Deçanit, për objektin e shenjt që përfaqësonte, për mjeshtrit që e kishin ndërtuar dhe për ‘varrin e mirë‘ tek i cili shpesh na dërgonin nënat e gjyshet dhe na detyronin t’i kryenim një varg ritualesh magjike te cilat, sipas besimit të tyre, do të na bënin mirë për shëndetin apo do të na ndihmonin që të na ‘shkonte shkolla më mirë‘ apo të na hapej mundësia që t’na ecte më mirë fati i jetës.
Gjyshet tona manastirin e quanin kishë dhe për të njëjtën thoshin se ishte ‘e jona’ por që prej saj u larguan kur u konvertuan në myslimanë. Megjithatë, edhe pse njerëzit ishin kthyer në myslimanë, asnjëherë në ndërdijen e tyre nuk ishte braktisur ideja se ishte një objekt kulti ‘i joni’ dhe si i tillë respektohej dhe çmohej pa fund si vend i shenjt.
Ky objekt çmohej pafund nga shqiptarët dhe ruhej si pjesë e pasurisë religjioze të tyre. Ata duke e konsideruar të shenjt, asnjëherë, që prej konvertimit të popullsisë në myslimanë, nuk ishin larguar, së paku shpirtërisht nga ajo që e konsideronin trashëgimi të tyre duke e manifestuar këtë respekt dhe këtë mbamendje, së paku, me vizitat e shumta aty dhe marrjen pjesë ne festat fetare që organizoheshin në kuadër të datave të shënuara kishtare.
Dua të filloj me legjendën mbi ndërtimin e ‘kishës’ së Deçanit.
Siç flitet në popull dhe nga gojëdhënat që ende ekzistojnë, në vendin ku është sot kisha e Deçanit kishte ekzistuar një kishë e vjetër katolike e cila ishte pronë e një familjeje të fisit Kuçi nga Deçani dhe e cila për shekuj ishte faltore e banorëve të kësaj ane. Meqenëse objekti ishte dëmtuar shumë ngase kisha katolike e Romës, me kohe, e kishte humbur ndikimin dhe pushtetin e saj në këto vise për shkak të hegjemonisë bizantine, ortodoksët të cilët ishin fuqizuar shumë nga mbizotërimi bizantin do të fillonin ta rindërtonin atë me qëllim të shndërrimit të saj në tempull ortodoks, ata do t’i ftonin për rindërtimin e kishës së Deçanit vëllezërit Kuçi nga Tivari. Ndër ta, ishte më i madhi Vita Kuçi. Sipas legjendës këta vëllezër nuk ishin njerëz të zakonshëm por ishin dragonj dhe kishin fuqi mbinatyrore. Pasi kishin punuar me vite me radhë për ta rindërtuar kishën e vjetër, padronët që në ndërkohë e kishin pushtuar vendin, për të mos ua bërë pagesën, vendosin që mjeshtërve mos tua bëjnë pagesat për punën e kryer dhe për këtë qëllim zgjidhja më e mirë ishte vrasja e mjeshtërve. Meqenëse tre vëllezërit posedonin fuqi mbinatyrore, dhe pasi e kuptojnë se nga vendi nuk do të dalin të gjallë përdorin fuqinë e tyre mbinatyrore dhe, duke fluturuar, arrijnë në tri vende të bukura të Kosovës. Njëri prej vëllezërve zbret më së afërmi, në anën tjetër të Bistricës së Deçanit ku, posa zbret, buron uji i njelmët i Gushavcit. Tjetri fluturon pak më larg, te vendi ‘Gllejtë e Deçanit’ ku mbijnë pishat dhe bredhat me të bukur të parë ndonjëherë. I treti vëlla fluturon më gjatë dhe zbret në vendin që sot quhet Banja e Istogut, posa e prek tokën, aty do të burojë uji i ngrohtë i cili do të bëhet vend shërim për dhjeta e dhjeta gjenerata.
Kjo ishte e vërteta magjike në lidhje me kishën e Deçanit.
Por cila është e vërteta jo legjendare?
