Dr. Rexhep Qosja

Dr. Rexhep Qosja thotë se “Fjalori Enciklopedik i Kosovës”, i hartuar nga Akademia e një klani privat është fjalor antikombëtar

Fjalori i ashtuquajtur Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje dyvëllimëshe që nuk i plotëson kriteret elementare për t’u quajtur vepër profesionale, shoqërore e kombëtare.

Fjalori në fjalën është vepër e konceptuar dhe e përgatitur prej diletantëve të punës shkencore e punës profesionale. Në këtë Fjalor nuk çmohen as masa, as kriteri, as parimi, as merita, as vlera, që janë parimet themelore të cilave duhet t’u përmbahen përpiluesit e enciklopedive.

Do parë kush krejt është futur në të dhe do parë kush krejt është lënë jashtë tij për t’u bindur se çfarë injorance e ka konceptuar atë Fjalor.

Do parë cilat institucione të përtashme e cilat institucione historike janë futur në të e cilat janë lënë jashtë tij për të parë çfarë fanatikësh politikë e partiakë e kanë konceptuar atë Fjalor!

Fjalori Enciklopedik i Kosovës është përmbledhje njësish shkrimore, kur e kur shkarravinash, në të cilin cenohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës, e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi në historinë dhe në të përtashmen e saj.

Në këtë mënyrë Fjalori në fjalë është bërë përmbledhje e konceptit serb për ndarjen e Kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe në kombin e shqiptarëve të Kosovës e të ish Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptari ose shiftari!

Cenimi i këtillë i njësisë së Kombit shqiptar e bën Fjalorin në fjalë vepër kundërkombëtare që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi, kurse të shqiptarëve të Kosovës në veçanti!

Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit partiak të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!

Fjalori Enciklopedik i Kosovës është fryt i zi i privatizimit të kësaj Akademie prej një Klani mafioz!

Fjalori në fjalë është fryt i zi i korrupsionit të pandalshëm e të shumëllojshëm që e ka gllabëruar këtë institucion.

Vizita e djeshme e tre pushtetarëve të lartë të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës tregon se sa janë fundosur dija, vetëdija, drejtësia, ligji, ndërgjegjshmëria në institucionet më të larta të Kosovës: në Presidencën dhe në Qeverinë!

Me praninë e tyre aty ata në të vërtetë i shpallën të ligjshme edhe privatizimin partiak, edhe privatizimin klanor, edhe korrupsionin, edhe zhvatjet, edhe vjedhjet, edhe krimin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot. Dhe, i shpallën të ligjshme në vend se t’i propozojnë Kuvendit të Kosovës, si finansues i asaj Akademie të shpërfytyruar, të degjeneruar, që të marrë masat ligjore për shërimin e për shpëtimin e saj sa më të shpejtë prej gjithë atyre të këqijave që e sundojnë sot!

Deri kur do ta lejojë populli i Kosovës këtë analfabetizëm shkencor e profesional, këtë korruptim, këtë degjenerim, këtë shfrenim në Akademi dhe në politikën shtetërore të Kosovës?!

Kontrolloni gjithashtu

Ish-negociatorja, Edita Tahiri, dikur i nënshtrohej Serbisë në Bruksel, tani kërcënon me luftë

Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …