Përgjigje katër paraqitjeve mediale të LDK-së kundër meje.
Një bisedë e imja, e botuar në gazetën e Tiranës, “Telegraf”, më 17 tetor 2011 dhe e ribotuar në gazetën e Prishtinës, “Epoka e re”, më 18 e 19 tetor 2011, në të cilën vetëm me një fjali të zgjeruar jam marrë me heroizmin e saj të tanishëm foljor, e ka ngritur në këmbë kundër meje të gjithë udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. I mësuar ta shoh gjatë, prej krijimit në fund të dhjetorit të vitit 1989 e deri pas luftës, të shtrirë në shtrat, duke predikuar demokracinë nën dhunën e terrorin e Sllobodan Millosheviqit, nuk e kisha pritur heroizmin që po predikon tani LDK-ja për zgjidhjen e situatës në Veriun e Kosovës e as heroizmin që po tregon në përpjekjet, para dhe pas perdeve, për likuidimin tim intelektual.
Meqenëse sot po dëgjojmë e po shohim çka mos, madje edhe ngritje e rënie që kishim dëgjuar a kishim parë vetëm në kohën e Rankoviqit e të trashëgimtarit të tij Millosheviqit, ngritja heroike e Lidhjes Demokratike të Kosovës me disa kryes të punëve të saj tradicionale në disa medie e në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës nuk do të duhej të më befasonte. Jo. Si e deklaroi sekretari i saj i përgjithshëm, Ismet Beqiri, këto ditë ajo, Lidhja Demokratike e Kosovës, po bëhet gati ta marrë pushtetin! Dhe, atëherë, kur Lidhja Demokratike e Kosovës ta marrë pushtetin, Kosova jonë, shtet i pavarur dhe sovran, dhe demokratik, do ta ketë në krye Isa Mustafën, tashmë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, por edhe një varg figurash të tjera politike, si ai e sa ai të “merituara” për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës, që do t’i zbatojë etikën, taktikën dhe strategjinë e tij politike, shkencore, artistike, kulturore dhe, natyrisht, ekonomike! Dhe, kjo politikë, etikë, taktikë dhe strategji shkencore, artistike, kulturore dhe ekonomike e Isa Mustafës mua më shqetësoi.
Dhe, më shqetësoi sepse pashë se – të shpresojmë vetëm në sjelljen politike ndaj meje dhe vetëm kësaj here – bashkëdyzime staliniste dhe fashiste janë të përmbajtura në mentalitetin e trashëgimtares së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të kryetarit të saj të sotëm, zyrtarit të dikurshëm në administratën e kohës së Millosheviqit në Prishtinë, Isa Mustafës. Ata që sadopak e njohin historinë politike të Evropës në shekullin e njëzet e dinë se vetëm partitë staliniste dhe fashiste ngriheshin frontalisht kundër intelektualëve të pavarur, të cilët i lejonin vetes rrezikun qoftë edhe me një fjali sadopak të butë, të mos pajtoheshin me politikën, me ideologjinë, me taktikën e me strategjinë e tyre staliniste a fashiste. Udhëheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës së pari nxori kundër meje komsomolistët e saj. Shikuesit e televizioneve, posaçërisht të “KTV”-së, të cilën e mundon së tepërmi botimi i kompletit të veprave të Rexhep Qosjes, pothuajse gati sa kravata e Hashim Thaçit së cilës me mosdurim ia kushton kohën e gjysmës së lajmeve të orës 19:00, mundën të shohin pesë komsomolistë të saj, të rreshtuar ushtarakisht para gazetarëve të medieve të shkruara dhe elektronike. Folësi kryesor i këtyre komsomolistëve, i emërtuar nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe “specialist” ekonomik, mbasi e komprometoi planin ekonomik të Partisë Demokratike të Kosovës, duke e quajtur plan të denjë vetëm për seminaret e studentëve, iu hodh i shkumuar kompletit të veprave të mia, duke e komprometuar procedurën e botimit të tyre dhe, më në fund, vlerën e tyre shkencore, historiko-letrare, letrare, artistike dhe, në përgjithësi, kulturore. Pa menduar se ndonjëherë në fëmijërinë a në rininë e tij do të ketë parë farë njeriu duke vënë gishtin tregues në tëmthin e kokës, ai deklaroi se: “Kompleti i veprave të Rexhep Qosjes nuk ka kurrfarë vlere shkencore”.
E kjo fjala shkencore në fjalorin e këtij “eksperti” komsomolist donte të thoshte: se kompleti i veprave të mia nuk ka kurrfarë vlere, madje as sa gazeta përndjekëse “Koha Ditore”, as shkencore, as letrare-artistike, as kulturore, as historike, as kombëtare, as shoqërore. Vetëm një mendim nuk i ishte kujtuar këtij komsomolisti, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që mund të lexohet në librat e shenjtë dhe që mund të dëgjohet edhe prej pleqve tanë e që mund t’i thuhet si përgjigje e botuesit të kompletit të veprave të mia atij: mos i qit margaritarët para derrit. Nuk di derri ç’janë margaritarët, prandaj mund t’i përpijë a mund t’i përlyejë me turirin e tij! Mbas komsomolistit “specialist” ekonomik, historiko-letrar, gjuhësor-letrar, artistik dhe kulturor, në betejën kundër meje, në Televizionin “Klan Kosova”, Lidhja Demokratike e Kosovës nxori sekretarin e saj të përgjithshëm, ish-kryetarin e Prishtinës, Ismet Beqirin. Sekretari i përgjithshëm i LDK-së në këtë betejë u tregua sadopak më i matur dhe më strateg se komsomolisti “specialist” ekonomik. Ai u kujdes të qërojë hesape me partinë në pushtet, Partinë Demokratike të Kosovës, me kryetarin e kësaj partie dhe kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçin, kurse botimin e kompletit tim, të financuar prej Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, të financuar siç janë financuar të gjitha kompletet e botuara prej Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e përdori në radhë të parë për ta rënduar partinë e kryeministrit në fjalë.
Ai, sikletari gjeneral i LDK-së, Ismet Beqiri, i lejoi vetes të thotë se me fjalët me të cilat e përkraha politikën e Qeverisë së sotme të Kosovës ndaj Veriut të Kosovës, unë tregova se i kam ndonjë borxh Hashim Thaçit! Domethënë se i jam shitur Hashim Thaçit e me këtë do të thoshte se i jam shitur ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër luftës çlirimtare të së cilës, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte bërë aq shumë veprime, kishte harxhuar aq shumë retorikë, kishte përdorur e shpërdorur aq shumë politikë! Akuzën e sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, të dhënë kundër meje nuk e kundërshtoj: unë i jam shitur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej çastit të parë të paraqitjes së saj dhe i jam shitur me veprime, me politikë, me mendime, me veprat e mia, me kompletin e veprave të mia, i cili aq shpesh po i alivanos gazetën “Koha ditore” dhe televizionin “KTV”! Pse të mos i shitem? Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ka çliruar Kosovën, prandaj më ka çliruar edhe mua prej pushtimit shekullor, prej një regjimi që Kosovës, prandaj, edhe mua, na e kishte bërë jetën të pasigurt, të padurueshme e të padenjë, kundër një pushtimi dhe kundër një regjimi ndaj të cilit Lidhja Demokratike e Kosovës sillej aq mjerueshëm, aq nënshtrueshëm, aq padinjitetshëm saqë ajo sjellje e saj na premtonte, në të vërtetë na siguronte, pushtim të përjetshëm prej atij shteti dhe prej atij regjimi! Mbas komsomolistit “specialist” i ekonomisë dhe mbas sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri, në frontin kundër meje do të paraqitet vetë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Paraqitja e tij në frontin kundër meje ishte edhe më nevrike se paraqitja e sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri, madje, edhe më nevrike se paraqitja e komsomolistit “specialist” i ekonomisë.
Paraqitjen e tij e bëri aq nevrike biseda ime e shkurtër me Agjencinë “Kosova Press” në të cilën i thashë dy të vërteta që kryetari i Prishtinës, dhe njëkohësisht, kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, nuk do të donte t’i dëgjonte: e para, se Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është bërë shtëpi private e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe, e dyta, se Isa Mustafa është zgjedhur anëtar i kësaj akademie duke u fundosur në bërrakën e konfliktit të interesit dhe duke shfrytëzuar servilizmin tradicional të disa akademikëve të ASHAK-ut ndaj pushtetarëve. Lideri i dyfishtë i Kosovës, njëkohësisht akademik, Isa Mustafa, nuk deshi dhe nuk mundi të dëgjojë se ASHAK-un tani e shumë vjet e kanë uzurpuar, e përdorin, e shpërdorin dhe e shfrytëzojnë jo dy anëtarë të LDK-së, po 9 (nëntë) udhëheqës të lartë të djeshëm e të sotëm të LDK-së dhe dy satelitë të tyre, domethënë gjithsej 11 (njëmbëdhjetë) militantë titullarë të LDK-së. Dhe, këta ishin, e disa prej tyre vazhdojnë të jenë anëtarë sundues të ASHAK-ut:
Ja emrat e tyre:
1. Ibrahim Rugova, ish-kryetar u LDK-së,
2. Fehmi Agani, ish-nënkryetar i LDK-së,
3. Isa Mustafa, kryetar i LDK-së,
4. Sabri Hamiti, nënkryetar i LDK-së,
5. Rexhep Ismajli, ish-anëtar i Kryesisë së LDK-së,
6. Nexhat Daci, ish-anëtar i Kryesisë së LDK-së a i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së
7. Ali Aliu, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,
8. Mehmet Kraja, ish- anëtar i Kryesisë së LDK-së,
9. Idriz Ajeti, ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së (i vetmi i bërë anëtar i ASHAK-ut para se të ekzistonte kjo parti dhe me merita shkencore),
10. Besim Bokshi, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, dhe
11. Hivzi Islami, kryetar i ish Partisë Fshatare të Kosovës.
E pyes kryetarin e LDK-së, kryetarin e Prishtinës dhe anëtarin e ASHAK-ut, Isa Mustafën, se në cilat xhungla – të Amazonisë, të Afrikës a të Azisë Juglindore mund të merret mend që një akademi të jetë kështu e pushtuar dhe e ofenduar prej kaq titullarësh partiakë siç është akademia jonë e pushtuar dhe e ofenduar prej dhunës së titullarëve të LDK-së? Ku ndodh në botë këso demokracie? Ja, ndodh te ne! Është kjo demokracia që na premton Isa Mustafa kur të marrë pushtetin. Mbas komsomolistit “specialist” i ekonomisë i LDK-së, mbas sekretarit të përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqiri, dhe mbas kryetarit të dyfishtë dhe anëtar i ASHAK-ut, Isa Mustafa, në frontin kundër meje do të çohet e gjithë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe do të çohet me kumtesën e saj të hedhur në internet e të botuar në gazetën “Zëri”, të emetuar, të cituar a të propaganduar në një varg radiosh e televizionesh, sidomos të Grupit Koha.