Shqiptarët përgjithmonë, deri në luftën e Kosovës, kishën e Deçanit e konsideronin vend të shenjt të tyre ngase, duke qenë tempull i popullsisë ortodokse shqiptare vendase qe quheshin shkije raje (ky term fillimisht nuk kishte karakter fyes dhe as karakter nacional por thjeshtë fetar(skizma – shkie)), pra ortodoks vendas të cilët, për shkak të përkatësisë së tyre ortodokse, e konsideronin tempull të tyrin. Mjafton t’i shikojmë fotot e ruajtura të kësaj kishe deri në vitin 1912 (para pushtimit serb të Kosovës) që ta kuptojmë se në ato foto përveç personave të veshur me veshje kombëtare shqiptare nuk shihen persona apo grupe me veshje tjera që të mund t’i identifikojmë se u përkasin përkatësive të tjera kombëtare. Për dijen e lexuesve, duhet të cekim se në Deçan dhe në Pejë deri në vitin 1912 mund të ketë pasur jo më shumë se 200 familje ortodokse të cilat, bazuar në mbamëndjen kolektive, nuk dallonin as me gjuhë, as me tradita, as me veshje, as me zakone dhe as me rite nga popullsia tjetër joortodokse e atëhershme (sllavishtja e vjetër, atë kohë, ishte gjuhe tradicionale kishtare ortodokse dhe përdorej vetëm gjatë shërbimeve fetare). Por pushtimi serb i Kosovës e ndërroi tërë gjendjen, në këtë mënyrë kisha e Deçanit, që nga viti 1912 e tutje, u shndërrua në instrument politik të Serbisë ndërsa popullsia vendase ortodokse iu nënshtrua një asimilimi të shpejt. Edhe në këtë gjendje, Kisha e Deçanit gëzonte status shpirtëror tek ne dhe, për këtë arsye, edhe kujdesi për të ishte i veçantë si përherë. Bile, që është tepër me rendësi, kjo kishë ruhej dhe mbrohej, për shekuj me radhë, nga familje të njohura shqiptare. Vlen të cekët se familja e fundit që është kujdesur dhe e ka mbrojtur kishën e Deçanit ka qenë familja e Sali Rrustëve që, edhe sot, quhen vojvodët e Deçanit dhe e cila në mbrojtje të kësaj kishe, sidomos në kohën e pushtimit austriak, kishte flijuar disa djem të cilët ranë duke e mbrojtur kishën dhe duke mos lejuar depërtimin e ushtarëve austriakë në brendësinë e saj.
Po ç’kërkon kjo kishë sot nga shqiptarët dhe cilët janë faktet që e dëshmojnë se ky institucion kishtar asnjëherë nuk e ka ushtruar ndikimin e vet, se paku shpirtëror dhe moral, në mbrojtje të popullsisë së Deçanit nga represioni dhe gjenocidi serb.
Kjo kishë dhe udhëheqësit e saj nuk i dolën në mbrojtje popullsisë shqiptare në vitin 1911 kur Dukagjini u pushtua nga malazezët dhe çetat kriminale të Mark Milanit, duke kërkuar konvertimin e popullsisë myslimane në ortodoksë, vranë dhe masakruan qindra e mijëra shqiptarë dhe shkatërruan qindra fshatra të Dukagjinit. Kjo kishë dhe popat e saj nuk e folën kurrë një fjalë mbrojtjeje dhe as një fjalë keqardhjeje për të gjitha ato masakra që iu bënë popullsisë e cila e mbante gjallë dhe e ruante atë.
Kjo kishë dhe klerikët e saj nuk e folën një fjalë mbrojtëse për popullsinë shqiptare të Deçanit kur ky territor, në vitin 1912 u pushtua nga Serbia. Kjo kishë kurrë nuk e foli një fjalë për masakrat dhe gjenocidin e tmerrshëm që kryenin çetat serbe të asaj periudhe duke vrarë e djegur familje të tëra në mënyrën më mizore.
Kleri i kësaj kishe nuk foli dhe nuk shprehi mospajtimin e saj edhe për masakrat e kryera nga Serbia në luftërat ballkanike dhe në luftën e parë botërore edhe pse djem e burra shqiptarë ranë duke e mbrojtur kishën dhe klerin e saj nga depërtimi i forcave austriake gjatë kësaj lufte.
Kleri i kësaj kishe, edhe pse mbrohej nga shqiptarët, kurrë dhe në asnjë rast nuk kishte ngritur zërin kundër zullumit të pafund që ushtronin forcat serbe kur me dhunë e bënin shpronësimin e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre nga trojet e veta gjatë viteve njëzet e tridhjetë.
Kjo kishë dhe kleri i saj, gjithmonë ishte në shërbim të xhandarmerisë serbe të cilët në të gjitha kohërat terrorizonin popullsinë e varfër dhe të robëruar të Kosovës. Kurrë nuk e foli një fjalë keqardhjeje për djemtë e ri të vrarë, për gratë e nuset e reja të masakruar e të dhunuara, për familjet e tëra që lidheshin rreth mullarëve me sanë dhe iu vihej flaka e digjeshin të gjallë, për të gjitha atë nuse e gra shtatzëna të cilave për se gjalli u prehej barku dhe u nxirreshin foshnjat të cilat, pastaj, ushtarët serbë i ngulnin në hunj e në shpatat e tyre të lyera me gjak.
Kjo kishe dhe kleri i saj nuk shprehi kurrë keqardhje për plaçkitjet dhe vrasjet e banorëve të pafajshëm shqiptarë në bjeshkët e Deçanit e të Isniqit në vitet 1920-30.
Kleri i kësaj kishe nuk e foli asnjë fjalë dhimbjeje për qindra e qindra fshatarë të kësaj ane që u vranë gjatë luftës së dytë botërore nga çetnikët.
Kjo kishë kurrë nuk ishte në krah të shqiptarëve të shpronësuar nga qeveria e SKS-së dhe kur në tokat e plaçkitura shteti i atëhershëm jugosllavë sillte kolonë serbë e malazezë nga Velika e Mali i Zi.
Kjo kishë kurrë nuk e shprehi së paku keqardhjen e saj për vrasjet e banorëve shqiptar pas luftës së dytë botërore nga çetat partizane dhe e çetnike.
Ky institucion fetar, edhe pse ekzistonte vepronte me një popull qe po sakatohej dhe po terrorizohej nga UDBA-ja e Rankoviqit, kurrë nuk doli t’i mbronte apo ta fliste një fjalë mospajtimi me këtë trajtim çnjerëzor të popullatës me të cilën bashkëjetonte.
Ky tempull fetar, nuk doli kurrë ta kundërshtojë shpërnguljen me dhunë të popullsisë vendase për në Turqi në vitet 50-ë e 60-ë të shekullit të kaluar. Nuk reagoi kurrë kur kjo popullsi trajtohej në mënyrat më çnjerëzore deri në vitin 1968 kur sistemi represiv i Rankoviqit ra përgjithësisht.
Stadi i këtij manastiri, në mënyrë sistematike, ka vjedhur dhe përvetësuar trashëgiminë arkeologjike të komunës së Deçanit që shtrihej në Grykën e Deçanit. Nga ana e kishës është vjedhur dhe fshehur, ndoshta edhe dërguar në Serbi, pasuria arkeologjike e Kullës së Çelisë, një objekt i fortifikuar i kohës antike. Kjo kishë ka vjedhur e plaçkitur, për vite e me vite, pasurinë arkeologjike që është gjetur në objektet sakrale që ekzistojnë në Grykën e Deçanit. Të njëjtën e ka bërë edhe në kohën e pasluftës nën mbrojtjen e KFOR-it gjë që është vepër penale dhe krim kulturor i pa tolerueshëm nga asnjë shtet sado demokratik dhe perëndimor te jetë.
Jo pse e ka pasur obligim: për hir të natyrës shpirtërore, predikimit të dashurisë dhe paqes mes njerëzve dhe humanizmit që përfaqëson apo do të duhej të përfaqësojë dhe për shkak se krimet kryheshin nga besimtarët e saj, kjo kishë dhe kleri i saj nuk iu përkushtua kurrë as me një fjalë të vetme mbrojtjes së popullsisë dhe të rinjve e të rejave por edhe familjeve që sulmoheshin, terrorizoheshin e vriteshin në të gjitha momentet historike kur populli shqiptar kërkonte të drejtat e veta dhe lirinë.