Qiriazët, ishin ndër ato familje të shumta shqiptare, që jetonin në Manastir, i cili kishte një pozitë gjeografike të rëndësishme nga pikëpamja strategjike, administrative e tregtare. Manastiri në atë kohë përshkruhej nga një rrjet i dendur rrugësh që e lidhte Shkupin, Dibrën, Janinën, Selanikun dhe Konstantinopojën. Lidhja hekurudhore e Manastirit me Selanikun i kishte dhënë rëndësi të veçantë këtij qyteti, sepse, siç shkruante Sami Frashëri “Ishte një nyje në mes të Selanikut dhe të Shqipërisë”. Në fund të shekullit XIX, shkruante Sami Frashëri në fjalorin e tij enciklopedik, 2/3 e popullsisë së këtij qyteti ishin myslimanë, ndërsa pjesa tjetër vllehë, sllavë, grekë, ebrejë,. Gjuha e qytetit ishte turqishtja. Flitej edhe gjuha shqipe, pastaj sllavishtja, vllahishtja, greqishtja si dhe gjuha spanjolle.
Meqenëse në kët qytet flitej jo një gjuhë dhe ndiqeshin shkolla të ndryshme, edhe 10 fëmijët e Dhimitër e Marije Qeriazit, flisnin në disa gjuhë, si bullgarisht, greqisht, vllahisht e turqisht. Por, siç shkruante Sevasti Qiriazi në kujtimet e saj, nëna në shtëpi nuk na lejonte të flisnim veçse shqip.
Duke jetuar në kryeqendrën e vilajetit në Manastir (nyja që lidhte Shqipërinë me kryeqendrën e perandorisë Stambollin), shtëpia e tyre u bë një vatër e rëndësishme, që priste dhe përcillte atdhetarët e shquar shqipatrë të Rilindjes Kombëtare si Konstantin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Nuçi Naçin, Orhan Pojanin, etj.
Në historinë e popullit shqiptar, veçmas në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, të rralla janë ato familje, të cilat tërë potencialin moral e material, shpirtëror e intelektual ia kushton çështjes kombëtare sikurse në planin ççlirimtar, poashtu edhe në atë kulturo-arsimor, si familja Qiriazi e Manastirit, e cila i fali kombit pesë (5) intelektualë; Gjerasimin, Gjergjin, Kriston, Sevastinë dhe Parashqevinë. Këta ishin bijtë dhe bijat e Dhimitër dhe Maria Qiriazit nga Manastiri.
Kongresi kombëtar, i mbajtur në Manastir prej 14 deri 22 nëntor 1908, shqyrtoi disa çështje të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare në këtë fazë të Rilindjes Kombëtare. Në qendër të punimeve në Kongres ishte zgjidhja e përfundimtare e problemit të alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor e kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e lëvizjes kombëtare. Për ta përmbushur këtë kërkesë atdhetarët shqiptarë shpejtuan të shfrytëzonin gjendjen e krijuar pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908). Pak muaj pas kësaj, klubi “Bashkimi” i Manastirit u bë nismëtar për thirrjen e një Kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si “KONGRESI I PARË I MANASTIRIT”. Në të morën pjesë 50 delegatë të shoqërive, klubeve dhe të organeve kombëtare të shumicës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare të jashtme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës e mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kombëtare si; Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Mihal Grameno, Hil Mosi, Mati Logoreci, Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, etj. Kongresi zgjodhi nga gjiri i tij një komision, që përbëhej nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Pas mjaft diskutimeve u krijua një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë diagrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (Ç, Ë). Në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarët, ashtu edhe alfabeti i ri. Dy alfabetet e pranuara ndryshonin në shtatë (7) shkronja.
