leoni

Rexhep Qosja

Dr. Rexhep Qosja: Sali Berisha po zhvillon beteja politike dhe që gati një vit po i tollovit shqiptarët në Shqipëri e në Kosovë

Në një shkrim autorial për Sali  Berishën, akademiku i mirënjohur dr. Rexhep Qosja ia ka kujtuar  atij dhe  atyre që po e ndjekin  të gjitha nismat e dështimet, sidomos atë pasi është shpallur person non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Megjithëse në moshën kur moshatarët e Sali Berishës enden korridoreve të spitaleve me fashikuj në duar,  plot diagnoza e dokumente të tjera mjekësore, ai po i bën këto beteja politike dhe që gati një vit po i tollovit shqiptarët në Shqipëri e Kosovë. Unë, pas qindra e qindra faqeve të shkruara kundër politikës së tij, do të shkruaj tani një panegjirik për të: për energjitë e tij, për demagogjitë e tij artistike, për mendimet e tij të qarta, buçitëse, të sistemuara, të tejpërtej dëgjuara. E di se me atë panegjirik nuk do ta shpëtoj prej veprimit kundër vetvetes, por unë do të përpiqem ta bëj të amshueshëm në historinë shqiptare përplot të Papritura e Fatkeqësi.

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, i cili, në emrin e SHBA-së, e shpalli person të padëshiruar në SHBA dhe po sillet e po vepron si të mos ishte i shpallur i tillë! Dhe, në këtë betejë angazhoi edhe avokat francez, edhe gjykatës francez! Edhe shtet tjetër!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim! Dhe, me këtë betejë politike kundër ambasadores amerikane, ai në të vërtetë po bën betejë politike kundër SHBA-së duke mos menduar aspak se SHBA me UÇK-në dhe me NATO-n jo vetëm ndalën gjenocidin që bënte Serbia e Millosheviqit duke dëbuar afro 1 milion shqiptarë prej Kosovës, por edhe e çliroi Kosovën prej okupimit shekullor serb duke e bërë çka është sot: shtet i lirë e i pavarur.

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë që ia mohoi veprimtarinë pasi u shpall person i padëshiruar në SHBA! Dhe, e “filloi” këtë betejë politike me puç partiak!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër krijesës së tij politike, birit të tij politik, kryetarit të PDSH-së, Lulëzim Basha, të cilin më në fund e detyroi të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDSH-së.

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike për t’u dëgjuar zëri dhe mendimi i tij si dikur! Dhe, po i dëgjohet!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër bashkëpartiakëve të padëgjueshëm dhe krijoi parti të re të quajtur, çfarë çudie, kur Shtëpia e Lirisë, e kur Foltorja!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike, po bën çmos, s’po lë gur e dru pa lëvizur, për ta fituar atë betejë politike kundër kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Edi Rama, duke çuar në këmbë kundër tij të rinj e të moshuar, gra e burra, me pretekst ngritjen e çmimeve të shportës e të naftës megjithëse ai, Edi Rama, nuk ishte ngritësi i tyre!

E filloi dhe po i vazhdon të gjitha këto beteja politike për Shqipërinë Autoritare në të cilën do të jetë çka ishte, shumë vite, dikur – sundues autoritar.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …