Pritja e njerëzve për bërjen e një koalicioni është në të shuar dhe lufta për të gjetur fajtorin është në vlugun e saj maksimal. Gjithçka do të ishte normale nëse do të kishte shprehje dëshpërimi dhe zhgënjimi me të gjithë politikanët që na gënjyen e e plaçkitën votën tonë në mënyrën më të paskrupullt dhe tinëzare.
Shqetësuese dhe sinjifikative është një shprehje e pakontrolluar e urrejtjes së grupeve të militantëve të të dyja taborëve politike. Është shqetësuese kjo sepse, që nga paslufta kur militantët e PDK-së dhe AAK-së kërcënonin edhe me jetë njerëzit e LDK-së, nuk më ka ndodhur të shoh dhe të lexoj një shpërfaqje të tillë të urrejtjes, shpesh patologjike, mes shqiptarësh dhe mes militantësh të partive të ndryshme politike të cilat fituan votat vetëm me kushtin që të ishin bashke dhe ta fillonin një epokë të re për këtë popull..
Urrejtja ka një shtrirje vertikale dhe horizontale. Këtë ndjenjë primitive e shprehin politikanët në debatet televizive, e shprehin ‘analistët’ profetikë që nuk ia qëllojnë kurrë dhe, më së keqi dhe më se vrazhdi, e shprehin militantët e shkretë të cilët ndjehen thellësisht të mashtruar, ndyrësisht të plaçkitur dhe pakthyeshëm shpresëhumbur.
Shqetësuese është mënyra e shprehjes së urrejtjes, është diskursi i përdorur, është leksiku dhe është mungesa e çdo vetëkontrolli kur është fjala e përdorimit të fyerjeve dhe sharjeve. Nuk kam asnjë dhimbë për asnjërin politikan të cilitdo nivel apo krah t’i përkasë por kam shqetësim se, po këta politikanë, po mbijetojnë dhe po ekzistojnë jo duke bërë punën për të cilën i votuam por duke e ekstremizuar deri në terror psikologjik krahun e vet të militantëve.
Më shqetëson gjendja psikologjike e masës e cila në portale dhe në rrjete sociale shprehet duke e zbrazur tërë ngarkesën negative që e ka akumuluar duke qenë të zhgënjyer dhe të gënjyer për më shumë se njëzet vite. Më shqetëson humbja e arsyer dhe e rezonimit racional, me shqetëson padurimi minimal dhe më frikëson dalja nga kufijtë tradicionalë të të folurit publik.
Nëse e shikon gjuhën e përdorur nga militantët e VV dhe të LDK, do të vëresh se asnjëri grup nuk kursehet në përdorimin e pjesës së leksikut të cilin, për shkak të edukatës familjare, nuk guxonim ta përdornim as në ambiente familjare dhe as në ambiente pak më të gjëra. Në shkrimet që mund t’i lexoni mund t’i gjeni fyerjet dhe fjalët më të ndyta që i ka fjalori ynë. Mund të shihen frazeologjizma dhe shprehje të cilat po t’i përdornim ku ishim fëmijë do të hanim një dru të mirë nga prindërit apo gjyshërit tonë sepse, në atë kohë, familja dhe kultura e autoriteti i saj matej edhe me mënyrën e përzgjedhur të komunikimit që bënin anëtarët e familjes.
Jam shumë i shqetësuar se kjo formë e shprehjes së urrejtjes tregon se sa pak e kemi emancipuar komunitetin tonë të militantëve politikë dhe në ç’ nivel të ultë kulturor dhe psikologjik i kemi vënë turmat që na besojnë dhe presin prej nesh. I shqetësuar jam edhe për arsyen se një shprehje e tillë e mllefit dhe e urrejtjes ka përmasa shumë herë më të mëdha kundër kundërshtarëve ë brendshëm politikë sesa që ka ndonjë përmasë, ta zëmë, kundër armikut tonë shtetëror, Serbisë.
Nga diskursi i përdorur në postimet e militantëve të VV dhe LDK, e shoh se po mbillet një urrejtje irracionale e cila nuk do të çrrënjoset aq lehtë nga të menduarit e masës votuese dhe nga mendësia e militantëve partiakë. Frikohen se kjo fushatë patologjike e urrejtjes mund të shndërrohet në kulturë të luftës politik në të ardhmen dhe frikohem se, duke u shpërfaqur në këtë mënyrë, kjo urrejtje paraqet edhe shkallën e emancipimit të përgjithshëm të popullsisë.
Dua të cekë se kjo gjuhë dhe kjo urrejtje duhet të hiqet nga komunikimi i përditshëm i politikanëve. Këta njerëz duhet ta kuptojnë se ndikimi i tyre është i pakontestueshëm në masat e besimtarëve të tyre dhe duhet ta kuptojnë se kjo masë nuk ka nevojë për urrejtjen e tyre dhe sjelljet e tyre gati patogjene.
Këta njerëz kanë nevojë për një shpresë të re, për një qasje humaniste ndaj të ardhmes së tyre dhe të familjeve të tyre. Ata nuk janë altoparlantët e pafuqisë dhe pakulturës se politikanëve që i kanë zgjedhur, prandaj populli, nëse nuk mund të bëni mirë për të, nuk ua ka borxh që në shpirtin e tij ta mbillni urrejtjen dhe mendësinë skëterrike që po e manifestoni.
Mendoj se kjo masë politikanësh, tashmë, është bërë e rrezikshme për shëndetin mendor të popullit dhe ose duhet të ndërrojnë qasje, ose duhet ta fusin bishtin nën shalë, të zhduken nga skena politike, e ta lënë popullin në hallet e pafundme që i ka!