Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin:
“Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Nr. 17
Lënda: Mbi disa komente të diplomatëve të huaj rreth ngjarjeve në Kosovë dhe artikujve të gazetës “Zëri i Popullit”
Tiranë, më 29 maj 1981
Nikolla Nikollov, i ngarkuari me punë i Ambasadës bullgare: “Për problemin e Kosovës qëndrimi ynë është internacionalist. Ne nuk kemi pretendime dhe nuk grindemi për çështje nacionale, kurse Shqipëria në marrëdhëniet me Jugosllavinë ka mbajtur qëndrim të kundërt nga i yni. Në artikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, të datës 17.05.1981, jepet ultimatum që Kosova të bëhet patjetër republikë, por kjo nuk do të bëhet kurrë, mbasi qeveria jugosllave nuk e lejon këtë. Gjatë këtyre 40 vjetëve shqiptarëve në Jugosllavi akoma nuk u janë zgjidhur kërkesat e tyre. Ne, bullgarët, po të na jepet mundësia, jemi të gatshëm t’i ndihmojmë. Në çështjen e Kosovës si nga jugosllavët dhe shqiptarët ka shovinizëm dhe, po nuk u zgjidhen problemet me gjakftohtësi, pasojat do të jenë të rënda”.
Zigfrid Balon, i ngarkuari me punë i Ambasadës gjermane: “Ngjarjet në Kosovë janë problem për të gjithë Ballkanin. Shqipëria nuk është fajtore. Shkaku i vërtetë i kësaj gjendje është prapambetja e krahinave shqiptare, si pasojë e politikës jugosllave. Nuk është rasti i parë që shqiptarët e Kosovës janë ngritur për të kërkuar të drejtat e tyre, prandaj edhe artikujt e “Zërit të Popullit” janë të drejtë, u botuan në kohë dhe në momentin e duhur. Kjo situatë do të acarojë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave e mund të jetë me pasoja për të dy shtetet”.
Kalman Kadar, sekretari i parë i Ambasadës hungareze: “Në artikujt e gazetës “Zëri i Popullit” shumë çështje të ngritura janë saktësuar mirë, në to paraqitet edhe politika e jashtme e Shqipërisë dhe qëndrimi ndaj ideologjisë e politikës jugosllave. Duhet pranuar që gjendja në Jugosllavi është e rëndë. Çdo veprim nga ana e jugosllavëve karshi Kosovës është agresiv, ata (jugosllavët) nuk kanë asnjë të drejtë dhe e gjithë Jugosllavia nuk është në rregull. Nga sa shihet, shqiptarët ngulin këmbë për pavarësi. Kjo është një çështje e mprehtë për Jugosllavinë, që do të ketë rrjedhime të tjera, bile mund të themi intervencione të reja, sepse ngjarjet e Kosovës i hodhën benzinë zjarrit. Në të vërtetë tani bëhet pyetja si do të shkoj më tej kjo çështje, se jugosllavët kanë marrë revan, kur për këtë kërkohet më shumë kujdes”.
Karol Lainçek, sekretari i dytë i Ambasadës hungareze: “Shqiptarët e thanë publikisht qëndrimin e tyre se janë për marrëdhënie të mira ekonomike e kulturore, kurse jugosllavët kanë deklaruar vetëm prishjen e marrëdhënieve kulturore me Kosovën. Mendoj se edhe marrëdhëniet ekonomike do të minimizohen për shkak të këtij tensioni; ndërsa për veprimtarinë e Ambasadës shqiptare në Beograd, jugosllavët janë të matur e nuk shpallin persona të dëshirueshëm, sepse këto veprime mund të shpinin në prerjen e marrëdhënieve diplomatike. Në takimin që pata me sekretarin e parë të Ambasadës jugosllave, Nikolla Marosheviç, ai u tregua i kufizuar dhe nuk më dha hollësira për këto ngjarje. Vetëm më tha se shkaqet e brendshme mund të kërkohen tek të dy palët dhe se nuk e mendonim që udhëheqja kosovare do të lejonte të arrinte puna deri këtu. Tendenca ka pasur nga kosovarët, por jo në këtë shkallë. Mendimi i tij ishte që marrëdhëniet të mbeten dhe bashkëpunimi midis dy vendeve të jetë në interes të paqes në Ballkan”.
Ferenc Poka, sekretari i parë i Ambasadës hungareze: “Artikulli i gazetës “Zëri i Popullit”, i datës 17. 5. 1981, ishte shkruar në një nivel më të lartë e përkthyem menjëherë në hungarisht për t’ia nisur qendrës. Polemika që zhvillohet nuk është e mirë për gjendjen në Ballkan. Në njoftimet e gazetës “Zëri i Popullit” bëhet fjalë edhe për dorëheqjen e Ymer Jakës e Pajazit Nushit, si dhe për diskutimin e këtij të fundit, që është vlerësuar jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve të saj. Pikërisht këtu qëndron e keqja, se nga njëra anë ata e vlerësojnë këtë diskutim, ndërsa nga ana tjetër e shkarkojnë. Mënyra e veprimit të jugosllavëve është me të vërtetë interesante. Me veprimet e tyre po ngrenë kundër edhe ata shqiptarë, të cilët mendonin se ishin pro tyre. Kështu jugosllavët po krijojnë një hendek të madh e po shpejtojnë rrokullisjen e tyre drejt ferrit”.
Ilona Ferenc, këshilltare e përfaqësisë tregtare hungareze: “Jam e shqetësuar për gjendjen aktuale të krijuar midis Shqipërisë e Jugosllavisë. Nuk është në interes të Shqipërisë qe të prishet me Jugosllavinë. Shqipërisë i janë krijuar shumë pengesa ekonomike nga polemika me Bashkimin Sovjetik e me Kinën, prandaj them se vazhdimi i polemikës me Jugosllavinë do të krijojë pengesa të tjera ekonomike. Për hir të interesave ekonomike duhen kapërcyer divergjencat politike. Jugosllavia nga ana e saj, është në pozitë të vështirë dhe nuk di si të bëjë. Ajo nuk mund t’i japi toka Shqipërisë, sepse do të çoheshin edhe pakicat e tjera kombëtare dhe do të ngrinin këto pretendime”.
Leonard Vahovski, sekretari i dytë i Ambasadës polake: “Artikullin e përktheva me urgjencë dhe do ta dërgojë në Poloni. Tani situata është shumë e vështirë në Jugosllavi. Ka rrezik të shpërthejë ndonjë konflikt i armatosur ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Gjendja në Kosovë është shumë e nderë”.
Lida Pavlloçkova, sekretare e dytë e Ambasadës çeke: “Në artikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, datë 17. 5. 1981, argumentohet se nuk është Shqipëria që e kërkon statusin e Republikës së Kosovës në Federatën Jugosllave, por vetë Kosova. Me shumë mënyra në artikull përpiqen të tregojnë se qeveria jugosllave kërkon të fshehë të vërtetën. Një qëndrim i tillë i shqiptarëve do të shpjerë në prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Flitet që në Kosovë është krijuar një parti e fshehtë, një degë e partisë marksiste-leniniste shqiptare, por gjë e saktë nuk dihet. Ndërsa pedagogët me leksionet e materialet që kanë përdorur kanë bërë punën e tyre politiko-ideologjike, gjë që ka influencuar në masën e studentëve. Në këtë drejtim edhe propaganda jugosllave nuk ka mbetur pas”.
Kostandin Politis, ambasadori i Greqisë: “Shqiptarët nuk do të heshtin dhe do të vazhdojnë të reagojnë për gjendjen në Kosovë. Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit” kanë qenë mjaft kritikë. Jugosllavët nuk duan të vazhdojnë polemiken, mbasi e dinë mirë që janë vetë fajtorë. Kosova ka mbetur një krahinë e pazhvilluar. Kosovarët duan republikë, duan më shumë liri… Në disa gazeta greke është bërë aluzion për afrimin me sudet, bile në një gazetë është botuar një hartë e Ballkanit, e publikuar nga një gazetë sovjetike, ku kufijtë e Shqipërisë shtriheshin në Kosovë, në Mal të Zi dhe ne një pjesë të Maqedonisë, deri në Manastir, kurse pjesa tjetër i ishte shtuar Bullgarisë. Kështu krijohet kufiri i përbashkët i Shqipërisë me Bullgarinë dhe rusëve iu hapet rruga për në Shqipëri”.
Leonidha Mingos, nëpunës në Ambasadën greke: “Artikulli i gazetës “Zëri i Popullit”, datë 17. 5. 1981, ishte i shkëlqyer, Qeveria jonë e aprovon atë plotësisht, por nuk dalim hapur me qëndrim zyrtar se tronditim marrëdhëniet që kemi me Jugosllavinë. Me datën 18.05.1981, në Athinë, në një pritje jo zyrtare me ambasadorin jugosllav, nga Ministria e Jashtme e Greqisë atij iu theksua se nuk e miratojmë qëndrimin që mbajnë ndaj krahinës së Kosovës. Të gjitha lajmet e radio Beogradit për Shqipërinë nuk janë të vërteta. Më mirë se kushdo tjetër këto çështje i kuptojnë grekët, pasi kemi pasur vetë probleme të tilla me Jugosllavinë dhe Bullgarinë. Serbët janë vrasës, këtë e treguan gjatë Luftës së Dytë Botërore në 40 fshatra greke të Follorinës, ku dogjën dhe vranë popullin e pafajshëm”.
Ana Marie Autissien, atashe në Ambasadën franceze: “Nga diplomatët francezë ne Beograd mësova se, mbas vdekjes së Titos, gjendja në Jugosllavi është e vështirë. Në këto kushte, kërkesat e shqiptarëve kanë çorientuar udhëheqjen jugosllave. Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit” janë bërë shkak që jugosllavët të mendojnë se për turbullirat në Kosovë ka dorë Shqipëria. Është e drejta e Shqipërisë që të mbrojë kombësinë shqiptare në Jugosllavi, por shteti jugosllav ka të drejtë të marrë masa dhe të mos lejojë krijimin e republikës së Kosovës”.
Osman Ulukan, i ngarkuari me punë në Ambasadën turke: “Artikulli i gazetës “Zëri i Popullit” i datës 17.05.1981 ka rëndësi të madhe, është i studiuar i argumentuar me baza historike të pamohueshme dhe, mbi te gjitha, është shumë i matur. Jugosllavët flasin me gjaknxehtësi e pa u thelluar. Ambasadori francez dhe italian thonë që Shqipëria po kërkon haptazi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.
Xhovani Tozoli, ambasadori italian: “Kosova është një krahinë ku jetojnë gati 2.5 milion shqiptarë, por një pjesë janë emigruar në shtete të ndryshme të botës. Në fillim u trembëm për ndonjë ndërhyrje të rusëve, por jugosllavët i rregulluan vetë brenda për brenda problemet. Jugosllavia ka me shumë frikë nga Bullgaria për Maqedoninë, sepse nxitet nga rusi”.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Çaka.
Nr. 18
Mbi qëndrimin e vendeve revizioniste ndaj ngjarjeve në Kosovë
Tiranë, më 2 qershor 1981
Sikurse rezulton nga të dhëna të ndryshme, vendet revizioniste pa përjashtim u kanë kushtuar mjaft vëmendje ngjarjeve në Kosovë.
Por qëndrimet e tyre ndaj këtyre ngjarjeve duke i gjykuar nga koha e reagimit dhe mënyra e paraqitjes se tyre, nga shkalla e prononcimit të tyre në përkrahje të jugosllavëve dhe vlerësimi që u bëjnë ato faktorëve që çuan në shpërthimin e demonstratave dhe përmbajtjes së artikujve të “Zërit të Popullit” për këtë problem, flasin edhe për nuanca e qëndrime të tyre jo të njëjta.
Vendet revizioniste lidhur me qëndrimin e tyre ndaj ngjarjeve në Kosovë mund t’i grupojmë në tri ndarje: atë të socialimperialistëve kinezë, që reaguan menjëherë e që u shprehen pa rezerva në përkrahje të histerisë shoviniste të udhëheqjes jugosllave kundër demonstruesve dhe popullit të Kosovës si dhe kundër RPS të Shqipërisë, grupit të socialimperialistëve sovjetike dhe vendeve revizioniste të Evropës Lindore dhe Vietnamit, që reaguan me vonesë e dinakëri dhe grupit të tretë të përbërë nga Rumania e Koreja që kanë mbajtur heshtje për ngjarjet në Kosovë.
Por ai që pritej me preokupacion nga opinioni ndërkombëtar e veçanërisht nga udhëheqja jugosllave ishte reagimi ndaj ngjarjeve në Kosovë i BS dhe vendeve të bllokut të tij.
Sikurse dihet pas demonstratave në Kosovë, kur BS nuk ishte prononcuar për ato, udhëheqësit jugosllavë të çoroditur në përpjekjet e tyre për të fshehur shkaqet e vërteta që çuan në ngjarjet e fundit në Kosovë, pasi nuk gjeten dot fajtorët e këtyre ngjarjeve tek të ashtuquajturat grupe informbyroiste në disa nga vendet perëndimore, u përpoqën të linin përshtypjen se ngjarjet në Kosovë ishin organizuar e nxitur nga BS.
Për përhapjen e përmbajtjes se kësaj teze, e cila u interesonte për te tërhequr në favor të tyre opinionin e vendeve perëndimore, jugosllavët vepruan me shpejtësi e me mënyra nga më të ndryshmet. Për këtë qëllim shfrytëzuan biseda të udhëheqësve të tyre me personalitete të huaj, shtypin e vendit e veçanërisht përfaqësitë e tyre diplomatike në vende të ndryshme.
Por përmbajtja e kësaj teze të jugosllavëve në opinionin ndërkombëtar, e veçanërisht në opinionin zyrtar të vendeve perëndimore, nuk gjeti përkrahje. Sikurse dihet kësaj teze të tyre, i bëri disi jehonë shtypi francez e diplomatët francezë në vende të ndryshme, të cilët vinin në dukje se: “revoltat në Kosovë u organizuan nga sovjetikët me qëllim që të krijojnë tension jo vetëm në zonën e Kosovës por edhe në republikat e Jugosllavisë”. Veçanërisht përmbajtjen e kësaj teze të tyre, jugosllavët u përpoqën t’ua fusnin në vesh funksionarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe diplomatëve të disa vendeve fqinj të Ballkanit si të Greqisë, Turqisë etj,.
Ish zëvendësministri i parë, deputet i Parlamentit grek Zaimis, i tha ambasadorit tonë në Athinë se “BS inkurajon trazirat në Kosovë për të arritur dy objektiva: Së pari, për të futur pyka midis Jugosllavisë e Shqipërisë, por kryesorja është se BS, duke nxitur trazirat në Kosovë kërkon të masë pulsin e qëndrueshmërisë së Federatës jugosllave dhe se sa në gjendje është qeveria jugosllave pas Titos të kontrollojë situatën në vend”. (Radiogram i Ambasadës sonë në Athinë, nr. 1169, datë 19.5.1981).
