leoni

Dr. Murteza Osdautaj

Dr. Murteza OSDAUTAJ: MANASTIRI I DEÇANIT – SI U SHNDËRRUA NGA NJË VENDI I SHENJT I SHQIPTARËVE NË NJË INSTRUMENT TË POLITIKËS ANTISHQIPTARE SERBE II

Kjo nuk ndodhi as në 1920, as në vitet 1930, as në vitin 1981, as në vitin 1983, as në vitin 1986, as në vitin 1987 dhe as në vitin 1989.

Asnjë fjalë e vetme nga kleri i kësaj kishe kundër vrasjeve të bëra nga xhandarmëria dhe policia serbe nëpër këto vite, asnjë keqardhje nga kjo kishe për masakrat dhe dëmet e shkaktuar nga pushteti serb, asnjë kundërshtim formal dhe asnjë shprehje e dhimbjes për gjenocidin e ushtruar në vitet 90.

Kjo kishë nuk foli dhe nuk e kundërshtoi asnjëherë mbylljen e shkollave kundërshtoi asnjëherë mbylljen e shkollave shqipe në vitin 1991, largimin nga puna të të gjithë shqiptarëve në vitin 1991 dhe 1992. Kjo kishë nuk reagoi kurrë, së paku për ta ruajtur fytyrën, kur vriteshin djem e vajza të reja, kur burgoseshin e vriteshin njerëz nga policia serbe, kur popullsia shqiptare trajtohej në mënyrat më barbare dhe kur shteti serb aplikonte aparteidin për tërë popullin shqiptar të Kosovës.

Kleri i kësaj kishe asnjëherë dhe në asnjë moment të historisë më të re nuk u vu në mbrojtje të të drejtave elementare njerëzore që shkeleshin nga besimtarët e saj në mënyrë sistematike.

Kjo kishë pranoi dhurata nga shteti serb edhe pasuritë që nuk ishin të saj dhe të cilat ishin ndërtuar me mundin dhe taksat e banorëve e shtetasve të Kosovës për vite e vite duke u bërë bashkëpjesëmarrëse e plaçkitjes së pasurisë së këtij populli të cilën e bëri shteti serb në mënyrë sistematike për decenie.

Kleri i kësaj kishe nuk e foli asnjë fjalë keqardhjeje për sulmet e ushtrisë serbe nëpër fshatrat e rajonit të Dukagjinit që bëheshin nga ushtria e paramilitarët serbë. Nuk foli asnjë fjalë kur u bë masakra e parë e Lubeniqit në vitin 1998 dhe nuk e foli asnjë fjalë dhe nuk shprehi asnjë keqardhje kur u bë masakra e dytë e Lubeniqit në vitin 1999. Kleri i kësaj kishe nuk shprehu kurrë keqardhje për qindra e qindra gra e fëmijë të vrarë në Kosovë dhe sidomos në Dukagjin. Kjo kishë nuk e dënoi asnjëherë, së paku gojarisht, djegien dhe shkatërrimin e dhjeta fshatrave të rajonit ku ajo funksionon.  Ajo nuk e bëri një zë të vetëm kundër masakrës se Belegut, ajo nuk e tha një asnjë fjale keqardhjeje kundër dëbimit masiv që bëri ushtria e Serbisë ndaj popullatës së Kosovës.

Kjo kishë dhe kleri i saj nuk bëzajti as kur tymi i shtëpive të djegura të fqinjëve të saj shqiptarë, mbërrinte dhe mbushte oborrin dhe hapësirat e saj me tym e mjegull.

Për më keq, në këtë kishë u strehuan paramilitarët serbë, u strehuan ata që dhunuan, vranë, prenë e dogjën gjithçka që ishte shqiptare.

 

Kisha e Deçanit  tash

 

Pas lufte, me mjeshtri, kjo kishë arriti ta përfitojë kujdesin e forcave të KFOR-it për çka popullsia dhe strukturat politike nuk mund të ishin kundër ngase ishte vështirë të kontrollohej mllefi i njerëzve të cilët kishin humbur familjet dhe kishin humbur tërë pasurinë e tyre nga sulmet e ushtrisë e paramilitarëve serbë për të cilët kjo kishë dhe stafi i saj për shumë vjet ishte shndërruar në zëdhënëse.

Nuk ishim kundër të ruhej kjo kishë ngase askush nuk donte që për ndonjë incident të rastësishëm që mund ta shkaktonte ndonjë i person që kishte humbur familjen apo i ishte dhunuar familja, të bëheshim pjesë e titujve të gazetave të vendit e të huaja.

Por kjo kish nuk u ndal me kaq! Ajo shfrytëzoi praninë e KFOR-it për t’u marr me politikë. Së pari arriti që, gati tërësisht, ta ndalojë qarkullimin e lirë të banorëve të komunës së Deçanit të cilët i kishin pasuritë e tyre të kullotave dhe të tokave në Bjeshkët e Nemuna apo që ishin banorë të fshatrave malore të kësaj komunë, siç ishin banorët e Bellesë dhe të Pleqes. Ata, për shumë vjet, kishin qasje të penguar në më se 80% të hapësirës së komunës së Deçanit ndërsa që këto pengesa ende ekzistojnë porse pak më të lehtësuara.

Shpallja e pavarësisë dhe pranimi që rreth manastirit të krijohej zonë e mbrojtur ishte edhe një moment tjetër të cilin personeli e kësaj kishe e shfrytëzoi për interesa të saj.

Pengesa e parë që kjo kishë e vuri për banorët e komunës së Deçanit, pronat e të cilëve ishin në zonën e mbrojtur, ishe moslejimi i ndërtimeve dhe investimeve të banorëve nëpër pronat e tyre. Kështu më se 800 hektarë që i përfshinë kjo zonë, janë praktikisht të papërdorshme për pronarët e tyre përveç për kositjen e barit. Duke e marrë parasysh se këto prona shtrihen në pjesën më të bukur të Komunës, për pronarët e tyre kanë qenë dhe do të ishin një burim i pazëvendësueshëm për zhvillimin e turizmit dhe të ekonomive familjare.

Pengesa tjetër e dytë ishte pengimi i ndërtimit të rrugës ndërkombëtare Deçan – Plavë. Ky institucion nuk e lejoi që rruga të ndërtohej sipas trasesë së planifikuar që fillonte në magjistralen Pejë – Gjakovë, në afërsi të Isniqit dhe vazhdonte vargmaleve të këtij fshati. Ministria, e detyruar për ta gjetur një zgjidhje tjetër, filloi një trase të re të rrugës që shmangte magjistralen Pejë-Deçan për disa kilometra duke filluar ndërtimin nga Çesta e Lloqanit drejt  Bjeshkëve të Nemuna. Edhe kjo vi e re nuk ishte e përshtatshme për Kishën. Organet shtetërore u detyruan që punën ta ndërprejnë përgjatë tërë vijës që kalonte nëpër zonën e mbrojtur, për të vazhdojnë në kufirin ku mbaron zona e mbrojtur e tutje, duke lënë të pa ndërtuar  më shumë se 5 km të rrugës që do të duhej të ndërtohej brenda zonës. Duke e penguar në këtë mënyrë, praktikisht i tërë projekti i rrugës së përmendur është jofunksional dhe nuk e luan rolin e parashikuar ngase mungesa e pjesës hyrëse prej 5 km që do të duhej ta lidhte qytetin me trasenë e planifikuar, këtë rrugë e pengon të bëhet faktor i lidhjes së shteteve dhe i zhvillimit ekonomik të Komunës. Çudia është se asnjë faktorë ndërkombëtar nuk e bëri asnjë reagim për pengesat e vëna nga e mbrojtura e tyre.

Pengesa tjetër e madhe që kleri i kësaj kishe ia bëri Komunës dhe banorëve të saj është moslejimi i realizimit të projektit komunal për ndërtimin e shtratit të lumit të Lumëbardhit i cili do të duhej të niste nga Ura e Demës, në mes ët Isniqit dhe Deçanit, dhe të vazhdonte deri te burimi i ujit të njelmët,  në Gushavc. Duke e penguar edhe këtë projekt, kisha e Deçanit, po e pengon zhvillimin e qytetit, urbanizimin, modernizimin e zbukurimin  e tij dhe zhvillimin e një komponente shume të rëndësishme të jetës së banorëve të komunës, pushimin, rekreacionin dhe turizmin. Edhe për këtë fenomen asnjë reagim nga faktorët ndërkombëtarë.

Kleri i kësaj kishe, me ndihmën e pushtetit serb, viteve të nëntëdhjeta, arriti t’i uzurpoi pa të drejtë, përveç pronave të ndërmarrjeve APIKO dhe të pushimores së Deçanit, shumë hapësira publike që shtriheshin rreth saj. Ajo, pas luftës, i rrethoi ‘pronat e saj’ me një mur të trashë guri mbi të cilin vuri tela me gjemba. Unë nuk e di nëse për këtë projekt kisha ka kërkuar leje por ndërtimi i një muri të tillë dhe vënia e  telave me gjemba mbi të krijon një pamje të shëmtuar dhe të padurueshme. Në njërën anë krijon përshtypjen se brenda atyre telave me gjemba nuk është një tempull fetar por një kamp përqendrimi si Aushvici dhe në anën tjetër, për ndonjë vrojtues të paanshëm, krijon përshtypjen se objekti qenka përballë një sulmi të vazhdueshëm nga ‘armiq të jashtëm’ e që të tillët, në rastin konkret, nuk mund të jetë kush tjetër përveç se banorët shqiptarë të Komunës së Deçanit.

Mendoj se Kisha e Deçanit është duke bërë gabim me sjelljen e saj ndaj popullsisë vendase. Ndoshta atë e mban shpresa se në bisedimet e ardhshme do të fitojë ekstraterritorialitet për të cilin as komuna dhe as shteti s’do të duhej të pajtoheshin, së paku për shkak sentimentit që popullsia e Deçanit e ka për kishën si objekt kishtar shqiptar dhe për shkak të tendencës së Serbisë që të përvetësojë çdo vlerë kulturore historike të krijuar në Kosovë.

Kisha duhet ta kuptoj se me këtë armiqësi që po e tregon ndaj popullatës vendëse nuk mund ta gjejë qetësinë e saj dhe nuk mund ta ruaj karakterin e saj sakral dhe biblik. Ajo, duke ndërmarrë akte armiqësie ndaj popullatës, vetëm sa e humbë, përfundimisht, respektin e dëmtuar pafund që ky popull kishte për Kishën. Ajo duhet ta kuptojë se gjeneratat e reja të të rinjve rriten pa sentimentet e gjeneratave të mëhershme lidhur me vlerën e shenjtë të këtij institucioni. Ajo duhet ta kuptojë se për gjeneratat e reja nuk e ka vlerën që kishte për ne. Me aktet e saj, për gjenerata e reja, ajo është një uzurpatore, një instrument politik serb dhe një pengesë për zhvillimin e gjithmbarshëm të rajonit.

Kleri i kësaj kishe nuk duhet të shndërrohet në instrument politik serb kundër shqiptarëve, sepse, cilido qoftë statusi i saj në të ardhmen, ajo e ka fat të ekzistojë në mes të shqiptarëve dhe me shqiptarët.

Kjo kishë duhet të fillojë me aktet e miqësisë dhe të mirëkuptimit. Duhet të kërkojë falje për të bërat e të pabërat kundër shqiptarëve gjatë njëqindvjetëshit të okupimit serb të Kosovës. Duhet të kërkojë falje për vrasjet, dhunimet, masakrat, dëmet dhe dëbimet që shteti serb, që nga viti 1912, i ka bërë kundër shqiptarëve. Duhet të distancohet nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që shteti serb i ka ushtruar ndaj nesh. Duhet t’i lejojë shkencëtarët dhe hulumtuesit shqiptar dhe botërorë të kenë qasje në arkivat e saj. Duhet t’ua kthejë shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës të gjitha eksponatet arkeologjike, dorëshkrimet dhe artefaktet tjera që i ka përvetësuar e vjedhur me forcë apo me mashtrim për gati njëqind vjet dhe të cilat janë me vlerë të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e Kosovës.

Kjo kishë mund të shndërrohet në një tempull kulti dhe objekt të perëndisë vetëm atëherë kur të pastrohet nga mëkatet ndaj popullsisë shqiptare të kryera që nga viti 1912 e deri tash nga shteti serb ngase kleri i saj ka vepruar dhe i ka realizuar direktivat politike serbe për shekuj me radhë. Do ta fitojë përsëri respektin dhe dashurinë e shqiptarëve kjo kishë vetëm atëherë kur do t’i pranojë të gjitha dhimbjet dhe tmerret që shteti serb dhe serbët ua kanë shkaktuar shqiptarëve sidomos gjatë 100 vjetëve të pushtimit.

Në të kundërtën, sido që ta ketë statusin e saj në të ardhmen, ky objekt do të mbetet në gjendjen, pamjen dhe perceptimin që e ka sot: strofull politik dhe armiqësor i shtetit serb kundër shqiptare dhe me pamjen e shëmtuar të një kampi përqendrimi nazist.

Unë ende e konsideroj Manastirin e Deçanit si vlerë kombëtare shqiptare dhe ende besoj se kleri i saj dëshiron ta shndërrojë manastirin nga një instrument politik dhe armiqësor në një tempull sakral, shpirtëror, biblik dhe humanist të cilin duhet ta ketë çdo tempull që i kushtohet zotit dhe besimit  në zot dhe të cilin ky manastir e ka humbur kaherë.

Përndryshe forma dhe arkitektura nuk janë elemente që një objekt e bëjnë të shenjt! Të shenjtë e bën veprimtaria dhe vlerat fetare dhe humaniste që e ushtrojnë njerëzit që jetojnë dhe veprojnë brenda saj.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …