DR. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë II

Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:

“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave  e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve  e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Nr. 5

Drejtoria e Dytë. Informacion takimi

Kajro

Tiranë, më 10 prill 1981

Sot prita në takim, me kërkesën e tij, këshilltarin e ambasadës se RA të Egjiptit, Mohsen Toufik Azmi. Pas përshëndetjeve të rastit këshilltari egjiptian tha: “Kam ardhur të bisedoj me ju për t’u njohur me qëndrimin tuaj lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit në Kosovë dhe artikullin e gazetës suaj “Zëri i Popullit” të datës 8 prill. Të nisur nga marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë tradicionalisht midis dy vendeve dhe dy popujve tanë unë mendova t vij te bisedoj me ju për të thelluar njohuritë e për të sqaruar më thellë disa çështje që shtrohen në artikullin tuaj lidhur me ngjarjet tragjike në Kosovë. Ne e shohim me simpati qëndrimin dhe preokupacionin tuaj lidhur me këto ngjarje. Në situatën aktuale kur sovjetikët janë bërë gjithnjë e më agresorë dhe po acarohet gjendja në shumë rajone të botës, e shoh të udhës të theksoj se sovjetikët nuk qëndrojnë pa u përzier e pa bërë ç’është e mundur për të turbulluar ujërat edhe në rajonin tuaj të Ballkanit. Ngjarjet e fundit në Kosovë mund të shfrytëzohen fare mirë prej tyre. Ju i thoni hapur shumë nga çështjet në artikullin tuaj lidhur me ngjarjet në fjalë, por unë desha të mësoja direkt nga ju se ç’nënkupton “Zëri i Popullit” me qëndrimin e shprehur lidhur me Traktatet e Londrës e të Versajës”.

Në përgjigje lidhur me ketë pyetje unë i theksova egjiptianit se “artikulli i botuar në gazetën “Zëri i Popullit” është qëndrimi zyrtar i vendit tonë mbi ngjarjet në fjalë. Çështjet në të janë shtruar qartë pa ambiguitete, por drejt e hapur ashtu siç janë shprehur edhe më parë lidhur me problemin e vëllezërve tanë shqiptarë të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Referenca lidhur me traktatet e Londrës, të Versajës apo çfarëdo traktati tjetër është po aq e qartë në kontekstin e përdorur në artikull. Ajo shpjegon qartë se populli ynë nuk do të lejojë meqë mbi kurrizin e tij e të interesave të tij kombëtare të luhet nga fuqitë imperialiste sikundër se është vepruar prej fuqive të ndryshme imperialiste në të kaluarën që me konferenca e traktate të manipuluara e të vendosura prej tyre kanë copëtuar truallin tonë amtar dhe kanë ndarë kombin tonë. Në rast se ju jeni të interesuar për të mësuar më shumë lidhur me ketë histori të hidhur të kombit tonë mund t’ju rekomandoja të lexoni historinë e Shqipërisë, botuar edhe në gjuhë të huaja, veprën e shokut Enver Hoxha “Me Stalinin-Kujtime”, librin e prof. Arben Putos “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha” dhe shkrime të tjera të autorëve tanë”.

Në vijim të bisedës këshilltari egjiptian tha: “Për të plotësuar tablonë e vërtetë të ngjarjes do të doja të dija se kush qëndron pas këtyre ngjarjeve, cilët janë organizatoret  e tyre dhe cilat janë shkaqet që çuan në këto ngjarje të hidhura?”. Në përgjigje i vura në dukje egjiptianit se “shkaqet e vërteta gjinden në Kosovë dhe në udhëheqjen jugosllave. Gjendja shumë e rëndë ekonomike e masave shqiptare kosovare, me gjithë pasuritë e mëdha të kësaj krahine dhe shpirtin punëtor të kosovarit, diskriminimi i thellë i treguar ndaj popullsisë shqiptare nga autoritetet jugosllave dhe në përgjithësi politika dhe veprimtaria e tyre ndaj Kosovës dhe popullsisë shqiptare atje kanë çuar në rritjen e paparë të pakënaqësisë dhe të ndjenjës së revoltës të kësaj popullsie. Dhuna dhe reprezaljet e egra e brutale të forcave policore të urdhëruara nga autoritetet jugosllave çuan në shpërthimin e fuqishëm të revoltës dhe të urrejtjes popullore të masave studenteske e të punëtoreve në qytetet e ndryshme të Kosovës. Sa për organizatorët dhe kush qëndron prapa tyre unë s’di asgjë. Ne s’kemi se si të sigurojmë informacion lidhur me këtë. Ju vetë e dini se ç’hermetizëm i plotë ju bë kësaj krahine nga autoritetet jugosllave; forcat e ushtrisë e të policisë, tanket dhe autoblindat, masat e gjendjes së plotë të jashtëzakonshme nuk kanë lejuar të dalin informacione të sakta mbi to. Ndoshta ju mund të na thoni ndonjë gjë, mbase kini mësuar nga vetë jugosllavët ose nga burime të tjera”. Egjiptiani u përgjigj menjëherë, se ai nuk ka asnjë informacion nga qeveria e tij ose nga ndonjë burim tjetër jugosllav etj., por theksoi se “kam dëgjuar që flitet për implikime të jashtme, për forca të huaja të interesuara për disintegrimin e RSF të Jugosllavisë dhe destabilizimin e gjendjes atje. Mund të jenë edhe dora e sovjetikëve ose bullgarëve, pasuesve të tyre më besnikë”.  Pyetjes sime nëse ka ndonjë të dhënë të besueshme lidhur me këtë “implikim të sovjetikëve e bullgarëve”, ai iu përgjigj me atë se “nga analiza që i bëj unë ngjarjeve duke i lidhur me synimet dhe veprimtarinë e sovjetikëve në drejtim të Jugosllavisë dhe gjithë Ballkanit, arrij në konkluzionin se BS mund të ketë vepruar në drejtim të disa elementeve prosovjetike që mund të veprojnë edhe në Kosovë, ashtu siç veprojnë edhe në rajone të tjera të Jugosllavisë. Por sidoqoftë këto janë vetëm supozime. Por sovjetikët i bëjnë këto gjëra edhe gjetkë. Jeta e ka provuar këtë”.

Duke komentuar lidhur me idetë e artikullit mbi gatishmërinë e vendit tonë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë, etj., egjiptiani tha: “Ne, në të njëjtën kohë, vlerësojmë tonin e moderuar e qetësues të përdorur nga ju në artikullin në fjalë, thirrjet tuaja drejtuar jugosllavëve për t’u treguar gjakftohtë e për t’i zgjidhur problemet e Kosovës me qetësi, drejt dhe deri në fund, duke u ofruar gjithashtu vazhdimin e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë së mirë. Unë mendoj se ky është një qëndrim i drejtë. Kjo është edhe rruga që duhet përdorur për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë midis vendeve fqinje. Po ashtu thirrja juaj për zhvillimin e mëtejshëm e normal të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë i shërben interesave të Jugosllavisë por edhe të vendit tuaj, i shërben paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Evropë”.

“Lidhur me kërkesën e demonstruesve kosovarë për krijimin e një republike të Kosovës, unë mendoj se kjo është ajo ç’ka i ka shqetësuar e i shqetëson me tepër udhëheqësit jugosllavë, sepse kjo do të sillte çthurjen e federatës jugosllave mbasi ata kanë probleme nacionale e kontradikta ndërnacionale edhe midis kombeve të tjera. Kjo do të ishte një situatë e rrezikshme edhe për rajonin tuaj, sepse rusi e bullgari janë të interesuar të peshkojnë në këto ujëra të turbullta”.

Lidhur me këtë unë nënvizova idetë e artikullit të “Zërit të Popullit” mbi të drejtën e kosovarëve për të krijuar Republikën e tyre, duke e argumentuar këtë me të drejtën që gëzojnë ata nga vetë kushtetuta jugosllave dhe se ata i kanë të gjitha atributet për krijimin e një republike të tillë, ashtu siç ekzistojnë e funksionojnë edhe republikat e tjera të federatës jugosllave.

Me poshtë këshilltari egjiptian shtroi pyetjen: “si është puna me kombësinë myslimane që përmendet në artikullin e “Zërit të Popullit” dhe në atë të gazetës “Bashkimi” të botuar sot lidhur me regjistrimin e popullatës në Kosovë. Ç’qëllim kanë pasur, thoni ju, jugosllavët për krijimin e një kombësie të tillë myslimane. Mos synon kjo uljen e numrit të banorëve që regjistrohen nën kombësinë shqiptare?”.

