Polemika e rindezur këtë gusht në gazetën DITA, rreth karakterit të epopesë më të lavdishme të historisë sonë, na ngacmon në ndërgjegjen kombëtare, cënon identitetin liridashës të mbarë popullit e historinë e elementit substancial të identitetit kombëtar, pasurisë së vyer dhe themelit të së ardhmes. S`po rresht hedhja e baltës antikomuniste në sakrificat e flijimet, në aktet më madhështore dhe mënyrën sublime të afirmimit të vlerave njerëzore.
Jeta e martirëve të Kombit është e denjë për t’u skalitur në mënyrën më të madhërishme nga brezat dhe për brezat, sepse ato janë në themelet e historisë së vërtetë të popujve dhe kombeve. Edhe Lufta Antfashiste Nacional Çlirimtare shërbeu si një gur prove për çdo shqiptar të ndershëm. Kush qe me të, i përkiste atdhetarëve, kush doli kundër saj, pa mëdyshje, u damkos si tradhtar i padiskutueshëm dhe, i parevokueshëm! Pjesëmarrësit e deritanishëm të të dy krahëve (më saktë, i Andreas, që ushqen mendimin: “edhe vetëm, trim në debat”, po pakëson kredencialet e një publicisti simpatik me këmbënguljen si mushka, dhe e grupit që i thonë “ndalu beg, se ka hendek”), janë shprehur gjatë e gjerë, në parim e me fakte, po përsëri mbetet shumë për t`u thënë.
- Gjatë këtij restaurimi kapitalist, nuk janë të pakët pinjollë a vegla të nostalgjive klasore, konservatore për të shfryrë publikisht; gjenden hije të ish forcave të errëta, për të ndjellë errësirë, ashtu siç janë gjithnjë prezent dhe dëshmitarët e autorët e respektimit të së vërtetës, arsyes dhe vlerave të përgjithshme. Bota është në kërkim e krijim. Debatet e polemikat për tema madhore, janë aspekt i polemikës shekullore, pjesë e proces i historisë dhe jetës, njëherazi, dhe motor i hapave përpara, i vizioneve të reja dhe progresit në përgjithësi. Edhe ato nivele qeverisjeje, që vlerësohen apo reklamohen si mënyrat më të larta, janë ende larg përsosshmërisë dhe ideales. Si ecën më mbarë prodhimi, me pronë shenjtërisht private, me atë të shoqëruarën maksimalisht, apo me ndonjë variant të gërshetuar? Për liritë dhe të drejtat njerëzore është folur e shkruar aq shumë, sa po të sendërtohej çereku i atyre, njerëzia do të ishte ku e ku më e lirë e me të drejta më të plota. Në himnin e ish-Bashkimit Sovjetik, edhe pse thuhej: “Bashkim të pahyeshëm farkëtoi në shekuj Rusia e Madhe”, kjo lidhje u shpërbë pa e mbushur as shekullin. Nuk shkëlqen as fraza e himnit tonë: “Se zoti vet e tha me gojë, që kombet shuhen për mbi dhe…”, ku njëfarë të plotfuqishmi iluzor e të hamendusuar, i vihet goja, ndofta pak e fshehur midis mjekrës e mustaqeve! Është i njohur një debat në qarqet kishtare në se “femra është njeri”, po dhe ligjëbërësit deri vonë nuk e kanë konsideruar si pjesë të sovranit. S`ka shumë që i kanë njohur të drejtën e votimit, dhe jo gjithkund. Po të ishin ligjet të përsosura, sidomos, po të zbatoheshin me përpikmëri e saktësi, do të delte e tepër armata e avoketëve. Erotizmi, teorikisht është, jo vetëm lezeti, po vetë thelbi i jetës, për të mos thënë është vetë jeta, po sa tabu, ndalesa, kufizime i janë sajuar Erosit si pranga? Për sa është me vlera e relaksues, aq gjëndet ende larg emancipimit të plotë! Shkenca, pasi i shpëtoi kthetrave të Kishës nga mbytja që në djep, sot i thotë dogmave arkaike, “si ma keni qejfin”, dhe, prapseprapë, në sfondin e marshimit të saj triumfal, shumica e botës, (e hallakatur në një mozaik besimesh, ku bashkësitë hanë turinjtë e njera-tjetrës), vazhdon me dogmën “zoti krijoi njerinë, gjithësinë, drejton jetën e fatin e secilit”. Historia moderne ka afirmuar laicitetin e shtetit e të shkollës, por realisht e faktikisht po vepron një simbiozë e panatyrshme Politikë – Fe; jemi dhe dëshmitarë të përpjekjeve të ethshme, siç janë dhe këto të Tiranës zyrtare për futjen e një farë “kulture fetare” në shkollën publike, sa të bën të mendosh “ende s’jemi shkëputur nga ajo mesjeta e flamosur?”
Shumë gjëra bëhen a shihen me karakter relativ, koniuktural, joadekuat, me devijime, deri në shëmtime! Një nga difektet e të menduarit është se paraqet për absolute, gjëra që realisht janë relative.
- Tabloja objektive kontrastore e kontradiktore e botës, ecja e saj edhe nëpërmjet ngërçeve, stërkëmbsheve dhe restaurimeve, është evidente. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mendjen njerëzore. Pjesë e këtyre kontrasteve dhe kontradiktave të jetës, janë bërë, tanimë, edhe dy realitete, komunist dhe ai anikomunist, fillimisht si dy mënyra të të menduarit. Kjo antinomi e re spikati që para rreth 160 viteve, me botimin e Manifestit Komunist, daljen në drië të një platforme të re, e cila vuri në lëvizje botën dhe krijoi epokë në shekullin e 20. Orientimi i ri ishte ende teori, po autorët nuk bënë ndonjë profeci kur u shprehën se kundër fantazmës së komunizmit është ngritur Europa plakë, Gizo e Meternik, papa i Romës dhe çdo forcë tjetër konservatore. Platforma e re orientuese kishte bazën e vet sociale shumë të gjerë, shprehu shkencërisht gjendjen dhe interesat e saj, atë shumicë dërmuese e ndërgjegjësoi për kontrastin dhe kontradiktën e jetës reale me pakicën sunduese, shfrytëzuese, skllavëruese, shkelëse tërësisht të të lirive dhe të drejtave njerëzore; i tregoi shkakun e vërtetë të mjerimit, jo prej makinerive, siç vepronte lëvizja ludiste që i shkatërronte, po prej klasës sunduese…
Për herë të pare u fol seriozisht për masat punonjëse, të drejtuara efektivisht nga e Majta, që me shpatullat e tyre bëjnë luftrat dhe historinë, prodhojnë e mbajnë dhe gjallë jetën e njerëzimin, veprojnë, po dhe gabojnë. Manifesti shpalli pa ekuivok: “Le të dridhet borgjezia, proletariati s`ka ç`të humbasë,veç prangave!” Ky është komunizmi i vërtetë, tjetër çështje e temë del se si u ripërtyp e u zbatua ai në njerin apo tjerin vend të kampit socialist! Çdo bënte pakica para ultimatumit dhe kërcënimit serioz? Nuk bën vaki nga kush të identifikojë varrmihësit dhe t’u thotë atyre: “u lumçin krahët!” Për një kokë, bashkë me dy duart, u vu në lëvizje rëndshëm edhe mendja. Që këtu nis fushata antikomuniste, u ngri dhe organizmi i përgatitjes me kohë të arsenalit kundër-vënës, se dhe gjuha shkon vetë ku dhëmb dhëmbi. Termi “komunizëm” doli në qendër të vëmendjes, e detyroi borgjezinë të bënte reflektime të thella, po i dha shkas ideologëve, suflerëve dhe tellallëve të saj të fabrikojnë insinuata, të manipulojnë, dredhin e përdredhin fjalët e frazat, me të cilat mbanin gjallë propagandën antikomuniste. Antikomunizmi u vetëportretizua si një monstër që duhej të nxinte çdo veprim që lidhej me komunizmin. Se si u ndërsye uragani antikomunist në Shqipëri, nën vellon e “demokracisë”, me partinë demokratikase në krye, këtë e vëren qartë edhe brezi i paindokrinuar i lindur këto vite. Zanafilla e hershme e polemikës me këtë problmatikë, ui faneps në meditimet e fundit të Andreas tonë. S`është as i pari, as i fundit. Nuk përbën lajm, nuk është e papritur, as për t’u habitur. Është fatkeqësi që nuk e gjen e nuk e ndien veten ndryshe instiktivisht, belbëzon ashtu si dhe bretkosa në kënetë. Është edhe vetë mendja njerëzore, kjo arritje më madhështore, që përveç karakterit të vet relativ, bie edhe nën prangat e pozitës dhe interesave klasore, hyn në kornizën e simpative e antipative dhe ndikime të tjera negative që e nxjerrin nga binarët, e ç’ekulibrojnë. Mendja dhe gjuha, mjeti i materializimit të saj, të thirrura në jetë për të shprehur sa më odjektivisht e realisht përmbajtjen e hisorisë e të jetës,e kanë hapësirën të bëjnë dhe të kundërtën, e sakatojnë, e shtrëmbërojnë, mohojnë deri dhe përmbajtjen e vërtetë. Dalja e Andreas, këstu siç e ka nisur, nuk është e papritur e për t`u çuditur, mrekullia dinjitoze, e ndryshme e burrërore do të ndodhte sikur të bënte kthesë, duke dëgjuar publikisht zërin e arsyes, që është integralja e kësaj polemike!