Vendimet e Kongresit, që ishin kurorëzim i veprimtarisë së shtjelluar nga shumë breza lëvruesish të shqipes dhe i përpjekjeve të pandërprera për afrim e njësim, u pritën me gëzim dhe u vunë menjëherë në zbatim. Brenda pak vitesh alfabeti i krijuar nga Kongresi, që është alfabeti ynë i sotëm, mori përsipër dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes.
Kongresi i parë i Manastirit, pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi. Gjatë ditëve të Kongresit, u organizuan takime të veçanta e mbledhje të mbyllura me delegatët më të vendosur e me pikëpamje më të përparuara. Në to u rrahën probleme të mprehta politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afirmuar pikëpamjet për të përcaktuar platformën politike të përbashkët të organizatave kombëtare e për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre. U hartua edhe një plan kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës për ta paraqitur në Parlament në emër të shqiptarëve. Kongresi i Manastirit u përpoq ta ngrinte në një shkallë më të lartë Lëvizjen Kombëtare, ku kontributi I familjes Qirjazi ishte I pakontestueshëm.
Familja Qiriazi e ka prejardhjen nga fshati Peras, rrethi i Kolonjës, të cilët aty ishin shpërngulur nga Durrësi, në fillim të shek. XIX. Nuk është e njohur se kur u shpërngul kjo familje në fshatin Tërrnovë, që shtrihet 8 km. në veriperëndim të Manastirit. Ata u shpërngulën nga vendlindja e tyre që të shpëtojnë nga vuajtjet që pësonte popullsia shqiptare e Kolonjës, sidomos pas vdekjes së Ali Pashë Tepelenës. Sa i përket emrit të familjes Qiriazi, është e njohur se babai i Dhimitrit e ka pasur emrin Qiriaz, por edhe gjyshi ka pasur të njëjtin emër. Pas martesës së Dhimitrit me vajzën e quajtur Maria, çifti bashkëshortor lindën 10 fëmijë (7 djemë dhe tri vajza); Tashkoja, Konstantini, Gjerasimi, Gjergji, Naumi, Kristoja dhe Pandeliu, kurse vajzat; Fanka, Sevastia dhe Parashqevia.
Derisa vëllezërit e Dhimtrit, vazhduan të jetojnë e të punojnë në fshatin Tërnovë, ai së bashku me të birin më të madh Tashkon, i ndihmuar nga vëllezërit, fillon të merret me tregtinë e dërrasave në Manastir. Atje hapi një dyqan për shitjen e dërrasave, të cilin pastaj e shndërroi në një depo të madhe. Duke u marr me tregti, Dhimitri krijoi mundësinë që në Manastir, në lagjen “Sallatash” të blejë një shtëpi me oborr të gjerë e me mure të larta, ku u vendos me tërë familjen.
Para se të flasim për secilin veç e veç, duhet theksuar fakti se janë të rralla edhe në botën me qytetërim të lartë, kur anëtarët e një familjeje hyn së bashku me historinë e lëvizjes kombëtare të një populli, siç është rasti me familjen e Qeriazëve.
- GJERASIM QIRIAZI (1858-1894) u lind më 18 tetor 1858, në fshatin Tërnovë, afër Manastirit. Në moshën 6 vjeçare hyri në shkollën greke, ku dallohet si nxënës i shquar. Në moshën 13 vjeçare bëhet çirak tek një këpucëtar dhe kështu filloi t’i ndihmojë familjes në pikëpamje materiale. Në vitin 1873, dy misionarë amerikanë vendosen me qira në një shtëpi afër Qiriazëve në Manastir. Ata i mundësuan që gjatë mbrëmjeve të mësojë në shkollën private anglisht. Më vonë, pasi kreu shkollën e mesme në gjuhën greke, studioi në Samokovë në Bullgari, shkencën e teologjisë dhe diplomacisë. Pasi kreu studimet, ndjenjat atdhetare e detyruan të angazhohet për përhapjen e arsimit dhe diturisë, për t’i zgjuar vëllezërit e vet nga gjumi i padijes. Së bashku me motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi hapi shkollën e njohur shqipe për vajza në Korçë më 1891. Libri i tij “Hristomadhi” (1902), ndihmoi për edukimin patriotik. Gjerasimi në Korçë organizoi shoqërinë “Vëllazëria” për të ndihmuar shkollën e vajzave dhe për përhapjen e arsimit në fshat. Si atdhetar, pedagog, publicist e në radhë të parë si iluminist, e shihte padijen pengesën kryesore për përparimin e kombit. Për veprimtarinë e tij kombëtare u ndoq vazhdimisht nga pushteti dhe reakcionarët. Vdiç shumë i ri, në moshën 36 vjeçare.
- GJERGJ QIRIAZI (1865-1912)
Gjergj Qeriazi, lindi në Manastir në vitin 1865, në familjen e njohur atdhetare të Qeriazëve, sikurse vallai i tij më i madh Gjerasimi, poashtu dhe ky u shkollua në shkollat greke, e më pas amerikane. Gjatë tërë jetës së tij, Gjergji zhvilloi një veprimtari të dendur në planin politik, shoqëror, publicistik e sidomos kulturo-arsimor. Pas vdekjes së parakohshme të Gjerasimit, Gjergji e vazhdoi punën e tij në çështjet organizative për mbajtjen dhe ekzistimin e Shkëllës Shqipe të vashave në Korçë, të cilën e udhëhoqte motra e tyre Sevastia.
Gjergji ishte sekretar dhe nënkryetar i Klubit shqiptar “Bashkimi” të Manastirit, ku luajti rol sidomos për organizimin dhe zhvillimin e punimeve të “Kongresit të Parë të Manastirit” 14-22 nëntor 1908. Mori pjesë në Komitetin e fshehtë të Manastirit “Për Lirinë e Shqipërisë” të Bajo Topullit, në vitet 1905-1908, etj.
Gjergji dha ndihmesë të rëndësishme për përgatitjen e teksteve shkollore. Është autor i parë i tekstit të mirëfilltë të fizikës në gjuhën shqipe (1899 në Bukuresht), e pajisur me të dhëna të reja në fushën e fizikës të shek. XIX. Botoi një “Hristomadhi” në dy vëllime (1902 e 1907) me pjesë letrare didaktike.
Bashkëpunoi me disa organe të kohës, duke trajtuar çështje kulturore e shoqërore, si dhe u interesua në veçanti për dorëshkrimet e Kanstantin Kristoforidhit.
- PARASHQEVI QIRIAZI (1880-1970)
Parashqevi Qiriazi, lindi në Manastir më 2 qershor 1880. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në vitin 1899, ishte nxënëse e Shkollës së Vashave në Korçë. Edhe Parashqevia mësimet e larta i kreu në Kolegjin Uimins në Stamboll në vitin 1904. Kthehet në Korçë dhe merr drejtimin e shkollës shqipe të vajzave dhe iu kushtua mësuesisë. Në vitin 1908, mori pjesë aktive në Kongresin e Manastirit. Më 1909, Prashqevia botoi në shtypshkronjën “Bashkimi i kombit” “ABETARE PËR SHKOLLAT E PARA”, duke zënë vend në historinë e shkollës shqiptare si e para grua autore tekstesh shkollore. Në shkrimet e saj shfaqi pikëpamjet demokratike të përparuara të kohës, ishte për arsimin fillor falas e të detyruar, të shtrirë edhe në fshatra, për organizimin e shkollave të mbrëmjes dhe të universitetit popullor. Ajo ushtroi gjithashtu, nevojën e organizimit të institucioneve kulturore në Shqipëri, si ngritjen e bibliotekave në qytete, themelimin e një shtëpie botuese etj. Qe një nga themelueset kryesore të shoqërisë së grave “Yll’i Mëngjezit” (Korçë, 1909). Me bashkëpunimin e së motrës Sevasti Qiriazi, përgatiti dhe botoi në mërgim revistën “Ylli i Mëngjezit” (1917). Mori pjesë në Konferencën e Paqes (Paris, mars 1019) si përfaqësuese e shqiptarëve të mërguar në Amerikë. Në atdhe u kthye në vitin 1921, dhe vazhdoi të merrej më çështjen arsimore e kulturore. Pas Luftës së Dytë Botërore, botoi kujtimet nga veprimtaria e saj patriotike.