Pyetjes së mësipërme unë ju përgjigja në ketë mënyrë: “Me duket se ju kini arritur në një konkluzion të saktë. Sidoqoftë unë s’kam se ç’të shtoj përpos atyre që kini lexuar në këto artikuj të shtypit tonë që ju kini përmendur. Vetëm mund t’ju them se mua më duket një absurditet i plotë nga ana e jugosllavëve që flasin për një kombësi të tillë myslimane; kjo do të ishte njëlloj sikur tek ju, në Egjipt, të fillohej regjistrimi i një kombësie myslimane, një kombësie kopte, etj., në një kohë kur tek ju ka një kombësi egjiptiane dhe minoritete të kombësive të tjera të zonës suaj”.

Lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe artikullin tonë si konkluzion egjiptiani tha “Unë mendoj se jugosllavët duhet ta kuptojnë mirë situatën në të cilën ndodhen dhe të ndërmarrin hapat e nevojshme për zgjidhjen e problemeve. Kjo do të jetë në të mirën dhe interesin e vetë Jugosllavisë por edhe të stabilitetit në rajon. Me sa kuptoj unë jugosllavët nuk do të ndërmarrin hapa të gabuar në drejtim të vendit tuaj. Kjo do të ishte gabim nga ana e tyre”.

Në fund, pasi falënderoi për sqarimet e bëra nga unë, egjiptiani pyeti edhe lidhur me shkrimet e kohëve të fundit të shtypit anglez mbi problemin e arit monetar e marrëdhëniet me Shqipërinë si dhe nëse vendi ynë do të hap ambasadën e tij në Tokio, tani që u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve. Shkurt i fola për qëndrimin tonë lidhur me problemin e arit monetar dhe i vura në dukje se tani nuk dija nëse do të hapet ndonjë ambasadë e vendit tonë në Tokio.

Biseda u zhvillua mjaft normalisht dhe zgjati 30 minuta.

Bashkim Pitarka

Nr. 6

Informacion

Mbi reagimin në vende të ndryshme për ngjarjet në Kosovë dhe për artikullin e “Zërit të Popullit” botuar më 8 prill 1981

Tiranë më 23 prill 1981

Demonstratat në Kosovë më 11 e 26 mars dhe 1 e 2 prill 1981, si dhe artikulli i botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më 8 prill 1981 me titull: “Përse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë”, kanë pasur një jehonë të madhe në botë.

Në Greqi:

Shtypi grek i ka pasqyruar gjerësisht ngjarjet në Kosovë. Gazetat e mëdha, si “Akropolis”, “Eleftheros Kozmos”, “Athens Njuz” e të tjera kanë botuar shkrime për zhvillimin e ngjarjeve, për qëndrimin jugosllav ndaj tyre dhe për artikullin tonë të datës 8 prill 1981. Tërheq vëmendjen se shtypi grek u është shmangur komenteve rreth këtyre ngjarjeve, por ka botuar njoftime ose pjesë të artikujve të shtypit jugosllav e të artikullit të “Zërit të Popullit” të datës 8 prill 1981, duke pasqyruar qëndrimet e kundërta për këto ngjarje.

Pasqyrim të gjer pati në shtypin e Athinës intervista e Dollancit, sidomos ato pjesë qe theksonin se “demonstratat janë organizuar në mënyrë të fshehtë nga një grusht njerëzish tradhtarë”, se “ato synojnë të venë në rrezik sistemin socialist vetadministrues jugosllav”, se “do të merren masa për vendosjen e rregullit”, etj. Citohen gjithashtu fjalët e Dollancit se nuk besohet qe Shqipëria të ketë dorë në këto ngjarje.

Botimi i artikullit tonë u pasqyrua menjëherë në shtypin grek. Në artikujt e botuar vihej në dukje se Shqipëria dënon Jugosllavinë për masat shtypëse kundër demonstruesve. Janë botuar pjesë nga artikulli ynë për gjendjen e vështirë ekonomike të Kosovës dhe për kërkesat e drejta të studentëve, për masat shtypëse qe u përdoren nga udhëheqja jugosllave, për politiken e saj shoviniste ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera dhe qe Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë.

Por një pasqyrim të njëjtë pati në shtypin grek edhe artikulli i gazetës “Rilindja”, në përgjigje të artikullit tonë, sidomos pjesët që theksonin se Shqipëria ka nxitur demonstratat dhe me veprimet e saj rrezikon paqen në Ballkan. Gazeta “Akropolis”, e cila qëndron pranë rretheve qeveritare, më 9 prill, duke cituar pjesë nga artikulli i “Rilindjes”, thotë se “akuza e “Zërit të Popullit”, të cilin u ngut ta transmetonte radiostacioni i Tiranës, tregon se zyrtarët jugosllavë u mashtruan kur thanë se nuk duhet të jetë dora e Tiranës në trazirat e 1 prillit në Prishtinë”.