- Po ç’karakter pati vetë ajo Luftë dhe, ç’vënd ka zënë në historinë e Shqipërisë? Më qartë e bukur, këtë përcaktim e gjejmë nga historiani ynë i mirënjohur, i ndieri Akademik Kristo Frashëri, intelektuali-aktor atdhetar dhe autori shkencor i saj, ish pjesëtar dhe i një prej grupeve komuniste të kohës. Ndonëse i pickuar nga Enveri, nuk ia ha hakun për hatër të luftës që udhëhoqi. Në veprën e tij “Historia e qytetërimit shqiptar”, evokon momentin historik kur ajo Luftë u zhvillua, detyrat që shtroheshin para vendit dhe kontributet që dha për zgjidhjen e tyre, ai përcakton se ajo luftë: “pati karakter thellësisht patriotik,…dhe është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Shqipërisë. Është një luftë çlirimtare, me karakter kombëtar, demokratik dhe popullor, e cila u zhvillua kundër dy armiqve më të rrezikshëm të qytetërimit europian të shekullit XX. Është një revolucion nacional-çlirimtar, i cili, në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore, solli çlirimin e Atdheut nga zgjedha e huaj, ripohoi pavarësinë kombëtare të Shqipërisë dhe e radhiti atë në koalicionin e madh anglo-sovjeto-amerikan…Pjesëmarrësit e saj i thyen të gjitha kufijtë shoqërorë, krahinorë e fetarë, dhe shkuan pas idealit të tyre. Për të parën herë në historinë e Shqipërisë, u ngritën në këmbë me dhjetëra mijëra vetë dhe ranë në fushën e betejës me mijëra dëshmorë”. Në kontekst me gjeopolitikat e kohës, Akademiku ynë sqaron edhe se demokracitë moderne (dihet, me natyrë antikomuniste), i konsideruan me të drejtë, agresorët fashistë, si armiqtë më të rrezikshëm që kërcënonin njerëzimin, formuan koalicion të përbashkët me Bashkimin Sovjetik (ish-komunist) dhe pranuan të ndihmonin formacionet partizane, të udhëhequra prej partive komuniste të vendeve të shtypura të Evropës. Ata, nga ana tjetër, kur panë plogështinë e tyre luftarake, ua refuzuan ndihmën nacionalistëve të këtyre vendeve. Shqipëria e robëruar nga po ata agresorë, ndoqi rrugën e drejtë, e cila përputhej me interesat e veta. “Me pushtimin e 7 prillit 1939, sqaron autorii, Italia fashiste e fshinte Shqipërinë si një shtet të pavarur…Për më tepër, këtë pushtim e njohën, de fakto, të gjitha Fuqitë e Mëdha… Në rast se Shqipëria nuk do angazhohej në luftën nacionalçlirimtare, në fund të luftës do të ndodhej në radhën e vendeve të mundura, në bankën e të akuzuarve dhe, do të ishte dënuar siç u dënuan aleatët e Gjermanisë e të Italisë, jo vetëm me dëmshpërblime materiale, por edhe me gjymtime territoriale… Qeveria shqiptare që doli nga Kongresi i Përmetit (24 maj 1944), u pranua në Konferencën e Paqes në Paris (1946) si aleate, pikërisht pse nuk ndoqi rrugën e Ballit Kombëtar, por atë të Frontit Nacionalçlirimtar”. Llogjikë e hekurt për realitetet objektive.
Po nga antikomunizmi ç’lloj frytesh dalin? Secili stan ka bylmetin e vet. Nëse midis Luftës tonë Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe doktrinës komuniste nuk ka asnjë lidhje të brendshme, organike, propaganda antikomuniste e kthen në fakt një lidhje të tillë, e përligj, çetat partizane i emërton “çeta komuniste”, shton dhe bishta, si “të shitur te sllavët” dhe parafabrikate të tjera. Të luftoje fashizmin, kjo u bë një kërkesë imperative e kohës për çdo atdhetar, pavarësisht nga njohja e lidhja me idetë komuniste! Në vijën e parë të frontit dolën bijtë e bijat e tij atdhetarë, kryesisht pa parti, vetëm me partinë tradicionale shqiptare të etjes për liri! Për këtë fakt të karakterit çlirimtar të Luftës ishte e ndërgjegjësuar edhe Partia, siç dhe u pozicionua qartë e publikisht, vetëm 5 muaj pas themelimit, në mars 1942, në një direktivë të saj “Çetat janë të përbëra prej njerëzve që duan të luftojnë fashizmin, me elementë jashtë partisë… As komanduesi ushtarak nuk është e domosdoshme të jetë anëtar partie”. Vijë e pandryshuar ka qenë, në komandimin e njësiteve dhe në shtabet e zonave të përfshiheshin “nacionalistë të ndershëm, me influencë, që e kanë marrë me gjithë mend luftën kundër okupatorëve dhe tradhtarëve të vendit”. Po në atë direktivë theksohej: “Komunistët të jenë shembull dhe gjykues të drejtë, pasqyrë e sakrificës, vetëmohimit dhe thjeshtësisë”. Këto ide, s’qenë diplomaci, as për demagogji, me to shprehej përkushtimi atdhetar të sinqertë! Ajo Lëvizje ishte vazhdim i drejtpërdrejt, organik i luftrave për liri e pavarësi, i heroizmit të Mujo Ulqinakut e dhjetra të tjerëve, i nacionalistëve të vërtetë që krijuan cetat e para luftarake. Nacionalistë të vërtetë, atdhetarë të vendosur, u treguan dhe mbetën vetëm partizanët. Të tjerët, ç`ishin ballistë, legalistë etj, vetëm luanin me atë kartë. Kësaj historie të vërtetë i përkasin edhe mjaft kapedanë popullorë si Myslim Peza, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Riza Kodheli, Gjon Marashi, Dali Ndreu, Baba Faja Martaneshi, Jaho Gjoliku, Zylyftar Veleshja, Shefqet Peçi, Zyko Kalivaçi, Riza Veipi etj, që kishin hedhur pushkën krahut në krye të çetave patriotike, si vazhdues të drejtpërdrejt të traditës së luftërave kundër pushtuesit otoman, andartëve grekë e agresorëve sërbo-malazez! Nëse në krye dhe në ball të frontit dolën komunistët, kjo është dëshmi e atdhetarizmit të kulluar me peshë të lartë spexifike dhe shpirtit vetmohues të këtyre bije të popullit, është një arsye më shumë për rspekte mirënjohje. Pinjollët e sotëm të Ballit e Legalitetit, të paktën, duhet të skuqen e t’i vras ndërgjegjja për pararendësit e tyre tradhëtarë e kolaboracionistë dhe jo të krekosen me ato bëma dhe me pozën se e paskan luftuar komunizmin që në fazën e shfaqjes së tij si fantazëm në Shqipëri. Partia Komuniste e Shqipërisë u kish dalë borxhit, u kish thënë shqip të vetëshpallurve nacionalistë: “Mos nxirrni luftën ideologjike në plan të parë, nuk është koha e saj, ejani të luftojmë për çlirim kombëtar”, por ky zë ra në vesh të shurdhër, interesat klasore, nuk u kapërxyen kollaj, edhe kur ishte fjala për kauzën e madhe kombëtare. Kur digjnin fshatra dhe pushkatonin patriotë, gjermanët përdornin fjalën “Comunist!” Edhe eksponenti ballist Hetem Çako në Delvinën time, kërcënonte një nënë me pushkën në gjoks, “ku e ke atë kulish komunisti!”, për të marrë përgjigjen: “shko gjeje në mal”. Delvinjotët e moshuar ruajnë në kujtesë ndjenjën e indinjatës për barbarinë balliste që trupit të dëshmores Lejla Malo, të vendosur në sheshin para ish godinës së Dopolavoros, në qendër të qytetit, i krijuan një pamje rrënqethëse të patregueshme, e cila do të habiste dhe kafshët e pyllit, torture të kufomës, që nuk e suportoi dot as ushtari gjerman, por e mbuloi atë pamje makabre! Dokumenet kanë vlerën e tyre për hitorinë, janë të bollshme dhe të tjera do të dalin, do t`u flasdin qartë e bindshmëm brezave, por dëshmitë e gjalla të brezit tim, pjesëmarrës okular, janë të pazëvëndësueshme.
- “Lufta kundër komunizmit”, “antikomunizmi”, janë dukuri të pranishme e të njohura në botë, ato u bënë slogane të përdorimit të gjerë dhe nga blloku imperialist agresiv, si pretekst e maskë e synimeve ekspansioniste. Pushtuesit fashistë, mandej edhe ata nazistë, ishin të kurdisur me antikomunizëm, ashtu edhe u ngrefën se po e luftonin atë kudo në Evropë apo dhe më tej. Edhe vetë anglo-amerikanët nuk e dëshironin fare të delte faktori komunist në udhëheqje të popujve të pushtuar, por fakti është se pesha specifike e atdhetarisë midis atyre pak komunistëve në çdo vend, rezultoi shumë më e lartë, në krahasim me atë të taboreve renegate që i binin gjoksit si “nacionalistë”, apo “kombëtarist”, po u shfaqën tipik klasor e kolaboracionist. Aleatët ia matën kokën, ia panë syrin, iu lutën të ngriheshin në luftë, se etjen për pushtet e interesat klasore do të gjenin të plotësuara e më se të kënaqura pas fitores së madhe, por kolaboracionistët, që “nuk e nxorrën qimen nga qulli”, menduan më mirë të plotësimin interesat e ditës me pushtuesit, sesa të prisnin ato të se ardhmes me Aleatët. Kështu që aleatët euroatlantikë, deshën, s`deshën, vlerësuan udhëheqjen e luftës nga e Majta në shumë vende, për të mposhtur rrezikun numër një dhe e ndihmuan Lëvizjen tonë, qoftë dhe me pikatore! Shprehja “luftë kundër komunizmit”, sigurisht, e ka përmbajtjen dhe forcën e vet vepruese; në bashkimin e krejt shfrytëzuesve në botë për të mbytur komunizmin, por në Luftën e Dytë Botërore “antikomunizmi” u gjend si pretekst e formulë komode për të maskuar ekspensionin nazi-fashist. Përmbajtja, e vërteta e madhe e saj ishte, jo konfrontim klasor, por angazhim i popujve liridashës, antifashistë kundër hordhive agresive fashist Po, ndërsa popujt, ashtu edhe shqiptarët, u ngritën e organizoheshin në një luftë patriotike çlirimtare antifashiste, detashmentet agresive të imperializmit botëror, i jepnin asaj drejtim dhe përmbajtje ideologjike, shpalosën “shfarosjen e komunizmit”, u pozicionuan sipas strukturës klasore antagoniste, të etiketuara me termat “komunizëm” dhe “antikomunizëm”. “Shfarrosja e komunizmit”, është bërthama dhe thelbi i të shumë kërkuarës dhe të dëshiruarës “luftë civile”. Ballafaqimit “bllok ekspansionist-popuj të pushtuar”, iu vu velloja e dyfishtë, ajo e luftës kundër komunizmit”, mandej dhe ajo e “luftës civile”. Ishte etiketë e përshtatshme, me të cilën nazi-fashistët gjenin mbështetës dhe pasues në vendet e pushtuara. Me këtë etiketë të shtrembëruar, dolën ata edhe në Shqipëri, e cila i erdhi sipas midesë forcave ballisto-legaliste, të vetëquajtura dhe “nacionaliste”. Ato forca u bashkuan me pushtuesit, degraduan si kolaboracioniste, po me atë etiketë dhe motivim të “antikomunizmit”, në vend që të radhiteshin atdhetarisht në zgjidhjen e problemit që kish shtruar historia, atë të çlirimit kombëtar. Kjo do të thotë se ata u rradhitën me klasën e vet, në vend që të qëndronin atdhetarisht me popullin që i përkisnin dhe me kauzën e Madhe të Çlirimit të Atdheut. Nga pozicioni i tyre klasor antikomunist, ata e kanë më të lehtë ta shpërfillin Luftën e Madhe, dhe ta denigrojnë si ballafaqim ideologjish e me shpalljen si “luftë civile”. Demek, “të parët tanë, -iu fanepset pinjollëve të sotëm – luftuan kundër komunizmit dështak, por u mundën. Ne kurorëzuam sakrificat e tyre”.
Një konfondim trashanik i ngjarjeve të ndryshme në kohë si përmbajtje dhe objektiva! Pinjollët e sotëm të ish “antikomunistëve”, mbartësit e atyre lloj mendësive, në vend që t`u a vënë fajin prindërve e gjyshërve të tyre që nuk u hodhën në luftë dhe lanë, kështu, mundësinë të vinin në pushtet komunistët, tani, i shpikin “bishta” asaj lufte, si e si t`a denigrojnë dhe t`ja errësojnë madhështinë. Reagimi klasor, i nisur që me shfaqjen e tij si “fantazmë nëpër Evropë”, mbeti i ngrefur në vazhdimësi edhe ndaj komunizmit fitimtar. Por Lufta e Dytë Botërore bashkoi në të njëjtë llogore Amerikën dhe Çërçilin antikomunist me Stalinin dhe atdheun e komunizmit.
- Epërsia e komunizmit si shkencë sociolgjike, mbetet absolute, kundrejt antikomunizmit mjeran. Komunizmin nuk e shpiku Enver Hoxha me disa dhjetra njohës e pasues të kësaj ideologjie shkencore. Nëse ata e çuan Lëvizjen më tej, drejt aspiratave socialiste, kjo sepse qëlloi që vetë elitat tradicionale, me miopinë e tyre, ua lanë duart të lira, e varrosën nacionalizmin dhe u skartuan, morrën arratinë bashkë me pushtuesit, disa u futën nëpër guva e shpella. Komunistëve iu desh natyrshëm të vendosnin pushtetin popullor, jo si lakmi dhe etje për sundim (kështu gërhasin pinjollët e antikomunizmit), po si veprim të vendosjes realisht të sovranitetit popullor, i emërtuar prej kohësh “diktaturë e proletariatit”. Historikisht e teorikisht një diktaturë e tillë ishte bërë hak. Është përmbysje klasore, është kthesë rrënjësore në qeverisjen e vëndit. Nuk ka emërtim dhe pamje tjetër, ajo vjen si “revansh” popullor për vuajtjet shekullore të shumë brezave të skllevërve, bujkrobërve, zejtarëve e punëtorëve. Është doktrina e re që mbetet siç ia përplasi në fytyrë dhe Qemal Stafa trupit gjykues të Tiranës më 1939: “Kam qenë dhe jam komunist, sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vendin nga mjerimi dhe padituria”. Socializmi është epokë, ka arritjet, si rregull, bëri dhe gabime. si përjashtim. Marifeti antikomunizmit është kthimi i gabimeve në rregull, shpallja e arritjeve si përjashtim Tani që, në këto zigzage dhe restaurime historike, antikomunizmit i mori lopata ujë, ithtarët e tij na dalin në tribunë, kapardisen dhe tjetrin alibinë e një “lufte civile” dhe bishta të tjera. Janë orvatje të dëshpëruara për të mbuluar tradhëtinë. Po një vepër tradhëtie, s`ka si të mbulohet me tradhëti fjalësh. “Na doli fjala, -pohojnë ata, – të parët tanë e treguan imazhin e komunistëve që me nisjen e Luftës”, ide e kopjuar në arsenalin e shpifur “made in Hitler-Gebels”. Injorojnë faktin që ajo ishte një luftë mbarë popullore, me motivim të thellë atdhetar, se disa njohuri komuniste, mbeteshin pronë e një grushti njerëzish, kurse botëkuptimi dhe motivimi i djemve dhe vajzave partizane, ishte thellësisht atdhetar. “Doktrina komuniste” dhe emri “komisar”, përdoreshin si sinonim i “atdhetarisë” dhe “luftëtarit të vijës së parë”. E tillë është rrjedha e historisë dhe faktet e pakontestueshme, të cilave antikomunizmi u mbivendos alibinë e “luftës civile”. Shpalljen e klisheve të antikomunizmit të përgjashme me dogmat teologjike, e bazojmë në faktin se të dy palët janë “bathë, bathë, po një kokërr”, kanë të kurdisur të njëjtin avaz, i bien fyellit po në një vrimë, mbajnë në vend-numëro apo e kthejnë rrotën e historisë mbrapa. Është paralelizëm i dy fatkeqësive, nga të cilat njerëzimi do të gjejë forca, mënyrën e mjetet për t`u shkëputur.