Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:
“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Nr. 10
Informacion mujor për muajin prill 1981. Problemi i Kosovës
Vjenë, 5 maj 1981
I – Zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë ka qenë në qendër të vëmendjes së përfaqësisë gjatë muajit prill. Problemi u shtrua në organizatën bazë të partisë dhe nën drejtimin e saj u përcaktuan detyrat dhe u veprua me të gjitha mundësitë në këto drejtime kryesore:
- a) shpërndarjen sa më gjerë të artikujve tanë të 8 dhe 23 prillit në kosovarë, diplomatë, gazetarë, personalitete të vendit, anëtarë të shoqatës, miq të vendit tonë, e persona të ndryshëm në Austri, RFGJ e Zvicër. b) vjelja e jehonës dhe njoftimet përkatëse me precedencë qendrës. Ndihmuan në këtë punë edhe studentët dhe pasuniversitarët tanë në Vjenë me përkthime. c) marrja e sa më shumë kontakteve me kosovarë, diplomatë, gazetarë, personalitete etj. d) njoftimi me precedencë qendrës të informacionit mbi Kosovën. e) diskutime e konkluzione të herëpashershme për punën e kryer, vlerësimin e të dhënave, nxjerrjen e konkluzioneve, përcaktimin e detyrave për secilin.
Si konkluzion dalin këto çështje kryesore:
- Qëndrimi i Shqipërisë pritej me shumë interesim. Qysh në njoftimin e parë që dha ATSH-ja filloi publiciteti i qëndrimit tonë dhe mori proporcione gjithnjë e më të gjera mbas botimit të artikullit të “Zërit të Popullit” të 8 dhe 23 prillit. Artikujt e lartpërmendur patën jehonë të gjerë në qarqet politike gazetareske, diplomatike dhe opinionin publik të vendeve të zonës.
Për të dy artikujt të gjitha agjencitë e huaja të shtypit që kanë përfaqësuesit e tyre në Vjenë reaguan brenda ditës dhe iu njoftuan qendrës. Reagime të shpejta dhe të vazhdueshme ka pasur gjatë prillit në organet e shtypit , të radios e televizionit në radhë të parë në RFGJ e pastaj në Austri, por edhe në shtypin zviceran megjithëse në numër me të pakët. Gjatë muajit prill në shtypin gjerman u botuan 900 informacione e artikuj që nga organet kryesore të vendit si “Frakfurter Allgemeine Zeitung”, “Die Welt”, “Suddeutsche Zeitung” e deri në organet lokale të të gjitha landeve të Gjermanisë. Tërheq vëmendjen fakti se edhe në shtypin austriak, në gazetat me tirazh të madh si “Kurier” e “Neue Kronen Zeitung” iu dha qëndrimeve tona një vend i rëndësishëm!
Artikujt e botuar në vendet e zonës kanë qenë përgjithësisht të mirë dhe kanë trajtuar më tepër problemet e mëposhtme duke cituar paragrafe nga dy artikujt e “Zërit të Popullit”:
– shkaqet e protestave të studentëve duke venë theksin me tepër mbi prapambetjen ekonomike të Kosovës dhe mungesën e të drejtave të plota politike.
– kërkesën që Kosova të shpallet republikë në kuadrin e federatës.
– dënimin e masave të dhunës dhe terrorit të përdoruara nga policia dhe forcat e armatosura jugosllave kundër demonstruesve. Në disa artikuj janë ironizuar qëndrimet kontradiktore mbi numrin e viktimave të publikuara nga autoritetet jugosllave. Disa organe në Austri dhe Gjermani kanë publikuar shifra shumë më të mëdha për të vrarët dhe të plagosurit të marra nga kosovarë që kanë marrë kontakte me organet e lartpërmendura. Në këtë drejtim është punuar nga shokët e ambasadës me kosovarë patriotë të besuar.
– hedhjen poshtë të akuzave jugosllave nga “Zëri i Popullit” mbi gjoja ndërhyrjen e Shqipërisë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Me shumë theksi është vënë në faktin se burimet e ngjarjeve në Kosovë janë shkaqet e brendshme. Me ndonjë përjashtim, në këtë drejtim nuk është vënë në dyshim qëndrimi i vendit tonë.
– qëndrimi i Shqipërisë për ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë se mirë me Jugosllavinë.
– në shumë raste është përmendur edhe teza e servirur nga jugosllavët se pjesa veriore e Kosovës ka qenë zemra e Serbisë ku janë zhvilluar beteja të mëdha kundër turqve në shekullin e XIV në të cilën serbët pësuan disfatë dhe se në këtë zonë dynden me vonë shqiptarët e myslimanizuar. Ka pasur edhe artikuj që e kanë hedhur poshtë këtë tezë mashtruese duke i kundërvënë autoktoninë e iliro-shqiptarëve.
Jehona e gjerë qe kanë pasur qëndrimet e partisë dhe të qeverisë tonë në shtypin e zonës lidhur me ngjarjet në Kosovë nga pikëpamja e përmasave dhe e numrit të artikujve mund të krahasohen me jehonën që patën qëndrimet tona në vitet 60-të (Konferenca e Moskës, prerja e marrëdhënieve me BS, dalja nga Traktati i Varshavës) dhe të viteve 70-të kur u prishen marrëdhëniet tona me Kinën.
2 – Cilat mund të jenë disa nga arsyet që shtypi i zonës ku vepron përfaqësia jonë, sidomos ai gjerman e austriak i dhanë një jehonë ka të gjerë dhe përgjithësisht pozitive qëndrimit të Shqipërisë ndaj ngjarjeve në Kosovë?
- a) Për Gjermaninë – 1) Ndarja e Gjermanisë në dy shtete pas Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Bonit është e interesuar tu kujtojë gjermanëve të lindjes dhe të perëndimit këtë fakt, për tu venë në dukje indirekt se një ditë edhe ata duhet të ngrihen për të bashkuar atdheun e tyre. 2) Për të bërë presion ndaj Jugosllavisë se ngjarjet në Kosovë, mund ti japin shkas BS që një ditë të sulmojë Jugosllavinë me qëllim që ta tërheq atë përfundimisht në gjirin e Traktatit të Varshavës. 3) Për të përfituar nga rasti që monopolet gjermanoperëndimorë të rrisin investimet në Kosovë, në rast se duan që kjo krahinë të dalë nga prapambetja që është një nga shkaqet kryesore të ngjarjeve në Kosovë dhe të mbetet në kuadrin e federatës jugosllave. Është e qartë se vetë Jugosllavia e mbytur në borxhe nuk është në gjendje të ndërmarrë një gjë të tillë. 4) Për të rritur presionin dhe për të ngushtuar rrethimin imperialist shovinist ndaj Shqipërisë socialiste me qëllim që ajo të ndryshojë kursin e saj të pavarur dhe të hapet më shumë ndaj perëndimit.
- b) Për Austrinë – 1) tu presë rrugën për një kohë kërkesave dhe pretendimeve të qeverisë jugosllave për dhënien e me shumë të drejtave minoritetit kroato-slloven në Austri. 2) për të nxitur ndjenjat nacionaliste në popullin austriak në Tripolin e jugut (mbi 100 000 austriakë) që pas Luftës së Parë Botërore iu dha Italisë. 3) për qëllimet e përmendura në pikat 2, 3, 4 për Gjermaninë. 4) në qëndrimet e shtypit austriak, gjerman e zvicran lidhur me jehonën që i dhanë ngjarjeve në Kosovë e qëndrimeve të Shqipërisë kanë influencuar dhe masat e egra të dhunës e terrorit që u përdoren kundër demonstruesve në Kosovë. Duke e hequr veten si vende “demokratike” shtypi i këtyre vendeve nuk mund të linte pa i përmendur dhe pa i dënuar këto akte të dhunës.
Vlen të përmenden edhe këto dy aspekte lidhur me reagimet në Austri:
- a) personalitetet austriake me të cilët kemi trajtuar çështjen e ngjarjeve në Kosovë si ministri i shëndetësisë, i komunikacionit, zëvendësministri i tregtisë së jashtme, megjithëse në mënyrë të kujdesshme e të rezervuar e kanë konsideruar të drejtë qëndrimin e Shqipërisë lidhur me dënimin e terrorit të përdorur nga jugosllavët në Kosovë dhe në mbështetjen e kërkesave të popullit të Kosovës.
- b) shtypi austriak nuk mund ti jepte jehonë ngjarjeve në Kosovë e qëndrimit të Shqipërisë ndaj tyre pa i hapur dritën jeshile në këtë drejtim Qeveria austriake. Pra, ky nuk është një qëndrim i shtypit të “lirë demokratik” austriak, por qëndrim i aprovuar pa bujë nga Qeveria austriake.
- c) përmendja me shkathtësi në “Zërin e Popullit” i pretendimeve jugosllave ndaj trajtimit të minoritetit kroato-slloven në Austri është pritur mirë nga qarqet drejtuese politike të vendit. Edhe kjo ka influencuar në nxitjen e jehonës në shtypin austriak. Kjo është një përvojë pozitive edhe për ambasadën tonë që në të ardhmen të arrijë të bëjë edhe ajo ndonjë propozim si mund të shfrytëzohen kontradiktat në interesin tonë.
- d) shoqata e miqësisë Austri-Shqipëri mbajti qëndrim shumë të mirë lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe reagimet e vendit tonë ndaj tyre. U treguan të gatshëm deri në dërgim telegrami proteste qeverisë jugosllave në se ne do ta shihnim të arsyeshëm një veprim të tillë. Kryesia e shoqatës u shfaq dakord që në fillim dhe mbështeti qëndrimet e Shqipërisë.
Edhe reagimet e prof. Birkmajerit, sidomos prof. Felingerit, që janë personalitete të njohura intelektuale në Austri kanë qenë pozitive e dashamirëse. Këto qëndrime na inkurajojnë dhe na bëjnë të kuptojmë, të zbërthejmë e të zbatojmë me mirë se deri tani punën tonë me shoqatën e miqësisë me miqtë e vendit tonë dhe të zgjerojmë me shumë rrethin e tyre sidomos midis inteligjencës. Kjo është e domosdoshme për të arritur krijimin e një opinioni të favorshëm sa më të gjerë për vendin tonë në Austri që do të mund të përdoret në interes dhe favorin tonë sidomos në momente të caktuara.
5 – Në reagimet përgjithësisht pozitive të gazetarëve, diplomatëve e personaliteteve të vendit një rol pozitiv ka luajtur dhe puna e bërë nga ambasada në dhënien në kohën sa më të shkurtër të artikujve të “Zërit të Popullit” agjencive të huaja, shpërndarje sa më e shpejtë e tyre organeve të shtypit të 3 shteteve të zonës, personaliteteve, diplomatëve, miqve të vendit tonë dhe marrjen e sa me shumë kontakteve dhe propagandimi i gjerë gojor që iu bë qëndrimeve të drejta të partisë e qeverisë sonë ndaj ngjarjeve në Kosovë si dhe drejtimi i gjithë kësaj pune nga organizata bazë e partisë.
6 – Një nga shkaqet qe në shtypin zviceran u botuan me pak të dhëna e artikuj është edhe fakti se ambasada jonë deri tani për arsye të mundësive të kufizuara, por edhe për arsye subjektive ka kontakte me të kufizuara me organet e shtypit e të propagandës zvicerane. Na del si detyrë që këtë çështje ta trajtojmë më mirë e më gjerë në të ardhmen. Të shfrytëzojmë më mirë rastet e vajtjeve të titullarit dhe të shokëve të tjerë në Zvicër për të marrë me shumë kontakte me organet e shtypit zviceran, për të krijuar lidhjen e njohje më të gjëra dhe për të zgjeruar adresat e dërgimit të materialeve tona.
E shohim të nevojshme gjithashtu që të dërgohen shokë kur kjo të jetë e mundshme jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani me detyra të caktuara në fushën e propagandës, jo vetëm për kontakte me organet e shtypit por edhe për të trajtuar më gjerë mundësinë e përkthimeve e botimeve tona dhe të veprave të shokut Enver si dhe për shitjen e botimeve e të gazetave tona në gjuhën shqipe. Për këtë të fundit janë krijuar mundësi me të favorshme dhe këto mundësi duhen shfrytëzuar.
7 – Terreni më i favorshëm që u krijua për të bërë të njohur gjerësisht politikën e qëndrimet e partisë dhe qeverisë sonë na shtron një serë detyrash për të ardhmen: a- të tregohemi me të shkathët për të përdorur metoda me të përshtatshme pune që do të shërbejnë si nxitje që gazetarët që kanë shkruar me ketë rast të vazhdojnë të shkruajnë për Shqipërinë edhe në të ardhmen. Aq më tepër që ketë vit kemi 40 vjetorin e themelimit të partisë dhe kongresin e saj të VIII. Ne kemi filluar të praktikojmë dërgim materialesh të ilustruara etj. në formë peshqeshesh, dhënie dreka-darkash me gazetarë. Kjo do të zgjerohet me shumë në të ardhmen. Kemi filluar gjithashtu të evidentojmë organet e gazetarët e panjohur të organeve qendrore e lokale të 3 shteteve të zonës që kanë shkruar për qëndrimet tona lidhur me ngjarjet në Kosovë. Me ta do të synohet të krijohen kontakte e lidhje si me anën e korrespondencës ashtu edhe me marrjen e kontakteve direkte aq sa kjo të jetë e mundur.
II – Qëndrimet e drejta dhe në kohën e duhur të partisë dhe qeverisë sonë ndaj ngjarjeve në Kosovë kanë pasur rezultate pozitive në shumë drejtime: 1 – padrejtësitë që i janë bërë kombit shqiptar nga Traktatet e vitit 1913 dhe Traktati i Versajës të cilët ndanë në dysh trungun e Shqipërisë duke i dhënë Jugosllavisë padrejtësisht një pjesë të madhe të territorit të saj, të cilat ishin lënë në harresë, të rikujtohen dhe të bëhen të njohura botërisht, Kjo është në favorin e çështjes sonë kombëtare dhe të perspektivës së saj.
2 – problemi i Kosovës, i ndarjes padrejtësisht i kombësisë shqiptare në Jugosllavi në tre republika të federuara, i prapambetjes së madhe të territoreve të banuara nga shqiptarët, i popullsisë së madhe shqiptare prej më shumë se 2 milionësh që kanë mbetur në Jugosllavi, i aspiratave të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, që më nuk njiheshin nga personalitetet shtetërore e politike, aq me tepër nga gazetarë e opinioni publik ndërkombëtar të bëhen të njohura botërisht në saje të qëndrimeve të drejta parimore e të guximshme të partisë dhe të qeverisë sonë. Në ketë drejtim, dashur pa dashur u detyruan të kontribuojnë vetë organet e shtypit dhe të propagandës se vendeve të ndryshme borgjeze kapitaliste.
3 – u bë e njohur dhe u demaskua rëndë politika shoviniste nacionaliste si e krajlëve të vjetër serbë ashtu edhe e Jugosllavisë së sotme revizioniste “vetadministruese”. U bënë të njohura metodat e përdorura për të shfarosur popullin e kombësisë shqiptare në Jugosllavi, me anë të gjenocidit, të shpërnguljes brenda dhe jashtë Jugosllavisë, të kombëtarizimit nëpërmjet regjistrimeve fallco të kombësisë që janë përdorur e përdoren në Jugosllavi. U demaskua në tërësi politika nacionaliste e Jugosllavisë federative.
4 – u godit rëndë prestigji që Jugosllavisë e “paangazhuar” kishte fituar me mashtrime, gënjeshtra dhe me ndihmën e kapitalit dhe propagandës borgjezo-revizioniste në shkallë botërore. Tashmë Jugosllavia nuk do të ketë me atë prestigj dhe atë rol që ka pasur deri më sot në lëvizjen mashtruese “të vendeve të paangazhuara”. Me veprimet kriminale në Kosovë Jugosllavisë iu hoq maska dhe e tregoi lakuriq fytyrën e saj të vërtetë shoviniste dhe si agjenturë e kapitalit ndërkombëtar.
5 – sistemi “vetadministrues” jugosllav me qëndrimet ndaj ngjarjeve në Kosovë, me gjendjen e rendë ekonomike qe është krijuar në Jugosllavi pavarësisht nga miliardat e borxheve qe i janë dhenë nga kapitali imperialist-revizionit botëror u komprementua rendë, tregoi falsitetin e tij si një sistem mashtrues kapitalist mbuluar me vello fallco “socialiste”. Kjo është një humbje e madhe ideologjike për Jugosllavinë titiste, por edhe për kapitalizmin e revizionizmin ne shkallë botërore.
6 – ngjarjet në Kosovë treguan jo vetëm forcën e patriotizmit shqiptar, por edhe pjekurinë e popullsisë dhe të drejtuesve të këtyre ngjarjeve të cilët kërkesat e paraqitura i mbajtën në kuadrin e respektimit të të drejtave kushtetues dhe të respektimit të parimit të vetëvendosjes. Kjo i hoqi mundësinë udhëheqjes revizioniste jugosllave për të pasur argumente në sulmet e saj për të akuzuar Partinë e Punës të Shqipërisë dhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë si nxitëse dhe organizatore të ngjarjeve në Kosovë. Këto sulme bazohen vetëm në shpifje dhe akuza fallso të pabazuara. Kjo është edhe përshtypja që është krijuar në opinionin publik të zonës ku vepron përfaqësia jonë dhe në atë ndërkombëtar. Këtyre shpifjeve nuk u beson asnjë politikan, gazetar a njeri i ndershëm dhe objektiv. Ato mund ti propagandojnë e mbështesin vetëm armiqtë e pa skrupull të popullit e vendit tonë.
7 – Kërkesa e popullit të Kosovës për të krijuar republikën e vet në kuadrin e federatës jugosllave e mbështetur fuqimisht nga Partia e Punës e Shqipërisë fitoi tashmë të drejtën e problemit të shtruar për zgjidhje në bazë të parimit të vetëvendosjes. Kjo kërkesë e drejtë është vështirë të hidhet poshtë përgjithmonë pa pasur rrjedhime shkatërrimtare për Jugosllavinë.
Personalitetet politike, diplomatike, gazetarët në vendet e zonës ku vepron përfaqësia jonë edhe në qoftë se për oportunitet politik nuk e thonë, e ndjejnë se kjo është një kërkesë e drejtë. Edhe ata gazetarë reaksionarë, miq e simpatizantë të Jugosllavisë, që duan të argumentojnë të kundërtën, stonojnë nuk kanë argumente, bëhen bajate.
8 – Qëndrimi i partisë dhe i qeverisë sonë në përkrahje të kërkesave të drejta e të pjekura të popullit të Kosovës u bë një faktor i madh inkurajimi për popullin e Kosovës dhe të gjithë zonave të tjera në Jugosllavi për të forcuar luftën dhe vendosmërinë për të fituar të drejtat e parashtruara. Ky qëndrim u bë një busull që tregon se kërkesat e tyre janë të drejta dhe përse duhet të luftojnë.
9 – Merita për të gjitha këto çështje i përket politikes se drejtë parimore, të pjekur e largpamëse të partisë sonë të lavdishme dhe shokut Enver Hoxha. Në pjesë të veçantë të këtij informacioni mujor do të trajtojmë efektet e qëndrimit të partisë dhe qeverisë sonë në emigrantet ekonomike jugosllave që ndodhen në zonën tonë për të fituar bukën e gojës
Vjenë, 5 maj 1981 Ambasadori,
Musin Kroi .