Kurse një nga ambasadorët turq në bisedë me shokët tanë tha se: “në ketë situatë ndërkombëtare sovjetikët po veprojnë shumë aktivë në Jugosllavi që të realizojnë qëllimet e tyre që dihen. Ata do të përpiqen të influencojnë në situatat e brendshme politike dhe ekonomike që ato të zhvillohen gradualisht në favor të tyre”. (Radiogram i Ambasadës tonë në Bukuresht, nr. 576, datë 22.5.1981). Pati edhe diplomatë të vendeve miq të Jugosllavisë, të ashtuquajtura të paangazhuara, si të Egjiptit, Indisë etj., që u shprehen në përkrahje të kësaj teze jugosllave. Ambasadori egjiptian ne Vjenë i tha ambasadorit tonë se ngjarjet në Kosovë mund të jenë organizuar nga rusët për të prishur federatën jugosllave. (Radiogram i Ambasadës sonë në Vjenë, nr. 803, datë 30.4.1981). Deklarata me përmbajtje të tilla u bënë edhe nga funksionarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit. Kurse një diplomat indian në Bukuresht u tha shokëve tanë se: “për ngjarjet në Kosovë kanë vepruar intensivisht rusët, të cilët duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë në Kosovë dhe pakënaqësinë e shqiptarëve, nëpërmjet studentëve libianë që studiojnë në Universitetin e Prishtinës, kanë provokuar e nxitur demonstruesit për të krijuar armiqësinë e kombësive të tjera kundër shqiptarëve të Kosovës”, (Radiogram i Ambasadës sonë në Bukuresht, nr. 498).
Nga mjaft radiograme me përmbajtje në përkrahje të tezës jugosllave se ngjarjet në Kosovë u nxiten nga BS tërhoqën vëmendjen fakti se disa prej tyre shprehen në këtë mënyrë duke u nisur nga synimet strategjike të BS ndaj Ballkanit dhe veçanërisht ndaj Jugosllavisë e nga motive e interesa të tjera për të përkrahur ato që thonë jugosllavët.
Në komente të ndryshme për këtë problem nga përfaqësues të vendeve të ndryshme, pa përjashtuar preokupimin e BS për ngjarjet në Kosovë dhe synimet e tij ndaj Jugosllavisë u shprehen edhe mendime të tilla: “…sovjetikët tani për tani nuk janë për destabilizimin e Jugosllavisë. “Kartën” e saj ata do ta bëjnë më vonë. Tani ata janë të preokupuar me problemin e Polonisë, Afganistanit, Lindjes së Mesme e sidomos me përgatitjet që po bëjnë për të përfunduar një “Jalte të re me amerikanët…”, (Radiogram i Ambasadës sonë në Beograd, nr. 1034 datë 8.5.1981).
Për herë të parë për ngjarjet e fundit në Kosovë socialimperialistët sovjetikët u prononcuan me datën 6 prill, me një njoftim të TASS-it. Megjithëse BS nuk mund të mos ishte në dijeni të atyre që kishin filluar të fliteshin nga jugosllavët në adresë të tij në njoftimin e TASS-it u shpreh në mënyrë që t’u vinte mirë jugosllavëve. Përmbajtja e këtij njoftimi ishte marrë nga burime jugosllave. Citohej TANJUG-u, “Borba”, “Politika”, “Rilindja”. Duke iu referuar gazetës “Politika”, TASS-i vinte në dukje se ngjarjet në Kosovë “kanë si qëllim që të prishin stabilitetin, të kërcënojnë tërësinë territoriale të Jugosllavisë, të përçajnë vëllazërimin dhe unitetin e popujve të Jugosllavisë”. Në njoftimin e TASS-it, nuk u tha asnjë fjalë për gjendjen ekonomike të Kosovës, për prapambetjen ekonomike të saj, etj. E vetmja gjë që thuhej për Kosovën në njoftimin e TASS-it ishte cilësimi i saj si krahinë autonome në Serbi, ku shumica e popullatës është me kombësi shqiptare. Që në njoftimin e parë TASS-i nuk la pa vënë në dukje edhe shprehjen e preferuar të shovinistëve serbë se demonstratat u zhvilluan “nën parulla nacionaliste shqiptare”.
Mbas dy ditësh, me datën 8 prill agjencia TASS dhe njoftimin e dytë për ngjarjet në Kosovë. Botoi lajmin mbi zhvillimin e plenumit të KQ te LK të Jugosllavisë. Nga analiza e përmbajtjes dhe të këtij njoftimi del se lajmi merrej nga një burim jugosllav, nga TANJUG-u, dhe vihej në dukje se në Kosovë ditët e fundit kanë ndodhur turbullira dhe janë zhvilluar demonstrata nëpër rrugë nën parulla nacionaliste shqiptare.
Për përmbajtjen e konferencës së shtypit të Dollancit, në të cilën u tha se dhuna është provokuar “nga ndikimet e huaja”, në njoftimin e TASS-it nuk u tha asgjë. Përmbajtja e këtyre dy njoftimeve të TASS-it u botua edhe në gazetën “Pravda”, e në përgjithësi shërbeu si orientim për pasqyrimin e ngjarjeve në Kosovë nga shtypi i vendeve të tjera të bllokut të Moskës.
Megjithatë jugosllavët vazhduan me pretendimin e tyre ndaj Bashkimit Sovjetik. Në gjysmën e dytë të muajit prill gazeta “Borba” në një koment lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë vinte në dukje për përpjekje të forcave të jashtme për të shfrytëzuar vështirësitë ekonomike dhe vështirësi të tjera të disa vendeve në mënyrë që në Ballkan, ashtu si edhe në pjesë të tjera të botes, “të provokohen turbullira në interes të këtij apo atij blloku”.
Dalja hapur në shtypin jugosllav me një pretendim të tillë, i bëri të papërmbajtur sovjetikët. Gazeta “Pravda” botoi një artikull me përmbajtje e ton mjaft të fortë në përgjigje të artikullit të “Borbës”, i akuzoi jugosllavët për humbje të ndjenjës së realizimit”. Megjithëse nuk zgjati shume kohë, polemika midis organeve kryesore të shtypit të të dy vendeve ishte mjaft ashpër.
Mbas polemikes në shtypin e këtyre dy vendeve, shtypi sovjetik për një periudhe relativisht të gjatë për ngjarjet në Kosovë, nuk shkrojti asgjë, megjithëse ajo ishte periudha kur në Jugosllavi të gjitha instancat e partisë dhe të shtetit nga me të ulëtat deri tek me e larta ishin plotësisht të angazhuara me ngjarjet në Kosovë.
Vetëm më datën 4 maj, me rastin e një vjetorit te vdekjes së Titos, gazeta “Pravda” botoi një artikull të mbushur plot elozhe për figurën e tij.
Më 8 maj, plot mbas një muaji TASS-i dha njoftimin e tretë mbi ngjarjet në Kosovë. Duke iu referuar burimeve jugosllave informoi mbi mbajtjen e plenumit te KQ te LK të Jugosllavisë mbi diskutimin e të ashtuquajturës veprimtari armiqësore dhe kundërrevolucionare në Kosovë. Nga raporti i Moisovit ne plenum u botuan ato shprehje qe theksonin se veprimtaria kundërrevolucionare ne Kosovë ka qenë e organizuar me kujdes nga një qendër agjenturiale e huaj, që maskohej me parulla nacionaliste shqiptare dhe se drejtuesit e organizatorët e kësaj qendre do të dalin përpara gjyqit, etj., por asnjë koment nga ana e tyre e asnjë korrespondencë nga përfaqësuesit e shtypit të tyre në Beograd, asnjë interpretim nga ana e tyre në njoftimet që dha TASS-i.
Evoluimi i ngjarjeve, megjithëse për një periudhë të shkurtër, sillte dhe ndryshimet e veta në qëndrimet reciproke midis Jugosllavisë e BS. Duket se qëndrimet e disa udhëheqësve jugosllavë nga pozitat e shovinizmit serb, që si fajtorë të jashtëm për ngjarjet në Kosovë bënë RPS të Shqipërisë e që nuk po flisnin me si më parë kundër BS, u erdhën pas oreksi socialimperialistëve sovjetikë. Ata filluan të ndjenin vetën të lehtësuar nga ato që kishin thënë në fillim në adresë të tyre jugosllavët për ngjarjet në Kosovë. Nga ana tjetër, Jugosllavia, që me sa duket, llogariste shumë për një përkrahje, nga ana e vendeve perëndimore, sidomos nga ana e SHBA kur ngrit tezen për të bërë fajtor BS, duke parë se nga ana e tyre nuk e pati atë, me qëllim presioni ndaj tyre, ndërmori veprime për përmirësimin e atmosferës të marrëdhënieve jugosllavo-sovjetike.
Më datën 20 maj TANJUG-u dhe TASS-i njoftuan për pritjen që ju be Vrhovecit në aeroportin e Moskës gjatë udhëtimit të tij për në Japoni dhe darkën që shtroi për nder të tij zëvendësministri i Punëve të Jashtme të BS Maleev. TANJUG e karakterizoi takimin e Vrhovecit si miqësor dhe të përzemërt dhe vuri në dukje për vlerësime nga ana e tyre në mënyrë të favorshme të marrëdhënieve jugosllavo-sovjetike.
Gjithashtu më datën 20 maj TANJUG njoftoi për vizitën e ambasadorit sovjetik në Beograd në Republikën e Maqedonisë dhe pritjen e tij nga ana e personaliteteve kryesore të republikës.
Ditët e fundit TANJUG dhe shtypi jugosllav kanë pasqyruar vizitën e zëvendëskryetarit të parë të Këshillit të Ministrave të BS Arhipov në Jugosllavi. Ndër të tjera u njoftua për pritjen e tij nga kryetari i Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë, Veselin Gjyranoviç, për “bisedën e gjatë, të përzemërt e miqësore”, siç u cilësua ajo nga TANJUG-u. Më këtë rast u vu në dukje nga të dyja palët “se marrëdhëniet e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik po zhvillohen e po zgjerohen me sukses”, etj. Veselin Gjyronoviç i dorëzoi Arhipovit urdhrin e lartë të flamurit jugosllav më kordon, që ia akordoi Presidenca e Jugosllavisë për veprimtarinë dhe meritat e mëdha për çuarjen më tej të bashkëpunimit ekonomik… si dhe për kontributin e rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis Jugosllavisë dhe BS.
Sikurse vumë në dukje më sipër këto veprime të ndërmarra nga të dyja palët, mund të konsiderohen si manovrime diplomatike reciproke për të kapërcyer atë situatë që u krijua në marrëdhëniet midis tyre dhe për të nxjerre përfitime secila pale për llogari të vet.
Por duke mbajtur parasysh ato që thuhen në artikujt e “Zërit të Popullit” për udhëheqësit jugosllavë, për hegjemonizmin serb, për individë të veçantë të udhëheqjes jugosllave si Stamboliçi, Miniçi, Vidiçi, Ristiçi, etj., të cilët më vlerësimet që u benë ngjarjeve në Kosovë e armiqësinë që shprehen kundër shqiptareve të Kosovës e RPS të Shqipërisë, duke e dalluar vetën e tyre si shovinistë e hegjemonistë të tërbuar në radhët e udhëheqjes jugosllave, edhe qëndrimet e BS në momentin aktual ndaj Jugosllavisë, tërheqin më shumë vëmendjen dhe jo vetëm si manovrime diplomatike, por edhe si synime të tyre për t’u afruar më korentë e individë të tille në udhëheqjen jugosllave.
Gjatë një bisede drejtori i institutit të studimeve strategjike ushtarake në Vjenë i tha ambasadorit tonë nder të tjera se “në KQ të LK të Jugosllavisë kanë lindur kontradikta për çështjen e Kosovës. Serbët që janë më ultra më qëndrimin ndaj Kosovës bëjnë lojën e rusëve. Në Jugosllavi rusët si pike mbështetjeje të tyre kanë Serbët dhe ata po ta ndjejnë vetën në vështirësi mund të thërrasin për ndihmë rusët.
Edhe qëndrimi i vendeve të tjera revizionistë të Evropës Lindore dhe Vietnamit për ngjarjet në Kosovë u orientua nga qëndrimi i BS.
Mbas njoftimit të parë të TASS-it të datës 6 prill, filloi të shkruajë për ato edhe shtypi i këtyre vendeve. Edhe ai kryesisht u mbështet në burimet jugosllave për pasqyrimin e tyre dhe pavarësisht nga disa nuanca jo të njëjta, ka mbajtur anën e jugosllaveve. Më të avancuar për pasqyrimin në shtyp të ngjarjeve në Kosovë kanë qenë polakët dhe hungarezët, ndërsa më të përmbajtur çeket e veçanërisht gjermanolindorët. Sigurisht nuancat, dallimet në qëndrimet e shtypit në këto vende janë të lidhura në radhe të parë më qëndrimet dhe taktikat e orientuara nga Moska, por edhe shprehje e disa interesave të ngushta të secilit vend, të problemeve të brendshme nacionale që kanë vetë ato dhe deri në një fare mase edhe të vetë predispozicionit të veçantë që kanë udhëheqësit e këtyre vendeve ndaj Jugosllavisë.
Por megjithëse shtypi i vendeve revizionistë u shpreh në përkrahje të jugosllaveve, ata nuk mbetën të kënaqur, prisnin nga ai më shumë. Në shtypin jugosllav janë bërë deklarata më përmbajtje të tillë: “Mjetet e informacionit në vendet e Evropës Lindore nuk u benë një publikim të madh ngjarjeve në Kosovë, më përjashtim të Polonisë dhe Hungarisë”. Më pretendime të tilla jugosllavët u shprehen edhe për vende të veçanta revizionistë.
Në kundërshtim më qëndrimin e shprehur në shtypin e tyre mjaft diplomatë të këtyre vendeve revizionistë, në biseda më diplomatët tanë mbajtën një qëndrim tjetër, kanë folur mbi prapambetjen ekonomike të Kosovës, mbi zhvillimin e saj jo të barabartë më kombësitë e tjera të Jugosllavisë, janë shprehur pozitivisht për disa nga shkaqet objektive që quan në shpërthimin e demonstratave dhe për mjaft probleme që trajtohen në artikujt e “Zërit të Popullit”. Nga ana e tyre ka pasur vetëm një rast (ai i ambasadorit polak në Budapest) që i ka kthyer ambasadës sonë artikullin e “Zërit të Popullit” të datës 23 prill.
Qëndrime të ulët e armiqësor për ngjarjet në Kosovë mbajtën revizionistët vietnameze, të cilët një ditë mbas njoftimit të parë të TASS-it botuan lajmë për ngjarjet në Kosovë të marra nga AFP-ja më burim nga Beogradi. Nga artikujt e “Zërit të Popullit” vietnamezët nuk botuan asgjë dhe i kërkuan zyrtarisht ambasadës sonë që të mos shpërndajë atë të datës 23 prill në vendas.
Edhe ndonjë njoftim i shkurtër i agjencisë vietnamezë që i është referuar shtypi tonë ka qenë i paraqitur në mënyrë të atillë që të mos u prishë qefin jugosllavëve.
Sigurisht shkaqet e një qëndrimi të tillë të revizionistëve vietnamezë, ashtu si edhe i vendeve të tjera revizionistë të bllokut të Moskës për ngjarjet në Kosovë, shpjegohen më faktin që ato kanë qenë të orientuara nga qëndrimi i BS, nga përpjekjet e vietnamezëve që edhe ata, ashtu si vasalët e tjerë të Moskës, të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre më Jugosllavinë.
Të shpjegueshme janë edhe qëndrimet e shprehura nga diplomatët revizionistë të këtyre vendeve më diplomatët tanë. Ata duke u shprehur si “realistë” e “objektive” në analizën e ngjarjeve në Kosovë, përpiqen të nxjerrin prej tyre përfitime për interesat strategjike të BS ndaj Jugosllavisë e vendeve të tjera të Ballkanit dhe interesat si ato të bullgareve nga pozita të shovinizmit bullgaromadh. Vetë diplomatë revizionistë në biseda më diplomatët tanë kanë venë në dukje se BS po i ndjek më shumë preokupacion ngjarjet në Kosovë, se bullgaret shpresojnë që edhe në Maqedoni të fillojnë ngjarje të tilla si në Kosovë, etj.
Ka pasur dhe raste që diplomatë revizionistë në biseda më shokët e përfaqësive tona kanë thënë se masat që po marrin jugosllavët kundër popullit të Kosovës, janë të aprovuara nga amerikanët dhe kanë ofruar ndjenjat e tyre “miqësore” për “afrim” të vendit tonë më bllokun e tyre revizionist “meqenëse kemi qenë e jemi konsekuentë në luftën kundër imperializmit amerikan”, etj. Ndonjë diplomat revizionist ka pyetur shokët tanë në se ka ndonjë gjë të re për përmirësimin e marrëdhënieve të vendit tonë më BS.
Edhe gjatë kësaj periudhë nga ana e vendeve revizionistë të Evropës Lindore janë bërë oferta të reja në rruge zyrtare për afrim më vendin tonë. Ambasada çekosllovake në Tiranë kërkoi më notë që të lejohet të vije për vizitë në vendin tonë një nga korrespondentët e Radio-Pragës, polakët propozuan për vendosjen e linjës ajrore midis dy vendeve, gjermano-lindoret i njoftuan të ngarkuarit tonë më punë se do të vije në Tiranë për vizitë në ambasadën e tyre drejtori i drejtorisë që mbulon edhe vendin tonë dhe se ai ka dëshirë të marre takim më kolegun e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Gjest “afrimi” e “miqësie” ndaj vendit tonë kanë shprehur kohet e fundit edhe vende të tjera revizionistë.
Prandaj mund të themi se qëndrimet e diplomatëve të vendeve revizionistë për ngjarjet në Kosovë po të zhvishen nga përmbajtja e interesave të tyre, mbetën vetëm “mirësjellje” e “oferta” hipokritë të tyre të zakonshme në kuadrin e përpjekjeve për “afrim” më vendin tonë.
Për sa i përket qëndrimit të socialimperialistëve kineze ndaj ngjarjeve në Kosovë tërheq vëmendjen fakti që ata reaguan më një herë dhe më qëndrim të hapur në përkrahje të jugosllavëve. Edhe në këtë rast socialimperialistët kineze duke treguar për lidhjet e tyre të ngushta më revizionistët jugosllave, vepruan më zell të madh për të botuar në shtypin e tyre përmbajtjen e deklaratave të udhëheqësve jugosllave të mbushura më shpifje dhe armiqësi kundër demonstruesve dhe popullit të Kosovës si dhe kundër RPS të Shqipërisë. Në dhjetëra lajmë të Hsinhuase e Zhenminzhibaos dhe në disa korrespondenca të kësaj të fundit, flitet për “zhvillimin” e Kosovës nën regjimin titist, për zgjidhjen e “drejtë” të problemit nacional, për “ndërhyrje” nga ana e jonë në punët e brendshme të Jugosllavisë nën maskën e bashkëpunimit më Kosovën, për nxitjen dhe mbështetjen e demonstratave, për “pretendime” territoriale ndaj Jugosllavisë, etj.
Synimet që socialimperialistët kineze përpiqen të arrije nga kjo situatë janë të qarta:
T’u dalin përkrah revizionistëve titistë për të kapërcyer vështirësitë e mëdha dhe për të dale nga gjendja akoma më e rende që është krijuar mbas ngjarjeve në Kosovë, t’u kundërvihen qëndrimeve tona të drejta e parimore për ngjarjet në Kosovë, duke shprehur në këtë mënyrë armiqësinë e tyre klasore ndaj Partisë e popullit tonë, të përpiqen të ruajnë e rrisin ndikimin e tyre në Jugosllavi, për t’iu kundërvënë depërtimit të BS në këtë vend dhe në Ballkan në tërësi.
Koreanët dhe rumunët për ngjarjet në Kosovë kanë mbajtur heshtje. Një qëndrim i tillë i këtyre dy vendeve është shprehje jo vetëm e qëndrimeve të tyre të njohura oportunistë e pragmatistë, por edhe e lidhur më interesa të ngushta të tyre kombëtare. Duket se rumunët për vetë problemet e pakicave nacionale që kanë më vendet fqinj janë shumë të prekshëm ndaj këtij problemi dhe përpiqen t’i qëndrojnë atij sa më larg e pa u prononcuar. Kurse koreanët duke pasur problemin e bashkimit të atdheut dhe duke qenë të interesuar si për përkrahjen tonë, ashtu edhe të jugosllavëve e kanë gjetur më vend të heshtin.
Koreanët edhe një herë më këtë rast e treguan se nuk dalin në përkrahje të qëndrimeve të drejta të Partisë e të popullit tonë dhe konkretisht edhe për probleme të tilla siç është ai i demonstratave të popullit kosovar që disa herë është bërë objekt i reprezaljeve të shovinistëve Serbë, sikurse edhe reprezaljet e popullit të Koresë së Jugut nga klikat e Seulit, kundër të cilave në kemi ngritur zërin e protestës dhe të dënimit.
Megjithatë, duke mbajtur parasysh se cilët janë koreanët dhe ç’far marrëdhënie kanë ata më jugosllavët si dhe qëndrimin e hapur prokinës e antishqiptar që ata mbajtën në vitin 1978 kur u prishen marrëdhëniet shqiptaro-kineze, nuk mund të pritej që koreanët të dilnin tani në përkrahje të popullit të Kosovës e të qëndrimeve tona dhe të dënonin autoritetet jugosllave për reprezaljet e tyre kundër demonstruesve.
Qëndrimi i vendeve revizionistë ndaj ngjarjeve në Kosovë kërkon nga ana e jonë një ndjekje të mëtejshme.
Për të kryer si duhet këtë, na dalin detyra të rëndësishme për momentin aktual dhe me afat të gjatë.
Në radhë të parë duhet të ristudiojmë më kujdes artikujt e “Zërit të Popullit” dhe materiale të tjera që lidhen më këtë problem. Nga artikujt e “Zërit të Popullit” të nxirren e të mbahen mire parasysh ato pjese që bëjnë fjale për socialimperializmin sovjetik dhe vendet e tjera revizionistë.
– Nga sektorët ta vazhdoje puna për njohjen sa më mire të qëndrimeve të vendeve që mbulon drejtoria ndaj ngjarjeve në Kosovë dhe materialet e përgatitura deri tani për këtë qëllim, të pasurohen më të dhëna të reja.
– Mbi qëndrimin e deritanishëm të vendeve revizionistë ndaj ngjarjeve në Kosovë të informojmë përfaqësitë dhe t’u kërkojmë atyre të na dërgojnë një informacion mbi qëndrimin e vendit ku punojnë ndaj ngjarjeve në Kosovë. Të porositën ato edhe një herë më këtë rast që problemin e ngjarjeve në Kosovë ta konsiderojnë si një problem të rëndësishëm në punën e tyre edhe në të ardhmen. Nga ana e sektorëve të ardhmen më kujdes veprimtaria e çdo përfaqësie për këtë problem dhe t’u jepet atyre ndihma e menjëhershme kur u dalin probleme.
– Të ndiqen më kujdes marrëdhëniet e BS dhe vendeve të tjera revizionistë më Jugosllavinë. Veçanërisht të bëhen përpjekje për të mësuar:
- a) Mbi synimet e këtyre vendeve, veçanërisht të BS për të forcuar lidhjet më ato forca e korentë në udhëheqjen jugosllave që në momente kritike mund të kërkojnë që Jugosllavia të lidhet më atë.
- b) Mbi prezencën e BS dhe vendeve të tjera revizionistë në Kosovë:
– Në fushën ekonomike. Gjatë viteve 1975-1980, BS, Polonia dhe Çekosllovakia, kanë nënshkruar kontrata më Kosovën për dhënien e kredive në masën prej 991 milion dollarë, përkatësisht nga secili vend 396 milionë, 325 milionë dhe 270 milionë. Shumica e këtyre kontratave është nënshkruar më afat shlyerje për 20 vjet. Të bëhen përpjekje për të mësuar se në cilin drejtim, atë të Perëndimit, apo të Lindjes do të orientohet ekonomia e Kosovës gjatë periudhës 1981-1985.
– Në fushat e tjera. Veçanërisht të bëhen përpjekje për të mësuar numrin e studentëve, specialistëve, etj. nga BS dhe vendet e tjera revizionistë në Kosovë, dhe anasjelltas mbi shkëmbimin e delegacioneve e lidhjeve të tjera në fusha të ndryshme midis Kosovës e BS dhe vendeve të tjera revizionistë.
Mendime e sugjerime për qëndrime të vendit tonë ndaj vendeve revizionistë lidhur më qëndrimin e tyre ndaj ngjarjeve në Kosovë
Qëndrimi i BS si edhe deri tani do të demaskohet në shtypin tonë. Në ndonjë artikujt e shtypit tonë lidhur më ngjarjet në Kosovë më ndonjë paragraf të demaskohet qëndrimi armiqësor i socialimpërilaistëve kineze ndaj popullit të Kosovës dhe RPS të Shqipërisë.
Nga ana e jonë në ministri ose nga ana e shokëve të përfaqësive tona në Vietnam e Kore, kur nga ana e përfaqësuesve të këtyre dy vendeve kërkohet përkrahja e vendit tonë për ndonjë problem të tyre, t’u flitet atyre për dënimin që i është bërë në botë përdorimit të dhunës nga ana e autoriteteve jugosllave kundër vëllezërve tanë në Kosovë. Vietnamezëve, që pasqyruan si mbas burimeve jugosllave ngjarjet në Kosovë e ndaluan shpërndarjen në vendas nga ana e ambasadës sonë të artikullit të “Zërit të Popullit” të datës 23 prill t’u thuhet se në i kemi përkrahur për dekada më radhe kundër vrasësve të popullit vietnamez kurse atyre edhe një herë që ju dha rasti të dilnin në përkrahje të shqiptareve të Kosovës dhe RPS të Shqipërisë vepruan në të kundërtën.
Tiranë, më 2 qershor 1981