Në këtë mënyrë, me këtë kumtesë Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte kompletuar portretin e vet politik dhe ideologjik si luftëtare e pakompromis kundër intelektualëve që marrin guxim të mos pajtohen me politikën, me etikën, me taktikën dhe me strategjinë e saj bashkëdyzuese. Dhe, mua tani po më vjen shumë keq sepse Isa Mustafa, specialisti psikiatrik i krijuesve të Kosovës, me specialistët e tij politikë, ekonomikë e administrativë, me specialistët e tij përndjekës e denoncues të shpërndarë në gazetën “Zëri”, në gazetën fashiste “Bota sot” dhe në gazetën e në televizionin e Grupit Koha po e lodhin, po e dërrmojnë veten pa nevojë pse është botuar kompleti i veprave të mia. Do të doja, prandaj, t’ua tregoj edhe disa të dhëna që, shpresoj, të ndikojnë ngushëllueshëm në ta. Për hir të këtij ngushëllimi të tyre i përkujtoj se para kompletit të veprave të mia, para luftës, me paratë e taksapaguesve të Kosovës, janë botuar, të përmend vetëm shkrimtarët e gjallë, kompletet e veprave të Ramiz Kelmendit, Nazmi Rrahmanit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, kurse pas luftës kompletet e veprave të Azem Shkrelit, Rexhep Zogajt, Sabri Hamitit, Rrahman Dedajt. Po ashtu, tani, pas luftës, në Kosovën e lirë dhe demokratike, në të cilën përndjekësit e Millosheviqit na janë zëvendësuar nga përndjekës tanë, në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, me paratë e Ministrisë për Arsim, Shkencë e Teknologji, domethënë me paratë e taksapaguesve të Kosovës, janë botuar kompletet e Gazmend Zajmit, Fehmi Aganit, profesor Idriz Ajetit, Selman Rizës.
Për ngushëllim e njoftoj Isa Mustafën me çetën e tij sulmuese, se të drejtat e autorit që paguhen për librat e botuar a të ribotuar në ASHAK janë gati dyfish më të larta se pagesat për të drejtat e autorit në Institutin Albanologjik, ku unë botoj veprat e mia herë duke qenë të paguara e herë, kur Instituti nuk ka mjete financiare, pa qenë fare të paguara. Dhe, më tej: në Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sporteve, me paratë e taksapaguesve të Kosovës, tani, vonë, pas luftës, është botuar edhe kompleti i veprave të ish-kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova. Për ngushëllim e njoftoj Isa Mustafën me çetën e sulmuesve të tij se vetëm bilbordat 4 me 2 metra të mëdhenj me të cilët reklamohej ky komplet në Prishtinë dhe shpenzimet për udhëtimet, reklamimet, bujtjet, drekat e darkat, koktejet e solemnitetet e bëra për promovimin e këtij kompleti në hotelin “Sheraton” të Tiranës do të kushtojnë sa botimi i një të tretës së veprave të Rexhep Qosjes. Kryetari i Prishtinës, kryetari i LDK-së, anëtari i ri i ASHAK-ut, ish -zyrtari në administratën e kohës së Millosheviqit në Prishtinë, Isa Mustafa, çeta e sulmuesve të tij në akademinë e në mediat nuk ka sesi të mos i dijë të gjitha këto.
Por, si duket, të gjitha këto të dhëna nuk i kanë shëruar prej keqardhjes, dëshpërimit pse është botuar kompleti i veprave të mia. Dhe, nuk do të doja, kurrsesi, që kjo keqardhje e tyre të rritet kur kompletit të veprave të mia t’i shtohen edhe disa vepra të reja që, në qoftë se do të kam jetë, pashmangshëm do t’i shtohen. Është e vërtetë se botimi i këtij kompleti mund të ketë kushtuar më shtrenjtë sesa botimet e kompleteve të tjera të autorëve të tjerë të përmendur dhe mund të ketë kushtuar më shtrenjtë, sepse është shumë më i vëllimshëm sesa çdonjëri prej atyre kompleteve të tjera, madje sesa i disave prej tyre bashkërisht. Çka t’i bësh? Masat e njerëzve të ndryshëm në këtë botë jallane janë të ndryshme. Mua, duket, i madhi Zot, atij i qofsha falë, më ka dënuar me dhunti krijuese shumëfish më të madhe sesa që i ka dhuruar titullarët e LDK-së në akademi; dhe mua, i Madhi Zot, atij i qofsha falë, më ka dënuar me një përkushtim të pafalshëm ndaj të vërtetës dhe të drejtës, që më frymëzon shumë, prej të cilit përkushtim i Madhi Zot i ka kursyer përgjithmonë Isa Mustafën, titullarët e tij në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, dhe pjesëtarët e tjerë të çetës së tij sulmuese të shpërndarë aq mjeshtrisht në mediet e përmendura. Mund t’i them Isa Mustafës vetëm edhe kaq: mua, Rexhep Qosjen, ka arsye të më përndjekë me komsomolistët partiakë, me pensionistët partiakë, me gjithë anëtarësinë partiake, sidomos, me ASHAK-un e tij partiak. Por, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, i ka mbetur kot në qafë dhe po e akuzon e po e sulmon duke harruar se Hashim Thaçi është miku i tij më i përkushtuar, që nuk po zbaton as ligje, as Kushtetutë ndaj tij dhe partisë së tij, LDK-së. Po të zbatonte ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, po të zbatonte, sidomos, standardet politike, juridike dhe etike evropiane ndaj LDK-së dje e LDK-së sot dhe ndaj Isa Mustafës dje e Isa Mustafës sot, kosovarët do të dëgjonin e do shikonin çka do të duhej të kishin dëgjuar e të kishin parë për LDK-në e për Isa Mustafën tani e sa vite.