Gazeta e djathtë “Eleftheros Kozmos”, thekson se në këto ngjarje ka pasur dorë BS. Bile në artikullin e datës 9 prill kjo gazetë njofton se organet jugosllave kanë kapur 8 kamionë bullgarë të ngarkuar me armë të tipit çekosllovakë, që destinoheshin për në Kosovë. Ajo vazhdon duke shënuar se ky akt shtyu zyrtarët jugosllavë të akuzojnë indirekt por qartazi BS dhe vendet e tij satelite se përpiqen të përmbysin sistemin aktual në Jugosllavi dhe ta zëvendësojnë atë me sistemin “dogmatik stalinian”.

Lidhur me qëndrimin zyrtar grek ndaj artikullit tonë, në rrethet qeveritare greke nuk ka pasur reagim. Ambasadori grek në Beograd, në bisedë me ambasadorin tonë atje, ka vlerësuar artikullin si të argumentuar dhe të goditur dhe që i ka vënë në pozita të vështira jugosllavët, të cilët do detyrohen të përmirësojnë kushtet e shqiptarëve në Kosovë.

I ngarkuari me punë greku në Tiranë, në një takim këtu në Ministri me 11 prill, duke bërë fjalë për ngjarjet në Kosovë dhe artikullin tonë, tha se Greqia i ndjek me kujdes këto ngjarje, mbasi këto kanë të bëjnë me një ngjarje kombëtare, çështje kombi, për të cilën ajo është shumë e ndjeshme, sepse edhe ajo ka pakica greke në vende të tjera. Lidhur me artikullin tonë ai pyeti se si duhet kuptuar çështja e traktateve të Londrës dhe të Versajes, ndërsa në një rast tjetër, duke iu referuar artikullit tha se atyre u kishte pëlqyer sidomos pjesa që thotë se para që një shtet t’i japë këshillë një shtetit tjetër, duhet të shohë se si i ka punët në shtëpinë e vetë. Këtë ai e përsëriti dy herë, duke bërë aluzion për minoritetin grek në Shqipëri.

Në Itali:

Shtypi italian u ka bërë një jehonë relativisht të gjerë ngjarjeve në Kosovë. Ai ka botuar njoftime me tituj të tillë si “Në Kosovën jugosllave incidente dhe të plagosur”, “Ashpërsohen protestat e shqiptarëve”, “Ushtria dhe tanket nëpër rrugët e Kosovës përpiqen të shtypin revoltën”, “Ndalohen manifestimet në Kosovë”. Shtypi italian në njoftimet e tij ka vënë në dukje gjendjen e rëndë ekonomike të Kosovës, prapambetjen e saj në krahasim me atë të pjesëve të tjera të Jugosllavisë, kërkesat politike të demonstruesve duke përfshirë edhe atë për “bashkimin e krahinës me Shqipërinë”. Por ndërkohë ai ka theksuar se nuk mund të bëhet fjalë për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë, se Shqipëria nuk e pretendon një gjë të tillë, se mënyra e jetesës, feja e xhamitë në Kosovë nuk janë në përputhje me jetën në Shqipëri.

E përbashkët për artikujt e botuar nga organe të ndryshme të shtypit italian është theksimi se demonstratat në Kosovë kanë qenë manifestime vetëm të studentëve.

Shtypi demokristian dhe ai që kontrollohet nga ta e nga socialistët ka mbajtur një qëndrim të ekuilibruar. Kështu organi i partisë Demokristiane “II Popolo” ndonëse i referohet agjencisë jugosllave “Tanjug” për ngjarjet në Kosovë, jep të dhëna për dhunën e ushtruar dhe vë në dukje kërkesat politike të demonstruesve. Ndërsa gazeta “Mesaxhero”, që shpreh mendimin e qarqeve të qendrës së djathtë dhe që kontrollohet nga demokristianët, i lidh demonstratat në Kosovë me pakënaqësitë që kanë studentët në të gjithë Jugosllavinë dhe për këtë sjell si shembull protestat e studentëve në Universitetet e Zagrebit e të Beogradit dhe masat e menjëhershme që u morën kundër tyre. Një gjë të tillë e trajton edhe gazeta “Republika”, që në fakt kontrollohet nga socialistët. Kjo gazetë, pasi vë në dukje kërkesat politike të demonstruesve, thekson se krijimi i Republikës së Kosovës është kërkuar edhe në vitin 1974 nga shumë intelektualë e funksionarë të krahinës, por se “ata u detyruan të heqin dorë” nga kjo kërkesë. Tërheq vëmendjen fakti që gazeta vë në dukje se “aneksimi i Kosovës më 1945 nga Jugosllavia i kushtoi shumë gjak të dy palëve”.

Po këto gazeta botojnë pjesë nga artikulli i ynë i 8 prillit, ku flitet për dhunën e pashembullt në Kosovë dhe qe Shqipëria nuk ka lidhje me ngjarjet atje. Gazeta “II Popolo” e vlerëson artikullin si “maturi nga Tirana për ngjarjet në Kosovë”, ndërsa gazeta “Republika” e quan “e kujdesshme Tirana për faktet në Kosovë”.

Vetëm gazeta revizioniste “L’Unita” dhe “La Stampa”, zëdhënëse e bosit të FIAT-it, kanë mbajtur një qëndrim të hapur antishqiptar. Gazeta revizioniste e quan Kosovën “djepin e Serbisë” dhe që është populluar nga shqiptarët gjatë pushtimit otoman, ndërsa “La Stampa” shpif në mënyrë të poshtër për realitetin e Shqipërinë socialiste.

Shtypi italian vazhdon të ndjekë e të reflektojë zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë dhe marrëdhëniet midis Jugosllavisë e Shqipërisë. Gazetat italiane botojnë njoftimin e gazetës sonë “Bashkimi” për 308 të vrarët e të plagosurit në Kosovë, si dhe për sesionin e Odes Ekonomike të Jugosllavisë, që u mblodh në Beograd këto ditë për të shqyrtuar gjendjen e shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë.

Vlen të theksohet se shtypi jugosllav ka lavdëruar qëndrimin e gazetës “La Stampa”, por ka kritikuar gazetën “Korriere de la Sera”, për pasqyrim jo real të gjendjes në Jugosllavi.

Me datën 13 prill, televizioni italian, në emisionin TC I bëri një koment prej dhjetë minutash për ngjarjet në Kosovë, duke u përqendruar në tre variante të mundshme lidhur me organizimin e ngjarjeve:

Varianti i parë i mundshëm ishte nga ana e Shqipërisë

Varianti i dytë ishte nga ana e BS.

Varianti i tretë ishte faktori i brendshëm në Kosovë.

Vlen të theksohet se as këtu dhe as në Romë nuk ka pasur ndonjë reagim konkret prej diplomatëve ose funksionarëve italianë.

Në Kinë:

Revizionistët kinezë, si bashkudhëtarë dhe miq të ngushtë me revizionistët titistë me qëndrimet që mbajtën për ngjarjet e fundit në Kosovë, e treguan edhe një herë fytyrën e tyre të vërtetë dhe armiqësinë e shfrenuar ndaj Partisë dhe vendit tonë, si dhe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë e viset e tjera të Jugosllavisë.

Revizionistët kinezë u treguan shumë të zellshëm për t’u ardhur në ndihmë krerëve të Beogradit në këtë çështje. Kështu qysh më 28 mars HSINHUA-ja dha lajmin e parë lidhur me trazirat e 11 dhe 26 marsit, në të cilën duke cituar Asllan Fazlin, thuhet se “trazirat që shpërthyen me 11 dhe 26 mars në Universitetin e Prishtinës ishin organizuar me qëllim nga elementë armiq të brendshëm e të jashtëm”, gjë qe indirekt drejtohet kundër vendit tonë.

Përveç sa me sipër në lajm theksohen ato pjesë të deklaratave “mbi përpjekjet e mëdha që bëhen nga gjithë Republika Federative për të çuar më tej zhvillimin e Kosovës dhe për zbatimin e politikës së barazisë midis kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”.

Në lajmin e 2 prillit mbi diskutimet e udhëheqjes jugosllave për turbullirat në Kosovë, HSINHUA-ja citon pjesë të komunikatës të Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë dhe shpreh më hapur qëndrimin armiqësor ndaj vendit tonë, duke theksuar se “turbullirat u bënë nga elementë armiq, që nisen nga pozitat e nacionalizmit shqiptar”.

