Prof. assoc. dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, ka nxjerrë në dritë librin: “Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”. Në këtë libër ai ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me ish-RSFJ dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981. Prezantimi i këtyre dokumenteve origjinale hedh dritë në një segment shumë të rëndësishëm të “Pranverës shqiptare të vitit 1981” kundruar nga regjimi i atëhershëm komunist i Tiranës, një qëndrim vëllazëror e parimor, pa ekuivoke pa stërhollime diplomatike e luhatje politike, te i cili mbante shpresa rinia atdhetare e revolucionare e Kosovës. Shqipëria ishte shteti i vetëm në botë që përkrahu kërkesat e drejta të shqiptarëve në Jugosllavi për formimin e Republikës së Kosovës. Ishte edhe mbështetja e vetme e patriotëve e revolucionarëve të Kosovës, të cilët luftën e tyre për liri e pavarësi nuk e ndaluan për asnjë çast, deri në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999 që rezultoi me pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Nr. 13
Qëndrimi i vendeve të tjera Arabe ndaj ngjarjeve në Kosovë
Tiranë, me 23 maj 1981
Nuk kemi ndonjë qëndrim zyrtar nga vendet e tjera arabe, kjo për mungesë kontaktesh direkte me to. Kemi tek tuk qëndrime ambasadorësh të ndryshëm.
Ambasadori sirian në Buenos Aires tha: Ngjarjet në Kosovë janë në dobi të strategjisë së përgjithshme të imperializmit amerikan, i cili donë me çdo kusht qendra tensioni në zonën e Mesdheut, për të tërhequr vëmendjen nga Lindja e Mesme. Jugosllavia diskreditohet kështu në arenën ndërkombëtare si vend i paangazhuar. Artikulli i Zërit të Popullit për ngjarjet në Kosovë është argumentuar mirë.
Këshilltari sirian në Romë u interesua për ngjarjet e qëndrimin tonë. Nuk u prononcua, por pasi u pyet, tha: Çdo vend ka të drejtë të mbrojë pakicat kombëtare që jetojnë në vendet e tjera.
Sekretari i parë libanez në Bukuresht: Ngjarjet në Kosovë kanë vënë në pozitë të vështirë Jugosllavinë para opinionit publik botëror. Problemi nacional në atë vend nuk është zgjidhur drejt. Ai vlerësoi argumentimin tonë në artikullin e “Zërit të Popullit” (8 prillit) dhe pyeti: në qoftë se shqiptarët e Kosovës nuk do të kishin alternativë tjetër veç kryengritjes a do ti ndihmonte Shqipëria ushtarakisht?
Ambasadori i Sudanit në Beograd tha se e shikonte krejt normale e korrekte artikullin e “Zërit të Popullit”. Ne, tha ai, jemi të interesuar akoma më tepër për këtë, sepse të vrarët janë mysliman.
Ambasadori i Kuvajtit në Beograd: Ngjarjet ishin reagim i drejtë i gjendjes së vështirë ekonomike dhe e mungesës së të drejtave civile, por jo i të drejtave politike. Kuvajti gjithnjë i ka sugjeruar qeverisë jugosllave që nga ndihmat e tij, t’i jepte prioritet zhvillimit të Kosovës, por kjo nuk është bërë, me përjashtim të kohëve të fundit. Kishte pikëpamjen se republika do të shkaktonte dizintegrimin e federatës. Pasi Sokrati ia shpjegoi çështjen ndërroi mendim.
Sekretari i parë i Kuvajtit në Beograd: Vlerësoi artikujt tonë dhe i konsideroi të nxituara e të pamatura qëndrimet jugosllave për këto ngjarje dhe për vendin tonë. Tha se do të njoftonin qeverinë e tyre për ngjarjet.
Ambasadori i Bahrejnit në OKB: Tani që lexova artikujt e gazetës Zëri i Popullit mbi ngjarjet në Kosovë, mësova se për ç’arsye populli shqiptar i kësaj krahine vuan dhe përse është i pakënaqur. Ramë dakord se me plumba dhe dhunë nuk zgjidhet problemi. Duhet kuptuar dhe dëgjuar revolta e njerëzve. Kosova ngjan me disa krahina të A. Saudite të Iranit të Jugut, që janë shumë të pasura, por njerëzit janë shumë të varfër, sepse qeveritë nuk çajnë kokën për jetën e tyre. Vuajtjet e popullit të Kosovës, natyrisht, nuk vijnë vetëm për shkaqe ekonomike, por edhe nga padrejtësitë historike e shtypja nacionale.
Përfaqësuesi i Palestinës në Vjenë: Nuk e dija problemin e Kosovës, por mësova shumë nga informacioni i juaj. Përderisa shqiptarët përbëjnë shumicën, qeveria jugosllave duhet tu a njohë të drejtën që kërkojnë.
Sekretari i parë libanez në Romë nuk ishte prononcuar, kishte thënë se nuk i kishte lexuar materialet tona, nën pretekstin se “në Ambasadë vijnë shumë materiale”.
Nuk kemi ndonjë të dhënë nga ambasadat për qëndrimin e ambasadorëve të Marokut, por theksojmë se ambasadori i tyre në vendin tonë me qëndrim të përhershëm në Beograd u shpreh si më poshtë: Si person jem me popullin e Kosovës dhe kërkesat e tij, si ambasador përfaqësues i vendit tim them se duhet zgjidhur problemi midis dy vendeve në frymën e fqinjësisë së mirë, për të mos u dhënë mundësi superfuqive ta shfrytëzojnë për interesat e tyre.
Qëndrimi i shtypit të vendeve arabe
Nuk kemi të dhëna të plota. Deri tani na rezulton të ketë shkruar shtypi saudit, kuvajtian, libanez.
“Kuvajt Tajms” e datës 14 maj boton artikullin e Observerit të Londrës shkruar nga korrespodenti i saj në Beograd P. Ristiç, me titull: “Intelektualët tentojnë të ndryshojnë legalitetin e periudhës së Titos”., ku shkurtimisht flitet edhe për ngjarjet në Kosovë.
“L’orient Lezhur” e Bejrutit, më 19 maj njofton hapjen e procesit gjygjësor kundër 5 shqiptarëve në Shkup, me burim nga AFP-ja.
Tiranë, më 23/5/1981