(Adem Jashari, Simbol i qëndresës frymëzues i lirisë)
Janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ai ishte edhe është Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka krijuar shenjat e shenjta të përmasës kombëtare, andaj është kthyer në legjendë. Jo rastësisht, andaj, përkundër të gjitha rregullave të luftërave, pas rënies së Komandantit, ushtria e tij çlirimtare, në vend që të dorëzohej dhe të mundej, ajo rritet dhe del fitimtare. Prandaj, në jetën e popujve ndodhin ngjarje të mëdha dhe të vogla historike. Me kalimin e kohës, këto ose bëhen përmasë e kujtesës historike dhe kombëtare te popujt historikë, ose zbresin në zonën e kujtesës folklorike, te popujt historikë. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, është bërë shenjë e epokës së lirisë së shqiptarëve, duke hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar. Pa Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa çlirimin dhe lirinë e Kosovës, ky proces i madh historik i bashkimit kombëtar ishte lënë në harresë.
Hyrje
Jeta historike e popullit shqiptar, nëpër të gjitha ngjarjet e e lakadredhat e mëdha të historisë, para se të përmbyste padrejtësitë historike, ka krijuar bërthamën kombëtare, e cila me veprimin e saj historik, ndryshon ecjen së prapthi të historisë, siç kishte ndodhur me historinë e shqiptarëve, kur i ishte përgjysmuar gjeografia kombëtare dhe kur gjysmën e popullit e kishte të robëruar. Bërthama kombëtare, që përmbys padrejtësitë historike, i ngjan vullkanit, krateri i të cilit mund të jetë i vogël, por kur shpërthen, rrënon çdo gjë para vetes. Një bërthamë të këtillë e kishte krijuar mesjeta shqiptare me Skënderbeun. Kështu që lufta e kësaj bërthame kombëtare zgjati 25 vjet kundër perandorisë më të madhe të botës. Një bërthamë tjetër, ishte ajo e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, që krijoi edhe forcën ushtarake për të mbrojtur tërësinë e tokave shqiptare. Kurse, që pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, tokat shqiptare, edhe me nënshkrimet e qendrave evropiane të kohës, ishin copëtuar dhe ishin degdisur në disa xhuxh shtete të Ballkanit. Duhej një shekull jetë, përpjekje, përgjakje, burgosje, helmime, luftëra nga më të ndryshmet, derisa në gjirin e popullit shqiptar ishte krijuar bërthama kombëtare, së cilës i printe Adem Jashari. Ai ishte pjesë e të gjitha lëvizjeve shqiptare, që bënin përpjekje të dëshmonin para botës se Kosova ishte e pushtuar, kurse populli i saj, ishte i robëruar. Nga data 28 nëntor të vitit 1997, kur del publikisht, edhe me urdhër të Komandantit Legjendar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bërthama kombëtare që i printe Adem Jashari, bëhet arma e çlirimit dhe e lirisë së kësaj pjese të atdheut, që quhet Kosovë.
Në jetën e popullit shqiptar ka shenja të ecjes së tij nëpër histori, që ose janë harruar me kohën, do të thotë nuk janë bërë kujtesë historike, ose ende nuk u është bërë vendi në histori, ose janë bërë shenjë e kujtesës kombëtare të shqiptarëve, pa marrë parasysh se çfarë fati kishin tokat shqiptare nëpër rrënojat e historisë.
Njëra prej këtyre shenjave, që ka përmbysur shekuj robërie të historisë së shqiptarëve, është edhe sakrifica hyjnore e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Këto shenja janë të shenjta, jo vetëm me përmasën e tyre historike, por edhe me përmasën e tyre kombëtare dhe njerëzore. Këtë e dëshmon edhe vetëm një fakt i vetëm. Për këto vjet, më shumë se 13 milion shqiptarë, por edhe të huaj, janë përkulur dhe kanë bërë nderim para luftës, rënies dhe lirisë së tij, të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit dhe të familjes së tij.
- 1. Historia dhe legjenda e rënies
Dikush mund të thotë se këto shenja kanë diçka hyjnore në radhën e ndodhjes së tyre. Do të thotë, një fat përcaktues suprem i ecjes së këtillë të jetës së popullit shqiptar. Dikush tjetër mund të thotë se këto shenja kanë diçka nga mungesa e gjatë e dinjitetit në jetën historike të shqiptarëve, andaj duhej sakrifica hyjnore e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe e familjes Jashari, që t’i kthehej dinjiteti një populli të tërë, jo vetëm pjesëve të tij të pushtuara. Pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asgjë më nuk është si kishte qenë, as Shqipëria londineze, as Kosova, as pjesa shqiptare e Maqedonisë, as pjesa shqiptare e Malit të Zi, as shqiptarët e Kosovës Lindore, por as shqiptarët e mërgatës së madhe shqiptare, njërës nga mërgatat më tragjike në historinë e njerëzimit.
Me këtë rast, nuk do të merrem me rrugën jetësore të shqiptarëve deri më 5 mars 1998. Jo vetëm pse dihet, por ngase nuk e kam ndër mend të shkruaj për rrënojat e mëdha historike të shqiptarëve të robëruar të Kosovës. Sado që po sjellë vetëm një fakt të vogël historik, për të prekur vetëm një aspekt të përgatitjes së kësaj bërthame kombëtare që i printe Adem Jashari, i cli pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në ilegalitet duke u marrë me veprimtari guerile atdhetare. Komandanti i ardhshëm Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, kishte organizuar dhe mbështetur thuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Jo një ditë, apo një javë ose një muaj para 28 nëntorit të vitit 1997, por shumë kohë më parë. Në vitin 1994, në vjeshtën e atij viti, Shërbimi Sekret Serb, që përcillte secilën fjalë dhe secilin veprim të shqiptarëve, zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi.
Serbia pushtuese, kishte organizuar dhe kishte mbajtur publikisht procesin gjyqësor kundër këtij grupi. Vendimet për dënimin e grupit që kishte marrë Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ishin njësoj sikur të dënoheshin kriminelët e luftës. Me këtë rast, shpallen fajtor, si terroristë, Adem Jashari, Besim Rama, Ilaz Kodra, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Fadil Kodra, Zenun Kodra, Nuredin Lushtaku, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, ldriz Asllani, Ali Jonuzi dhe Jakup Nura. Adem Jashari ishte dënuar me 20 vjet burg, në mungesë. Në kohën kur mbaheshin gjyqe të këtilla në Kosovë, dihej se ekzistonte një bërthamë çlirimtare, që i kishte vënë vetes detyrë të çlironte Kosovën dhe pjesët e tjera të tokave shqiptare, që Evropa ia kishte lënë ish-Jugosllavisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913.
Prandaj, edhe për veprimtarinë luftarake dhe atdhetare, për qëllimin e kësaj bërthame kombëtare, që ishte lufta çlirimtare e Adem Jasharit, e dinte edhe politika pacifiste e asaj pjese të Kosovës që shpresonte dhe shihte ëndërr me sy hapur se liria ose vjen nga qielli, ose e sjellë dikush nga jashtë, ose çdo javë duke mbajtur Konferenca për shtyp, andaj këto ngjarje dhe zhvillimet e kësaj natyre i shikonin me mosbesim.
Mirëpo, përkundër këtyre ngjarjeve që zhvilloheshin kudo në Kosovë, përditshmëria politike dhe jeta që bënin shqiptarët e këtyre viteve, ishte jashtë logjikës së veprimeve që bënte bërthama çlirimtare e Adem Jasharit. Në këtë kohë, të thuash se shqiptarët ishin të robëruar deri në këtë vit dhe deri në këtë datë, kishte që thoshin se nuk kemi qenë të robëruar. Ka të tjerë që dilnin edhe nëpër botë e thoshin, nuk ishim aq keq, sepse kishim edhe republikë në kuadër të Jugosllavisë. Më tutje, kishte që dilnin e thoshin se kurrë nuk kemi qenë plotësisht të robëruar, ngase përherë kemi rezistuar kundër pushtuesit, ani çka se nuk e kemi hequr robërinë. Nga të gjitha këto, shqiptarët e atyre viteve të luftës çlirimtare të Adem Jasharit, kishin zënë të besonin se ndoshta të gjitha këto kishin diçka nga e vërteta. Mirëpo, për fat të keq, të të gjithë këtyre iluzionistëve shqiptarë, historia nuk merret as me gjysmë të vërtetat, aq më pak me çerek të vërteta, por nuk merret fare as me të vërtetat që janë vetëm fjalë. Historia e një populli historik merret vetëm me veprimet historike të atij populli, veçmas kur është fjala për lirinë e tij, për dinjitetin kombëtar të tij, për luftën kundër robërisë së tij. Në këtë rrafsh të kuptimit të historisë, Lufta Çlirimtare e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, ishte veprim historik me përmasë kombëtare. Do të thotë, nëse historia merret vetëm me kategorinë e këtillë të veprimeve të një populli që mëton të jetë historik, atëherë mund të thuhet se më 5 mars 1998, shqiptarët e kishin fituar lirinë. Më 5 mars 1998 shqiptarët vunë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur si popull historik. Më 5 mars 1998 shqiptarët përmbushën kërkesën elementare historike për ta mundur robërinë – bënë veprime historike për ardhmërinë e tyre. Të gjitha këto kishin ndodhur nën drejtimin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe sakrificës të përmasës mitologjike të familjes së tij-familjes së madhe Jashari.