Sepse, Hashim Thaçi, kryeministri i shtetit të Kosovës, si akt korrupsioni të rëndë do të duhej të kishte nacionalizuar tashmë shtëpinë e familjes së Ibrahim Rugovës të blerë me paratë, me 3-përqindëshin, e qytetarëve të Kosovës e të shtuar me paratë e Qeverisë së Kosovës kur LDK-ja pothuajse e drejtonte dhe përdorte atë Qeveri; sepse Hashim Thaçi, kryeministri i shtetit të Kosovës, do të duhej ta bënte jo vetëm problem politik po edhe juridik zgjedhjen e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, anëtar i ASHAK-ut; sepse Hashim Thaçi, kryeministër i Qeverisë së Kosovës, dhe Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, nuk do të duhej të lejonin që Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës të vazhdonte të vepronte si filial partiak i LDK-së, duke cenuar ashtu rëndë interesat shkencore e kulturore të Kosovës dhe duke fyer me partizmin e saj shumë intelektualë, studiues shkencorë të vjetër e të rinj, shumë shkrimtarë e krijues të tjerë artesh me shpërfilljen e krijimtarisë së tyre dhe me sjelljen në akademi të titullarëve e të partizanëve të saj ndër të cilët edhe të një maturanti! Po, vërtet, edhe të një maturanti, përpos të gjithë atyre titullarëve të lartë të LDK-së.
Ju ftoj, prandaj, lexues, gazetarë, ministra e deputetë ta lexoni edhe një herë e të mendoni sadopak për këtë të dhënë: në numrin e përgjithshëm të anëtarëve të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës 11 janë titullarët më të lartë të LDK-së, njëri prej të cilëve quhet Isa Mustafa, kurse militanti i 12 i LDK-së në këtë akademi, me kualifikim shkollor është maturant! Ju ftoj zotërinj lexues, gazetarë, ministra e deputetë t’i pyesni këta titullarë të lartë të LDK-së dhe këtë maturant: po ku e latë Kosovën? Pos jush a jeton edhe kush tjetër në këtë Kosovë? Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të duhej ta dinin se ç’ngjet në Kosovë, prandaj edhe në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, e ta kishin të qartë se është mbushur kupa e zullumit e uzurpimeve, e shpërdorimeve dhe e shfrytëzimeve të LDK-së në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në qoftë se ata, me institucionet shtetërore në krye të të cilave janë, nuk e ndryshojnë atë gjendje, nuk kërkojnë ndryshime të rrënjësishme në atë akademi, atëherë mund të ndodhë që në ndryshimin e asaj gjendje të inkuadrohen faktorë të tjerë e, në radhë të parë, krijuesit e cenuar e të fyer të shkencave e të arteve, profesorët e universiteteve publike e private dhe studentët e tyre. Nuk do të ishte mirë të presim që të ndodhë kjo. Apo jo?/marrë nga Epoka e Re/