Dr. Murteza OSDAUTAJ: NGACMIMI (BULLIZMI) SI PORBLEM I SHKOLLAVE NË KOSOVË, BAZUAR NË TË GJETURAT E TESTIT “PISA 2018” I
Ngacmimi (bullizmi) është një problem i madh në të gjithë botën me pasoja të rënda për jetën e nxënësve. Ky punim shqyrton aspektet e ndryshme të paraqitjes së ngacmimeve dhe ekspozimin e nxënësve ndaj tyre në shkollë. Gjithashtu, bazuar në testin PISA 2018, punimi do të fokusohet se si ngacmimi shoqërohet me karakteristikat e nxënësve dhe të shkollës. Po ashtu ekzaminon sesi lidhet ekspozimi i nxënësve ndaj ngacmimit me përformancën e tyre në leximi, tek qëndrimet e nxënësve ndaj ngacmimit, mirëqenies së nxënësve dhe klimën shkollore.
BULLIZMI SI PORBLEM DHE FORMAT E SHFAQJES SË TIJ
Si gjithkund në botë edhe në Kosovë ngacmimi në shkollë paraqet njërin nga problemet me të përditshme me të cilat hasin nxënësit tonë. Kjo problematikë është aq pak e studiuar tek ne dhe aq pak e përcjellur me masa parandaluese saqë ndodhë, sikurse në artikullin e para disa ditësh në ‘Koha ditore’, që në lidhje me problemin gazetarët, zyrtarët shtetërorë por edhe hulumtuesit shfaqin një mosnjohje të thellë të problemit apo, në rastin më të mirë, neglizhimin total të problemit të ngacmimit në shkollë apo, siç kam dëshirë ta quaj në mënyrë më precize, keqtrajtimin fizik dhe psikologjik.
Meqenëse problem nuk është anësor dhe minor në përmasat e përhapjes së tij në shkollat tona dhe sidomos në mes nxënësve, më poshtë do të paraqes të dhënat shqetësuese të problemit të cilat janë identifikuar në testin e PISA-s 2018.
Sipas analizave të dala nga testi i PISA-s, ku siç dihet kanë marrë pjesë afro 6000 nxënës kosovarë të moshës 15 vjeçare, del se ngacmimet në shkollë (bullizmi) është një fenomen shumë i përhapur dhe, në mënyra të ndryshme, paraqitet dhe manifestohet thuaja tek të gjitha shtresat e nxënësve por në mënyra të ndryshme dhe në kategori të ndryshme rrethanore.
Për ta kuptuar bullizmin (ngacmimin) duhet së pari ta kuptojmë termin në fjalë i cili ka një përfshirje shumë të gjerë në të gjitha sistemet shkollore në botë. Përkufizimi më i përhapur në botë në lidhje me bullizmin (ngacmimin, keqtrajtimin e vazhdueshëm) është ai që këtë fenomen e konsideron si Veprim/e që përsëritet/n në mënyrë të vazhdueshme drejtpërdrejt (ose nëpërmjet burimeve kibernetike) nga një individ ose grup individësh me qëllim të dëmtimit fizik, verbal, shoqëror (emocional) dhe psikologjik të një personi apo një grup personash. Pra, parë nga definimi që mbizotëron në botë, në kuadër të bullizmit nuk mund të përfshihen rrahjet apo konfliktet e rastësishme që ndodhin në mes nxënësve por veprimet e vetëdijshme e sistematike që zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëllimshme ndaj viktimës.
Që t’i kthehemi temës bazë, në testin e PISA, një pjesë e testit të kryer ka përfshirë edhe një sërë pyetjesh me të cilat është tentuar të nxirren të dhëna mbi përhapjen e këtij fenomeni edhe në Kosovë. Nga të dhënat që do t’i analizojmë më poshtë del se as nxënësit kosovarë nuk janë ndryshe nga nxënësit tjerë në botë dhe, bile, në disa aspekte, qëndrojnë edhe më keq.
Sipas të dhënave nga OECD, 23% të nxënësve kanë deklaruar se janë ngacmuar apo keqtrajtuar në mënyra të ndryshme, së paku disa herë në muaj. Në anën tjetër, është karakteristike së nxënësit të cilët janë deklaruar se ngacmohen rregullisht në shkollë, gjithashtu janë deklaruar se ndihen të mërzitur, të frikësuar dhe të pakënaqur me shkollën dhe me jetën në shkollë.
Por të dalim te rasti i Kosovës. OECD në testin e saj kishte përgatitur opsione të cilat kishin për qëllim që të hetojnë përqindjen e përgjithshme të nxënësve që ngacmohen në shkollë dhe brenda kësaj përqindjeje të nxjerr se cilat lloje të ngacmimeve ushtrohen më shumë ndaj tyre dhe në cilat përmasa. Më poshtë do të sjellim disa nga të gjeturat dhe një analizë sociologjike që mund të prodhohet nga të gjeturat e përmendura.
OECDnë testimin e saj ka vendosur këto deklarime me të cilat e ka kryer testimin në lidhje me ngacmimet në shkollë (bullizmin):
A: Ngacmohem vazhdimisht;
B: I nënshtrohem cilitdo akt të ngacmimit;
C: Më lënë anash qëllimshëm;
D: Përqeshëm nga shokët e klasës;
E: Kërcënohem nga të tjerët;
F: Nxënësit tjerë m’i marrin gjerat e mia personale apo i shkatërrojnë ato;
G: Jam rrahur apo gjuajtur anash nga nxënësit e tjerë;
H: Të tjerët përhapin thashetheme e fjalë të këqija për mua.
Nga përgjigjet e dala në total del se në Kosovë 8% të nxënësve keqtrajtohen apo ngacmohen në baza ditore dhe, bazuar nga numri i përgjithshëm i nxënësve të moshës 15 vjeçare në Kosovë (rreth 31 815), atëherë del se në vend, rreth 2560 nxënës të kësaj moshe specifike, i nënshtrohen ngacmimeve të këtij lloji çdo ditë. Për dallim nga nxënësit që trajtohen keq në baza ditore, nga testi i PISA-s dalin edhe të dhëna për grupe të tjera nxënësish të cilët trajtohen keq në baza javore ose mujore. Më poshtë do të shohim në mënyrë grafike se cilat janë përqindjet dhe llojet e ngacmimeve në të cilat hasin nxënësit e shkollave tona bazuar në periudhat kohore.
Nga grafikoni që shihet më lartë mund të shohim se rreth 41% të nxënësve të testuar kosovarë kanë deklaruar se kurrë ose gati kurrë nuk kanë përjetuar cilindo lloj të ngacmimit ndërsa që 28% prej tyre i janë nënshtruar ngacmimeve të ndryshme disa here në vit. Në anën tjetër disa here në muaj janë ngacmuar në mënyra të ndryshme saktësisht 19% ndërsa që një apo më shumë here në javë janë ngacmuar diku 13% të numri të përgjithshëm të nxënësve. Nga numri i tërësishëm i nxënësve të testuar dhe të cilët gjatë vitit shkollor kanë përjetuar cilindo lloj të ngacmimit mund të konstatojmë se rreth 3400 nxënës të të dy gjinive kanë përjetuar një formë të këtij fenomeni. Më shqetësuese, si gjithmonë, është pjesa e nxënësve të cilët ngacmohet në mënyra të ndryshme një here apo më shumë herë në javë dhe ky numër, nga rreth 5700 të testuarit nga Kosova, është 735 nxënës. Nëse përqindjen e aplikojmë në popullacionin e tërësishëm të nxënësve të kësaj moshe atëherë del se 4105 nxënës ngacmohen një apo më shumë here në javë. Sigurisht që nëse këtë përqindje e shpërndajmë edhe në moshat e përafërta atëherë, sigurisht që përqindja dhe numri do të pësojë rritje por ne, për qëllime besueshmërie, do të kufizohemi vetëm brenda moshës së përcaktuar nga OECD, d.m.th. do të kufizohemi në nxënësit kosovarë që në vitin 2018 kishin mbushur moshën 15 vjeçe.
Lenia anash me qëllim apo moslejimi I pjesëmarrjes në aktivitetet ditore, sportive e lojëra është një nga format tjera të bullizmit që i shqyrton PISA. Nga të dhënat e mbledhura në lidhje me ketë indikator të bullizmit (ngacmimit), është vërejtur se 56% të nxënësve nuk ndihen të lënë pas dore në asnjë rast ndërsa që disa here brenda vitit janë ndier të anashkaluar me qëllim rreth 26% të tyre. Se anashkalohen disa here në muaj janë deklaruar 12.9% ndërsa që këtë ndjenjë të lënies pas dore, një apo disa here në javë, e përjetojnë 5% të nxënësve. Nga analiza numerike del se 13998 nxënës e kanë përjetuar këtë lloj ngacmimi në periudha të ndryshme të vitit shkollor por brenda frekuencave të ndryshme të përsëritjes së tyre. Shqetësuese gjithmonë është pjesa e cila e përjeton këtë lloj ngacmimi disa here në muaj apo një apo disa herë në javë. Përqindja e përgjithshme e këtij grupi është 18% dhe, shndërruar në numra, del se ndihen të lënë pas dore, në mënyrë sistematike, 5726 nxënës të moshës 15 vjeçe.
Përqeshja e shokëve të klasës është një nga format e shpeshta të manifestimit të bullizmit në shkollat tona. Kjo formë të ngacmimit është, megjithatë, më e rrallë se dy format e paraqitura më lartë por, gjithsesi, nuk është formë të cilën duhet ta neglizhojmë dhe të mos merremi me të. Derisa 72% të nxënësve janë shprehur se nuk janë përqeshur asnjëherë gjatë vitit nga shokët e vet, rreth 17% janë shprehure se, megjithatë, këtë lloj trajtimi e kanë përjetuar disa herë gjatë vitit. Se kanë qenë viktima nga ky lloj trajtimi disa herë në muaj deri në disa here në javë janë deklaruar 10.2% të numrit të përgjithshëm të nxënësve. Nëse i krahasojmë të dhënat e mëhershme, del se përqeshja është më e rrallë në shkollat tona se në shkollat e disa vendeve të rajonit apo edhe të ekonomive që kanë marrë pjesë në PISA.
Kërcënimet e llojeve të ndryshme, gjithashtu, janë një formë e ngacmimeve në shkollë dhe, edhe ky fenomen, ka një shtrirje bukur shqetësuese. Sipas të dhënave që dalin nga testi i PISA-s, janë rreth 23 % të nxënësve të moshës 15 vjeçare të cilët kanë deklaruar se qoftë disa herë në vit, qoftë disa herë në muaj apo edhe brenda jave janë kërcënuar nga shokët e vet të shkollës. Sipas të dhënave del se 77% të nxënësve kanë deklaruar se kurrë ose gati kurrë nuk janë kërcënuar që, për rastin, është një e dhënë e mirë. Të tjerët, pra nxënësit që janë kërcënuar në një formë apo në tjetrën, 12.9% kanë deklaruar se janë kërcënuar disa herë në vit, 7.8% disa herë në muaj dhe 2.3% një herë apo disa herë në javë. Në këtë aspekt, më të rrezikuar dalin pjesa e dy përqindjeve të fundit të cilët mund të bartin pasoja të menjëhershme apo të mëvonshme psikologjike dhe në krijimin e karakterit. Nëse i paraqesim në mënyrë grafike këto të dhëna, grafikoni do të dukej kështu:
Gjithashtu , shkatërrimi apo marrja me dhunë e gjërave personale të nxënësve të ngacmuar është një nga mënyrat e përdorura për t’i ngacmuar apo keqtrajtuar ata nëpër shkollat tona. Fenomeni gjithashtu është i lokalizuar nga një numër thuaja i njëjtë i nxënësve sikur në llojet tjera të ngacmimeve por dallon për një përqindje pak më të theksuar. Nga rezultatet statistikore mund të kuptojmë se 25.3% e nxënësve të testuar i nënshtrohem këtij lloji maltretimi nga disa herë në vit deri në disa herë në javë. Se nuk kanë përjetuar kësi lloj ngacmimi dhe trajtimi janë deklaruar 74.4% të nxënësve. Është interesante se numri i nxënësve të cilëve iu është shkatërruar pasuria personale nga disa herë në muaj deri në disa herë në javë është më i madh se numri i nxënësve që janë kërcënuar nga bashkëmoshatarët e tyre.
Edhe kur është fjala për rrahjet statistikat flasin thuaja njësoj. Rreth 75% të nxënësve kanë deklaruar se kurrë ose gati kurrë nuk janë qëlluar apo nuk janë shtyrë nga moshatarët e tyre. Mirëpo, sipas të dhënave, këtë formë të ngacmimit e provojnë disa herë brenda vitit 13.8 të nxënësve derisa disa herë në muaj apo një herë deri disa herë në javë keqtrajtohen 8.1%, përkatësisht 3.4% të numrit të përgjithshëm të nxënësve të testuar në vitin 2018.
Shpifja apo krijimi i thashethemeve të rrejshme gjithashtu është një mënyrë të cilën e përdorin 15 vjeçarët për t’i dëmtuar psikologjikisht dhe moralisht bashkëmoshatarët e tyre në shkollat tona të mesme të ulëta dhe të mesme të larta. Nga ajo që mund të hetojmë nga deklarimet e nxënësve, kuptojmë se 30.4% të nxënësve ballafaqohen me një formë të tillë të ngacmimit nga moshatarët e tyre në baza vjetore, mujore apo javore. Në këtë kuadër duhet të ceket se pjesa më e rrezikuar e këtyre nxënësve janë ata të cilët se paku njëherë apo disa herë në javë ballafaqohen me një situatë të tillë. Sipas atyre që mund të gjejmë në gjetjet e OECD, del se 5.4% të numrit të përgjithshëm të nxënësve ballafaqohen në baza javore me këtë problem derisa pjesa tjetër i nënshtrohen këtij lloji ngacmimi më rrallë. Parë në mënyrë grafike, diagrami i shpifjeve dhe i thashethemeve do të dukej kështu:
EDHE DISA GJETJE INTERESANTE NË LIDHJE ME DISA ASPEKTE TË SHFAQJES SE BULLIZMIT
Aspekti i ngacmimeve në shkollë ose i bullizmit, është shqyrtuar edhe në aspekte të ndryshme për të konstatuar rrethanat e ndryshme dhe për t’i gjetur arsyet dhe shkaqet e ndodhjes se këtij fenomeni por, gjithashtu, për ta parë incidencën e ndodhjes së fenomenit në grupe specifike të nxënësve.
Aspekti i parë që është shqyrtuar në analizën e bërë është ajo se cila është përqindja e përgjithshme e nxënësve që i vijojnë mësimet në shkollat ku ndodhë një lloj i veçantë i ngacmimit. Bazuar në tabelën OECD t006, shohim se në shkollat kosovare ku nxënësit i nënshtrohen cilitdo lloj të ngacmimit, i vijojnë mësimet 31.9% e nxënësve ndërsa në shkollat ku nxënësit i nënshtrohen ngacmimit të paktën disa herë në muaj mësimet i vijojnë 5.6% të popullacionit të përgjithshëm të nxënësve të moshës 15 vjeçare. Gjithashtu është konstatuar se në shkollat ku 25% deri 50% të nxënësve iu nënshtrohen ngacmimeve (bullizmit) së paku disa herë në muaj, i vijojnë mësimet 67.9% të tërë popullacionit të nxënësve. Në anën tjetër në shkollat ku 10% deri 25% të nxënësve deklarohen se janë ngacmuar së paku disa herë në muaj i vijojnë mësimet 22.4% nga i tërë numri i nxënësve të testuar. Nga shifrat del se 4.1% nga tërë popullacioni i 15 vjeçarëve i vijojnë mësimet në shkollat në të cilat 10% ose më pak të nxënësve janë deklaruar se janë ngacmuar së paku disa herë në muaj.
Në aspektin gjinor, nga 70% të nxënësve që janë deklaruar se janë ngacmuar se paku disa herë në muaj,proporcioni gjinor del se është 36.3% për djemtë dhe 27.7% për vajzat. Ndërsa bazuar në gjendjen ekonomike të nxënësve, nga rezultatet e dala, të dhënat tregojnë se nga 70% të nxënësve që kanë përjetuar ngacmime, 32.2% janë nxënës nga shtresat e varfra ndërsa që 27,6% prej tyre u përkasin shtresave në gjendje të mirë ekonomike.
Sa i përket shpërndarjes se ngacmimeve në nivelet shkollore, shkolla e mesme e ulët dhe shkolla e mesme e lartë nuk qëndrojnë larg njëra tjetrës. Kështu, sipas përgjigjeve të nxënësve, ka dalë se në shkollat e mesme të ulëta, nga 70% të të ngacmuarve, vijojnë mësimet 34.2% e nxënësve derisa në shkollat e mesme të larta 31.2% prej tyre derisa pjesa tjetër e nxënësve nuk janë deklaruar.
Interesante është edhe elementi i shpërndarjes së ngacmimeve ndaj nxënësve që kanë treguar rezultat të mirë në lexim dhe atyre që nuk kanë treguar rezultat të mirë. Në këtë ndarje mund të shohim se ngacmimet janë më shumë të shprehura ndaj atyre nxënësve që në testin e PISA-s kanë treguar rezultat më të dobët dhe thuaja, përgjysmë më pak, ndaj atyre që kanë treguar rezultat të mirë. Kjo tregon se shpesh ngacmimet orientohen ndaj personave që janë më të dobët në cilindo aspekt, ndaj atyre që janë më të dobët fizikisht, që janë më të dobët në mësime apo ndaj atyre nuk kanë ndonjë lloj të mbrojtjes fizike (fëmijë e vetëm, pa prind etj.). (vijon…)