Në këtë lajm veç sa sipër tërheq vëmendjen edhe një moment tjetër. Vihet theksi në kërcënimin që përbëjnë turbullirat e Kosovës për unitetin e kombësive dhe integritetin territorial të Jugosllavisë, duke lenë të nënkuptohet rrezikun e depërtimit të socialimperialistëve sovjetikë dhe nën këtë pretekst mohohen të drejtat e kosovarëve dhe të kombësive shqiptare në Jugosllavi në bazë të kushtetutës jugosllave si dhe e drejta jonë për ta përkrahur vëllezërit tanë në Jugosllavi.

Me datën 3 prill HSIHUA-ja e përsëriti lajmin e sipërm me ndonjë shkurtim të pjesëve jo esenciale, ndërsa më 5 prill socialimperialistët kinezë bënë një hap tjetër më tej në qëndrimin e tyre, duke botuar një artikull të korrespondentit të “Zhenminzhibaos” në Beograd me titull: “Populli i Kosovës të Jugosllavisë dënon veprimtarinë e elementëve armiq”. Ndërsa lajmet e HSINHUA-së të dhëna deri atëherë ishin kryesisht për konsum të jashtëm dhe për kuadrot kryesore, artikulli i sipërm ka pasur për qëllim që të dezinformonte dhe përpunonte opinionin e brendshëm.

Mbasi flitet për veprimet armiqësore “të organizuara brenda dhe jashtë vendit”, në artikull qëllimisht thuhet se “Kosova i përket Republikës së Serbisë” dhe se “70 për qind e popullsisë së saj janë shqiptarë”.

Një nga qëllimet kryesore të këtij artikulli është që të tregojë se “gjithë popujt e Jugosllavisë”, përfshi dhe popullin e Kosovës, rrojnë në unitet të ngushtë” dhe se “komunistët, klasa punëtore dhe gjithë punonjësit, veçanërisht të kombësisë shqiptare, shprehin solidaritetin me masat e marra nga “qeveria jugosllave”.

Edhe më 6 prill HSINHUA-ja botoi një lajm tjetër mbi Kosovën, ku duke u nisur nga miqësia dhe solidariteti që kanë me titistët shprehet për masat e marra dhe vendosjen e rregullit në Kosovë. Po më 6 prill “HSINHUA-aja” jep pjesë nga fjalimi i Dollancit në konferencën e shtypit për gjendjen në Kosovë, ku veç të tjerave deklaroi se “asnjë ngjarje nuk do ta bëjë Jugosllavinë të devijojë nga parimet e vetadministrimit dhe mosangazhimit” të cilat “janë kundërshtuar nga forcat reaksionare e konservatore të huaja dhe disa forca të brendshme kundërshtare”, që në fakt drejtohet kundër nesh.

Në disa vende të tjera

Në Vietnam gazeta vietnameze “Nian Zan” datë 8 prill botoi një lajm ku thuhet se “Në krahinën autonome të Kosovës (Republika e Serbisë) kanë ndodhur konflikte e përleshje midis demonstruesve dhe policisë”. Kurse në buletinin për përdorim të brendshëm të datës 7 prill jepen pjesë nga fjalimi i Dollancit në konferencën e shtypit, duke mbajtur kështu një qëndrim pro jugosllav në këtë çështje dhe vihet në dukje dhe shtrirja e gjerë e demonstratave se “lëvizjet e 1 dhe 2 prillit, në vazhdim të atyre qe u bënë në muajin mars, që thuhet se janë të nxitura nga shqiptarët, u shtrinë në Prishtinë dhe në 6 qendra të tjera”.

Në Japoni Radio Tokio, duke njoftuar mbi ngjarjet e fundit në Kosovë, tërhoqi vëmendjen rreth faktit se 85 për qind e popullsisë së Kosovës janë me prejardhje dhe se qytetarët kërkonin statusin e republikës se pavarur të Kosovës.

Radio Souli lidhur me ngjarjet në Kosovë, me datën 3 prill, mbasi vinte në dukje se në Prishtinë u bënë demonstrata të mëdha me pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve, theksonte se demonstruesit mbanin parulla pro Shqipërisë dhe se këto demonstrata që kanë filluar mbas vdekjes se Titos, nga përmasat janë më të mëdha në Jugosllavi mbas Luftës se Dytë Botërore.

Si konkluzion mund të thuhet se ngjarjet në Kosovë dhe artikulli i “Zërit të Popullit” të datës 8 prill 1981 do të kenë në të ardhmen jehonë shumë më të madhe në botë. Artikulli ynë “Përse u përdor dhuna dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë” po influencon në një shkallë të madhe në sqarimin e problemeve dhe marrjen e qëndrimeve më realiste.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …