Në jetën e popujve historikë, lufta për liri është po
ashtu veprim historik. Në rrjedhën e këtij veprimi të gjithë qytetarët e vendit
që luftojnë për liri, kanë obligim atdhetar të bëhen pjesë e atij veprimi
historik, në mënyrë që të fitohet liria. Në vendet ku ka qeveri, dihet si bëhet
dhe dihet cila është rrjedha e organizimit të luftës. Presidenti i vendit është
Komandant i Përgjithshëm. Shpallet gjendje e luftës. Caktohen detyrat për
secilin qytetar. Bëhet mobilizimi i moshave të caktuara të popullatës. Vendoset
logjistika e luftës, e veprime të tjera.
Në vendet që janë të pushtuara, siç ishte rasti i
Kosovës, andaj edhe i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga viti 1997
deri në qershor të vitit 1999, që mund të thuhet lirshëm dhe me argumente, se
ishte luftë për jetë a vdekje, luftën e kanë organizuar veprimtarët atdhetarë që ishin të gatshëm të
japin edhe jetën për lirinë e vendit. Në këto raste, vjen në shprehje vullneti
i popullit, i cili nuk do të jetojë më në robëri. Prandaj, lufta e tillë quhet
luftë për liri dhe për çlirimin e tokave të pushtuara. Prandaj, edhe pse Lufta
e UÇK-së nuk ishte organizuar nga ndonjë qeveri e vendit, në Prishtinë, a në
Tiranë, ishte veprim historik, sepse është cilësuar si e tillë, në radhë të
parë nga populli shqiptar, pastaj nga bota.
U tha se lufta për liri në Kosovë, në vitet që u
përmenden, ishte luftë për jetë a vdekje. Pushtuesi ynë shekullor kishte
vendosur të zbatonte të gjitha programet shfarosëse kundër kësaj pjese të
popullit shqiptar, sa dukej, për t’i dhënë fund njëherë e mirë, edhe në përmasa
evropiane, çështjes së pazgjidhur shqiptare, e cila nuk mund të zgjidhej, as
nuk mund të zgjidhet nesër a pasnesër, pa çlirimin dhe lirinë e Kosovës.
Rrethanat në të cilat ishte populli shqiptar i Kosovës, vuri në lëvizje të
gjithë ata që kishin një mundësi, sa do të vogël, që t’i bëhen krahë ardhjes së
lirisë. Pjesë e këtij krahu, ishte edhe pjesëmarrja e Shoqatës humanitare ‘‘
Nëna Terezë’’, me të gjitha mjetet që kishte mundësi t’i shfrytëzonte. Kurse
mundësitë e saj, ishin mjaftë të mëdha, qoftë për shkak të mundësive që i
krijonte mërgatës shqiptare që ta ndihmonte këtë pjesë të atdheut, me të gjitha
mjetet, qoftë për shkak të bashkëpunimit me shoqatat simotra ndërkombëtare, që
merreshin me të drejtat e njeriut, si dhe me veprimtari të ngjashme.
Prandaj, nuk është gjë e rastit, se Shoqata ‘‘Nëna
Terezë’’, pa pasur nevojë prë dekrete ligjore të shtetit, pa pasur nevojë për
mobilizim popullor, me vendim të kryetarit të shtetit, pa pasur nevojë të
merrte leje nga jashtë apo nga brenda, kudo që zhvillohej luftë në gjeografinë
e Kosovës, ajo ishte atje, herë duke ndihmuar nënat shtatzëna, herë tjetër duke
ndihmuar të plagosurit, ushtarë e pjesëtarë të popullit, e duke shpërndarë
ndihma në veshmbathje dhe në ushqime, dhe së fundit duke lënë në dispozicion të
luftës të gjithë personelin e saj mjekësor, kudo që ishin, në akëcilën zonë të
luftës në Kosovë, apo në cilin do vend që duhej të ndihmohej zhvillimi i
operacioneve luftarake.