Siç dihet botërisht, nga kjo luftë e pabarabartë dhe e pashembullt në historinë botërore të luftrave çlirimtare, mbijeton vetëm Besartë Jashari – 11 vjeçare.
Veprimtarët e bërthamës kombëtare të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, me aktin e sakrificës së tyre janë bërë pjesë e përjetësisë së jetës shqiptare, kudo që është ajo, sepse duke i dhënë besën tokës së atdheut, janë bërë shenja shprese të jetës së re, që po lindte pas më shumë se një shekull përgjysmimi dhe robërie. Me veprimin e tyre historik, sepse vetëm lufta për liri është veprim i tillë, Komandanti Legjendar dhe familja e tij, ia kthyen dinjitetin njeriut shqiptar, i dhanë frymë të re lirisë sonë. Mirëpo, në anën tjetër, duke shqyrtuar këtë përmasë flijimi, diçka që nuk e ke as në lashtësitë e popujve të tjerë të botës, as në librat e feve të ndryshme, doemos ringjallen kronikat e kohëve të përgjakshme si dhe luftërat e parreshtura për lirinë e atdheut.
Shenjat e shenjta që ka krijuar rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familja e tij, e bën pjesë të veprimit historik edhe kujtesën tonë kombëtare, të ndaluar nga dhuna e pushtuesit, siç janë kujtimet e Hasan Prishtinës “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912”, pastaj, është e pamundur të mos kujtohet kryevepra e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare”, për luftën kundër pushtuesit në Mashkullore dhe në tërë Jugun e atdheut, doemos vjen në kujtesën tonë historike, vepra me peshë të veçantë historike e Risto Siliqit: “Pasqyrë e ditëve të përgjakshme”, që e bën, përveç të tjerash, kujtesë të përmasës kombëtare ngritjen e Flamurit Kombëtar në Deçiç, në kryengritjen e vitit 1911. Të gjitha këto ngjarje, janë bërë pjesë e luftës, qëndresës, rënies dhe përjetësisë së familjes Jashari, kurse luftës çlirimtare të Komandantit Legjendar i ka dhënë përmasë kombëtare.
Lufta e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe bërthamës së tij kombëtare, nuk ishte vetëm përpjekje për t’ia kthyer pushkën armikut, por ishte në radhë të parë mundësi reale e organizimit të një ushtrie nga radhët e popullit (që është shenjë e parë e popullit historik). Ky popull, njohur e panjohur Komandantin Legjendar, ia kishin ditur, apo nuk u kujtohej emri i tij, kur ai kishte rënë, ky popull pra, në ato çaste nuk kishte asgjë të veten: ishte pa shtet, pa pushtet, pa ushtri. Në ballë të kësaj ushtrie ishte një njeri, që me veprimin e vet historik vuri në altarin e lirisë, jo vetëm jetën e tij, por jetën e tërë familjes, me një vetëdije hyjnore.
Këtu, tashti prishen të gjitha rregullat që mësohen në akademitë ushtarake, se kur vritet, kur zihet rob, kur nxirret nga radhët e luftës, komandanti, ose udhëheqja e asaj lufte, atëherë pushtuesi e ka fituar atë luftë, atëherë mund të vazhdojë edhe më tej robëria, shfrytëzimi, nëpërkëmbja e dinjitetit të atij populli. Por, ndodhi e kundërta e këtij rregulli, e kësaj doktrine, sepse në radhë të parë, sakrifica ishte e përmasave hyjnore, ishte e përmasave antologjike, diçka qiellore që vinte dhe mbillte shpresën e madhe, se kësaj radhe, historia ishte në anën e popullit shqiptar.
Më 5 mars 1998, u vu në themelet e lirisë së shqiptarëve Komandanti Legjendar, Adem Jashari, duke u bërë frymëzues i lirisë i brezave të shqiptarëve, sepse kur vritej babai, armën e lirisë e merrte i biri, pa marrë parasysh i kishte mbushur ende 18 vjet, apo ishte ende fëmijë, sepse kur vritej vëllai, pushkën e merrte motra, pa marrë parasysh ishte e fejuar, apo ende priste djaloshin që do t’ia falte zemrën. Pra, liria erdhi duke u rritur, siç po vjen duke u rritur, pa marrë parasysh se çka thonë politikanë të ndryshëm të Kosovës, të pasluftës së UÇK-së, qoftë për karrierë politike dhe diplomatike, qoftë për të fituar më shumë vota në zgjedhjet që bëhen një herë në tre, apo katër vjet. Po ashtu, pa marrë parasysh edhe çka thonë veprimtarë atdhetarë të ndryshëm, që kanë dhënë shumë për Kosovën, ngase Kosova nga 5 marsi i vitit 1998 ka lirinë, ka dinjitetin historik dhe e ka hequr robërinë shekullore.
2. Koha në Kosovë matet me Luftën e Komandantit Legjendar
Nga kjo datë, koha në Kosovë matet me Kosovën e paraluftës së UÇK-së dhe Kosovën e pas kësaj lufte.
Me 5 mars të vitit 1998, Komandanti Legjendar i lirisë sonë, Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit, gjatë tërë historisë së qëndresës së këtij populli në luftën për liri. Në këtë datë dhe në këtë ditë, Komandanti bashkë me familjen, kishin thënë njëzëri: -Nuk do të dorëzohemi për së gjalli! Pastaj, ishte bërë një heshtje e gjatë, sa njeriut i dukej se nuk kishin folur kurrë. Atëherë, Anteu i lirisë kishte thënë: – Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!
Prapë ishte bërë heshtje e gjatë. Sa dukej, kishte mbetur pa u thënë argumenti i veprimit historik, që është lufta për liri, andaj Komandanti Legjendar Adem Jashari, u kishte thënë babait, të vëllait Hamzës, nënës Zahide, djemve dhe vajzave, nipave dhe mbesave, grave dhe nuseve të shtëpisë, dajave dhe kushërinjve, u kishte thënë luftëtarëve të lirisë së Kosovës: – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime . Pastaj, duke e ditur se Kosova ishte vetëm pjesë e atdheut, Komandanti u kishte thënë luftëtarëve të tij: – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne, sesa Atdheu. Kështjella e lirisë së Kosovës, kishte ushtuar nga zërat e të gjithë Jasharëve, sa i kishte dëgjuar edhe qielli.
Këtu tashti prishet edhe mundësia e kërkimit të ndonjë shëmbëllimi në historinë e përbotshme, siç bëjnë ndonjëherë historianë dhe sociologë shqiptarë, që ende nuk janë liruar nga mendësia e të shkruarit të historisë vetëm duke akuzuar, ose vetëm duke u ankuar për fatin e rëndë të popullit që i takojnë. Kërkimi i shëmbëllimeve në historitë e popujve të ndryshëm të botës, është i pavlefshëm, edhe për shkakun se shqiptarët ishin formuar si komb, por u ishte copëtuar shteti dhe gjeografia kombëtare. Një pjesë e tyre e kishte shtetin, njëherë e një kohë një shtet demokratik, pastaj monarkinë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore një shtet ideologjik, në fund, edhe shtet demokratik. Dhe, për çudi, as në kohën e shtetit monarkik, as në kohën e shtetit ideologjik, as në kohën e shtetit demokratik, nuk kishte të drejtë, ose nuk e lejonin të bënte një veprim historik, pra, të luftonte për lirinë e pjesëve të robëruara të popullit të tij, të luftonte për kthimin e pjesëve të copëtuara të gjeografisë së tij kombëtare.
Tashti prishet, pra, edhe rregulli i tretë i luftës për liri, i luftës për dinjitet historik, i luftës kundër robërisë. Prishet ky rregull, edhe nga fakti se ekzistonin marrëveshje ndërshtetërore, marrëveshje ndërkombëtare të të gjitha niveleve, ku, pos të tjerash, thuhej se asgjë nuk mund të ndryshohej me dhunë. Por liria si fitohet, pyesnin shqiptarët fjalamanë. Liria fitohet me fitimin e të drejtave të njeriut, na thoshin herë ndërkombëtarët monarkistë, herë ndërkombëtarët ideologjikë, herë ndërkombëtarët demokratë. Do të thotë, nuk dilte asnjë formacion shoqëror, as kombëtar, as ndërkombëtar që të na sillte lirinë, që të na e kthente dinjitetin, që të na e hiqte robërinë.
Andaj, kur Komandanti Legjendar, Adem Jashari, me sakrificën e tij të përmasës kombëtare, bashkë me sakrificën e familjes së tij, të përmasës së shenjtë, Kosova, si zemër e çështjes së pazgjidhur shqiptare u shndërrua në fushëbetejën më të përgjakshme që nga lufta e fundit botërore e këndej. Shenjat e sakrificës së tyre u bënë të shenjta, jo vetëm nga fakti se ishin veprime historike, por edhe për përmasën e shenjtë të sakrificës së familjes Jashari. Ishin pushkët e lirisë, pra, ato që e tmerruan, së pari armikun tonë shekullor, Serbinë p ushtuese e gjenocidale, që në Kosovë po përdorte të gjitha Programet për zhdukjen e shqiptarëve, të cilat njëherë e një kohë i kishte zbatuar vetëm Hitleri kundër hebrenjve. I kishte lëkundur deri në themele edhe qendrat evropiane dhe botërore të vendosjes. Ata që kanë interesim për të mësuar, për të kuptuar dhe së fundit, për t’u vetëdijësuar se asnjë luftë çlirimtare nuk bëhet, nëse nuk ka përmasë kombëtare, mund të marrin dhe të lexojnë edhe shtypin shqiptar të kohës, edhe shtypin ndërkombëtar të atyre viteve dhe do ta shohin qartë e mirë, si është trajtuar jo vetëm robëria e Kosovës, por edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komandanti Legjendar, jo vetëm i kohës sonë, Adem Jashari, në ndërgjegjen e shqiptarëve të robëruar, në vetëdijen historike të luftëtarëve të lirisë, pra në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e të gjithë liridashësve shqiptarë, pa marrë parasysh e kishin pushkën në krahë, apo dërgonin veshmbathje, ushqim, gjak e barëra për të plagosurit, është ngulitur jo vetëm si idhull, si dëshmi që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesiu, ai që përhapi besimin në një perëndi, pra, Adem Jashari është hyjnori i realizuar i këtij shekulli, edhe si frymëzim për të ecur nëpër rrugët e ardhshme të historisë kombëtare, sepse ka hapur procesin e madh të bashkimit kombëtar, është shpëtimtari që e kemi pritur sa një shekull, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.
Andaj duhej sakrifica madhore e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe sakrifica e familjes Jashari, që vetëdijësuan botën hap pas hapi, shkallë, shkallë, me përpjekje dhe me përgjakjen e secilës pëllëmbë të tokës së Kosovës, se shqiptarët po bënin një veprim të domosdoshëm historik, me ç’gjë dëshmuan se janë popull historik. Atëherë bota u lëkund, qoftë për të parë çka ndodhte, qoftë “për të ndrequr” diçka në ndërgjegjen e tyre, si pjesëmarrëse në një krim të përmasës kombëtare, ngase Evropa ishte ajo që e kishte copëtuar gjeografinë kombëtare dhe pjesë të popullit shqiptar, qoftë për të ndihmuar që përgjakja e shqiptarëve të ishte mundësisht sa më e vogël. Shqiptarët, që ishin pjesë e kësaj lufte, nuk ka nevojë të zihen ngojë. Ata kryen detyrimin e tyre për lirinë. Shqiptarët, që kurrë nuk kanë bërë asgjë për ardhjen e lirisë, nuk ka nevojë dhe nuk duhet të flitet për ta, sepse ata vdesin nga pak për çdo ditë, një vdekje e heshtur, si pjesë e vdekjes së një populli, që harrohet pas asimilimit, siç harrohen krye tri ditësh dasmat e këqija tallava.
Kësisoj, më 5 mars 1998, Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe familja Jashari, krijuan shenjat e shenjta të jetës historike të shqiptarëve, në mungesë të të cilave, pra në mungesë të këtyre shenjave, aq shpesh na ka humbur rruga nëpër rrënojat e historisë, sa duhej kjo përgjakje e Kosovës, që shqiptarët ta kuptojnë se atdheu i tyre ishte dhe është i copëtuar. Në këtë kohë, aspak nuk është e rëndësishme se çka thonë shqiptarët fjalamanë, siç nuk është aspak e rëndësishme se çka thotë bota, që me pragmatizmin e saj bëhet hipokrite. Nuk është me rëndësi, qoftë edhe nga shkaku i vetëm se më 5 mars 1998, lufta për liri e shqiptarëve mori fytyrën e njeriut, lufta e shqiptarëve për dinjitet u bë e përmasës kombëtare, lufta e shqiptarëve kundër robërisë, përmbysi hipokrizinë e qetësisë së rrejshme të marrëveshjeve ndërkombëtare, që për hir të lëkurës së vet, sakrifikonte pjesë të një populli, sakrifikonte historinë e një populli, sakrifikonte pjesë të gjeografisë së një atdheu, sakrifikonte, në fund të fundit, mundësinë e zgjidhjes së drejtë të çështjes së pazgjidhur shqiptare.
- 3. Rrafshi historik i sakrificës së Familjes Jashari
Nëse sakrifica e përmasës kombëtare e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998, shihet jashtë këtij rrafshi historik dhe jashtë kësaj përmase kombëtare, atëherë në shqyrtimin e veprimeve historike të një populli, ende ka folklorizëm, që ndonjëherë e banalizon historinë, ka shpjegim ideologjik, kur dihet se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare kishte vetëm ideologji kombëtare, andaj, si e tillë, nuk ka prodhuar as atdhetar as tradhtar. Dëshmi për këtë është edhe fakti, se nuk ka pasur asnjë proces gjyqësor ndaj atyre që ishin kundër luftës. Përkundrazi, ndërkombëtarët krijuan gjyqe ku akuzoheshin, si po akuzohen edhe tashti, vetëm çlirimtarët. Prandaj, në fund të fundit, në trajtimin, në shqyrtimin dhe në pranimin e luftës çlirimtare të Adem Jasharit, ka hile ndërkombëtare, qoftë edhe me fytyrë demokratike.
Më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998, ngjarjet që rrokullisën robërinë Kosovës, kërkuan të krijohen shenja të shenjta, në mënyrë që të qëndronte në këmbë liria e kësaj pjese të atdheut, pra janë krijuar, deshën apo nuk deshën shqiptarët, i pranuan apo nuk i pranuan ndërkombëtarët, janë shenja të përmasës kombëtare për shqiptarët si popull historik (se vjen një ditë, edhe Shqipërisë londineze nuk i mjafton vetvetja), kurse për shqiptarët e Kosovës, si pjesë e një populli historik, kanë përmasë shoqërore dhe kombëtare, ngase ata nuk mund të bëjnë jetë politike dhe shoqërore pa këtë përmasë historike dhe kombëtare të sakrificës sublime të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, të cilat u bënë shenja të shenjta në jetën historike dhe kombëtare të popullit shqiptar, kudo që është dhe kudo që mund të jetë nesër.
Dua të sjell vetëm një shenjë kujtese, për të gjithë harrestarët shqiptarë, për të gjithë pushtetarët e këtyre 25 vjetëve, që nga rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, që nuk kishin mundësi t’i gjenin një vend për shtatoren e tij në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, për të gjithë ardhësit dhe shkuesit ndërkombëtarë, që Kosovën e kanë vetëm si treg të mëditjeve zyrtare, pa i përzier këtu ato qeveri dhe ato vende, që ju kanë bërë krahë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i kanë dhënë përmasë ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, edhe pse Gjykata Speciale, që thuhet se është e Kosovës, por Selinë e ka në Hagë të Holandës, e thotë sa herë mban konferenca statusore kundër çlirimtarëve tanë, se ajo nuk ishte luftë çlirimtare, por ‘‘konflikt i armatosur jondërkombëtarë’’, duke bërë përpjekje që të përmbyset përmasa e këtyre shenjave edhe pas 25 vjetësh nga rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.