- SEVASTI QIRIAZI (1871-1949)
Në hsitorinë e arsimit dhe të shkollës shqipe, personaliteti dhe vepra arsimore-pedagogjike e Sevasti Qiriazit, aë vend të nderuar. Ajo ishte mësuese, pedagoge dhe organizatore e edukimit dhe arsimimit të femrave, veprimtare e palodhur e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë, atdhetare e flaktë, intelektuale dhe poliglote që zotëronte shumë gjuhë të huaja.
Sevastia lindi në Manastir në vitin 1871. Në fillim mësoi në shkollën fillore greke, e më vonë në shkollën amerikane në Manastir, ndërkaq studimet e larta në Kolegjin e vajzave në Stamboll, në vitin 1891, nën kujdesin e Naim Frashërit. Menjëherë pas diplomimit, Sevastia u kthye në Shqipëri për të puanuar në shkollën shqie të vashave. Mori pjesë në Kongresin e Elabasanit (1909), ishte anëtare e komisionit për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritura nga shoqëria “Përparimi”. Botoi “Gramatikën elementare për shkollat fillore” (Manastir 1912), Shkronjëtoren e gjuhës Shqipe”, dhe përgatiti për botim serinë e teksteve të historisë së kohës së moçme, të mesme, të re dhe të sotme etj.
Pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit dhe të Elbasanit e të dy motrave Parashqevi e Sevasti Qiriazi, nuk ishte e rastësishme, por rrjedhojë e autoritetit të lartë që gëzonte shkolla e tyre. Deri në atë kohë, në asnjë veprimtari politike e kulturore, mbledhje a kongres kombëtar nuk kishte marrë pjesë asnjë grua. Sevastia dhe Parashqevia e përfaqësuan me dinjitet shkollën e tyre në këto forume të rëndësishme kombëtare, duke çuar përvojën e shkollës, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë pedagogjik.
Dy motrat Sevastia dhe Parashqevia, si drejtuese të Shkollës së Vashava në Korçë e si organizatore, qëndrojnë në radhë të parë të luftës për të vënë në jetë programin iluminist për arsimin e popullit tonë. Si pioniere e emancipimit, gjithë jetën ia kushtuan edukimit dhe emancipimit të grave shqiptare për t’i përgatitur si nëna të së nesërmes dhe shtylla të fuqishme të kombit tonë. Si krijues, të dyja motrat kanë meritë se guxuan të shkruajnë e të krijojnë, si gra janë ndër të vetmet në kohën e tyre që dhanë një kontribut për pasurimin e botimeve didaktike. Si politikane e diplomate ato e përfaqësuan me dinjitet lëvizjen tonë kombëtare dhe mbrojtën me guxim para diplomacisë së Fuqive të Mëdha dhe forumeve ndërkombëtare kërkesat e shqiptarëve e të drejtat legjitime të popullit tonë. Diplomacia evropiane e quajti Parashqevi Qiriazin “Zhan D’Arka Shqipate”. Si oratore, u shquan të dyja motrat për qartësinë e mendimit dhe predikuan në popull idetë e mëdha të Rilindjes Kombëtare, të luftës së drejtë që bënte populli ynë për ruajtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të vendit tonë. Në mënyrë të veçantë, si mësuese u shquan për vullnetin, pasionin, këmbënguljen dhe për kërkesat e larta për ta ngritur shkollën e tyre në nivelin e shkollave më të mira të kohës.