Ata që nuk kanë marrë pjesë në luftime, ata që nuk
kanë parë frontet e përballjeve me sy, ata që nuk kanë parë plagët e
luftëtarëve të lirisë, mund të flasin çka të duan, sepse nga larg, të gjitha
gjërat duken më të lehta. Por, ata veprimtarë që i kanë parë të gjitha këto,
mund ta dëshmojnë praninë e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, në të gjitha këto rrjedha
që ka lufta për liri. Ka shumë veprimtarë, që në një mënyrë, a në një tjetër,
kanë pasur rastin të punojnë bashkë me aq shumë veprimtarë të Shoqatës ‘‘Nëna
Terezë’’. Këtu nuk ka nevojë të flitet për dobinë e angazhimit të tyre, sepse
ishte obligim qytetar e atdhetar i secilit, por këtu mund të flitet, sa e
nevojshme dhe, në fund të fundit, sa e domosdoshme ishte ajo mënyrë e
përfshirjes në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për çka nuk kishte nevojë Kosova e Luftës së
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Kishte nevojë për çdo gjë. Por, plagët e
luftëtarëve të lirisë ishin më shumë se nevojë për veshmbathje, apo për
ushqime. Andaj, sidomos personeli mjekësor i Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, ishte
pjesë e luftës për lirinë tonë, ndërkaq sektori i maternitetit ishte aq i
suksesshëm, sa që asnjë foshnje e lindur dhe asnjë nënë nuk ka vdekur derisa
është trajtuar në këtë Shoqatë. Ngase i
tërë organizimi i Shoqatës, të gjitha nivelet e saj të udhëheqjes, kishin më
shumë mundësi të vepronin, sidomos kishin mundësi të siguronin furnizimin me
barëra të domosdoshme për popullatën tonë të pambrojtur, para, gjatë dhe pas
luftës gjenocidale në Kosovë.
Andaj, Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ ishte pjesë e luftës
për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shoqata ‘‘Nëna Terezë’’ është pjesë e lirisë sonë.
Nuk dua të flasë për veprimtarinë e saj para luftës, nuk dua t’ia mohoj askujt
të drejtën që të rrahë gjoks se kush ishte prijës e kush ndihmës, siç nuk dua
të përzihem në punët që ka bërë akëcili subjekt politik, që tashti ta
shfrytëzojë si kartëmonedhë për lavde boshe, sepse ata që kanë punuar në këtë
Shoqatë i dinë më mirë të gjitha këto. Unë, në mënyrë modeste, mund të sjellë
shumë dëshmi për veprimtarinë e Shoqatës ‘Nëna Terezë’’‘, të cilat e kanë bërë
hise të lirisë sonë. Prandaj, liria është edhe pjesë e përpjekjeve,
sakrificave, plagëve dhe gjakut që kanë derdhur veprimtarët e Shoqatës ‘‘Nëna
Terezë’’. Sepse, kur një popull lufton për liri, askujt nuk i ka hije të rrijë anash. Këtë filozofi
të jetës së popujve të robëruar që luftojnë të çlirohen, të gjithë veprimtarët
e Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, e kishin jo vetëm pjesë të jetës së tyre, por edhe
pjesë të vetëdijes së tyre atdhetare, se pa dhënë çdo gjë për atdheun, nuk
fitohet liria.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte forca
që u dha motiv të gjithë shqiptarëve, kudo që jetonin të vihen në shërbim të
ardhjes së lirisë. Mendoj, nuk ka akt më njerëzor se ky. Prandaj, kur flasim
për Shoqatën ‘‘Nëna Terezë’’, duhet të kihet parasysh ky fakt, shqiptarët i
kishin besuar ushtrisë së tij, e cila kishte lindur nga gjiri i popullit, siç
ka ndodhur zakonisht në historinë tonë që nga koha e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit e këndej. Kjo mënyrë e mbështetjes së luftës, me të gjitha mjetet e
mundshme, por mbi të gjitha me gatishmërinë e vetëdijshme se po i shërbenin
çlirimit të vendit dhe ardhjes së lirisë, të gjithë veprimtarët e kësaj
Shoqate, në një mënyrë, ose në një tjetër, janë pjesë e luftës për liri, duk e
bërë në këtë mënyrë, Shoqatën në të cilën vepronin hise të lirisë së Kosovës.
Nga të dhënat që kanë botuar veprimtarë të ndryshëm,
monografitë që janë botuar, si për personalitetin botëror të Nënë Terezës, por
edhe për veprimtarinë humanitare të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’ janë shpaluar disa
veçori karakteristike të angazhimit të veprimtarëve të saj në luftën çlirimtare
të Kosovës. E para, në zonat ku luftimet zhvilloheshin në mënyrë intensive,
Shoqata kishte vënë në dispozicion të luftës gjithçka që kishte, veprimtarët,
personelin mjekësor, motra dhe teknikët e saj, laboratorët dhe personelin që
kryenin këto punë, barërat si dhe forma të tjera të ndihmës. Tashti ata ishin
në shërbim të ushtrisë dhe të popullatës, që kryesisht ishte e zhvendosur nga
shtëpitë e tyre. E dyta, veprimtarët e Shoqatës ‘’Nëna Terezë’’(duke rrezikuar
gjithnjë jetën e tyre nga barbarët serbë) kishin organizuar bartjen e ndihmave,
si dhe furnizimin me gjëra të nevojshme, edhe me pjesëtarë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, duke ruajtur në këtë mënyrë mundësinë për të siguruar
mjete të mjaftueshme për luftën. E treta, sidomos shërbimi mjekësor i Shoqatës,
kishte ruajtur kontaktet me shoqata dhe organizata të ndryshme humanitare që
atë kohë ishin në Kosovë, pa pasur nevojë t’u jepej llogari atyre se ku shkonin
ato ndihma. Së katërti, vet akti i rënies në krye të detyrës humanitare të më
shumë se 150 dëshmorëve të humanitetit në altarin e lirisë, dhe zhdukja e më
shumë se 40 shqiptarëve( veprimtarë humanitarë të kësaj Shoqate), nënkupton
mjaftueshëm për rolin historik dhe të pazëvendësueshëm të kësaj Shoqate,
sidomos në kohën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që këtë e bën
pjesë aktive të lirisë sonë.
Qofshin vetëm këto fakte të vogla, në krahasim me
organizimin e madh të Shoqatës ‘Nëna Terezë’’,
dëshmojnë mjaftueshëm për ndihmesën e madhe dhënë ardhjes së lirisë, të
cilën shqiptarët e kishin pritur më shumë se një shekull.
Kurdo që të jetë e thënë që të shkruhet historia e
Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’, doemos do të rikujtohen, do të analizohen
dhe do të argumentohen edhe mbështetja e madhe që veprimtarë të kësaj shoqate i
kanë dhënë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të vërtetë, do të ishte
jashtë logjikës së ekzistencës së njeriut, që një shoqatë, qoftë edhe
humanitare, kur atdheu është në rrezik, kur jeta e njeriut vlen më pak se e çdo
gjallese tjetër, të mbetej anash, të shihte vetëm punën e vetë, si do të
thoshin ata që matin me peshoren e barnatores, secilën sjellje njerëzore, andaj
edhe veprimtarinë në ndihmë lirisë nga veprimtarët e Shoqatës humanitare ‘‘Nëna
Terezë’’.
Kosova e pas luftës për liri, ka shumë pjesëmarrës
që kanë në trup plagët e luftës, por në të njëjtën kohë ata mbajnë mend edhe
ndihmën e pakursyer të mjekëve të Shoqatës ‘‘Nëna Terezë’’, te motra që ju kanë
lidhur plagët, të infermiereve që u kanë qëndruar te koka, të atyre mjekëve që
kanë operuar edhe pa anestezion. Të gjitha këto janë pjesë të Luftës së
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por janë edhe pjesë e hises së madhe të
veprimtarëve të Shoqatës humanitare ‘‘Nëna Terezë’’.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, mund të thuhet,
prandaj, se Shoqata humanitare ‘‘Nëna Terezë’’ është pjesë e jetës së Kosovës,
rrjedhimisht është pjesë e luftës sonë për liri, andaj edhe është pjesë e jetës
sonë.
Prishtinë, më 3. 9. 2015