Përfundim
Kësaj radhe, më është mbushur mendja të sjellë një dëshmi shumë të veçantë, qoftë për nga shtrirja, qoftë për nga madhështia, por qoftë edhe për nga porosia kombëtare që jep. Shikoni se çka ndodh qe 25 vjet në Prekaz. Vetëm shikoni kush rri gatitu para Varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe asaj sakrifice hyjnore të familjes së tij. Bëjnë nderim fëmijë e të moshuar, bashkëluftëtarë të orëve të para e ikanakë të mjerë, që sot rrahin gjoks se kanë bërë aq beteja me Komandantin, nuse të reja që të hutojnë me mjegullën e tyre të bardhë dhe nëna dëshmorësh, gra që nuk kanë pasur kohë të bëjnë asnjë palë çorapë për ushtarët e lirisë, dhe nëna plaka, që i kanë kthyer bukë Hasan Prishtinës e Bajram Currit, intelektualë, që nuk u bëri goja punë të thonë një fjalë të mirë për këtë ushtri dhe për këtë luftë, por edhe të atillë që fyen sa mundën, dijetarë që i bëjnë nder kombit dhe gënjeshtarë që flasin në emër të kombit, si për kopshtin e babait të vet; pushtetarë, që ndryshe flasin para nesh, popullit të zakonshëm, ndryshe në televizion, ndryshe me të huajt, por edhe pushtetarë zhvatës dhe intrigantë, që vetëm në kohë zgjedhjesh e kanë plot gojën dëshmorë dhe familje të dëshmorëve; hierarkë fesh dhe ritesh të ndryshme, feja e të cilëve e lejon apo nuk e lejon luftën; gjeneralë dhe ushtarakë të proviniencave dhe të ushtrive të popujve të ndryshëm; burra shtetesh, që na kanë sharë dhe lavdëruar njësoj, varësisht nga interesi i tyre; idealistë, që nuk janë të kënaqur me asgjë, as me Varrin e Komandantit Legjendar; hipokritë, që sa derdhin lot, kthejnë kokën dhe zgërdhihen; injorantë, që dinë çdo gjë, edhe si do të ishte bërë pavarësia e Kosovës pa asnjë fishek të zbrazur.
Në fund, vijnë ata për të cilët ka kuptim gjaku i derdhur për liri, gjaku edhe i 1432 fëmijëve tanë të vrarë nga Serbia pushtuese e gjenocidale, për të cilët, edhe sot e 24 vite më parë, Kosova nuk ua ngriti qoftë edhe një OBELISK të vetëm, vijnë radhët e mëdha të njerëzve, të atyre njerëzve, që nuk flasin shumë, që nuk mburren shumë, që u vjen keq që nuk kanë mundur të bëjnë më shumë për luftën, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë e pjesës së robëruar të atdheut dhe që gëzohen se kanë ku të luten për lirinë dhe jetën e tyre.
Qoftë vetëm për këtë shkak, sakrifica madhore e Komandantit Legjendar dhe sakrifica sublime e familjes Jashari është shenjë e shenjtë e përmasës kombëtare në kujtesën historike të shqiptarëve. Rënia e tyre është frymëzim i përjetshëm për të gjithë shqiptarët, që së paku njëherë në vit ju bie ndërmend se atdheu i tyre është Shqipëria. Është frymëzim, edhe për ata që as në kohën e Luftës së UÇK-së, nuk kishin dhënë asnjë qindarkë, kurse tashti rrahin gjoks se kishin qenë pjesë e luftës, andaj, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, Sami Frashëri ka thënë se, “ai që nuk ka derdhur gjak, ai që nuk ka dhënë as edhe një qindarkë, nuk ka të drejtë as të varroset në tokën e atdheut”.
Burimet
- Jusuf Gërvalla, Shenja të shejta, Shkup, 1980
- Nezir Myrtaj, Jehonë lufte: komente, 6 janar – 21 qershor 1999, Prishtinë, 2002
- Emin Kabashi, Përmasa kombëtare e luftës së UC̦K-së, Prishtinë, 2005
- Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë: Fehmiu dhe Xheva, një jetë e shfaqshme, Tiranë, 2008
- Bedri Tahiri, Adem Jashari-Legjendë e legjendave, (botimi 10), Prishtinë, 2018
- Bedri Islami, 28 nëntori është dita e lindjes së Adem Jasharit, gazeta Dita, 19 dhjetor 2013
- Ahmet Qeriqi, Adem Shaban Jashari (28.11.1955 – 7.3.1998), Prishtinë, 2020
- Bedri Islami, Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot Adem Jasharin krejt të veçantë në historinë e kombit tonë?, Epoka e re, fejton, 2020
- Raporti për vrasjen e Adem Jasharit, ‘‘BBC’’, më 7 mars të vitit 1998
10.. “The New York Times”, më 9 mars të vitit 1998
Prishtinë, 5 mars, 2023