Prej se është shpallur e krijuar, në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972, në Tiranë, dhe e pranuar prej shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre, gjuha e njësuar letrare kombëtare, tani e quajtur më shpesh, gjuha standarde, vazhdon të jetë e kritikuar apo, madje, e mohuar prej dy anësh, në të vërtetë prej dy fronteve: prej frontit që mund të quhet politik e ideologjik dhe prej frontit që mund të quhet krahinor e dialektor.
Megjithëse partizanët e këtyre dy fronteve, argumentet e tyre me të cilat i kritikojnë qoftë edhe parimet themelore të saj apo, madje, e mohojnë në tërësi dhe kërkojnë Kongres të ri, megjithëse, pra, partizanët e këtyre dy fronteve argumentet e tyre i quajmë kur shkencore, kur historike e kur thjesht kulturore, është e padyshimtë se ato kanë karakter në njërën anë politik e ideologjik, kurse në anën tjetër krahinor e dialektor. Partizanët e frontit të parë – politik dhe ideologjik, që e kritikojnë apo, madje, e mohojnë gjuhën e sotme standarde të krijuar në Kongresin e Drejtshkrimit vijnë prej së djathtës, por, nuk ndodh gjithnjë kështu: një numër i tyre, sado më i vogël, vjen edhe prej së majtës. Kështu mund të thuhet edhe kur është fjala për frontin krahinor e dialektor. Sado mund të hamendësohet se partizanët e këtij fronti, të cilët e kritikojnë apo, e mohojnë gjuhën e sotme standarde, të krijuar në Kongresin e Drejtshkrimit, vijnë prej krahinave të Veriut dhe prej dialektit të gegërishtes, prapë nuk mund të thuhet se gjithnjë ndodh kështu: një numër i tyre, sado shumë i vogël, vjen edhe prej Shqipërisë së Mesme.
Nyja e kundërthënieve në jetën tonë kulturore kombëtare, jo rrallë, ndodh të jetë e ndërlikuar po aq sa nyja e kundërthënieve në jetën tonë politike kombëtare. Këto dy fronte midis të cilave gjëllin, zhvillohet, pasurohet dhe përsoset gjuha e njësuar letrare kombëtare nuk janë krijuar pas shpërbërjes së institucioneve politike dhe shtetërore komuniste në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, që konsiderohen krijuesit të gjuhës së sotme standarde: ato janë paraqitur, natyrisht me numër më të vogël partizanësh se sot, menjëherë posa është shpallur e krijuar gjuha e njësuar letrare kombëtare, domethënë gjuha e sotme standarde. Dhe, janë paraqitur në diasporë: në Europë dhe në SHBA. Kritika dhe, madje, mohimet që i janë bërë gjuhës standarde në diasporë gjatë nuk janë marrë seriozisht prej krijuesve të kësaj gjuhe, prandaj, po ashtu gjatë, nuk u janë dhënë përgjigje as politike, as shkencore. Janë parë qartë dhe janë dendësuar me përgjigje edhe politike, edhe shkencore pas rënies së komunizmit, kur është parë se numri i kritikëve apo, madje, i mohuesve të kësaj gjuhe po shtohej dhe po përshtrihej, sidomos në Shqipërinë shtetërore një herë e pastaj edhe në Kosovë. Kronika e kritikës apo e mohimeve që i bëhen gjuhës së njësuar letrare kombëtare gjithsesi është interesante dhe ajo do të jetë dikur një krye i veçantë, gjithsesi i çuditshëm, i historisë së gjuhës shqipe në përgjithësi. Do të jetë kronikë interesante, madje, e çuditshme, jo pse është shkencore, po pse është çka është: politike e ideologjike, në njërën anë dhe krahinore e dialektore, në anën tjetër. Pse them kështu? Njohuritë e mia mbi historinë e gjuhëve letrare, domethënë të gjuhëve standarde të popujve europianë nuk më bëjnë të mundshme të pohoj se këto gjuhë janë kritikuar apo janë mohuar me të ashtuquajturat argumente politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore. Kritika apo mohimi i gjuhëve letrare, domethënë i gjuhëve standarde, të disa prej këtyre popujve mund të jetë mbështetur në argumente etnike apo fetare, po jo politike dhe krahinore.
Dhe, kjo ka ndodhur te popujt e shteteve të përbëra, federative, po jo te popujt e shteteve kombëtare. Kështu, fjala vjen, gjuha letrare ruse, domethënë gjuha standarde ruse në Rusinë cariste dhe më vonë në Bashkimin Sovjetik është kritikuar apo është mohuar prej pjesëtarëve të etnive të tjera të shtetit rus, në të vërtetë të federatës së quajtur Bashkimi Sovjetik. Gjuha letrare, domethënë gjuha standarde, serbokroate është kritikuar apo është mohuar prej kroatëve e më vonë prej myslimanëve dhe prej malazezve po ashtu me të dhënë etnike, por prej kroatëve dhe myslimanëve edhe me të dhëna fetare. Shqipëria shtetërore dhe Kosova janë shtetet e vetme kombëtare në Europë sot, domethënë shqiptarët janë kombi i vetëm në Europë sot, në gjirin e të cilit paraqiten intelektualë, gazetarë, gjuhëtarë, zyrtarë politikë, që gjuhën letrare kombëtare, e kritikojnë apo, madje, e mohojnë me argumente politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore. Prej viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar e deri sot është shkruar jo pak si për shkaqet e paraqitjes së këtyre kritikave e mohimeve, ashtu edhe për të dhënat politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore në të cilat mbështeten ato kritike dhe mohime. Nuk e quaj të nevojshme t’i përsëris, i bindur se i dini të gjithë, kurse disa prej jush edhe më mirë se unë. Pa qëllimin që t’ia mohoj kujt të drejtën e paraqitjes së lirë qoftë edhe të mendimeve më profane, më sektare, apo më separatiste, lejohem të them se mohimi i gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë i gjuhës së sotme standarde, që bëhet prej dy fronteve të sipërpërmendura – prej frontit politik e ideologjik dhe prej frontit krahinor e dialektor, është shprehje e krizës së përgjithshme morale, të mos them e patologjisë shoqërore, që e rëndon jetën shqiptare sot. Dhe, kjo krizë jo vetëm se vërehet, por pasojat e saj i përjetojmë në të gjitha fushat e jetës: më së pari e më së shumti në fushën e jetës politike e pastaj edhe në fushën e jetës kulturore.
Pse them kështu? Them kështu sepse nuk mund të quhet racional, as natyrisht, etik jo vetëm mohimi, por nuk mund të quhet racionale, as, natyrisht etike as kritika që një gjuhë letrare kombëtare, domethënë një gjuhë standarde, i bëhet për shkaqe politike, domethënë pse është krijuar në një rend politik dhe kushtetutar juridik të caktuar. Të gjitha gjuhët letrare kombëtare, të gjitha gjuhët standarde, në këtë botë janë krijuar në një rend të caktuar politik e ideologjik dhe kushtetutar juridik, i cili ose është përmbysur prej revolucionit, ose është tejkaluar në procesin e zhvillimit historik. Por askush te këta popuj nuk është ngritur që me të dhëna të shtira politike e ideologjike të mohojë atë gjuhë. Po t’u nënshtroheshin gjuhët standarde pikëpamjeve politike e ideologjike të partive grupeve e vetjeve të ndryshme, atëherë numri i gjuhëve letrare, domethënë i gjuhëve standarde, në historinë e popujve të veçantë do të ishte i pafund, kurse dëmet kulturore shoqërore në përgjithësi po ashtu të pafund. Në qoftë se nuk mund të quhet racionale, as natyrisht etike, kritika aq më pak mund të quhet racionale a etik mohimi që gjuhës letrare kombëtare i bëhet për shkaqe krahinore e dialektore: domethënë pse është krijuar duke u mbështetur në përparësitë qoftë objektive, qoftë të supozuara gjuhësore, kulturore, historike të një dialekti karshi dialekteve a të folmeve të tjera. Krizat shoqërore, qoftë edhe kur paraqiten në trajtë të patologjive më afatgjata, zakonisht, janë dukuri kaluese. Dhe, janë kaluese jo pse merr fund njëherë e përgjithmonë paraqitja e tyre.
Ato, siç dihet, zëvendësojnë njëra tjetrën në rrjedhën e kohës. Ne sot kemi një luftë politike e ideologjike dhe krahinore e dialektore për ndryshimin e parimeve të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde apo, madje, për krijimin e dy gjuhëve standarde dialektore; dhe kemi përpjekjet e shtuara për krijimin e një kombi të ri brenda kombit ekzistues shqiptar! Pas shtjellimit të mësipërm për shkaqet e kritikës apo, madje, të mohimit të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde, dhe për karakterin e tyre politik e ideologjik dhe krahinor e dialektor, është e arsyeshme, madje e domosdoshme, tani të shtrohet pyetja: ku na çojnë përpjekjet e partizanëve të këtyre dy fronteve që kërkojnë ndryshimin e parimeve themelore të gjuhës së njësuar letrare kombëtare, domethënë të gjuhës standarde apo, madje, krijimin e dy gjuhëve dialektore standarde? Sikundër na mëson historia, politikat separatiste në jetën e një populli në shumicën e herëve kanë çimentuar themelet e ndarjeve apo të shpërbërjeve të tyre.
Rrjedhimisht del përfundimi se përpjekjet për ndryshimin e parimeve të gjuhës së njësuar letrare kombëtare apo për krijimin e dy gjuhëve letrare, domethënë të gjuhëve standarde dialektore përfaqësojnë konkretizimin e politikës dhe të ideologjisë së shpërbërjes në fushën më integruese të jetës kombëtare në fushën e kulturës. Në qoftë se ky pohim është i saktë, e unë tjetër përgjigje nuk di t’i jap pyetjes së shtruar, atëherë vetvetiu shtrohet edhe një pyetje: a kemi ne sot një ide kombëtare. E me togfjalëshin ide kombëtare unë kuptoj idenë integruese në jetën e popullit shqiptar siç ishin gjatë 150 vjetëve të fundit ideja e ruajtjes së tërësisë së tokave etnike në vitin 1912, kur krijohet shteti shqiptar jashtë të cilit mbesin gati gjysma e trojeve etnike dhe më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe ideja e bashkimit kombëtar pas këtij viti. Po ta mbështesim përgjigjen në krizën që e jeton Shqipëria tani e njëzet vjet dhe në disa ide të prodhuara prej intelektualëve në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë atëherë do të përgjigjem: jo. Neve sot na mungon Ideja kombëtare. Kjo përgjigje na shpie në fusha të tjera të kërkimeve që do të duhej të bëheshin në jetën politike e kulturore shqiptare sot. Është në të mirën e kombit shqiptar sot dhe nesër që këto kërkime të bëhen sa më parë. (Koha Jonë)